Mikrosofti: Hakerët e mbështetur nga Rusia synojnë shërbimet ‘cloud’
Mikrosofti thotë se të njëjtët hakerë të mbështetur nga Rusia, përgjegjës për sabotazhin ndaj kompanisë SolarWinds në vitin 2020, vazhdojnë të sulmojnë kompanitë teknologjike, sidomos ato që ofrojnë shërbime për mbajtjen e të dhënave nëpër servera (cloud).
Mikrosofti tha se grupi, të cilin e quan Nobelium, po përdor një strategji të re, që e bën Nobeliumin “të duket si partner teknologjik i kompanisë të cilën sulmon, për të hyrë në sistemet e saj”. Mikrosofti tha se sipas analizës së tij, që nga fillimi i majit, më shumë se 140 kompani kanë qënë në shënjestër dhe 14 prej tyre, mundet të kenë rënë viktimë.
Administrata amerikane, nga ana tjetër, u mundua ta zbusë lajmin. Një zyrtar që donte të mbetej anonim, tha se “aktivitetet e përmendura nga Mikrosofti, janë sulme të njohura, që synojne spiunazh, jo sabotim, që ndërmerren përditë nga Rusia apo qeveri të tjera të huaja.”
Ambasada ruse nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar.
Marrëdheniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë ftohur edhe më tej këtë vit, pas një seri sulmesh kibernetike të grupeve mafioze ruse, që kanë marrë peng sisteme të tëra të disa kompanive amerikane. Presidenti Biden i ka kërkuar Presidentit Rus Vladimir Putin, që Rusia t’i ndëshkojë këta kriminelë, por disa zyrtarë të sigurisë kibernetike të administratës kanë thënë kohët e fundit se nuk kanë parë prova të tilla./zeri i amerikes