Albspirit

Media/News/Publishing

Ceremonia e hapjes së edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air

 

 

 

 

 

Tapeti i kuq, muzikë jazz, kineastë, miq të filmit, diplomatë dhe artistë, publik që i mungon salla e kinemasë në kryeqytet…janë mbledhur mbrëmë, bashkë duke përcjellë me entuziasmin e pazakontë, pas një viti të vështirë pandemik, ceremoninë  e hapjes së festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air”, në edicionin e tij të tetë. Drejtori i Festivalit, Edmond Topi, duke uruar mirëseardhjen në fjalën e tij tha se, “kinemaja po përpiqet të kapërcejë një krizë të rëndë, e cila ndryshe nga krizat paraardhëse, ende po kërcënon motivin e ekzistencës së kinemasë në kohët moderne… dëshirën për të konsumuar filmin së bashku…”.

Më tej ai vazhdoi se: “Në kushtet, kur festivalet e filmit vijojnë të mbeten alternativë e sigurtë e konsumit të organizuar të filmit pavarësisht pasigurisë së vazhdimësisë, që kinemaja përjeton prej pandemisë, edhe misioni ynë si festival nuk është thjesht dhe vetëm të ndërmjetësojë kulturë, por dhe të garantojë vazhdimësinë e mundësisë për ta bërë këtë.

Në këtë synim të përbashkët me festivalet e tjerë – jashtë dhe brenda kufijve –ne ndihemi krenarë, që për të tetën herë hapim sërish dyert; për produktet filmike prestigjoze nga vendi, rajoni, Europa dhe bota; për katër juri profesionistësh nga vendi dhe nga bota; për studentët, pedagogët dhe produktet e katër akademive të filmit; për kineastët, mediat dhe publikun filmdashës. Mundësia për ta bërë këtë na bën falënderues: – Ndaj institucioneve dhe mbështetësve tanë konsekuentë nga Kosova, mbështetja e pandryshuar e të cilëve na emocionon. Ndaj miqve dhe mbështetësve të festivalit, të cilët me ose pa promocion, e identifikojnë veten me kulturën dhe janë të gatshëm tëinkurajojnë hapat drejt saj. Ndaj bashkëpunëtorëve, që prej vitesh e ndjejnë këtë nismë si të tyren pavarësëisht interesit financiar. Ndaj pjesëmarrësve, që pavarësisht sfidës ekzistenciale, ku na vuri pandemia, s’u bënë as më të paktë dhe as më pak të interesuar… E gjithë kjo mbështetje është garanci suksesi për ne dhe garanci qëndrese dhe vazhdimësie për vetë kinemanë, në emër të së cilës jemi mbledhur sot dhe ditët në vijim… me synimin dhe dëshirën për t’i dhënë asaj hapësirë maksimale në jetët e pjesëmarrësve dhe publikut të tyre këto ditë…”.

Nisjen e edicionit të tetë të Dea Open Air e ka përshëndetur edhe Bashkia Tiranë, e cila është një nga mbështetëset kryesore të këtij festivalit. “Ndihemi shumë krenarë që Bashkia e Tiranës e ka kthyer në një traditë të bukur bashkëpunimin me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit DEA Open Air, duke lidhur kështu një aleancë të mirëfilltë për zhvillimin e qytetit përmes artit dhe kulturës. Dy vitet që lamë pas ishin jo pak të vështira. Tërmeti dhe pandemia shënjuan çastet kur u rrëzuam, por edhe u ringritëm të gjithë së bashku. E megjithatë, kemi kuptuar  se kemi një forcë të madhe brenda vetes, dashurinë për njëri-tjetrin – kjo është edhe arsyeja pse Tirana është qyteti i zemrave të bashkuara. E teksa po bëhemi gati  të përqafojmë vitin 2022, mbushemi plot optimizëm sa herë kujtojme se Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022. Do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme për qytetin tonë, që do të zgjasë 365 ditët e vitit të ardhshëm, dhe do ta kthejë metropolin shqiptar në epiqendrën e të rinjve të Evropës”, ishin fjalët përshëndetëse të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

”DEA na rimbledh sot sërish – miq besnikë dhe miq të rinj, artistë vendas dhe të ardhur nga jashtë, krijues dhe vlerësues, artbërës dhe artdashës, breza vetëranësh dhe debutantësh të ekranit – të gjithë me një pasion dhe përkushtim të përbashkët, që prej dy vjetësh e kapërcen synimin për kinemanë cilësore – sepse prej dy vjetësh ne mblidhemi për të dëshmuar rezistencë kulturore, për të kontribuar që kinemaja ta mbijetojë pandeminë duke mos e lejuuar pandeminë të sfidojë ekzistencialisht kinemanë… Pas kemi lënë shtashtë edicione të suksesshme me afro 60 filma evropianë me metrazh të gjatë dhe 250 filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë, të ofruar në afro 50 mbrëmje interesante me art, mendim, biseda tërheqëse dhe personalitete mbresëlënëse si edhe rreth mbi 500 miq të festivalit, që në këto ditë ofruan dhe shijuan kulturë.

Takohemi për të tetën herë së bashku, po dhe për herë të tretë në Tiranë, ku përputhur me pritshmëritë, ia dolëm të startojmë, duke prodhuar mbresa dhe emocione, që shpresojmë se do të mbeten në kujtesë. Madje në kohë pandemie, ndonëse prania e saj u vuri kufi pritshmërive tona dhe i diktoi formën e vet komunikimit tonë me filmin dhe njëri-tjetrin”, tha në fjalën e saj përshendetëse, Mirela Oktrova, drejtorja artistike e festivalit “Dea Open Air”.

Pritja e mirëseardhjes për miqtë e edicionit të tetë të Festivalit “Dea Open Air”, u bë simbolikisht nga të ftuar të posaçëm, disa autorë në ekspozitën fotografike Etno 2021, të kuruar nga fotografi Ardian Fezollari.

Organizatorët thanë për mediat se numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetëm konfirmon të njëjtën tendencë megjithë kushtet e pandemisë.  Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat  Film Freeëay dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit.

Pas seleksionimit paraprak, të mbyllur në fund të muajit Maj 2021, në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake përfshinë në programin e sivjetëm gjithsej 57 filma nga rreth 30 shtete, të cilët do të konkurojnë në 4 seksione. Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit – si në edicionet paraardhëse – gjeografi ndërkontinentale.

Në qendër të festivalit vijon të jetë Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë, në të cilin sivjet marrin pjesë filma nga Kosova, Japonia, Rusia, Italia, Irani dhe Shqipëria. Ky program fillimisht i planifikuar të ofrohet në Kinema DEA 1, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, në orën 19.00 dhe për shkak të motit dhe temperaturave të ftohta do të ofrohet në Kinema DEA 2, në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në orën 17.00.

Si çdo vit pjesë e festivalit janë edhe: Seksioni i filmit të Shkurtër – me 16 filma nga 14 vende të botës, të cilët do të ofrohen çdo pasdite në Sallën Black Box, në orën 15.00, Seksioni i Filmit Dokumentar – me 16 filma nga 13 vende të botës, i cili do të ofrohet çdo paradite në orën 11.00 në Kinema DEA 3 ose Sallën Black Box 2 si edhe Seksioni i Filmit Studentor, i cili do të ofrohet në mjediset e Galerisë FAB, në orën 13.30.

Kontributet filmike në seksionet e përkatëse do të vlerësohen nga ana profesionale dhe artistike nga tri juri profesionale ndërkombëtare. Sipas traditës, për nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen dhe nga Juria e Medias.

Pas ndërprerjes së vjetshme, të diktuar prej kushteve të pandemisë, në kuadrin e Edicionit VIII të DEA OPEN AIR International Film Festival rifillon aktivitetin e vet Akademia DEA, në kuadrin e së cilës në datat 16-19 Tetor 2021 organizohet Takimi Rajonal i Shkollave të Filmit.

Këtë vit pjesëmarrësit vijnë nga Prishtina (Departamenti i Regjisë së Fimit dhe Televizionit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës), Shkupi (Akademia Europiane e Filmit në Shkup), Bratislava (Fakulteti i Filmit dhe Televizionit i Akademisë së Arteve Performuese në Bratislavë) dhe Tiranë (Departamenti i Filmit dhe Televizionit të Universitetit të Arteve në Tiranë). Rendi i ditës parashikon ofrimin e një programi të posaçëm të studentëve të shkollave pjesëmarrëse të filmit (3 orë program të përditshëm), shoqëruar me prezantimin e ofertës akademike e kulturore përkatëse si edhe tryeza të rrumbullakëta për problemet rajonale të kinemasë dhe formimit të kineastëve të rinj. Takimi do të zhvillohet në mjediset e Akademisë DEA – Galeria FAB e Universitetit të Arteve.

 

Juria e Dea Open Air

 

Filmi me metrazh të gjatë, përbëhet nga: Peter G. Dirmeier, aktor dhe regjisor, Gjermani – kryetar; More Raça, shkritmare dhe regjisore, Kosovë – antare; Refet Abazi, aktor dhe pedagog, Maqedoni – antar; Ivan D’Ambrosio, producent, Itali – antar; Abaz Hado, piktor dhe kritik arti – antar

 

Juria e filmit të shkurtër,  përbëhet nga: Jonid Jorgji (kryetar), Klajd Papadhimitri, Lorik Bakija

 

 

Juria e filmit dokumentar, përbëhet nga: Eduard Mazi (kryetar), Rezarta Delisula, Ferdinand Dervishi

 

Juria e medias, e përbërë nga: Fatmira Nikolla (kryetare), Bieta Sulo, Abaz Krasniqi

 

 

Filmi Andromeda në Galaxy, regji More Raça, Kosovë

 

Filmi që përshendeti Festivalin, jashtë konkurimit Andromeda Galaxy u shfaq mbrëmë me prani të stafit, regjisores More Raça, aktorit kryesor e producentit Sunaj Raça, dhe aktores Juli Emiri. Filmi ka në fokus Kosovën e vitit 2019. Heroi i tij, Shpëtimi është i papunë. Korrupsioni papunësia e lartë kanë e bëjnë të pamundur që ai të gjejë punë. Gjërat bëhen më të ndërlikuara kur jetimorja dërgon të bijën të jetojë me të, ndërkohë që ai nuk ka as një vend të përshtatshëm për të banuar. Pas shumë përpjekjeve dhe makinacioneve, Shpëtimi vendos të shesë veshkën e tij për transplant, për të siguruar paratë, që i nevojiten prë të mundësuar largimin e tyre drejt Gjermanisë, në kërkim të një jete më të mirë.

Ky produkion ka nisur  mbarë shfaqjen e tij, duke lënë gjurmë në disa festivale  ndërkombëtare, ku edhe janë vlerësuar me çmim.

Janë shprehur entuziastë stafi i këtij produksion, të cilët ishin mbrëmë present në shfaqjen e Tiranës, kur regjisorja More Raça tha se ishte herë e parë që bëheshin bashkë me aktorët, Sunaj Raça, dhe aktoren Juli Emiri.

“Pas një rrugëtimi të gjatë, kënaqësi për audiencën e Tiranës,  për këtë shfaqje të dytë ku marrim pjesë fizikisht, pas rrethanave jo normale për shkak të pandemisë”, tha regjisorja More Raça.

Aktorja Juli Emiri u shpreh se “E kam shijuar këtë bashkëpunim në maksimum, punën me gjithë ekipin. Uroj që këto bashkëpunime Shqipëri Kosovë të shtohen sa më shumë, sepse jemi një kulturë, një gjuhë”

Ndërsa producenti, dhe aktori protagonist i filmit Sunaj Raça tha se “jam shumë i lumtur që tani shohim frutet e këtij produksioni, pas një pune me shumë sakrifica e probleme, por që ishte një punë me shumë dashuri. Regjisorja është vajza ime, por njëkohësisht kisha nderin të kem një support mjaft të rëndësishëm aktoren, Juli Emiri, e cila ishte fantastike. Ishte hera e parë që e shihja filmin në ekran të madh. Jam shumë i ngazëllyer”.

Please follow and like us: