Albspirit

Media/News/Publishing

NJË PASURI E RRALLË E MUZIKËS POPULLORE MYZEQARE

(Sot këngë të tilla si “Qaj Minush” etj do t’i gjesh si zile telefoni në celularët e Greqisë. Bisedë  me veteranin e këngës  popullore beratase, Kalem Ziu).

Bisedoi  Sakip  Cami

Kalem Ziu , tanimë  është 75  vjeç dhe mosha bën të sajën. Ai është një këngëtar i njohur në trevat e Myzeqesë dhe të Beratit. Ka mbi 100 këngë të interpretuara, të kënduara, të inçizuara dhe të realizuara nga goja e tij dhe nga klarineta e tij. Por këngët e tij dalëngadalë po zhduken.  Ato përbëjnë në të vërtetë një thesar kulturor për muzikën popullore të Jugut. Do ti lemë këto pasuri kulturore të treten pa i njohur mirë dhe ç’është më e rëndësishmja pa i shfrytëzuar në favor të kulturës popullore shqiptare ? Sot këngë të tilla si “Qaj Minush” etj do ti gjesh si ringe (zile telefoni) në celularët e Greqisë. Përse ndodh kështu që këngët tona transportohen dhe transformohen në shtetet e tjera ?!

Është pikërisht ky shkak  që më shtyu mua të shkruaj për Kalemin. Sot ai banon në Tiranë, prej më shumë se 10 vjetësh, por mendja dhe zemra i rreh për këngën popullore myzeqare. Ai është lindur në fshatin Rërëz, Kutalli, të  Beratit, në një familje tradicionalisht këngëtarë të këngës popullore të Myzeqesë dhe të Jugut të Shqipërisë në një periudhë të paktën 150 vjeçare. Hamit Sopiku, daja i babait të Kalemit ka qenë i njohur si këngëtar i parë në këto zona. Po kështu edhe gjyshja e Kalemit, Bajamja, motra e Hamitit,  ka qenë këngëtare e njohur në  dasmat e zonës. Kjo traditë është trashëguar sot tek fëmijët e Kalemit, tek nipërit dhe mbesat që kanë studiuar për muzikë dhe për kanto dhe janë brezi i pestë i talentuar i kësaj familje muzikantësh popullorë.

Por Kalemin nuk e merr vdekja, nuk e nxë varri pa e rishfaqur edhe një herë të plotë talentin dhe shpirtin e tij muzikor. Për 40 vjet me rradhë këndoi nëpër shtëpitë e kulturës dhe arat e Myzeqesë për grurin e ri dhe bukën e  re, në kohën e regjimit totalitar, por asnjëherë nuk këndoi ashtu siç di të këndojë ai, me zemër. Shumë inçizime të asaj kohe janë në fonotekën e Radio Tiranës dhe në Televizionin Publik Shqiptar.

Në vitin 2003 arrin të inçizojë albumin  e tij të parë me 10 këngë tek Televizioni muzikor  BBF. Këngët e këtij albumi ishin:

  1. Leshverdho
  2. Qaj Minush
  3. Ç’u mbush oda plot bandillë
  4. Ç’janë këto llafe që dalin nga fshati
  5. A e dini se ç’më ngjau
  6. Ore djalë i dadës
  7. Çunin se ç’ma zu rakia
  8. Janë tre vajza, shkojnë në Voskopojë
  9. Nëno, ç’po rënkon deti
  10. Këngë për Ismail Qemalin

Në vitin 2005 inçizoi albumin e dytë po me dhjetë  këngë popullore të jugut.

  1. Arat plot me grurë
  2. Pse s’martohesh moj çobane
  3. Vjen ky lumi turbull-o
  4. O çoban, të qan çobanka
  5. Fundi i dybes me lule
  6. Këpucët me taka, çorapet me vija
  7. Kënga e Xhixhilesë
  8. Lozte beu me zonjën-o
  9. A e dini se ç’më ngjau
  10. Fryn veriu

Si këngët e albumit të parë ashtu  edhe këngët e albumit të dytë u inçizuan të thjeshta pa videoklipe, sepse mundësitë e mija financiare ishin të vogla. Unë mbahem vetëm me një pension bujqësor fshati. Por dëshira e madhe, pasioni për muzikën dhe këngëm popullore është kaq i madh sa më djeg shpirtin. Tani po bëj shtatë vjet që jo vetëm nuk po inçizoj më këngë të reja, por edhe këngët e vjetra, dalëngadalë po m’i marrin kompozitorët e njohur dhe po i përpunojnë dhe po i paraqesin si produksione të tyre, thotë i merakosur Kalemi.

Kudo ku ka shkuar Kalem Ziu dhe grupi popullor i Kutallisë së Beratit  është mirëpritur. Ky grup me emër në vitet 70-80 ka dhënë koncerte në të gjithë Shqipërinë. Kjo është arsyeja që Kalemi  është i njohur për popullin e Shqipërisë së Jugut, veçanërisht për moshën e tretë që e njeh nga afër dhe që ja ka pëlqyer e duartrokitur këngët.

E veçanta e këngëve të Kalemit është se ato janë autentike, të papërpunuara, ashtu siç i ka kënduar populli ndër vite, bile ndër shekuj.

 

DISA  KËNGË  TË  VJETRA  POPULLORE  MYZEQARE

KËNGA  E XHIXHILESË

 

Xhixhile e malit-ë

Jepi sisë djalit-ë

Vër florinjtë e ballit-ë

S’janë të mitë,

por të djalit

Jarnana, jarnane

Xhixhile e malit-e

 

Xhixhile e fushës

Jepi sisë çupës

Vër gjerdanët e gushës

S’janë të mitë,

por të çupës

Jarnane,  jarnane

Xhixhile e fushës-ë

 

Moj thëllëzë e malit

Je gocë e Beratit

Jarnane, jarnane

Moj thëllëzë e malit

 

HISTORIA E KËNGËS “QAJ MINUSH”

 

Kanë qenë tre shokë që po pinin raki në një mejhane. Rakia pas disa gotave bën punën e vet.

Njëri nga shokët ja lëvdon gruan Sulës:

-Të bukur nuse që më ke o Sulë Agai.

Sula është  nxehur:

-Ku  ma njeh dhe ku ma ke parë ti gruan time ?

-E kam parë në krua dhe kam biseduar. Edhe shaminë për të larë  ma ka pranuar.

Në këtë inat dhe në këtë moment pije Sula shkon në shtëpi dhe pa e pyetur apo gjykuar ther gruan. Kur është ngritur nga gjumi dhe i ka dalur rakia ka parë lemerinë që ka shkaktuar. Më pas lutet tek varri për gruan e tij të pafajshme.

 

Kënga thotë:

 

Zgjon bilbili, Zgjon Resuli, Zgjon Minushi

Janë mbledhur dhe po pinë në një kafene

Seç kanë rënë në bisedë për të bukurën

Të bukur nuse që më paske bre o Sulë Agai

Ku ma njeh, ku ma ke parë që më mollois

E pashë atje në krua, tek po mbushte ujë

I thashë dy, tre fjalë, ajo m’i pranoi

I dhashë shaminë, ajo ma pastroi

Sulë Agai ashtu i pirë shkoi në shtëpi

Nxorri thikën, theri gruan, bëri lemeri

Të nesërmen kur i doli rakia, shkoi tek varri

Ngreu, vishu dhe stolisu, moj Minush i agës.

 

HISTORIA E KËNGËS SË MAHMUDIES

Kjo këngë flet për një zakon poshtërues të fejesave dhe martesave të vajzave pa dëshirën e tyre. Ditën e dasmës, Mahmudien e zë sëmundja e nusërisë, e të rënit balldis , të fikët, nga frika dhe kundërshtia për të shkuar tek ai burrë që nuk e njihte dhe  që nuk e donte. E jëma përpiqet që ta bindë dhe të shërojë për të shkuar tek burri si të gjitha shoqet e saj, si vetë e ëma.

Kënga thotë:

“ Të dielën mbas dite ora tre

Ngreu moj Mahmudie

Ngreu të keqen-e

Jam sëmurë, moj nëne

Po dergjem-e

Ngreu të të vesh nëneja

kostumin-e

Ngreu moj Mahmudie

Ngreu të keqen-e

Jam sëmurë, moj nëne

Po dergjem-e

Ngreu të të vesh nëneja

fustanin-e

Ngreu moj Mahmudie

Ngreu të keqen-e

Jam sëmurë, moj nëne

Po dergjem-e

Ngreu të të bëjë nëneja

nuse të re

Ngreu moj Mahmudie

Ngreu të keqen-e

Jam sëmurë moj nëne

Po dergjem-e

I ANKOHET E BIJA TË JËMËS

Moj nënë, ç’faj të bëra

Pse më mbushe me gjilpëra

Ma bëre  zemrën me vëra

Hesht moj bijë, hesht mos qaj

Ty nëna s’të pati faj

Fati  i  keq atje të hodhi

I paditur yt shoq ndodhi

O moj nënë, çfarë më thua

Ai s’është burrë për mua

Del dhe shëtit lëmë më lëmë

Loz kumar gjithë mbrëm

Loz me mace e loz me qen

E marrin bota nëpër këmbë

Ndaj kam ardhur të të qahem

Nga ky burrë dua të ndahem

Ti moj bijë ik në shtëpi

Mund të bëhesh me fëmijë

Dhe të vesh punët në vijë

Kështu bëri dhe e bija

Atij burri i rëntë lija.

 

Please follow and like us: