Ilir Levonja: Fenomeni Berisha
Nuk e di se sa foltore u bënë, por koha vertetoi se Berisha është një fenomen në politikë. Gjithë shqisat e komunikimit shqiptar janë aty. Nuk hap dot faqe ekranesh apo webesh se kudo është Berisha. Madje edhe ”biri” i tij politik, që deklaronte se nuk do ta vriste kurrë babain, sikur është zgjuar dhe po vrapon të kapi kohën e humbur. Nuk ka mbetur këmbë soji apo sorollopi gazetarie, apo intelektuali, pa u rrekur pas këtij emri. Për ata të studiove, nocioni Berisha është një minierë floriri. Sa kriminel, aq edhe fitimprurës, kanë se çfarë të shkruajnë etj. Nga ana tjetër ata që duan të rrëzojnë Edi Ramën, apo opozitarizmi në përgjithësi, përfshi këtu edhe ata që nuk duan as Ramën dhe as Berishën, janë të hapur të afrohen. Ndaj në sfond duket se po krijohet një front i madh opozitar që më shumë se këdo tjetër ka shkundur Edi Ramën. Tani se kujt ia detyrojmë këtë, Amerikës që shpalli Berishën non grata, Lulzim Bashës me Republikën e re, apo klanit të familjes, hipotezave me ish gruan apo ish e fejuara, pra klanit sorosian nuk ka asnjë rëndësi. Ndofta një ditë ata që merret me zhvillimet politike do ua shpjegojnë shqiptarëve me detaje. Për ne ka rëndësi proçesi. Por edhe një falenderim angllish Amerikës dhe të gjithë këtyre për rikthimin aty ku duhet opozitarizmit në Shqipëri. Në një farë mënyre po i jap përgjigje edhe pyetjes që më bëjnë se, përse e mbroj unë Berishën kur deri dje e kam goditur. Pra, nuk po mbroj Berishën, por proçesin. Në vendin tonë po ndodh publikisht një manipulim social i proçeseve. Këtë mund ta bëj e majta, pasi e ka në traditë. Por jo e djathta, forca ideale e balancimit të pushtetit apo e demokracisë në vendin tonë. E majta e ka traditë faktin apo kultin e individit, e djathta jo. Eshtë një forcë e re ku pavarsisht firove zë fill nga ndryshimet e mëdha sociale të Europës lindore, nga rënia e murit të Berlinit. Kurrë nuk ishte dëgjuar që pasi humb zgjedhjet kombëtare, i pari i një force politike futet në frigorifer, ngrin, deri sa partia ta rizgjedhi. Pa konkurencë, pa platformë, pa prespektivë, por vetëm me ankesën se i vollën zgjedhjet. Madje po publikisht votohet në rresht prej një dore me 100 vota. Bëjini vet llogaritë, 100 duar nga 100 vota etj. Kjo i ka hije rilindjes së Edi Ramës, por jo një force të djathtë që pretendon se solli pluralizmin në vend. Të paktën tërësia e intelektualëve që ka brenda, apo që pohojnë këtë kudo. Megjithëse tek-tuk syresh, flasin studiove se votuesit nuk kanë të drejtë të gjykojnë parinë. Kanë ore zotëri kanë, sa kohë që kanë të drejtën e votës, kanë edhe të drejtën e të të kërkuarit llogari. Dhe lërini këto krahasimet me Anglinë, Gjermaninë e teze Merkelit, apo se çfarë ka thënë iks apo ypsilon politolog, nuk bëhet vendi me thëniet e të tjerëve. Por me vullnet të mirë, me vullnet të hapur, me hapje obsionesh e votë të qartë si drita e diellit. Por siç e thashë është fenomeni Berisha që u jep materiale, ndryshe do vazhdoni gallatën mes Lulit që humb zgjedhje pas zgjedhje dhe vendit që fundoset në borxhe. Por do Zoti e Berisha i mbaron sa më shpejtë këto Foltoret, se vitin tjetër si kjo kohë, Edi Ramën do e shihni emigrant.
Please follow and like us: