Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË GOTË RAKI ME FABULISTIN…

Ka lezet ta pish një gotë raki me Gjivoglin, sidomos në prag dimëri, kur digjet “kjo e shkretë”, si nisin erërat e ftohta e thinjet deti… Atje poshtë, në shtëpinë e Fabulistit, që duket sikur zbret nga avionet ushtarakë e përsëri këmbët nuk të përfundojnë mbi tokë, po diku ngritur, enkas që Ezopi ynë të shkruaj vargje poetike e satira të mënçura, si ato që ka botuar në dhjetra libra…
Vete pa trokitur fare. Se Fabulistin atje do ta gjësh kurdoherë, dimër e behar, si “burr i ngulur” që është. Dymetrosh e impozant. Flokëgjatë e musaqebardhë. I ngrohtë e fisnik si njeri. Nga ata që e peshojnë fjalën që thonë e që e hedhin në letër bukur. Po edhe si burrë zakoni, pijetar nga të parët, që e pi thatë “lëngun e Dionisit”!
I zbres “shkallët e avionit”, tok me Kryplakun Nino, të birin e Barba Spiros, që më dogji kandillanafin e gjatë, prej letre, që pata vënë në kokë kur isha i vogël, ditën e karnavaleve, e unë i tremburi, u rrukullisa shkallëve të tilla, të pafundme, si këto të shtëpisë së fabulistit… E hyjmë direkt në konakun e tij, ku ai jep e merr me Sqarimin nga Tatëzati, specialistin e këtyre punëve të rënda. Po kryespecialist ështe vetë ai, Gjini i Vogël,- si i them unë, edhe pse është dy herë e ca më i gjatë, i cili e ngrë gotën, i merr pak erë, pastaj e vë në buzë rrethin e gotës, e shijon një herë… dy-tri herë e pastaj e jep verdiktin, në bën apo nuk bën, ky “djallo lëng, që t’i merrë mënd’t e s’t’i kthen dot më!”, pa të tallanisur e këputur! Si vite më parë, kur provoi rakin time dhe që, pasi e povoi po kështu, si të ishte nje aktor i madh teatri,- tha: “kjo s’është raki, po koçifozë, që mund të pihet vetëm kur zë bora e madhe e s’del dot nga dera”! Egzakt fare! E rrëmbeva termometrin e alkoolit dhe e hodha poshtë! Mirëpo një person tjetër, nga Jorgucati, që banon në Athinë dhe e quajnë Grigor Jovani, poet i ndezur, që krren vjersha edhe ai, guxon e na i shan rakinë tonë, -benzinë fare,- ballë kazani, e që vete më thotë se: “e keni rakinë si ujë fare”!,- nisur thjeshtë nga emrri:” PI (dhe) QERAS”, që e ka fshati, denbabaden. Hahahahahaha… Le të thotë ç’të dojë ai që e heq veten si “vreshtar i Dionisit” dhe se, e ka ai, tapinë e kësaj Perëndie të lashtë, që e çpiku këtë “pije të tërbuar”!
Dëshmitar okular jam unë Miho Gjini, mik i vjetër i tij, Kryeplaku i ri Niko Nino, Kryeplaku i vjetër Arsen Konomi, si edhe një usta që kishte ardhur t’i kruante muret e t’i lyente të nesërmen, Dhimiter Qendrua, që nuk bie më poshtë edhe ai, si Dionisiak i regjur. Mirë të na bëhet! T’u shtoftë rakia, bashkë me fabulat e tua VASIL GJIVOGLI!
Please follow and like us: