Rifat Ismaili: KUAJT NË ART DHE NËPËR BETEJA
Ese
Kali është njëra prej kafshëve më të dashura për njeriun. Që në kohet e vjetra ai ka krijuar një simbiozë të vërtetë shpirtërore me të. Nuk mungojnë përrallat, legjendat, mitet, për këtë kafshë plot nur, elegancë dhe fisnikëri. Në Shqipëri pothuaj të gjithë i dinë e i kanë dëgjuar bëmat e kalit të Skënderbeut, ndërsa në baladën e Konstadinit, në versionin e Ismail Kadaresë, kali mban në shpinën e tij të gjallin dhe të vdekurin duke galopuar nëpër një atmosferë mistike dhe surreale. Më vjen ndërmend dhe kali prej druri që ndërtoi Uliksi për të mashtruar trojanët. Që ka mbetur në mendjet e njerëzve dhe në legjendë si “Kali i Trojës”. Tre kuajt e Akilit ishin bijtë e erës Zefir dhe nuk plakeshin kurrë. Ishin aq të zgjuar sa përpara trupit të pajetë të Patroklit, shokut të Akilit që u vra prej Hektorit,nisën të qanin, dhe njëri prej tyre, Xanto, i paratha heroit vdekjen.
Marte, perëndia e luftës, kishte dy kuaj që quheshin Jobo e Deima, “Frika dhe Trembja”. Po Buqefali, njëri prej kuajve më të njohur të historisë, ai i Aleksandrit të madh që pushtoi Azinë dhe Indinë, shumë herë i shpëtoi jetën heroit. Kur shihte që rrëmuja e betejës ishte e rrezikshme për të zotin tërhiqej dhe kështu bëri në luftën e Tebesë dhe në betejën e Isos. Askush nuk mund të ngjitej në shalën e tij përveç Aleksandrit dhe nuk duronte as pamjen e një tjetër shale e që nuk ishin ato të mbretit. Kur Aleksandri donte të ngjitej, Buqefali përkulej në gjunjë. I plagosur për vdekje në betejën e Idapsos, që Aleksandri ndërmori kundër mbretit Poro, kali i tij u përkul në gjunjë që padroni të mos vritej kur të binte dhe dha frymën e fundit duke e vështruar me dashuri si për ti dhënë lamtumirën. Aleksandri i dha emrin e kalit një qyteti që e quajti Buqefala.
Kuajt kanë një nuhatje të veçantë për rrezikun. Shpesh here kanë shpëtuar padronët e tyre duke i paralajmëruar. Ka aq shumë këngë e vaje, balada e mite, për dashurinë e besnikërinë e kalit ndaj të zotit. Ashtu sikurse dhe qeni, ai mbetet proverbial, për besnikërinë. Kali shpesh vishet dhe me përfytyrime përrallore dhe kështu u lind legjenda e Pegasit, kalit fluturues. Arianët që zbritën nga malet e Kaukazit, me kuajt e tyre ishin aq të zot, saqë kur grekët i panë për herë të parë, kujtuan se ishin kafshë të përbindshme, gjysëm njerëz e gjysëm kafshë, dhe kështu u krijua miti i Centaurit. Në Greqinë e Madhe kuajve që fitonin nëpër olimpiada, u ngriheshin statuja dhe u shkruhej emri.
Në kohët moderne, kuajt janë të pashmangshëm në filmat western, si dhe për ndihmën që japin për të mbledhur bagëtinë. Nuk mund të rri pa përmendur shumë prej tregimeve të Bukovskit mbi garat me kuaj, një sport i dashur dhe i përhapur në të gjithë botën. Në Amerikë dhe Australi kuajt marrin pjesē në shumë prej spektakleve folkloristike.
Njëri prej grupeve piktorikë ekspresioniste që lindi në Gjermani quhej “Kalorësi i kaltër”. Dhe piktura e Maks Ernst e kalit blu me bisht të kuq është e mrekullueshme. Kandinski po ashtu ka pikturuar mjaft kuaj, por edhe shumë piktorë me emër. Në Mesjetë e më vonë, përveç pafkave, kuajt i dekoronin me gjithfarë mantelesh të qëndisur me ar dhe të zbukuroje një kalë ishte art më vete. Shpesh, nëpër duele përpara popullit e damave, kalorësit shfaqeshin me helmetat e tyre dhe me kuajt e zbukuruar për të ngjallur dinjitet e madhështi. Kjo kafshë fisnike zë një vend të veçantë në dominimin e arteve. Prej shekujsh kali ka frymëzuar poetë, piktorë e skulptorë të të gjithë botës. Nuk ka shesh nëpër qytetet e bukura europiane, që të mos jetë i populluar nga statuja heronjsh e kuajsh.
Kali, kjo kafshë e denjë për t’u përkujtuar nga penelat, penat dhe mendjet e artistëve me të frymëzuar.
Please follow and like us: