Qershia mbi tortë: Kruja jo vetëm pa ujë, por edhe të helmuar
Sabina Darova
Qershia mbi tortë: Kruja jo vetëm pa ujë, por edhe të helmuar.
Prej dhjetra informacionesh të ardhura sot në msn, më bëjnë të ditur se nga dita e djelë dhe sot, në spitalin e qytetit të Krujës është venë re një fluks i madh qytetarësh. Ata kanë manifestuar shenja të dukshme me gastro- interite, që shkaktohet nga helmimi i ujit të pishëm, i cili tashmë rrjedh me pikatore në rubinetat e qytetarëve krutanë.
Dëshpërimi dhe paniku i ka shtyrë qytetarët, që t‘i drejtohen njësive tregtare për ta blerë ujin me bidona, me qëllim që të përmbushin nevojat e tyre themeltare: shuarjen e etjes dhe gatimin.
Mendohet se helmimi ka ardhur për shkak të mos klorifikimit të vazhdueshëm të ujit. Madje ka zëra, të cilat thonë se kjo ndodh që nga muaji korrik. Nuk zbatohen kontrolle mbi cilësinë e ujit të pishëm. Nga 12 pika shpërndarje, tetë prej tyre ju mungon klori, që shërben për pastrimin e tubave ujësjellës.
Pritet që një përgjigje definitive të jepet pas pak ditësh nga ana e DSHP-së, nga mostrat e ujit që janë përcjellë nga laboratori i spitalit të Krujës.
Të mos harrojmë, që ujësjellësi i ri i kushtoi shtetit rreth 5 milionë euro, por banorët furnizohen vetëm me 24 orë ujë në muaj dhe sikur të mos mjaftonte, del dhe i helmuar.
Ku qëndron përgjegjësia?
Kush do përgjigjet për qindra qytetarë që kanë në rrezik shëndetin fizik? Po atë psikologjik?
Si të mos mjaftonte paniku i Covid-19, qytetit i shtohet një problem më shumë.
Nuk e paskeshkemi ditur, por sa të rrosh do të mësosh, që klori kushtoka kaq shumë, sa të përdoret me pikatore.
KE financon shkolla e pallate, Bashkia është e lutur të sigurojë kapitalin më të çmuar për njeriun, jetën. Me fjalë të thjeshta, më shumë vemëndje për qytetarin, e më pak për lëvdata në 3D. Më shumë ndërgjegjësim e ndershmëri në punë.