Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e tri revistave në Shqipërinë e para tri dekadave

Neritana Kraja

“Ylli”, “Shqiptarja e Re”, “Skena dhe Ekrani”, “Hosteni”, “Fatosi”, “Yllkat”, “Nëntori”, “Pioneri”, “Ndërtuesi”, “Studime Historike”, Horizonti”, “Shkenca dhe jeta” janë disa titujt e revistave që mbushnin kioskat e shtypit para viteve ’90. Një pjesë e tyre, patën një ndikim shumë të madh tek brezat. Ishin ndër të vetmet burime informacioni nga bota e artit, shkencës, teknikës dhe priteshin me padurim nga të rinjtë dhe nga gjithë ata që kishin interesa në shkencë, kulturë dhe art. Shumë njerëz akoma ruajnë koleksionet e këtyre revistave, që jo rrallë i shohim të shiten si libra të përdorur në tezgat e bukinistëve, ose si njoftime shitjesh të publikimeve që tashmë i përkasin historisë. Po cilat janë tre nga revistat shumë të njohura të atyre kohëve, me ndikim të madh tek lexuesit? Sot do të ndalemi pikërisht tek ky argument.

Revista “Pionieri”

Fëmijët, që të vegjël, kishin revistat e tyre të përshtatshme me moshën. Fillonin me revistën me ilustrime dhe vjersha të vogla “Yllkat”, vazhdonin me revistën “Fatosi” për fëmijët e fillores dhe finalizonin me revistën “Pionieri”, që ishte e përshtatshme për fëmijët e ciklit të dytë 8 vjeçar, sipas skemës arsimore të atyre viteve. “Pionieri” ishte një revistë e përdyjavshme shoqërore, letrare-artistike, teknike-shkencore për pionierët, të cilët mund ta siguronin revistën në dy mënyra, ose duke e blerë në kioskat e librarive, ose përmes abonimit dhe në këtë rast e sillte në shtëpi postieri i lagjes. Familjet me fëmijë të disa moshave, mund të abonoheshin edhe për revistat për më të vegjëlit, “Yllkat” dhe “Fatosi” dhe në këtë rast, ardhja e postierit të dielave në shtëpi, ishte një gëzim i vërtetë. Duke shfletuar këto revista, fëmijët janë ndeshur për herë të parë me emrat dhe letërsinë e shkrimtarëve të dashur për fëmijë si Odhise Grillo, Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Shpresa Vreto, Adelina Mamaqi, etj., dhe janë frymëzuar me personazhet e tyre. Po kështu, në revista pasqyroheshin edhe një mori aktivitetesh të shumta që zhvilloheshin, që nga festivalet e këngës për fëmijë, deri tek spartakiadat dhe olimpiadat në shkencë dhe sport. Shkruhej për fëmijë me rezultate të shkëlqyera në mësime dhe rekomadoheshin tituj librash për të lexuar. Një dritare e vërtetë, në kohën kur mungonte interneti dhe leximi ishte në qëndër të gjithçkaje.

Shkenca dhe jeta

“Shkenca dhe Jeta” ishte një revistë e përdymuajshme tekniko-shkencore, mjaft e pëlqyer, me informacione interesante dhe ilustrime. Kjo revistë ishte dritarja e vetme e shkencës për të kuptuar se cilat ishin arritjet e saj në botë. Numri i parë doli në nëntor 1970. Revista u drejtohej të rinjve dhe të rriturve dhe lënda e saj synonte edukimin shkencor, zgjerimin e horizontit të dijeve dhe tërheqjen e lexuesve në veprimtari studimore, kërkimore dhe eksperimentale. Në revistë botoheshin artikuj që pasqyrojnë traditat dhe zhvillimin e shkencave teknike, natyrore e shoqërore në Shqipëri, si dhe reklamoheshin arritjet e punonjësve, sidomos të rinisë në shkencë dhe teknikë. Gjithashtu revista paraqiste të rejat e shkencave bashkëkohore, trajtonte çështje teorike e filozofike si dhe botonte portrete të figurave të shquara të shkencës e kulturës në Shqipëri dhe në botë. Publikimet ishin me informacione shumë të pasura pasi përktheheshin nga revistat analoge në Botë si “National Geografic”, “Sapere”, “Science&Avenir”, “Science&Vie”, “Shkenca dhe jeta ruse, “Tout l’univers Recherche”, etj. Ditët kur ato dilnin në treg ishin ditë të veçanta, ditë që priteshin me padurim dhe më pas gjithçka brenda atyre revistave përpihej brenda pak orësh. Revista të tilla shkencore nuk botohen më. Njerëzit sot informacionin shkencor e marrin nga interneti duke qenë shpeshherë i pasaktë dhe i përgjysmuar. Revista u mbyll në vitin 1983.

Revista “Nëntori”

Revista “Nëntori”, ishte një botim i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe kishte në fokus letërsinë, mendimin kritik, përkthimin dhe interpretimin. Por njëkohësisht trajtonte edhe probleme të ndryshme të artit, muzikës dhe kinemasë. Ndonëse fokusi kryesor mbetej letërsia. Botimi i parë i revistës “Nëntori” u bë në vitin 1954. Ndonëse mori emrin “Nëntori”, për të evokuar festat e rëndësishme kombëtare që celebrohen në këtë muaj, 28 dhe 29 Nëntorin, revista publikohej çdo muaj. Lexuesit e saj kryesisht ishin njerëz që lidheshin me këtë profil krijues: shkrimtarë, poetë, përkthyes, kritik arti, por duhet theksuar me më madhe që kjo revistë lexohej shumë nga të rinjtë dhe lexues të tjerë që kishin interesa tek librat dhe botimet. Kjo revistë shkonte në dorën e çdo aspiranti për t’u bërë poet, apo shkrimtar dhe një botim qoftë edhe i një poezie, në gazetën “Drita”, që ishte një gazetë e përjavshme me të njëjtin fokus, apo në revistën “Nëntori”, që ishte një shkallë më lart se gazeta, përcaktonte një lloj barometri se cilët janë artistët e së ardhmes. Nga ana tjetër, kjo revistë ishte platforma ku shkrimtarë me emër të letërsisë sonë, botonin tregimet apo novelat, që më pas ktheheshin në romane apo gjenin rrugën e botimit si libra më vete. Rëndësi të veçantë revista i kushtonte kritikës dhe bibliografisë. Herë pas here revista organizonte diskutime për çështje të rëndësishme të letërsisë dhe të arteve, biseda me shkrimtarë për probleme të caktuara krijuese, etj. Në faqet e revistës botoheshin edhe vepra të shkrimtarëve të huaj, duke ndihmuar në krijimin e referencave në lidhje me botimet. Nga viti 1992 kjo revistë del me titullin “Revista letrare”.

 

Please follow and like us: