Miho Gjini: TJETËRSIMI
Tregim
“Do të të çojmë për t’u qetësuar, gjatë ditëve të simpoziumit, në një hotel të mënjanuar, gjithaq të qetë, siç i do vetë ti, – i dashur miku im!”, – i kishte thënë Sandri Marselit, posa kishin dalë nga tuneli i Kërrabës e asfalti i lagur nga shiu reflektonte disa rrezatime të kuqërremta, që befën, ashtu të ngrohta e të veshura me avujt që ende lëshonte toka, prej atyre muajve të nxehtë. Sandri e drejtonte me lehtësi veturën e fliste pa pushuar aspak, për t’i rrëfyer shokut të rinisë ndryshimet që kishin ndodhur gjatë ikjes së Marselit në Çeki se, kjo rrugë e re qe një fat, jo vetëm për Elbasanin, po për krejt anën e jugut se, Kombinati Metalurgjik, i famshëm për atë kohë, nuk ekziston më, se ura e vjetër e Zaranikës gjithashtu nuk është më, po gjithsesi ka mbetur e njëllojtë, brenda natyrës së saj rrjedha e ujit poshtë, si shurra e kecit!…
– Ky përrua i çuditshëm, – mori frymë ai, – që krijon pareshtur, po papritur e papandyer, edhe zallishte e merr përpara gjithfarë gjërash, nga vërshimet e tërbuara në dimër…Ah…, siç e sheh, ja tek është dhe ura, – e vetmja gjë ndryshe, dua të them: e re! Doemos, edhe këto hotele që na u dukën sikur mbinë nga dheu, ashtu papritur, edhe ato, kur asnjeri nga ne nuk e priste…
Dhe makinën e ndali, po duke folur, te këmbët e urës, përbrenda parkingut të hotelit “Zara”.
– Edhe hoteli mori emrin e këtij përroi biçimsëz”, – tha ai pasi kishte frenuar e doli nga makina.
1.
Marseli u sistemua në katin e katërt të hotelit, bëri një banjë dhe ra e fjeti menjëherë. Të dyja “linjat” e ardhjes kishin ndikuar për mbarë, që ai të bënte një gjumë të qetë. Si referimi që do mbante në trajtën e një kumtese të karakterit urban, artistik e estetik, që ai e kishte përgatitur me sedrën e një arkitekti-artist, po ashtu edhe ai udhëtim qiellor rraskapitës, aspak direkt, me më shumë se katër orë, me një ndalesë të lodhëshme në Vjenë dhe,-oh sa këndshëm,- brenda dy orëve, nga Rinasi gjer në Elbasan. Që i kishte pëlqyer shumë… Ftesën e Sandrit, i cili kishte vite që punonte në bashkinë e qytetit, si edhe simpoziumin shkencor që ai e kishte ideuar dhe organizuar mbi funksionimin modern të urbanistikës, në harmoni me veprat e artit, Marseli e kishte mirëpritur. Realisht kishte ç’të thoshte për të dyja Pragat, të vjetrën e të renë. Veçanërisht për Pragën e vjetër,-themeluar që në vitin 885, me atë histori të artë, ku arkitektura, që nga katedralja e kështjella e Mbretit Karl e deri te teatri i vjetër kombëtar, në të dyja brigjet e lumit Vitava, ëshë i tejmbushur me ura e vepra arti të skulpturës, kisha e basorelieveve historikë. Po e tërhiqte si një magnet edhe një histori dashurie, e mbetur pezull, e paharruar e torturuese, pa anë e fund, mandej edhe pa përgjigje nga të dyja krahët, që e kishte dërmuar e sfilitur në atë largësi të pakapshme, që dukej sikur i ndante jo më një përrua si Zaranika, po një qiell i tërë. E ata të dy të dashuruarit e dikurshëm, mbetur në të dy brigjet e kundërta të një lumi, si të ishin para një deti të pakapërcyeshëm…
Mëngjesi e zgjoi me këtë ëndërrim… I ishte shfaqur Esmeralda, po aq e brishtë sa më përpara, kur i erdhi në klasë mësuesit, inxhinierit të arkitekturës, ashtu kokulur, me ndrojtjen e vajzave të ardhura nga fshati. Po koha që ecte me shpejtësi, bëhej më e rrëmbyer se lumenjtë, me ato rryma të nëndheshme e dallgëzime, sikundër ndodhte edhe me gjithë njerëzit. I ngjiti në zemër kjo vajzë. Nuk duhej, po u drodh nga bukuria e Esmeraldës. Për dreq, edhe emrin e kishte të bukur. Si një emër i huaj balerine…Si të ishte vetë balerina e famshme ruse Natalia Osipova e “Balshoi Teatrit”, që interpretonte edhe ajo Esmeraldën e gati fluturonte në skenë mbi majat e gishtave, me harenë e bukurine e saj përrallore, me elegancën e në birjozke anës liqenit të vetmuar dhe që e kishte zhytur atë po në ato kujtime te ëmbëla te dashurise, kur e kishte parë ne sheshin e madh përpara katedrales së mbretërve te dikurshëm te Pragës së Artë, që i thonin edhe “Praga e përrallave”…
Sandri i kishte thënë, vite më vonë, që të mos e kujtonte më të dashurën e tij, derisa koha qe tjetërsuar, ndërkohë edhe njeriu, kur befas erdhi edhe përmbysja e madhe, po edhe “shtegtimi i krillave”, sikundër e kishin parë dikur në filmin rus. Pa përmendur çoroditjen e hatashme, kur njerëzit nuk dinin se nga do t’ia mbathnin dhe ai e “kishte lënë vrapin”, në Çeki, ku kishte studiuar i ati e qe dashuruar me çeken e bukur Joana, nënën e tij. Po ai kishte këmbëngulur, donte ta shihte Esmeraldën dhe ajo kishte pranuar, sa i kishte thënë Sandri. E i kishte thënë se mund ta pinte tashmë një kafe me ish mësuesin e saj, aq më tepër se kohë të reja kishin ardhur e ajo qe rritur tashmë e ndryshuar, bile ishte martuar me dikë tjetër. Dhe buzëqeshja e saj mori trajtën e një ngadhënjimi të dukshëm… Dashuritë e vjetra janë si gjethet që bien nga pema, kur i zë vjeshta e pashmangshme. Megjithatë, ishte përcaktuar prej saj vetëm një gjysmë ore, aq sa duhej për të pirë një kafe, në barin e ish turizmit të qytetit, që i kishin shtuar edhe pesë kate të tjera përsipër, jo më nga shteti, po prej një pronari që s’dihej se si kishte ardhur e ngulur në këtë qytet të madh…
Ajo kishte zënë tryezën e fundit të sallonit kryesor të barit dhe e kishte përpara kafen që ende avullonte, kur ai hyri, ashtu elegant, shpejtoi hapat e qëndroi dy hapa larg saj. Ajo u ngrit, me një buzëqeshje nga ato të çastit, që i kanë më vete kortezitë e sjelljet e mira dhe nuk bëri më përpara, që t’i hidhej në qafë, si dikur. Dora e tij u shtri befas në drejtim të saj e ajo nuk do të nguronte që ta shtrinte po njëlloj dorën elegante, me thonjtë e lyera me pesë ngjyra të ndryshme, tek shquante edhe unaza e florinjtë, mandej edhe byzylyku në kyçin e dorës. Ajo u ul në karrigen e saj, po Marseli e mbajti dorën shtrënguar, si rastësisht në hutimin e tij, gjersa ajo e tërhoqi dhe rrëmbeu filxhanin e porcelanit.
– Mirë se ke ardhur në qytetin tonë!
– Mirë se të gjeta…. çuditërisht ndryshe… zonjë!
– Me litar nuk e lidh dot as kohën, as njeriun e as dashurinë… zotëri!
– Këtu sipër, – shtoi ai me shpejtësi, – në dhomën 73 të katit të tretë, zonjë e nderuar, keni fjetur me këtë zotëri që ke përpara, apo jo? Dhe je shprehur krejt ndryshe!
– Eh.. T’u dhashë e tëra se të doja, duke shpresuar në fjalët e tua të zjarrta dhe në lidhjen e përjetshme..Po edhe zjarret shuhen!.
– Ndërsa unë, – edhe pse të dashuroja çmendurisht, – nuk vajta deri aty, sa të të bëja timen që në ato çaste përvëluese ndjenjash, duke e përmbajtur veten… sa… sa te rriteshe edhe pak… Qe një kohë e tmerrshme… Ç’do të thoshin paskëtaj? Që profesori e mashtroi nxënësen e tij minorene! Patjetër … Dhe pastaj vinin zinxhirët e … jo byzylykët me gurë të çmuar që gënjejnë sot çupat e bukura!…..
– Po ti, pse ike, pse më le kur me doje për grua, pseeeee?! Unë e shkreta t’u dhashë…., – tha ajo e shkrehu befas në një rrëke lotësh, duke u shembur në kolltukun e saj….
Marseli e uli kokën me thinja të dendura, midis të dyja duarve e nuk kishte çfarë të thoshte, kur as vetë s’e kuptonte dallgën e madhe që erdhi aq furishëm….
2.
Marseli e pa veten jashtë asaj godine që dikur quhej “Turizmi”, – dikur me gjashtë kate, që i ishin shtuar edhe katër kate të tjera, paralelisht me vitet që iknin njëri pas tjetrit dhe të thinjave të njerëzve që shtoheshin mbi kryet e tyre! Nuk kishte më as zë e as kurajë t’i fliste a të mbrohej prej asaj vajze të brishte që ra atëherë në duart e tij e u që iu dorëzua vërtetë, por që ai e kishte quajtur adoleshente me mendjen e tij, për të mos e përdorur para kohe, t’i merrte virgjërinë një 15-vjeçareje, kur e dinte se si kishin përfunduar nëpër gjyqe, internime e burgje të tjerë shokë të tij, mësues që kishin rënë në dashuri me nxënëset e tyre të gjimnazit e ai kishte frikë.. frikë… po edhe një vetkontroll të fortë, të rreptë, prej edukatës gjermanofile të së ëmës… Do të priste sa të rritej pema… e të piqej molla… molla e Adamit… po ja që, pema ishte rritur vetiu, e mollën e kishte këputur tjetërkush, tek e vërente në largësi e me xhelozi lidhjen e tyre të fshehtë… E tek ziente truri i tij, para vajzës që qante me dënesë fatin e saj, – qe ngritur i dërmuar, me kokën ulur, pa guxuar ta shihte më në sy e kishte dalë përjashta …
Kthjellimi i tij erdhi dy vite më vonë kur ngritën krye studentët e rrëzuan monumentin e frikës! Qe koha kur nuk pa i pari të dytin e ai hyri në ambasadën çeke, me shpresë se aty, në Çeki, do të gjente gjyshin e tij, me të cilin e ëma pati letërkëmbime, deri vonë. Esmeraldën do ta kujtonte pikërisht aty, sa e pa veten brenda mureve të kësaj ambasade, po qe tepër vonë. Dhe ja ku u ndodh para saj, si frikacak, si një njeri i humbur, kot fare, tashmë edhe me flokët plot thinja. I gjatë, i bukur përsëri, artist në pamje, po me shpirtin bosh, pa atë tashmë që e kishte dashur dhe që ajo e donte, që atë natë donte t’i jepte virgjërinë e saj… Këmbët e shpunë te porta e kalasë e u ul në tavernën e parë që e pa të hapur e me fare pak njerëz. Porositi një dopio raki, me pak fërgesë elbasani përpara, që e detyroi pas pak ta pinte edhe dopion tjetër, duke e humbur mendjen në antikuarët e varura në të katër muret me dërrasa, relike të rralla që nga kohëra që nuk mbaheshin mend dhe që i zoti i lokalit, një burrë shumë më i thinjur se ai, që i ngjante një orakulli, i kishte mbledhur një e nga një… U ngrit.. Pastaj eci kuturu nëpër rrugët e brendshme të kalasë e qarkoi muret, ku, vende-vende ruheshin hapësirat, mjediset e gjelbra, tek tuk edhe terrakota, fragmente kolonash e qeramikash, të ekspozuar përbri e brenda lokaleve prej xhami. Pra, e vjetra mundej të bashkëjetonte me të renë… Por, në atë kohë të tmerrshme gjithçka shihej me një tjetër sy. Mungonte liria gjithkund. Vritej dashuria, vetë jeta, po edhe ëndrra e njeriut. Ai mund ta kishte bërë të tijën përgjithmonë Esmeraldën, për jetë të jetëve, duke marrë parasysh pasojat, sepse ajo e donte, përgjërohej për të dhe ishte dhënë e tëra. Po, a ndalen dot katastrofat?! Përse hyri, pa u menduar gjatë, brenda mureve të një shteti të huaj dhe e kishte harruar sakrificën e saj? Dhe, më mbrapa, atje në kodrat e Pragës së artë, të mrekullohej në oborrin e tejmbushur me qindra turistë të huaj, vajza, djem, pleq e plaka me rrudha në fytyrë e me flokë të bardha, tek i fanepsej Esmeralda duke kërcyer “vallen e ëndrrave” që vriteshin? Ajo qe një “kështjellë” e shek. XV, që ia shtonte vlerën e bukurinë qytetit… Që adhurohej… Po edhe atë e pëlqenin vajzat e reja çeke dhe nuk pyesnin më për moshën e tij, mbi të pesëdhjetat, që sa vinte e vjetrohej, mplakej e thinjej. Pa ia prekur natyra shpirtin, shtatin prej atleti, kokën si të Apolonit, me ato kaçurrela të thinjta që i binin mbi ballin e gjerë…
Me këto mendime në kokë u gjend te rrapi i Bezistanit, ku qe afruar aq shumë një pallat i ri e i thanë se një i dytë e i tretë që planifikuar të ngrihej! Mos donin vallë ta shkulnin edhe rrapin shekullor, simbolin e qytetit?.. Sikundër kishin zhdukur pazarin e vjetër, që ishte një relike e rrallë për turistët. Etja për ndërtime të larta e biznesmenëve të rinj nuk duhej të prekte thesaret e qytetit të lashtë! Në Çeki nuk u prek fare gjyma e njërit prej kryeqyteteve më të mëdhenj e më të bukur të Europës… Ai u ul më përtej, mbi një gjysmë kolonade mermeri, ku kishin gjetur, duke gërmuar arkeologët. Maja e këpucëve lëvizi instinktivisht mbi rërën e hedhur e aty poshtë ndriti mozaiku..O Perëndi! Një mozaik i mrekullueshëm dhe, pak më përtej, ai pallati që i shtoheshin çdo vit katet drejt qiellit, iu duk fare i shëmtuar!… Atje në Pragë, baletin “Esmeralda”, e pa i mrekulluar e i ngazëllyer, të interpretohej mbi mozaikun përbri kështjellës së mbretit të dikurshëm çek, dhe befas qe kujtuar se kishte një të dashur me këtë emër, se kishte fjetur me të në dhomën 73 të një hoteli dhe, gomari ai, nuk i kishte bërë atë që duhej bërë nga një burrë e ta shkonte jetën me të, me këtë budalla që vërtitet nëpër kështjella e që shoku i rinisë e kishte sjellë deri këtu, që të jepte mendime për zbukurimin e mëtejshëm të këtij qyteti dhe që ai e kishte nxjerrë fare nga mendja perëndinë e Erosit, Esmeralën që erdhi nga fshati e kishte çelur, thuajse para kohe, në qytetin e tij e pranë tij, atë kryevepër njerëzore që ai e kishte mbajtur pranë vetes me një xhelozi primitive, e kishte mësuar e rritur si “pemën” e vet dhe… O Perëndi, përse je kaq e padrejtë?!
Këmbët e kishin çuar deri tek ura e Zaranikës. Qëndroi në mesin e Urës e pa nga poshtë ujërat e qelbura që gurgullonin, hedhurinat anash, nga të gjitha llojet e tyre, gjer tek trungjet e pemëve. Pllakat anësore, të shqyera e të çara të betonit kishin “hapur gojën” e dukeshin sikur ulërinin, duke parë ato tre hotelet që ngriheshin pak më tej, mbi bregun e Zaranikës. Nuk kishte aq shumë ujë akoma. Pati thatësirë këtë vit, – i kishte thënë Sandri. Shiu që kishte filluar mbrëmë, nuk vazhdoi gjatë, po freskinë e kishte sjellë. Po ç’i duhej atij freskia? Ngriti lart jakën e xhaketës e u drodh i tëri.. Sytë i vanë andej nga erdhi e pa muret e rrëzuara të një kombinati që nuk ishte më kombinat… Po ç’i duhej atij. As ai nuk ishte më ai që ishte. E dinte nga lajmet që i vinin andej… Edhe kombinatet e tjera, uzinat e reja fare dhe fabrikat që u ngritën me punën vullnetare të skllevërve të asaj kohe, ku bënte pjesë edhe ai, nuk janë më. Po vallë, a mund të bëheshin “varreza” kaq masive, në qiellin e hapur, edhe për kombinatet e mbyllura, të rrëzuara a të vjedhura? Kohë tjetër? Ç’farë dreqin po ndodhte! Po “grykat” e hapura të minierave, me mundimin e gjakun e skllevërve, përse i mbyllën?! Ç’bëhej kështu?! Kur atje në Pragë mbyllej a braktisej rrallë herë, ndonjë fabrikë a një kombinat, shfrytëzohej për të bërë aty spektakle teatrosh, koncerte simfonike e ekspozita të arteve, të fotografisë e të industrisë. Pra, nuk i prekte njeri, ose i prekte më ndryshe, për më mirë e më bukur, jo pak herë… Njëfarësoj tjetërsimi edhe këtu. Po ti, pse i le që të prishej kombinati, more Sandri e më solle deri këtu, që të jap mendime për të mos u shembur vlerat e urbanistikës e ato të ndërtimit, sa t’u krrejnë edhe themelet! Po ti, ore qen bir qeni, – i tha ai vetes, – përse e le Esmeraldën të vuajë ikjen e mungesën tënde, sa….
3.
Dy ditë më mbrapa do të zhvillohej simpoziumi, për të cilin edhe kishte ardhur, pa e marrë me mendje se do t’i hapej edhe “plaga”që u cingrisë ndjeshëm. “Larg syrit, larg zemrës!”, – thuhej, po nuk kishte qenë fort kështu. Ajo plagë e vjetër u hap ca më tepër. Gjumi terrej me sy hapur në errësirën e natës. Simpoziumi ishte lënë për në mbasdite, meqenëse priteshin edhe mysafirë nga bashki e vende të tjera. U rrua me kujdes dhe bëri një banjë. Si ndërroi të brendshmet, veshi këmishën e bardhë e kostumin e zi, që e preferonte më së shumti. E mbërtheu komçën e këmishës dhe qarkoi në qafë papionin e zi, sikundër bënte edhe në Pragë, në raste e ditë të shënuara. U pa edhe një herë në pasqyrë. Shik! Po diç iu kujtua dhe hapi perden e dritares. Sytë i hodhi nga mali i Cërujës dhe ai i Gurit të Zi, nga ku buronte dhe Zaranika e varej mëtëposhtë, së toku me disa “lëmshe resh” lart në qiell, që ngjanin kërcënuese. Mirë do ishte të merrte çadrën e vogël e të shpejtonte. Të ishte atje para kohe e të pinte një kafe më Sandrin e që, me siguri, priste dhe miqtë e tjerë…
Mbylli derën e shtypi butonin e ashensorit që ishte në të zbritur. Pas pak mbërriti te kati i tij e ai hyri, pa e vënë re mirë se aty ishte edhe një person tjetër, një zonjë e panjohur, që i duhej ta përshëndeste me kokë, megjithatë. Në sallonin e poshtëm të hotelit nuk kishte asnjeri e ai bëri të dalë, kur e panjohura i doli përpara. Qe disi më e re në moshë, ndofta më përtej të tridhjetave e dukej e shqetësuar. Fliste me nxitim duke vendosur midis atyre që thoshte ndonjë parashtesë a frazë të italishtes, duke u shprehur se nuk e dinte nga t’ia mbante për të vajtur në qendër, ku e kishin ftuar në një simpozium për mjediset urbane e se nuk po orientohej dot. Ndërkohë që ia plasi shiu e Marseli hapi çadrën e tij që ishte sa për të dhe ajo, gati ia rrëmbeu nga dora, duke shpejtuar ta falënderonte, duke e lënë të befasuar njeriun!
– Të më falni për gjestin, po ju zotëri i nderuar, – tha ajo, – mund të mbaheni ndërkaq në krahun tim…, si i moshuar që jeni, pa ngurrim zotëri… Ju jeni babai im!… Oh…sa i ngjani atij… flokët e dredhura, shtati, eleganca.. – Më falni, zotëri.., se më duhet të vija që nga Italia, në një qytet që aspak nuk e njihja… – Dio mio!… për një seminar a simpozium që bëhet këtu… Porca miseria…! Por që mua më intereson si kritike arti që jam …, dua të them që merrem me artin pamor në mjediset urbane…. se për kësi gjërash e kam mbaruar Akademinë e Arteve…”.
Shiu vazhdonte të binte rrëmbyeshëm, ajo fliste pa pushim dhe Marseli qe i detyruar të mbahej me dorën e mpirë nga krahu i kësaj gruaje të panjohur e të parfumosur, që befasisht, qenë katandisur si “sajesa” të një rrugëtimi të largët, të ftuarit e Sandrit… Pas afro 20 minutash ata do të ndalnin para godinës së turizmit, që tashmë mbante edhe emrin e njëjtë me kalanë e me teatrin e qytetit, – sikur qenë shteruar emrat shqip! Shpejtuan të hynin nën strehën e tij e femra e ardhur nga Italia, e mbylli edhe çadrën edhe gojën… E ndodhur tani, në qetësinë e saj, përballë këtij burri të panjohur, shik, ajo u step dhe e pa një hop me vëmendje…
– Atëherë ndahemi, – tha ajo, me delikatesë.
– Jo, – kolege, – edhe unë për këtu jam i ftuar.
– Bellissimo!, – u shpreh ajo. – Të më falni që ju krahasova me babanë tim! Tani, në dritë, dukeni paksa më i ri… Oh… Shumë më i ri, bile simpatik! Një përshtypje momentale, megjithatë!
…Marseli e pa të udhës, për etikë qytetare, t’i shtrinte dorën në drejtim të sheshit të shkallës së sipërme, ku i priste Sandri, së toku me kryetarin e bashkisë.
Simpoziumi u zhvillua në sallën e madhe të katit të dytë që mbahej për takime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, e mobiluar enkas për të tilla punë, ku ndjehej mirëqenia, luksi dhe ilustrimi pamor i veprimtarisë shkencore që do të mbahej… Pas fjalës mikpritëse të Sandrit, shefit të urbanistikës, shtoi falënderimet e mirënjohjen e tij kryetari i bashkisë. Marselit iu dha fjala të parit. Bëri përshtypje dalja në foltore e këtij burri të hijshëm, të rritur në qytetin e tyre, gjer tek eleganca e ecjes, e veshjes, e të folurit, si edhe e asaj ligjërate me kompetencë e profesionalizëm. Ai tha se kështjella e qytetit tonë, – një nga më të mbajturat e më të mëdhatë në Europë, që përfshinte të gjitha periudhat e lashtësisë, e ngritur dhe e ringritur disa herë, e banuar dhe e rrethuar me muret më të fortifikuara, të një arkitekture solide, me disa porta, dritare e frëngji, ishte një fat i rrallë që bashkëjeton sot në urbanistikën moderne… Mandej ai solli në apologjinë e tij rrjedhëse, shëmbëlltyrën e Pragës, ku edhe mbijetonte tashmë, pas shembjes së shtetit të mëparshëm, i ndarë si me thikë nga gjysma tjetër, Praga e shekullit XV, e ngritur nga një mbret, me disa kështjella, kisha, ngrehina kulti, kalldrëme e ura me harqe, ku ishin ngritur qysh atëherë statujat, monumentet e obeliskët, kushtuar shenjtorëve të krishterimit, po edhe të njerëzve të thjeshtë, – si edhe një qytet modern, me pallate të një arkitekture moderne guri, mermeri, çeliku e xhami, ku asnjëherë nuk mungon harmonia midis urbanistikës, gjelbërimit e arteve pamore, të ndarë përgjysmë nga lumi Vitava, që përfshin thuajse gjysmën e Europës… Me takt shtoi ai, edhe gjendjen heterogjene të ngrehinave e të shtëpive të rindërtuara, a të vendosura pa kriter urbanistik, brenda kalasë, po edhe jashtë saj, në qytetin e Elbasanit, gjersa, në disa sajesa me mure betoni, tek tuk edhe të improvizuara e të shëmtuara, që prishnin imazhin e mirë. Në mjediset e portës veriore të kalasë, – bie fjala tha ai, – qenë ngritur disa bare e një hotel që nuk dilnin shëmtuar, po ishin ne një harmoni me të vjetrën, si edhe me ato gërmime, gjetje objektesh e terrakotash, deri në shtresat fundore… Për ta kaluar fjalën më përtej kështjellës, ku zotëronte betoni, mania e kateve sa më të larta, dis’harmonia urbane, spontaniteti i periudhave të ndryshme, ku fati më i keq, ka rënë sidomos mbi sipërfaqet e gjelbra e në vendosjen e veprave të artit. Tha se i kishte pëlqyer zgjidhja e një sheshrrotullimi rrugor, me simbolikën arkitekturale të tri urave, pikërisht aty, ku dikur kanë ekzistuar tri urat reale të lashtësisë, zgjerimi i rrugëve të para, të dyta dhe ajo e unazës, po ama ishte akoma jashtë vëmendjes së modernizimit lulishtja e famshme e festës së verës, ku mblidhen qytetarët elbasanas nga mbarë vendi, ku janë shpërndarë, po edhe miq e mysafirë… Duke e sjellë fjalën edhe tek rrapi i famshëm i Bezistanit, mbetur vetëm tashmë, i rrethuar nga pallate, kur dikur aty është zhdukur mjedisi i lashtë i pazarit, që mund të ishte një atraksion i rrallë, prej resurseve më të mëdha në tërheqjen e turistëve, sikundër u realizua fort bukur në Korçë e në Tiranë. E në fund, Marseli, duke e qarkuar sallën me një sy të shpejtë e duke dalluar edhe atë femër të çuditshme që kishte ardhur nga Italia, nuk mund të rrinte pa prekur pa i cituar veprat e artit pamor, duke u nisur nga monumenti solid, prej mendimtari, i Kristoforidhit, gjuhëtarit të shquar të kombit, ulur vërtetë, po në një gjendje meditacioni të thellë, me një rrezatim të mençur e të gjatë, si edhe një monument të kohëve të reja, të figurës së mësuesit elbasanas, si të trupëzuar në formatin e librave të tyre, duke u shtuur si simbolikë, krahët e shenjtorëve, që shpërndajnë mirësinë e dijen… Ka ardhur koha, – tha ai që të rishikohen edhe memorialet, bazorelievet dhe lapidaret kushtuar dëshmorëve të luftërave që janë bërë tek ne, për një paraqitje figurative dinjitoze, gjer në obeliskët e basorelievet bashkëkohëse, duke i vendosur ato aty ku duhet e bien në sy. E vazhdoi se, i kishte tërhequr vëmendjen një vepër e artit pamor abstrakt, midis murit të kalasë e bulevardit, nga ku qytetarët shihnin vetëm konturet e një koke njeriu, të gërryer nga brenda, prej diktaturës së egër, sikur u ka ndodhur, – përfundoi ai i emocionuar, – edhe atyre që ikën e morën dherat e huaja, për të mos u tjetërsuar, për të shpëtuar jetën e rrezikuar, dinjitetin, dashuritë tona të… E fjala i mbeti në fyt, tek pa në fundin e sallës Esmeraldën, mbështetur në njërën prej shtyllave të mermerit, si të ishte një shtatore e Praksitelit, me duart e kryqëzuara në gjoks e me flokët e gjata e të arta, derdhur supeve. O Zot, ku je?!
Marseli u ul midis duartrokitjeve dhe u dëgjua vetëm që dikush thirri në një gjuhë të huaj: “Meravilioza”! Po mbledhja do të vazhdonte në rrjedhën e saj, ndërkohë që ai nuk do të dëgjonte asgjë tjetër prej atyre që fliteshin e ku lakohej për mirë edhe emri i tij. Shikimi i tij qe fiksuar aty, në fundin e sallës, ku ishte vendosur Venera, Afërdita, Athinaja. Ajo, e harruara, e ndaluara, e dashura, shenjtorja…
Duhej të mbyllej seanca e asaj mbrëmjeje fatlume, që ai t’u vidhej të pranishmëve e të rrëshqiste në fundin e sallës, ku ajo ende nuk kishte lëvizur, ashtu duarkryq, përmbi gjoksin e saj të bëshëm, që vlonte e rrihte, me një frymëmarrje të thellë që i gufonte gjoksin ca më tepër akoma… Ai vuri re se në gishtin e saj të dytë, mungonte unaza e florinjtë dhe në kyçin e dorës nuk qe më byzylyku…
– Fole shumë bukur… Po harrove vetëm një gjë!, – tha ajo, e pa lëvizur nga kolona e mermerit, ku ishte mbështetur.
– Kë harrova?!
– Mua!.. Ja ku jam përsëri, ashtu si më le…
Nganjëherë, fjalët bëhen të tepërta, si tani, kur ai e mori nga dora dhe e tërhoqi në drejtim të banakut të recepsionit, ku hodhi përsipër kartën e identitetit.
– Dua dhomën 73, – iu lut ai, nëpunëses së shërbimit, që shqeu sytë para statujës së Apolonit e të Athinasë greke, që gati e rrëmbyen çelësin e dhomës së katit të tretë e vrapuan nëpër shkallë, të ngjiteshin pa frymë, duke harruar se aty, kishte tre dyer ashensori e dhjetëra shikime të lumtura që po i ndiqnin e që e duartrokitën çiftin e ditës, vonuar nga koha e gjatë e tjetërsimeve…
Dhe zbritën prej andej, të nesërmen në drekë, të lidhur dorë për dore, këtë herë me ashensorin e hotelit, ku do këmbenin të puthurën e radhës së një dite të re që po agonte, për të mos u ndarë më kurrë… Një javë më mbrapa, nga dritaret e avionit të linjës Tiranë-Pragë, nuk mund të shqiteshin nga xhami i avionit, për të parë edhe një herë se ku gjendej atje poshtë, ura e Zaranikës, me brigjet e saj aq të qeta e të bukura…
Shkruar në një hotel, pranë urës së Zaranikës, në Elbasan, në një mbrëmje tetori 2021, si trillë fantazie. Ç’do ngjajshmëri e afërsi me ndodhi reale e persona, është e rastësishme.
Please follow and like us: