Djepi i talenteve të shqipfolësve kinezë:Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit
Më 26 shtator 2021 Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit (BFSU) kremtoi 80-vjetorin e krijimit të tij.
“Festimet e 80-vjetorit janë një shfaqje gjithëpërfshirëse e historisë së universitetit nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, një dëshmi e gjallë e përparimit të universitetit dhe një pamje e arsimit të lartë të gjuhëve të huaja në Kinë,” tha Yang Dan, rektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.
Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit është institucioni i parë kinez i arsimit të lartë të gjuhëve të huaja i themeluar nga PKK-ja. Ai është krijuar në vitin 1941 në Yanan të provincës Shaanxi dhe fillimisht njihej si Ekipi i Gjuhës Ruse në Degën e Tretë të Kolegjit Ushtarak dhe Politik të Luftës Antijaponeze të Popullit Kinez.
Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, në vitin 1954 shkolla u riemërua si Instituti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit. Më 1994 ajo mori emrin e vet të tanishëm, Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit, dhe tani është listuar në Platformën e Inovacionit të Projektit 985, Projektit 211, dhe nismën kombëtare të klasit të parë të dyfishtë.
Shenja dalluese e universitetit janë kurset e tij në 101 gjuhë – numri më i madh i kurseve të mësimdhënies së gjuhëve të huaja që ofron një universitet kinez – që përfshijnë gjuhët e përdorura në vendet me të cilat Kina ka marrëdhënie diplomatike, 47 prej të cilave mësohen vetëm në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.
Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit është universiteti i parë ku është mësuar gjuha shqipe. Departamenti i Gjuhës Shqipe u themelua në vitin 1961. Gjatë afërsisht 60 vjetësh, ky departament ka përgatitur shumë studentë në nivel universitar. Mësimdhënia dhe studimet për gjuhën shqipe në Kinë kanë pasur suksese të vazhdueshme. Në vitin 2000, Departamenti i Gjuhës Shqipe filloi programin e kualifikimit pasuniversitar, ndërsa katër vjet më pas edhe programin e doktoraturës.
Tani ka tre pedagoge Ke Jing, Chen Fenghua dhe Jin Qiao në këtë degë. Pedagogët e degës së gjuhës shqipe kanë dhënë kontribut të madh për përgatitjen e talenteve në fushën e shkëmbimeve midis Kinës e Shqipërisë. Ata gjithashtu kanë botuar e përkthyer shumë libra për t’ia paraqitur Shqipërinë popullit kinez.
Më 2 nëntor në vitin 2018, në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nderoi profesoren e degës së gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit Ke Jing me titullin “Medalja Kombëtare e Kontributit”, për të vlerësuar kontributin e saj për përhapjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Ke Jing u bë studiuesja e parë aziatike që fiton “Medaljen Kombëtare të Kontributit”. Kjo ishte hera e tretë që Shqipëria i jepte “Medaljen Kombëtare të Kontributit” një të huaji, pas akordimit të kësaj medaljeje dy të huajve përkatësisht nga ShBA-ja e Britania.
Në ceremoninë e dorëzimit të medaljes, kryeministri Rama vlerësoi lart kontributin e shquar të prof. Ke në fushën e studimeve për Shqipërinë dhe Ballkanin. Ai çmoi gjithashtu punën e saj në fushën e përgatitjes së specialistëve të gjuhës shqipe.
Gjatë 60 vjetëve, breza të diplomuarish kanë dalë nga dega e gjuhës shqipe, të cilët kanë punuar shumë për forcimin e marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë.
Wang Hongqi, ish-shefi i degës së agjencisë kineze të lajmeve “Xinhua” në Shqipëri, është një nga ata. Ai është pjesë e grupit të parë të studentëve kinezë që kanë mësuar gjuhën shqipe në Kinë. Në vitin 1961 ai filloi të mësonte në degën e gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.
Ishte fundshtatori i vitit 2019 kur kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, nderoi Wang Hongqi me titullin e lartë “Naim Frashëri”. Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni, gazetari dhe albanologu i njohur Wang dërgoi një mesazh malli për Shqipërinë, vendin ku jetoi dhe punoi 22 vjet si korrespondent.
Njohës i shqipes, pas studimit të saj në Pekin dhe të perfeksionuar në Shqipëri, Wang Hongqi deri në fund të jetës së tij mbeti një mik besnik i “vendit të shqiponjave”. Ai ka dhënë një ndihmesë të shquar aktive për imazhin e Shqipërisë në Kinë, si dhe për forcimin e miqësisë tradicionale mes dy vendeve e dy popujve tanë.
Në vitin 2007, Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit krijoi zyrën e punës për Institutin “Konfuci” dhe filloi bashkëpunimin për ngritjen e instituteve “Konfuci” me universitete të ndryshme në mbarë botën. Deri tani 23 institute “Konfuci” janë krijuar në vende të ndryshme.
Më 18 nëntor në vitin 2013, Instituti i parë “Konfuci” në Shqipëri, i themeluar nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit, u përurua zyrtarisht në Tiranë.
Në ceremoninë e hapjes, kryeministri shqiptar Rama tha se forcimi i bashkëpunimit arsimor do të ndihmojë në rritjen e miqësisë midis dy popujve. Ai shprehu shpresën që populli shqiptar të njohë më thellë nëpërmjet Institutit “Konfuci” gjuhën e kulturën kineze, duke promovuar zhvillimin dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Në fundin e fjalimit të tij, kryeministri Rama vlerësoi edhe një punonjës kinez në ambasadën e Kinës në Shqipëri, i cili merret me përkthimin dhe që kishte përgatitur një dokument prej katër faqesh në gjuhën shqipe ku nuk kishte asnjë gabim drejtshkrimor. Edhe ky punonjës kinez është diplomuar në degën e gjuhës shqipe të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe është studenti i pegdagogeve Ke Jing dhe Chen Fenghua. “Kush dëshiron ta studiojë gjuhën shqipe gjerësisht e thellësisht, duhet të shkojë në Pekin”, u shpreh Rama duke qeshur.
Me rastin e 80-vjetorit, Yang Dan, rektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, u shpreh se universiteti që ai drejton do të vazhdojë të ruajë vizionin e vet ndërkombëtar, do të këmbëngulë në thellimin e rrënjëve të veta në tokën e Kinës, do të praktikojë metoda të reja mësimdhënieje dhe do të ecë drejt një epoke të re. (Çang Çuo)