Albspirit

Media/News/Publishing

Navalny fiton Çmimin e PE, Sakharov

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, fitoi Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit. Çmimi vjetor i Parlamentit Evropian iu nda atij për, siç u tha, ekspozimin e korrupsionit në Rusi dhe të përpjekjeve për frenimin e lirive në këtë vend. Navalny ishte në listë të ngushtë me një grup të grave afgane dhe me një politikan opozitar të Bolivisë. Ai u shpall fitues nga ligjvënësit evropianë, njoftoi Partia Popullore Evropiane, e cila është subjekti më i madh politik në Parlamentin Evropian. Navalny, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, është burgosur në një aeroport të Moskës në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor. Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e tij. Navalny, 45 vjeç, është dënuar pastaj me 2 vjet e gjysmë burgim për, siç është thënë, shkelje të lirimit me kusht. Ai ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht. Vitin e kaluar, Çmimi Sakharov i është dhënë opozitës demokratike të Bjellorusisë, e cila ka organizuar disa protesta kundër udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandër Lukashenko. Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë: ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, opozitën demokratike të Venezuelës dhe aktivisten pakistaneze të arsimit, Malala Yousafzai.

Please follow and like us: