Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Të fundit ikën dallëndyshet

Së pari fshati u braktis nga të rinjtë,
Pastaj ikën prindërit, gjyshërit dhe gjyshet,
Ikën buzëqeshjet e trëndafilta të fëmijëve,
Të fundit ikën dallëndyshet.
Ikën edhe ato pak vajza që kishin mbetur,
Sapo vendosën unazë në dorë,
Nuk pritën vjeshtën për të bërë dasma,
Sepse në fshat nuk kishte më dasmorë.
Si për inat ikën edhe retë,
Tufa-tufa vendosur në rradhë,
U fshehën diku pas maleve
Si qengja të bardhë.
Ngadalë u thanë edhe pemët,
Disa për ujë dhe disa i prenë,
Tani në fshat nuk shkon as vjeshta,
Se s’ka më pemë.
Mbetën në fshat vetëm varret,
Ndërsa njerëz shikon gjithnjë e më rrallë,
Eh, si erdhi kështu kjo kohë vrastare,
Të vdekurit duhet të qajnë për njerëzit e gjallë!
Së pari fshati u braktis nga të rinjtë,
Pastaj ikën prindërit, gjyshërit dhe gjyshet,
Ikën buzëqeshjet e trëndafilta të fëmijëve,
Të fundit ikën dallëndyshet.
Please follow and like us: