Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NË UDHËT E JETËS ME VËLLEMËRIT E MI…

Në këtë foto jemi tre nga vëllemërit e mi, duke e pirë kafen në Sarandën tonë, në një ditë me shi, kur e gjithë hapësira e detit u bë gri e tërra. Majtas jam unë, në mes është Gogo Xhani dhe djathtas, nga ana e detit, Thanas Xhani. U hëngrëm në llafe se kush prej nesh ishte më i madhi në moshë, po dolli që ishim të një viti, pra të një moshe, që na kishin ndarë udhët e jetes, po që kishim të përbashkët vend-lindjen (Piqeras, me rrënjë e me degë), fëmijërinë, rininë, pleqërinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin. U ndamë vetëm kur do studjonim në shkollët e larta: Nashos i doli bursa për në Moskë e u bë Agronom, Gogos i doli bursa për Oficer e unë i hyra “belasë” që të bëhesha artist, sa u hap e para shkollë e lartë aktrimi. Po kemi edhe vëllamin tjetër, Petro Memin që u bë gjeometër, me shkollë të mesme.
Sa ishim fëmijë, të katrët loznim bashkë, shkonim bashkë në det, shkonim bashkë për të vrarë zogjë e mëllënja me llastiqe, mëtëposhtë fshatit, ku nuk mund të them se nuk vidhnim nganjëherë fiq, rrush e kumbulla, sidomos kur na i kishin shtetëzuar të gjitha dhe prona çuditërisht u bë e të gjithëve dhe e askujt! Po edhe në shkollën fillore bashkë venim, zbathur e me një pllakë karboni nën sqetull që të mësonim shkrim e këndim, afër të vdekurve. Se shkollën e kishim të ngjitur me Varrezat e Fshatit. E, sa u rritëm edhe një çikë, ditën e Shën Marisë së Kremesovës, vajtëm lart në manastir, në pashkën e gushtit e iu lutëm priftit të Xhane, që të na jepte bekimin e perëndisë e të na shpallte vëllemër, vëllezër të bekuar nga vetë Perëndia. Toti, si e thërrisnim ne të “Dërguarin e Zotit”, na tha që të prisnim sa te mbaronte mesha e, si mbaroi ajo, na tha që të bashkonim kokët tona, ulur, nën vilarin e robës së shënjtë, tundi temjanicën e dhjavasi (lexoi greqisht) një copë nga ungjilli e, si na afroi kryqin që ta puthnim, tha se, këndej e tutje, do te jeni “bij të Krishtit”, vëllezër të pandarë dhe se, duhej që të kryenim edhe pagesën e vëllazërimit! Ne pamë njëri- tjetrin të habitur e i thamë Totit se nuk kemi nëpër xhepa asnjë kacidhe, që e bëri Totin tonë, që ishte edhe nga Xhanajt, te na i anullonte vellamërine e të na quante i nevrikusur si “bijë të shejtanit të përrenjëve”, për të na bërë që të iknim, nga sytë këmbët… Po ama, në shtëpi, u thamë prindërve se, këndej e tutje ne jemi katër vëllemër, që kishim pirë edhe nga gjaku ynë, duke pranuar pjesën kryesore të bekimit, ngaqë para, ne as kishim e as do të mund të kishim! Vetëm se mbetëm vëllemër, më shumë se shokë, bile më shumë se ç’janë vëllezërit e një nëne!
Dhe kështu do të ndodhte. E, kur im atë, Koço Gjini, do të hapte një pus uji, poshtë shtëpisë, për të potisur kopshtin me të mbjellat e stinës, mblidheshim të katërt për të gërmuar, derisa e shpumë pusin pesë metra thellë e gjetëm ujë. Bile ujë të pijshëm. Qe një gëzim i madh e nëna ime bëri petulla të ngrohta e të fryra, që i hëngrëm si të babëzitur. Po, edhe poshtë në Bunec, bashkë zbrisnim e kalonim aty drekën, secili me trastën e tij, që i shtronim e i hanim së vëllezër, në arën e madhe të mahes e Xhane, me pak bukë misri, me ca kokra ullinj, me ndonjë qepë, domate e sallatorë, hera herës, ashtu me varfërinë tonë të tejskajshme! Po, kur ktheheshim nga “fiqja e tejme” e detit, nga ku dukej edhe manastiri , si i “varur në qiell”, apo si kishim bërë ca akrobacira në trajtën e piramidës, do të luanim me topa lecke sa të na gjakoseshin këmbët dhe do të bënim pelivanin mbi sulinën e ujit,-e vetmja “relike” e rrallë e të parëve tanë mërgimtarë, që e binte ujin e pijshëm që nga burimi i Bunecit, rrëzë malit e Sase dhe e krrente në krye të molit, ku ankoroheshin varkat tona të peshkimit, po që vinin e merrnin ujë të pijshëm edhe varkat e anijet e vogëla e të mëdha të peshkimit e të transportit të mallrave e të udhëtarëve. Për fatin e keq e fort të mbrapsht, që kjo mrekulli e fshatit tonë, do të shkatërrohej, do të pritej për shtylla elektrike e për kushedi se çfarë, kur gjoja shteti “u bë i të gjithëve”!
Dhe erdhi një ditë kur ne vëllemërit do të shprndaheshi nëpër shkollat e mesme: Nashua me Gogon do të vazhdonin gjimnazin, Petrua shkollën e mesme të ndërtimit, ndërsa unë shkollën e mesme të naftës… Për ta parë shumë më rrallë njëri-tjetrin. Na bashkonte vetëm behari i Piqerasit dhe pashka e 15 gushtit, ama pa i dalur më priftit që na kishte nëmur përpara, që të na kërkonte paratë e vëllamërisë. Për t’u larguar e u harruar nëpër shkollat e larta, duke u gëzuar vetëm kur na dërgonte Nashua nga Moska, ca foto të bëra andej, shoqëruar me ndonjë letër intime, ku nuk do të mungonin as paudhësitë e moshës në vendin e sovjetëve…
Mendonim se do na afronte koha pasuniversitare, po qe e pamundur. Gogon e dërguan ne Laç, në garnizonin e Ushtrisë, Nashon agronom në fermën Bajkaj të Delvinës, mua të drejtoja teatrin “Skampa” të Elbasanit dhe Petron në Ndërmarrjn Komunale të Sarandës. E piqeshim a s’piqeshim një herë në vitë a në dy vjet, herë me njerin e herë me tjetrin. Gjersa do të vinte një kohë edhe më e vështirë akoma, me “re të zeza”, sidomos për mua, kur udhët tona të jetës do të ndaheshin vetëm pas një a dy dekadash, pasi të lirohesha unë nga burgu, Gogua të lirohej nga ushtria e Petrua të vahdonte të merrej e të mosmerrej me ndërtimet, kur ato do të bllokoheshin me ndërrimin e sistemit politiko-shoqëror, ndërkohe që edhe Nashua nuk do të ishte më në drejtimin e bujqësisë në rreth, ku e vendosësën ca kohë më përpara. Qe pikërisht koha kur unë u fshihesha vëllemërve të mi, si i përndjekur politik, që të mos i vija ata në telashe, pse kishin takuar një njeri të dalur nga burgu, edhe pse i shpallur i pafajshëm e i ishin kthyer edhe paratë e vuajtjeve te tij. Po s’kishte gëzim më të madh për mua kur, ditën e daljes nga galera që vija në fshatin tim me ndrojën e personit që vjen nga një “botë tjetër”, e me shihnin si “armikun e njerëzimit e të Jezu Krishtit”, më del përpara babai i vellamit Gogo, Andrea Xhani e më jep dorën, si të mos kishte ndodhur asgjë, duke e shliruar nga ndroja gjithë fshanë. Mirëpo, qe koha kur shteti i Diktaturës ishte gati në të rënë e mua më duhej ta nisja udhën time përsëri nga zeroja, nga gurorja e Linzës dhe akoma më pas, kur shtet ra i gjithë, do të veja ca më larg prej këndej, të jetoja në një barangë, në periferi të Athinës, ku punoja natën e ditën shkruaja libra, per t’u rikthyer herë pas here në fshain tim e për t’i kërkuar, ku janë e ku s’jane vëllemërit e mi… Një jetë e habitshme, gati e pabesueshme!
E ja ku jemi përsëri të tre vëllemërit e dashur, me gjakun paksa të prishur nga ndarjet e gjata, në Sarandë, kur qielli nuk pushon së qari e deti rrënqethet. Ne tani pime kafe e silloisemi pse na u shkatërrua kaq shumë jeta, mos vallë nga prifti i fshatit që na mallkoi? Apo se ashtu qe koha, sistemi i gabuar! Ndërkohë që të tre kemi mendime jo të njëjta, për sistemin, për rolin e Udhëheqësit të asaj kohe, për shtetin njëpartiak, për zhveshjen nga prona dje e rropatjet e sotme për ta siguruar atë, kur një ligj i çuditshëm na i mohon kthimin tek prona jonë e dikurshme në fshat(!?) e për të gjitha problemet që e prishën jetën tonë dhe që ende nuk e shohim të ujdisur, si duhet e si e do Europa, e cila duket sikur lozë akoma me ne… Mirëpo preferojmë t’i lëmë këto debate mënjanë e të flasim përsëri se çdo të bëjmë ne, për fshatin më tepër, që të mos braktiset, që të kthehen të rinjtë që kanë shkuar deri në Polin e Veriut të punojnë, kur tek ne po thahen agrumet e po masakrohen ullinjtë, si ta ringrëm aty muzeun e dy heronjëve, të Mitro Xhanit e Vasil Llaçit, që na i dogjën ca vandalë në 97-ën. Gati na u shkrehën lotët tek kuvendonim, me shpirt në dorë, për më shumë miqësi e dashuri. Jemi të përmallur e të dërmuar gati, nga kjo jetë, se nuk i thamë e nuk i bëmë dot të gjitha ç’duhej… E megjithatë, i dhamë fjalën njëri-tjetrit, se çoç do bëjmë akoma, edhe pse tashmë me moshe të thyer. Se, në mesin e jetës sonë ka shumë dashuri, po edhe forcë, si edhe një fshat të bekuar nga Perendia, me emrin PIQERAS.
Sot, më 14 tetor, në Sarandë.
Please follow and like us: