Odise Kote: PENGJE TË GURËVE
Dhe ndrijnë si gaca, plasaritur horizontesh në muzg,
thellë, pashuar, zhuritur, zjarrthet e vegjël.
Lëshojnë shigjetën shpuese – zhbiruese në shenjë,
me instikt të pagabueshëm, qetësi të egër.
Bërthama drite nguc e fshehur damarëve gri,
kohë në zgrip, të shtyra për t’u zgjuar më vonë.
Fate braktisur jehonash me shirit të zi,
dashuri – urrejtje, membrana, mbetur lehonë.
Pluhur lotësh në grushte, ëndërr e mbytur,
shënja adresash, gjurmë që dhembin si plagë.
Krahë të thyer dinjiteti dhe sprova e fikur,
tinguj gjaku që rënkojnë e ikin larg, larg …
Lidhur komb, dridhur, pjekur në ura e mure,
të dhembshurat, të nxehtat pengje të gurëve…
Please follow and like us: