Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Enigma e miqësisë sime me Agollin

S. C. – Ju lini të kuptohet se nuk mbani mëri për Agollin.  Dukeni  se  përmbaheni  nga  një  lidhje  e  vjetër  dhe  misterioze  mes  jush. Si arritët të kapërcenit ndjesinë e tradhtisë  dhe  të  neverisë?  A  mendoni  se,  në  njëfarë  mënyre,  Agolli  ka  vepruar  nën  shtrëngim?  A  mendoni  se,  përfundimisht,  për arsye të ndryshme, ju mundët t’i rezistonit  presionit,  kurse  ai  nuk  mundi? 

 

Kadare: Më duhet të them se e kam shumë të vështirë për ta kuptuar.

Në qoftë se një miqësi e kaluar tepër e thellë, mund të quhet një lidhje (lien) e fshehtë  e  vjetër,  atëherë  raportet  e  mia  me  Dritëro  Agollin,  mund  të  emërtohen  pikërisht  lidhje  (lien)  e  vjetër  e  fshehtë.

Ajo që ka ndodhur më pas midis nesh,  kur  ai  u  bë  kryetar  i  Lidhjes  së  Shkrimtarëve,  për  shumë  njerëz  ka  qenë  e pakuptueshme, pikërisht ngaqë ata nuk kanë ditur një enigmë të kësaj miqësie.

Ne  kemi  qenë  miq  të  ngushtë  për  gati  15  vjet.  Pas  liceut  kemi  shkuar  të  dy  për studime në Rusi, ai në Leningrad, unë në Moskë. Pas kthimit andej miqësia jonë u forcua me një element të ri, një element tepër thelbësor nën një diktaturë: pikëpamjet  e  njëjta  politike.  Ne  ishim  të  dy kundër regjimit komunist dhe haptas flisnim kundër tij. Kjo ka qenë enigma.

Kjo  vazhdoi  deri  pas  vitit  1968,  kur  ai  u  shenjua  për  karrierë  politike.  Ai  u  bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe më  pas  anëtar  i  Komitetit  Qendror  të Partisë.  Është  e  kuptueshme  që  e  folura  jonë kundër regjimit u zbeh, gjersa u pre krejtësisht.  Ajo  mbeti  kështu  e  fshehta  jonë e përbashkët.

Kur ai lexonte kritikat e tij të tmerrshme kundër meje, askush nuk mund ta merrte me mend se ato “mendime makabre” kundër zyrtarëve me duar të përgjakura, talljet kundër socializmit, Stalinit madje Enver Hoxhës, i kishim bërë bashkë, ca kohë më parë.  Dëshira  për  t’u  ngritur  në  mes  të  mbledhjes  e  për  t’i  thënë:  mik  i  dashur,  ti  bën  analiza  të  sakta  kundër  meje  dhe  veprës  sime,  ngaqë  ke  patur  të  njëjtën  mendje si unë, ishte tepër tunduese gjatë  këtyre  seancave  mizore.

Natyrisht,  asnjëherë s’e mendova ta bëja këtë, sepse do  të  ishte  fatale  për  të  dy.  Por,  nga  ana  tjetër, midis asaj gjendjeje surealiste, kur  dikush  që  kishte  qenë  alter  ego-ja  ime, më akuzonte, ndihesha jo vetëm i trishtuar, por përjetoja një ndjesi të çuditshme sipëranie dhe sigurie. Kjo vinte, me sa dukej, nga ideja se njeriu që tundte fshikullin kundër meje, në fund të fundit,  ishte  po  aq  sa  unë  kundërshtar  i  shtetit.

Për  një  çerek  shekulli  nën  diktaturë  kjo  mbeti  e  fshehta  jonë  e  përbashkët.

Më e çuditshmja ishte se ajo vazhdoi të mbetej e fshehtë edhe pas rënies së regjimit. Agolli vazhdoi të mbetej emblema  e  së  majtës  shqiptare,  një  nga  liderët e partisë socialiste të reformuar. Ai gëzonte gjithmonë statusin e shkrimtarit tepër të shquar, madje fakti që ishte gjithmonë  me  të  majtën,  i  quhej  meritë  karakteri. Ai kishte përfunduar kështu me dy biografi: njërën publike, që ia dinin të  gjithë,  e  tjetrën  të  fshehtë,  që  së  paku  ia dija vetëm unë.

Në  verën  e  vitit  2005,  rasti  e  solli  që  unë t’i propozoja publikisht, gjatë një interviste,  biografinë  e  tij  të  fshehtë,  atë  që i bënte nder atij. Pyetjes së një gazetari se  ç’mendoja  për  opinionin  e  përhapur,  se pavarësisht se pozicionimi politik i Agollit (besnikëria ndaj socializmit), i cili  ndryshe  nga  ai  i  Kadaresë,  quhej  i  gabuar, atij nuk mund t’i mohohej merita e vijimësisë. Kësaj pyetjeje iu përgjigja se kjo  nuk  është  e  vërtetë,  dhe  se  në  qoftë  se, midis ne të dyve, njëri kishte ndërruar bindje politike, e tjetri kishte mbetur besnik i bindjeve të vjetra, ndërruesi ishte ai e besniku isha unë.

Deklarata mund të tingëllonte si vetëmburrje, por shtjellimi ishte tronditës  për  të  gjithë.  Unë  tregova  se  për 15 vite rresht, Dritëro Agolli dhe unë kishim  patur  mendime  të  njëjta  kundër  regjimit komunist. Unë shtoja se ai mund ta mohonte sot këtë, por ky mohim do të ishte mohimi i pjesës më të bukur të jetës së tij.

Isha  shumë  kureshtar  të  dija  se  cila  do  të  ishte  zgjedhja  e  tij.  Pas  dy  ditëve,  në një intervistë që mund të quhej mallëngjyese,  ai  pranoi  gjithçka  që  unë  dëshmoja, madje shkonte më tej, në rikujtimet  e  kaluara.  Merrej  me  mend  zhgënjimi i ish-militantistëve komunistë.

Nga  ana  tjetër,  adhuruesit  e  tij,  që  nuk  janë të paktë, jam i sigurt se janë çliruar nga bezdia që krijonte biografia e tij zyrtare. Gjithsesi mendoj se kjo dalje e  së  vërtetës,  nga  njëra  anë  ishte  diçka  emancipuese  për  botën  shqiptare,  nga  ana  tjetër,  e  ka  çliruar  atë  me  siguri  nga  një ngërç i vjetër.

Ndoshta e gjitha kjo për ju dhe për lexuesin perëndimor, ngjan tejet e  pakapshme.  Por  kjo  ka  qenë  kështu.

Duke e shpjeguar, unë nuk marr përsipër  as  ta  mbroj,  as  ta  përligj,  e  as  ta  damkos. Fola gjatë për Agollin, jo vetëm se ai është i pranishëm gjerësisht në këtë libër  dokumentesh,  por  kryesorja  sepse  ai  do  të  mbetet  gjithmonë  në  letërsinë  shqipe  si  një  ndër  shkrimtarët  kryesorë  të saj.

Si episod mbyllës në këtë shënim, po ju  tregoj  fjalët  e  tij,  thënë  sime  shoqeje,  në një gjendje disi depresive, pikërisht në atë kohë të egër: “Helena, një gjë duhet të mos e harrosh kurrë, asnjeri në botë nuk e ka dashur I. K. sa unë”.

Kur ime shoqe m’i përsëriti ato fjalë, unë aty për aty i besova.

S. C. – Nëse i keni besuar, unë ju besoj g jithashtu. Por,  në  të  njëjtën  kohë,  konstatoj  dhunën  e  asaj  çfarë  shkroi,  në  të  njëjtën  periudhë,  kundër  jush,  dhe  që  mund ta lexojmë në dokumentet e “Dosjes Kadare”.  Atëherë,  së  fundi,  çfarë  mendoni  se besonte në të vërtetë Agolli?

 

Kadare: Pyetja  juaj  është  e  vështirë.  Së  pari,  është e nevojshme që të kuptoni se lidhja jonë është ajo mes dy shkrimtarësh.

Në  radhë  të  parë,  ne  ishim  shkrimtarë,  domethënë pjesëtarë të së njëjtës familje. Agolli kishte talent të njohur dhe të vlerësuar nga të gjithë, përfshirë këtu dhe mua.

Edhe  ai  spiunohej  dhe  kërcënohej  prej  diktaturës.  Ai,  gjithashtu,  ka  pasur  disa vepra të ndaluara. Ishim në të njëjtin burg, gjë që krijon një lidhje të vërtetë.

Por, për fat të keq, Agolli, më shumë se unë, ishte i tërhequr nga karriera. Ndoshta, gjithashtu, ata ia dolën të ndiznin tek ai një ndjenjë shemrimi. Kjo lidhje pa dyshim që është zhvilluar në nivele të ndryshme: përzemërsia, respekti, një rivalitet i ngjallur  dhe  i  ushqyer  prej  regjimit  dhe  dëshirës për karrierë. Të gjitha këto nivele vazhduan gjatë gjithë kësaj historie.

 

S. C. – Po sot, cila është përfundimisht marrëdhënia juaj me Agollin?

 

Kadare: Që prej kësaj interviste të fundit, nuk kam pasur më kontakt ose shkëmbim me të.  Por,  për  t’iu  përgjigjur  më  saktësisht,  do  t’ju  them  këtë:  gjithmonë  kam  pasur  dhe kam ende dy peshore, për njerëzit që kanë talent dhe për ata që nuk kanë.

Ndoshta  është  e  padrejtë,  ndoshta  kjo  është  e  kushtëzuar  prej  statusit  tim  prej artisti, por kështu është. Nëse Agolli do  të  ishte  një  shkrimtar  mediokër,  do  t’ju  flisja  ndryshe  për  të.  Por  Agolli  ka  talent. Pra, në një mënyrë a në një tjetër, ai është i familjes dhe do të flas ndryshe për të.

Talenti i vërtetë, në mënyrë të natyrshme, krijon një lloj përparësie. Edhe  kur  gabon,  është  ajo  prirja  për  ta  minimizuar. Sepse mendon instinktivisht se ka diçka “minimizuese”, diçka që, ndoshta, nuk e dini akoma, diçka që, fundi  i  fundit,  keni  qejf  ta  imagjinoni  si  misterioze. Isha i bindur se, pas sulmeve kundër  meje,  atë  e  brente  ndërgjegjja.

Shpesh, ai nuk e fshihte këtë gjë.Përveç  kësaj,  siç  thashë,  kur  ishim  miq, ishim të tillë me të vërtetë. Ne kemi pasur një fat të përbashkët. Në vitin 1965, për  shembull,  kur  romani  “Përbindëshi”  u  ndalua,  libri  i  tij  më  i  mirë,  “Zhurma  e erërave të dikurshme”, u ndalua gjithashtu.

I tillë ishte vizioni im për botën.

“Hamleti”, mes pikëpyetjeve që nuk resht së  ngjalluri,  ngre  gjithmonë  këtë  pyetje:  pse fantazma u pa prej disave dhe jo prej të  tjerëve?  Në  botën  komuniste  këto  lloj  gjërash  ndodhnin  shpesh.  Për  më  tepër,  ndodhte  shpesh  të  mos  ishte  e  lehtë  të  dalloje njeriun prej fantazmës./exlibris

Please follow and like us: