Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: BOTA E FËMIJËRISË DHE ARTI

Ese
Përpara se të filloj të analizoj botën e fëmijërisë te njeriu, dua që të hap edhe një si parathënie për këtë.
Bota e fëmijëve ka frymëzuar gjithnjë jetën e prindërve si dhe të artistëve. Ne nuk dimë, për shembull, nëse Eva dhe Adami patën një fëmijëri, po nëse e patën, si mund të kishte qenë ajo? Nga Bibla apo prej artistëve i kemi përfytyruar gjithnjë në moshë të pjekur,bile që nga momenti që ata kryen mëkatin dhe për të cilin u dënuan. Mos vallë mëkati i tyre ishte vetëm një lloj përligjjeje për të varrosur atë fëmijërinë dhe naivitetin brenda njeriut? Përse Zoti i krijoi ata menjëherë në moshë madhore dhe nuk u dha një mundësi? Po të jetë keshtu, a nuk është një gabim i pafalshëm për Zotin? Përse? Sepse, duke i hedhur menjëherë në jetë si të rritur, ata nuk mund të rrinin pa provuar shpengimin dhe papërgjegjshmërinë. Apo është ashtu sikurse thuhet, që djalli i shtyu ata qëllimisht, për të ndodhur më pas gjithçka ka ndodhur? Si mundet vallë që Zotit të gjithpushtetshëm t,i ikte nga dora një mrekulli e tillë, të cilën e krijoi dhe për të cilën  kaq shumë pati ëndërruar? Po sikur të kishin qenë fëmijë, atëherë, çdo kishin bërë vallë ata? Ne e përfytyrojmë fëmijërinë të shenjtë dhe fëmijët krejt të pafajshëm , por a është kështu vërtet? Të besojmë që është kështu. Po atëherë nga erdhi zvetënimi dhe që bota u prish? Sapo njeriu u rrit? A nuk ndodh që fëmija sapo lind kërkon prej gjithçkaje ti thithë kënaqësinë, apo sipas Frojdit të jetojë në moshë shumë të njomë kompleksin e Edipit, e mijëra gjera të tjera psikike? A nuk duhet dyshuar disi në këtë lloj pafajshmërie?
  Më kujtohet tregimi ” Gozhda” i Pirandelos, kur një fëmijë i ngul një gozhdë në kokë një vajze të vogël , e cila vdes vetëm e vetëm pse e përbuzte atë. Tërë ato ndjenja xhelozie, zilie, dhune a nuk ekzistojnë tek fëmijët , ndoshta edhe në përmasa më të mëdha se te të mëdhenjtë, vetëm se nga e gjithë kjo ata janë thjesht të papërgjegjshëm? Pra, në ish vendosur kështu, a është treguar i drejtë ndonjëherë Zoti kundrejt nesh? Pyetje, sa shumë pyetje, pyetje pa fund. Vallë të gjithë librat e botës, duke perfshirë këtu edhe librat e shenjtë, e kanë zgjidhur me tërë mend enigmën e botës?
Gjithnjë kam kërkuar të zbuloj diçka nga bota e fëmijëve , por ashtu si ndodh edhe me të rriturit, asnjëherë nuk mund të ngresh plotësisht perden. Lojërat dhe frikërat e tyre i kam parë sikur të ishin dhe të miat. Kam kërkuar ti kuptoj ata, të jem i thjeshtë e njerëzor përpara tyre, pa asnjë lloj arrogance, me të cilën të mëdhenjtë mundohen të sundojnë mbi të vegjlit. Kjo më ka sjellë gëzim dhe kompensim , kur qëllonte të më pranonin midis tyre si të barabartë. Për një fëmijë lodra më e bukur është natyra vetë dhe njëkohësisht natyra e ndjeshme që mbart në vetvete. Po a kam arritur vërtet të jem deri në fund komunikues me ta dhe aspak dikush që përpiqet ti kondicionojë? Do të gënjeja po të thoja se po. Mjafton që jam përpjekur , që kam kërkuar. Ajo që është e vërtetë te fëmijëria , dhe këtë ne e kemi kthyer gati ne një besim të patundshëm , gati një kult, edhe pse në mënyrë pak naive, është shpengimi i veprimeve të tyre, një forcë kjo që ne pothuaj e kemi humbur për fare. Pra, një lloj besimi i tepruar apo kulti fillojnë aty ku njerêzit mendojnë se e kanë të vështirë për të depërtuar, ose që ta bejne vetë. Prandaj njerëzit shpesh thonë” Ah , sikur të mund të bëhesha edhe njëherë fëmijë!”  Por edhe fëmija duke u rritur krijon në vetvete kompleksin e të qenit i vogël, të inferioritetit ndaj të mëdhenjve dhe si i pambrojtur që eshtë, krijon kultin e të madhit, të prindit, që komandojnë dhe që munden të bëjnë gjërat që si bëjne dot ata. Ndaj shpesh fëmijën e vogël e sheh tek ka dëshirën të veshë këpucët e rënda të babait, ose vogëlushen që përpiqet të imitojë t’ ëmën, duke i ngjyer buzët me të kuq. Ka diçka komike në gjithë këtë, por edhe diçka si prej drame. Drama e pamundësisë së çastit.
Prandaj këto gjera mbeten thjesht imitim prej të dyja palëve, thuajse qesharake. Por nëse tek një fëmijë ekziston shpresa se ai një ditë ka për t’u ngjarë prindërve të vet, te ata vetë kjo shpresë është fashitur me kohë. Ndaj ngjan si komike për fëmijët dhe dramë për të rriturit. Ky i fundit e gjen shpesh veten tek përpiqet t’i rikthehet me naivitet fëmijërisë; një grua që mrekullohet nga një lule dhe rend t’i marrë erë, një plak që ndërton me rërë në breg të detit kështjellëzën e nipit, ai që luan dhe i flet qenit dikur ta kishte një shok të afërt, por e gjithë kjo, prapëseprapë, mbetet një shpengim i cunguar. Megjithatê, do të thotë se nevoja për shpengim dhe sinqeritet është pjesë e brendshme e vetë qenies. Atëherë, s’mbetet tjetër veç një përzierjeje midis shpërfilljes fëmijërore me atë të detyrimeve jetësore ne jetën prej të rrituri. Ky lloj bashkimi e përputhjeje gjithkujt kishte për t’ia lehtësuar sadopak jetën.
Gjendem shpesh i përqëndruar , ndërsa i rikthehem leximit të klasikëve të mëdhenj të përrallave, që ndërtuan vizionin e një bote magjike e që ndihmuan në rritjen e fëmijëve dhe zhvillimin e fantazisë së tyre për botën, si është dhe si mund të jetë. Ndonëse shumë fëmijë të vegjël s’munden akoma ti lexojnë, mund ti përjetojnë ato emocionalisht. Bijes sime kur ishte e vogël,që shpesh dëshironte të mbante nëpër duar librat e mi,  i çova në shtëpi dy librat e parë prej kartoni me ilustrime figurash. Njëri prej librave ilustronte jetën e kafshëve në pyll, të cilat ende sot vazhdojnë të jetojnë në stadin e ” foshnjërisë” së tyre, ose më mirë sikur të thonim ” ashtu si kafshët kanë jetuar gjithmonë”. Ka një lidhje midis kafshëve dhe fëmijëve . Të dyve nuk u është lejuar ende bota e vërtetë e arsyes , artificialiteti, mendimi që shpesh ne të mëdhenjtë synojmë për një botë të tjetërsuar. Fëmija e jeton ngjashmëritë me kafshët dhe zogjtë gjer pa hyrë në shkollë, gjer edhe më shpejt, kur akoma nuk arrin të kuptojë moralin që i përshkruajnë dhe i përçojnë prindërit. Nga prindërit fëmija fillon të edukohet me ato që janë ligje për jetën e të mëdhenjve, të mos rrijë lakuriq, ndjenja e turpit, e fajit. Në shkollë i mësohet alfabeti dhe shkronjat, aritmetika, qëndrimi moral, bindja dhe rregulli, faktorë kryesorë për ta përfshirë atë në shoqëri, ku më vonë ai ka për te bërë pjesë. Do të thoja që kjo është periudha që fëmijës nis e i rrëmbehet gati dhunshëm ajo që ne e quajmë pafajësi, pra lirinë dhe shpengimin e tij. ( Ajo liri që iu hoq dhunshëm edhe Adamit e Evës, pas mëkatit. Të jesh krejt i lirë, është një mekat?  Të jesh i pafajshëm dhe i papërgjegjshëm, gjithashtu, mëkat është?)
E shoh si fatale dominimin e të tjerëve në jetën e një individi dhe anasjelltas, fatal është ngritja e kulteve mbi jetën njerëzore. Kjo vlen për të nënkuptuar gjithçka. Individi dhe masa – raporte gjithnjë në konflikt. Po për çdo shoqëri , të këqija tē domosdoshme edhe këto.
Libri tjetër që i dërgova vajzës së vogël ishte përralla ” Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”. Nuk ka gjeneracion fëmijësh në botë që të mos jetë mahnitur nga kjo përrallë, nga vogëlushja jetime e përbuzur nga njerka dhe qē e gjen familjen e vërtetë mes pyllit, atje ku banonin kafshët dhe xhuxhat. Rezultati ishte i mrekullueshëm. Gruaja mē njoftoi në telefon , sepse ndodhesha me punë nē Firence , se çupëza nuk i ndante nga dora librat. Gjithmonë pat qenë dëshira që ajo të rritej duke ruajtur sa më shumë botën e saj dhe ta ndihmoja që ta kishte sa më të lehtë këtë gjë.
  Është gati fakt i dhunshëm që fëmijët sot në përgjithësi edukohen me emisione televizive si demonstrimi i forcës, armët, teknologjia e jetës, duke ua lënë atyre gati të panjohur natyrën. Në qytete të mëdhenj që është gati e “panatyrshme” të gjesh pak natyrë , fëmija është i detyruar t’u nënshtrohet të gjitha mekanizmave, gjersa të humbë çdo lidhje me natyrën, si rrjedhojë edhe me veten. Duke u rritur, është më pranë çrregullimit mendor, stresit, pothuajse jashte vetes, viktima të vërteta të teknologjisë.
Janë të paktë ata që nuk kanë lexuar Piter Panin, çunakun që nuk donte të rritej, e besoj se janë të shumtë edhe ata të mëdhenj që do të donin të riktheheshin përsëri në fëmijë. Jeta e përditshme i shtyp, zhurmat e makinave, hipokrizia e shefit, monotonia e punës, andrallat për të mbajtur një nivel ekonomik , ndaj do të donin ta fillonin jetën nga e para , për ta përmirësuar atë. Sikur mbi të gjithë ne të mbisundonte një Piter Pan, bota a do të kishte qenë ndryshe? Pafajësia ishte dhe akoma është , por atë e mbyt synimi seksual , shtimi i pasurive materiale dhe parave.
Asnjëherë , në të gjitha llojet e arteve e rrymave letrare nuk është shkruar më me sinqeritet se sa ajo që është shkruar për fëmijët. Nëse ekziston një letërsi e vërtetë, ajo për fëmijë mund të quhej , padyshim, e tillë. Pavarësisht se kjo nuk është arritur gjithmonë. Por që nga përrallat popullore të popujve të ndryshëm , nga ” Njëmijë e një net”, gjer te Vëllezërit Grim, Anderseni apo Uajlldi, nga Pinoku i Kolodit, tek ” Aventurat e Tom Sojerit” e Mark Tuenit etj., nuk mund të ketë letërsi më të bukur e më frymëzuese , që na shtojnë dashurinë për jetën. Për atë jetë që të gjithë kemi humbur domethënien e saj, që kemi humbur aftësinë për të jetuar.
  Në një përrallë, dy djem kërkojnë të krijojnë me fjollat e borës që po binte një vogëlushe , e cila filloi të jetonte dhe të luante me ta. Ne e dimë se fëmijët janë pjesëmarrësit më të ethshëm të natyrës , ata komunikojnë me lulet, me borën, me yjet, ata u japin emra, i shpirtëzojnē. Por ç’ ndodhi më tej nē përrallë? I ati i picirrukëve kthehet në shtëpi dhe i fut djemtë brenda , duke e detyruar vogëlushen të ulet në karrige pranë zjarrit që ajo të ngrohej , me gjithë lutjet dhe qarjet e fëmijëve që mos ta bënte një gjë të tillë, se ajo ishte prej bore. Nuk besonte kurrësesi që mund të ishte një krijim i tyre, por thjesht një marrëzi, një kapriçio, gjersa prej vogëlushes të bërë me borë mbeti vetëm një pellg uji. Pedantizmi është rregulli numër një i shoqërisë së sotme, që nuk beson thuajse në asgjë. Ndonëse të vetmet komunitete njerëzore kanë mbetur ato fise ende të paqytetëruara dhe që s’ duan fatmirësisht të qytetërohen, të cilët ende i besojnë natyrës dhe jetojnë pranë gjirit të saj. Evolucioni i njeriut dhe civilizimi i tij, gjëra pa të cilat s’ mund të bëjmë, nuk duhet të arrijnë kurrësesi gjer atje, sa të kthehen kundër vetë natyrës. Epikuri thonte ; ” Ka gjëra që janë të nevojshme , ka gjëra që janë të natyrshme , por jo të nevojshme dhe ka gjëra që s’ janë të nevojshme , as të natyrshme.”
Njeriu ka përfshirë ethshëm këtë të tretën; ” as të nevojshmen, as të natyrshmen”, pasi kaloi nëpërmjet shekujve mbi të nevojshmen dhe të natyrshmen. Njeriu ka humbur besimin, ose nuk e ka pasur këtë  kurrë aq të thellë. Fëmija ka besim te gjërat , ka besim te natyra, e prek dhe e do. Ashtu si zogjtë çukisin mbi bar dhe rendin fushë më fushë , kallëz mbi kallëz, nga njëra hapësirë qiellore në tjetrën, edhe fëmija e prek ujin dhe kupton ç’ është uji, e prek zjarrin dhe e ndjen zjarrin, prek lulen dhe mëson të nuhasë aromën dhe të njesohet me brishtësinë e saj. Edhe njeriut kështu do t’i ishte dashur të bënte gjithnjë në jetë dhe jo ta braktiste aq shpejt këtë.
Te shumë njerëz këto gjëra nuk kanë më asnjë kuptim, uji është ujë, zjarri është thjesht zjarr. I shohin jasht vetes së tyre, ndjehen bosh dhe e mbushin zbrazësinë e tyre duke rendur pas konsumimit  dhe shfrenimit të epsheve . Kanë humbur besimin te të tjerët , por kanë humbur veten njëkohësisht. Kanë humbur pafajësinë dhe janë lidhur pazgjidhshmërisht me hipokrizinë, indiferencën, mizorinë. Njeriu që ka besim, e gjen paqen brenda vetes dhe me ta gjetur atë, askush s’ mundet t’ia shkulë më. Njeriu pa besim, e gjen çrregullimin tek të tjerët , ankohet për të tjerët, u kundërvihet gjithnjë të tjerëve dhe e simbolizon të keqen veç si tipar i të tjerëve. Njeriu që ka besim nuk fajëson të tjerët, por forcon dhe zhduk dobësinë e vetes, krijon ekuilibër mes tij dhe botës, përpiqet t’u komunikojë të tjerëve dhe të tjerët të komunikojnë me të.
Kemi humbur pafajëfinë, botën e fëmijërisë, ndaj dhe pikërisht arti, piktura, muzika, poezia duhet të shërbejnë në emër të jetës për të gjetur rrugë marrëveshjesh me mrekullitë, me të cilat jeta është e mbushur.
RIFAT ISMAILI
Shkëputur nga libri me ese “Dilemat e lirisë njerëzore”- DDS 2011

 

Please follow and like us: