Miranda Hashani: Publiku ka qenë shtysa ime për të vazhduar muzikën
Këngëtarja Miranda Hashani ka lindur në Paris të Francës në vitin 1973 dhe më pas u kthye në Shkup me familjen. Me muzikën filloi të angazhohej që në moshën 5-vjeçare, ndërsa në moshën 10 vjeç ftohet nga RTVM në Shkup për të bërë incizimet e këngëve të para për fëmijë, pasi ishte një talent në muzikë. Në atë periudhë nuk kishte koncerte apo festivale në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni që të mos ishte prezente Miranda Hashani.
Ka qenë viti 1992 kur Miranda Hashani u bë këngëtare me plot kuptimin e fjalës. Ajo realizoj tetë albume muzikore, gjithashtu ka edhe shumë këngë të publikuara me videoklipe si dhe mjaft pjesëmarrje në festivalet në Shqipëri si “Kënga Magjike”, Festivali i Rtsh-së dhe të tjera në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Miranda është e diplomuar për dizajn, ku përveç muzikës ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita të ndryshme. Këngët e realizuara ndër vite që kanë bërë emër janë “ Më mungon”, “Kudo me kend”, “Mos më lini vetë” të gjitha hite, duke u konsideruar si një nga artistet revolucionare të videoklipeve. Miranda e do shumë të bukurën, e çmon mjaft artin dhe është e diplomuar për dizajn grafik në Fakultetin e Artit figurativ pranë Universitetit të Tetovës. Vitin e fundit ajo ka sjellë për publikun tre materiale të reja muzikore ndër të cilat dy i përkasin muzikës së lehtë. Miranda Hashani i këndon mjaft bukur baladat, serenatat por edhe muzikën popullore qytetare.
CMG: Ti ke publikuar së fundi këngën solo “Mos ik” një bashkëpunim në kuartret për këngën “Shkupi Dardan”. Na trego më zgjeruar për këto këngë të reja?
Miranda Hashani: Së fundi kam publikuar tre këngë, e para është “Mos ik”, e dyta është “U ndamë e s’u pamë” dhe tjetra “Shkupi Dardan”, një bashkëpunimi mes kolegëve të mi shumë nderuar, të cilin e kemi realizuar për nder të 109 vjetorit të çlirimit të Shkupit, një bashkëpunim i mrekullueshëm me Besiana Mehmetin, Shkodran Tolaj dhe Visar Rexhepin. Idea dhe teksti është i Avni Qahilit dhe më pas u realizua si kënga ashtu dhe videoklipi. Çdo gjë ndodhi rastësisht. Në atë periudhë unë isha në Gjermani, kur kam marr telefonatën nga Avniu, i cili më tregoi idenë dhe bashkëpunimin mes kolegëve të nderuar. Më pas ramë dakord dhe kështu u realizua kjo këngë, e cila mendoj se do mbetet një himn i qytetit të Shkupit.
CMG: Kënga “Mos ik”, kujt i kushtohet?
Miranda Hashani: Kënga “Mos ik” është një baladë shumë e ndjeshme, ka shumë emocione me tekst nga Valerina Macula si dhe muzikë dhe orkestrim nga Afrim Macula. Në atë kohë Valerina kishte humbur nënën e saj dhe këtë tekst e shkroi pak orë përpara se ajo të ndërronte jetë. Ajo i kërkoi Afrimit për të realizuar muzikën, gjithashtu më ftoi dhe mua për ta kënduar këtë këngë, pasi e mendoi se emocioni që do përcillja unë nuk e gjente tek një këngëtare tjetër. Gjatë gjithë kohës kam qenë mjaft e emocionuar, por edhe gjatë videoklipit. Ishte pastaj periudha e pandemisë ku shumë njerëz e kanë gjetur veten te kjo këngë.
CMG: Si ishte periudha e pandemisë për ty?
Miranda Hashani: Në fakt pandeminë e kaluam më lehtë ne në Gjermani se në Kosovë, Maqedoni apo në Shqipëri sepse këtu tek ne respektoheshin masat më shumë, madje dhe grumbullime nuk bëhen. Në Gjermani jetoj në një fshat të vogël ku rrethohemi me natyrë dhe gjatë asaj periudhe jemi munduar që si familje ta kalonim vetëm në ambjente gjelbërimi duke shëtitur, duke ngarë biçikleta. Në këtë vend kemi vetëm dy vite që jetojmë, pasi më parë kemi qenë në Berlin. Gjatë pandemisë kemi punuar me fëmijët mësimet online. Unë personalisht jam marrë me pikturën, me dizajnin pasi profesioni im përveçse këngëtare është edhe dizajnere. Jemi munduar ta kalojmë sa më lehtë këtë periudhë. Pjesa më e vështirë ka qenë kur dëgjoja lajme të ndryshme për humbjen e jetës së njerëve që njihnim.
CMG: Dikur ke publikuar shumë albume muzikore, gati vit pas viti. Do sjellësh më albume muzikore në vazhdim?
Miranda Hashani: Në kohën kur kemi publikuar albume kanë qenë produksionet muzikore ato që kanë qenë të interesuara, ndërsa sot sa i përket albumeve është paksa e vështirë sepse me ardhjen e rrjeteve sociale, nuk ka më interes për publikimin e albumeve, plus edhe të drejtat e autorit aty nuk funksionojnë njësoj si në Gjermani. Albumi i fundit ka qenë bashkëpunimi që kam patur me këngëtarin Neki Emra, një përmbledhje e këngëve të vjetra që kemi realizuar në Tiranë me grupin “Tirana Folk”, të cilin e kemi publikuar dhe e kemi shpërndarë vetë të gjithë personave që e duan këngën popullore. Tani tregu po funksionon më shumë me këngë solo me videoklipe.
CMG: Cilat janë momentet më të bukura të tuat në skenë?
Miranda Hashani: Momentet që unë i kujtoj si më të bukurat është koha kur në skenë ka patur shumë festival, e jo si sot. Ishte periudha kur realizonim këngë dhe kishim motiv apo ambicje të tjera në krahasim me sot. Me shuarjen e shumë festivaleve na ka humbur motivi për të arritur në ato momentet e bukura që kanë qenë më herët. Momente të bukura kanë qenë ato ku unë kam fituar çmime dhe nuk jam kthyer në shtëpi asnjëherë e zhgënjyer.
CMG: Çfarë kujtimesh mban ti nga Franca, Kosova, Maqedonia dhe Gjermania?
Miranda Hashani: Nga Franca nuk kujtoj shumë se kam qenë shumë e vogël kur erdha në Shkup. Fëmijërinë time e kam kaluar në Shkup, jam martuar në Kosovë dhe më pas erdhëm për të jetuar në Gjermani. Kujtimet më të bukura i kam në trojet shqiptare, pasi publiku më ka dhuruar gjithmonë dashuri dhe kanë qenë shtysa ime për të vazhduar dhe qëndruar në skenë, aty ku unë kam shumë kujtime të bukura.
CMG: Bashkëshorti yt ka qenë futbollist. Si është jetesa mes një artisteje dhe një sportisti?
Miranda Hashani: Po është e vërtetë. Unë e kam njohur në lagjen time ku ai ka luajtur futboll në Shkup, më pas ai ka shkuar për të luajtur futboll në Gjermani për 12 vite dhe më pas dashuria jonë përfundoi me martesë. Sot kemi dy djem Donin dhe Detin.
Jeta mes një artisti dhe një sportisti është shumë interesante. Mendoj se e mira është që nuk kemi patur profesion të njëjtë. Tek Mentori kam pëlqyer gjithmonë që sportistët kanë një jetë më të rregullt se ne artistët, sepse çdo gjë e kanë me orar, bëjnë një jetë të rregullt që nga ushqimi dhe deri te gjumi, ndërsa ne artistët nuk ushqehemi si duhet, nuk kemi orar, shpesh herë na gjejnë mëngjeset duke kënduar. Të them të drejtën më shumë më ka pëlqyer jeta e Mentorit se e imja. Pjesa më e bukur është se bashkëshorti më ka kuptuar për profesionin që kam, më ka mbështetur dhe sot ne bëjmë 23 vjet martesë së bashku dhe mund të them se kemi kaluar një jetë të lumtur. Me ardhjen në jetë të djemve tanë jemi përmbushur edhe më shumë.
Me qenë se jetojmë në emigracion ne mundohemi t’i rrimë sa më afër njëri-tjetrit, pasi nuk i kemi pranë të afërtmit tanë dhe mundohemi të kalojmë bashkë çdo moment dhe sa më bukur.
CMG: Ti jeton prej vitesh në Gjermani. Si është aktiviteti yt muzikor atje?
Miranda Hashani: Prej vitesh jetoj në Gjermani, por me aktivitete muzikore këtu merrrem më rrallëm sepse momentalisht ne jemi të rinj në këtë vend. Meqënëse jetoj në kufi me Zvicrën aktivitetet i zhvilloj aty pasi ka më shumë shqiptarë e sidomos për këngët që unë interpretoj e gjej më shumë publik në Zvicër se në Gjermani.
CMG: Sa të mungon vendi ku je rritur?
Miranda Hashani: Nëse dua të shkoj në vendin ku jam rritur i hip avionit dhe shkoj sa herë që kam mall. Sot Europa nuk është larg, kudo ku të jesh për dy orë arrin qoftë në Shkup, Tiranë apo në Prishtinë. Prandaj kur e shoh që më mungon apo kam nevojë të vij, qoftë edhe për dy ditë nisem edhe vij. Përveç muajve të pandemisë që më ka munguar vendi im, në periudha të tjera kam qenë më shpesh atje.
CMG: Fëmijët tuaj tashmë po rriten. A kanë më shumë prirje për sport apo për muzikë ?
Miranda Hashani: Doni është 11 vjeç, ndërsa Deti është 8 vjeç. Ata kanë më tepër prirje për sport, por edhe këndojnë shumë bukur pasi janë të intonuar dhe e duan këngën. Dëshira ime është që t’i orientoj më shumë në sport, sepse jeta e sportistit është jetë më e rregullt.
CMG: A do të të shohim në ndonjë festival?
Miranda Hashani: Edhe pse kanë mbetur të numërohen me gishta sa festivale kemi, por pse jo vitin e ardhshëm do marr pjesë në festivalin “Zambaku i Prizrenit”, ndërsa sa i takon festivaleve të tjera, do të shohim.
CMG: Cili është zhanri muzikor që ti e këndon me shumë dashuri?
Miranda Hashani: Zhanri që këndoj me shumë dëshirë dhe dashuri, janë baladat, serenat, por edhe këngët e vjetra të Shqipërisë së mesme, të cilat më flejnë mirë në shpirt. Mendoj se kështu do të vazhdoj derisa publiku do më japë mbështetje, ashtu siç më ka dhënë dashuri deri më sot.
CMG: Faleminderit e dashur dhe suksese!
Miranda Hashani: Sava e dashur të falenderoj që isha pjesë e emisionit dhe ishte kënaqësi. Më vjen mirë që pas shumë vitesh të isha në këtë intervistë me ty, për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen.
Intervistoi: Sava Lena