Albspirit

Media/News/Publishing

Zeqir Cama: Për një gur të hedhur në lumë

Tregim

-Si vate mbledhja- pyeti Doloreza K. sa pa të shoqin që hyri. Nuk priti të futej brënda përfundimisht. I qe bërë prirje padurimi për t’i konsumuar ca gjëra te dera, siç bënte dhe me të afërmit kur i bujtnin në shtëpi. Pa ditur nëse kishin apo s’kishin mendje për t’i hequr këpucët, u drejtohej në intimitet me ton lutës: -Aman, të keqen…- dhe u tregonte vendin e duhur diku më tej, hazër me pantofla në dorë.

-Shapkat janë për të ndenjur, këpucët për të ecur, shkelin kudo… mbi të njomin e të thatin…

Ata ia kthenin buzagas. Ose me ndonjë gjysmë shakaje sipas vendit e kuvendit që s’cënonte askënd. Po të bënin ndryshe mund prisheshin me të, pastaj të shikonin majën e veshit që ta shkelnin atë derë. Të qe e mundur do ta bënte dhe me vizitorët e zakonshëm, komshinjtë, shoqërinë… por s’donte që t’i hapte nam vetes gjer aty. Sa për njerëzit e saj e të burrit s’e vriste mendjen. Le të thonin sa të donin: “Dola, t’i jepë këpucët në dorë….”

Këtë tabiat e nxorri vonë, si mushkat që i nisin xanxat kur ngarkohen. Iu bë pjesë e përditshmërisë pas lindjes së djalit të sëmurë, Andit, por me ardhjen në Tiranë e shtoi dyfish. Jeta familjare këtu ishte më e lodhshme, hyrjedaljet s’rreshtnin, leku prishej më shpejt. Sa për sy e faqe “bënin” jetë kryeqyteti. Derën e teatrit dhe të privilegjeve të tjera kulturore që të ofronte Tirana, nuk e njihnin. Mjaft që punonte Raufi në Ministrinë e Mbrojtjes, ajo mësuese në dispozicion ndërsa vajza, studente.

Me leckë e kovë në dorë mbetej sa herë shihte gjurmë këmbësh në dysheme. Edhe në hyrjedaljet e zakonshme të Raufit dhe fëmijëve. Ndiente krupë edhe nga duart e saj, sa herë ngrihej nga vëndi, s’guxonte të kapte gjë me dorë pa vajtur më parë te çesma me sapun e ilaç. Mikrobet i shihte me sytë e mendjes. I lëviznin në mikroskopin e imagjinatës. S’kishte rrëzë shtëpie që të mos i lëvrinin, te lavamani, te raftet e bufesë, te biblioteka, në kapakët e librave, në anësore dhe brënda tyre. S’përtonte të hipte me maja të këmbëve në parvazin e dritareve, u binte poshtë e lartë xhamave e kornizave të drunjta me leckë të lagur e të thatë pa marrë parasysh se mund të binte pa frymë që andej. Kur gjëndej në shtëpi, në vend që të rehatohej, rrinte si mbi gjëmba. S’i rrihej ndenjur.

-Largon mëndjen nga halli që e ka zënë, thuhej nga ata që e njihnin nga afër.

Por këtë mani ia zbuste mirësia e hireve femërore, me sy të shkruar, të gjallë, të ngrohtë, dashamirëse në komunikim dhe me sjellje të përkorë. Flokët e zes e të lëmuar, i mbante të gjata, të kapura pas qafe me një lidhëse të thjeshtë. Respektohej në shoqëri e gjitoni. Vuajtjet e shpirtit nuk i shprehte, i mbante për vete. S’dëgjoje kurrë nga goja e saj të ankohej. Secili kishte hallet e tij dhe hallet robi i mban për vete, thoshte. Pastërtinë e mbaj edhe për të tjerët, vetes i hap punë.

Njerëzinë e afërt e kishte larg. Të sajtë i la në qytetin prej nga u transferuan. Ana e burrit qe fis i madh dhe jetonin në fshat. Nuk shprehte ndonjë kënaqësi kur i bujtnin vend e pa vend se nuk vinin dëllëngthi. I mblidhte Tirana për hallet e veta. Aty qenë të gjitha institucionet për halle e për qejfe, ama po t’i i zinin derën, nuk varte turinjtë. E mbushte tavolinën me ç’ka t’i gjëndej e për vete hidhte ç’mbetej në tenxhere.

Diagnoza e djalit “me zhvillim të vonuar” e kishte bërë të paduruar, “xëc”i qe bërë jeta. Sa herë që ai hynte në derë i përlyer e zhul nga koka në këmbë, e fuste në dush. Dy herë në ditë e ndërronte, te koka i rrinte me furçë dhe me paste dhëmbësh, çmërsi i tyre i dukej si ndryshk.

Vetëm atë ditë hoqi dorë nga rutina e përditshme. S’i bënin krahët për punë edhe pse shtëpia i dukej rrëmujë. Në të vërtetë gjithçka ishte në vendin e duhur, dritë e pasqyrë ngado. I qe bërë mëndja mbledhje… mbledhje, më the të thashet e hamendësuara s’i hynin më në ves. Tani Raufin e kishte përballë dhe vetëm për vetëm.

-Të pyeta për mbledhjen- s’iu ndenj pa ia kujtuar për së dyti.

-Pak a shumë si kjo…- i tha ai duke i shkelur synë për kërcitjen e fortë që bëri brava, paçka se mbylljen e derës e shoqëroi me dorë.

-S’më ha meraku se kërcet… s’na humbet mendja, e vajisim, po hë… Nuk e sheh që mezi më mban vendi?

E dinte se atë ditë do të diskutohej në organizatën e partisë për të. Kishte më shumë se dy javë që u qe prishur terezia. “E blemë belanë me këmbë…”, i kishte thënë të shoqit kur ai i tregoi për një incident të çuditshëm dhe tepër të padëshirueshëm të Andit në degën ushtarake të rrethit. U nisën për t’i rregulluar vetullat dhe nxorrën sytë. Megjithatë, bërja e qimes tra iu duk si një komedi turravrapi pas gurit të hedhur në lumë…

Deri “te lumi” e pruri frazën, nga kush u hodh dhe si u hodh ai gur, nuk e përmendi. Nuk ia nxinte goja ta shprehte troç siç e thoshte urtësia popullore “hedh budallai një gur në lumë dhe…”. Për fatin e saj të keq, budallai qe vetë dora, i biri. Megjithatë, s’kishte dyshim se gjithçka bëhej për t’ia futur të shoqit. Ta kthenin prapë nga kishte ardhur ose dhe më keq… S’kishte arsye të besonte ndryshe. Ca më tepër që dinte dhe opinionin dyshues plotë rezerva të oficerëve të divizionit për Raufin. Madje për atë sebep u bë gati dhe për t’u ndarë. Nuk ia pëlqente euforinë dhe karrierizmin e tepruar. Ndërhynë prindërit e saj, që ua sheshuan mosmarrëveshjet.

U përfol se u shpërblye me transferim në Ministrinë e Mbrojtjes vetëm për diskutimin e tij të ashpër në gjyqin e eprorit të vet, komandantit të divizionit. E quajti prepotent dhe e futi në një tavë me ish-kryeministrin e vetëvrarë, për të vetmin fakt se kishin qënë në të njëjtën brigadë partizane dhe nga e njëjta krahinë. Gërmoi si hamuriku nën dhe e mbi dhe, jo si xhenier që e kishte profesion, por si skuth për t’i vërtetuar prirjet terroriste se në fëmijëri “…paskësh futur macen e shtëpisë në një thes dhe e kishte flakur në greminë…”.

Diskutimi i tij kishte lënë shije të hidhur tek shtabnikët e divizionit, që ruanin të tjera mbresa për eprorin e tyre. E kishin patur prej vitesh komandant dhe pavarësisht rezervave që mund të kishin, ai gëzonte respekt dhe autoritet të padiskutueshëm në atë qytet. Asnjeri nga titullarët e atij rrethit nuk matej me të. Prandaj dhe qyteti dukej sikur kishte marrë hijen e tij, jo të “jetës në rresht”, po të gjallërisë, të rregullit, prandaj sado qytet provincial, barabitej me rrethet e mëdha, sepse në vartësi ushtarake përfshinte edhe tre qytete të tjerë në kufi ku qenë dislokuar repartet e atij divizioni. Fryma e ndëshkimit të tij la gjurmë dhe tek banorët e qytetit. U quajt gjyq “shëmbullor” me demaskim masiv. Por Raufi e shfajësoi veten. Mbahej si njeri i virtytshëm dhe sipas tij kishte diskutuar në emër të parimeve.

Tani mjegulla e së keqes i vërtitej mbi krye. Gjendeshin vetëm për vetëm. Mund t’i hapej të shoqes edhe për ato gjëra që i quante sekret ushtarak apo çështje partie. Belaxhiu i shtëpisë, në sy të të cilit nuk hapnin dot nga këto muhabete, nuk ndodhej aty, luante me shokun e përditshëm Pandin. Ishte i takëmit të tij, por deri pa u njohur me Andin, s’kishte marrë vëmendjen e askujt në lagje. Prindërite Pandit s’ia kishin ngenë, punonin në kombinatin e tekstileve. Dy rroga të vogla ushqenin gjashtë gojë. Kishin dhe tre fëmijë të tjerë. Njohja me Andin qe piku i lumturisë për Pandin. Gjeti tenxheria kapakun thanë në lagje. Helbete i zinte ndonjë gjë dhëmbi kur Andit i ndodhej ndonjë karamele “Zana” në xhep. Ai qe pika e dobët e familjes, Dolës aty i rrinte mendja. I dukej jo vetëm që ia nëpërkëmbnin të tjerët por dhe vetë ajo sikur i hynte në mëkat ngaqë i dredhonte majë më majë pyetjeve që i bënte ai vënd e pa vënd. Detyrohej ta gënjente, s’ia dilte dot drejt e drejt. Se si mund t’i përgjigjej bie fjala pyetjes që i bëri një ditë pa pritur e pa kujtuar: “O ma, pse s’më puthi motra sot”?

Qëndroi dhe ca si e ngrirë aty ku e zuri hera, në koridor, ndërsa i shoqi hyri në tualet. I dridheshin leqet e këmbëve sikur garonte për tërheqje litari. Duhej të gjente pikën e ekuilibri. Nga jashtë e tërhiqte zëri i Andit, s’ia thoshte dot copë “të vërtetën” pse s’e kishte puthur motra… S’arrinte ta ndante cila qe më e rëndësishme, ishte ajo apo kjo që mund t’i thoshte Raufi: “Më përjashtuan nga partia…” apo “bëni gati plaçkat…”.

E kishte shtruar tryezën sepse e dinte orarin e kthimit të burrit por nuk kishte oreks. Zakonisht drekën e hanin të dy. Fëmijët siç vinin, kohë e pa kohë. Të dielave mblidheshin të tërë. Shtohej dhe një lugë, nipi i Raufit student, që shkollën e mesme e kishte bërë tek ata. Atë ditë drekonin sëbashku. Andi si përherë mungonte, kthehej kur donte dhe dilte kur i tekej. Nuk e disiplinonin dot, bëhej nervoz po t’i vinin orar për të ngrënë. Bënte avazin e përditshëm me sivëllain e tij. Shalonin nga një dërrasë druri dhe imitonin galopin e kuajve dhe here-herë gërvimën e makinave “vu-vu”.

Ardhja në Tiranë nuk ia ndryshoi fatin. Mjekët qenë “dorëzuar” pas sëmundjes së tij. Mbeti po aq imcak dhe verdhacuk siç ishte. U rrit fare pak në gjatësi dhe në peshë. Dukej fëmijë edhe kur i erdhi radha për ushtar. Po ndryshe nga ç’mendohej, këtë lajm e priti me gëzim. Ngrysej e gdhihej me endrra për fletë-thirrjen e ardhur.

Ndonëse kishte raport mjeko-ligjor, Raufi nuk hezitoi ta paraqiste fizikisht në Degën Ushtarake. Më shumë se të vërtetonte raportin për t’i mbushur mëndjen Andit që nuk qe për atë punë, ia kishte spjeguar një më një parametrat fizikë që duhet të kishte. Të qe aq e kaq i gjatë, me këtë apo atë peshë, por atij s’i’ mbushej mendia. Kishte hapur punë dhe e ëma, lumëmadhja. Pa dashje ia kishte ngritur mëndjen. Për të mos e lënduar kishte përdorur shprehjen “ky është bërë burrë…” dhe ai e mbajti vath në vesh.

I padëgjuar deri atëhere për prirje vargëzuese, atë “burrërim” nga goja e të ëmës e ktheu në vargje prej shejtan budallai: “Jam i shkurtër e pak barkosh por jam i fortë nga përposh”. I tha me aq lehtësi sa i la të gjithë gojë hapur dhe u regëtiu zemra që mbase nga mendja nuk qe fare eksiq.

Nuk kishte njohje me ata të Degës Ushtarake, por meqënëse punonte në Ministrinë e Mbrojtjes, Raufi e pati më të lehtë të takonte shefin. Aty ndodhi dhe ajo që s’e priste. Andi mori drejtëqëndrim me grushtin gjysmë ngritur si ushtar i sapo mobilizuar dhe me ton solemn shpërtheu: “Jam ushtar i Enverit/i Enverit, kukujerit…”. I shqiptoi i ngazëllyer fjalë për fjalë me pak theks hundor. Të pranishmit vështruan të pataksur të atin, ai pa ditur ç’të bënte, iu hakërrua të birit: “Budalla… dhe këtë kishe mangut”.

Kishte rreth gjysmë viti që udhëheqësi i shtetit të asaj kohe kishte vdekur. Megjithatë ende trumbetohej me forcë vazhdimësia e rrugës së socializmit. Kësaj rruge i bënte jehonë dhe fryma e këtyre vargjeve. Por problem përbënte epiteti “kukujeri” i padëgjuar nga veshët e tyre. S’dinin ç’emër t’i vinin. Hapën “Fjalorin Shqip-Shqip” por nuk e gjetën si fjalë, as në dalektizmat dhe as në të folmen bisedore. Pyetën dhe dy-tre gjuhëtarë që i kishin zboristë. Por dhe ata nuk dhanë ndonjë argument shterues. Dikush e spjegoi me atmosferën e trishtë të atyre ditëve e shoqëruar nga kuja e paparë e turmave.

-Kuja është rrënja e fjalës – tha dikush – justifikonte vajet “O bobo e obobo…”. Dikush tjetër e mendoi ndryshe, nuk kishte të bënte me rrënjën e fjalës por me pasthirmën, “ku-ku” siç bën qyqja, një zog shtegtar i pyjeve, që këndon me zë të përvajshëm, simbol i fatkeqësisë dhe vetmisë. Kështu qe edhe tingëllima e këtij fjalëformimi. Por ky argumentim rëndonte aktualitetin, indirekt cënohej pasardhësi, udheheqësi i ri i shtetit. Domethënë, kishim mbetur si qyqja, me gisht në gojë. S’doli askush që të jepte ndonjë version të pazararshëm. Ndaj i vunë kapak me një kanosje qortuese.

-Mos ta dëgjojmë më vargun e dytë, këtë e thonë armiqtë… ata që s’na duan…, vetëm me: “Jemi ushtar të Enverit” je yll fare e mbylli qortimin dashamirës shefi i Degës Ushtarake.

Kur e dëgjoi edhe prej gojës së tij atë që sapo kishte thënë ia plasi prapë, por këtë radhë, foljen “jam e ktheu në shumës: “Jemi ushtarë të Enverit/të Enverit kukujerit”.

-Të thamë, jo vargun e dytë, iu hakërrua prapë i ati-…

-O, po unë harroj- dhe bëri me dorë sikur po u thoshte: “A ç’më çatë kokën!”

Raufin s’e mbante vendi, donte të largohej një minutë e më shpejt, por më parë duhej të justifikonte diçka nga ajo e papritur e pakëndshme. Nuk hezitoi që të informonte Sekretarin e organizatës së partisë ku bënte pjesë. S’e fshihte dot atë që ishte thënë me plotë gojën në publik jo një po dy herë. Patjetër do të dilte ndonjë që ta rrihte hekurin sa qe ende i nxehtë. Informacioni në zyrat e partisë kishte mbëritur përpara se ai ta pohonte me gojën e tij.

***

-Më bënë një dush të ftohtë, iu qa të shoqes dhe tundi dorën e djathtë me mollëzat e gishtave bashkuar për t’i lënë që të kuptonte se e kishin shkundur.

-Mos të përjashtuan? – pyeti ajo tromaksur.

-Aty afër… po dole në parti nuk shpëton dot pa të zënë plumbi, plagosesh shkarazi apo në lule të ballit, ta tërheqin veshin një nga një, nuk ta shkulin menjëherë. E nis organizata bazë, Byroja, pastaj vjen komiteti… mund t’ma shkulin por mund të dal dhe pa lagur.

Ndërkohë që tregonte detaje nga mbledhja e organizatës, nga rruga erdhi jehona e një ngazëllimi të papërmbajtur. Pallati i tyre ishte në rreshtin e pallateve buzë rrugës kryesore të qarkullimit të makinave natë – ditë nën zhurma irrituese. Aty kalonte “Unaza e qytetit”.

La pa mbaruar ngrënien dhe doli në dritare. U ngritë dhe Doloreza duke e porositur: -Shih, mos të zë syri Andin…

Autokolona e zisave ushtarakë plotë me ushtarë, të shumtit pa kapele në kokë dhe pa rrypa mesi s’i ndalte brohorimat. Ishte periudha e mobilizim-çmobilizimit të ushtarëve. Liroheshin ata që e kishin mbyllur detyrimin ushtarak. Përshëndeteshin entuziaztë me kalimtarët, ndërsa Andi me Pandin i ndiqnin në pafajsinë e tyre ngazëllyese duke brohoritur “Jemi ushtar të Enverit/ të Enverit kukujerit…”.

Zëri i Raufit e bëri të kthehej mbrapa. Ishte mësuar me dhuratat e vogëla ëmbëltore që i ati s’ia ndante. Hukati duart nga të ftohtit sa u futë brënda dhe iu lëshua të atit, por dora e të ëmës i bëri pritë sapo iu afrua dhe u step.

-Si të porositi mami kur më the pse s’të puthi motra?

-Të lahem sa herë vij nga jashtë iu ngërdhesh duke iu përkëdhelur.

-Ashtu bëra dhe unë- i tha i ati,

-E, po unë harroj gjithnjë – dhe u lëshua me vrull te çezma.

Windsor, Nëntor, 2020

P.S. Çdo ngjashmëri me ndodhi, emra, ngjarje apo me detaje jete të dikujt, mund të jenë vetëm rastësi.

Please follow and like us: