Ibrahim HAJDARMATAJ: Emocioni dhe gëzimi i një gjyshi
”Dijet janë si rrezet e diellit, që shpërndajnë erësirën”
E prisja me ankth atë telefonatë nga mbesa ime Klea Hajdarmataj, nxënëse e klasë së pestë në shkollën me emër të ndritur “Kongresi i Manastirit’, Tiranë. Kishte mëse dy javë, që mbesa më kishte thënë se në drejtorinë e shkollës, me propozim të mësuese Teuta Biçaku, në shkollë do të zhvillonim një takim letrar me shkrimtarin e njohur Viron Kona, fitues i 8 çmimeve, midis tyre edhe: Çmimin UNICEF, Çmimin Panairi i librit 2006, Çmimi “Penda e Migjenit” – Suedi 2020, por edhe shkrimtar i përkthyer në Suedi dhe në shtete të tjerë, atutor i mbi 50 librave artistikë, për fëmijë dhe të rritur.
1.
Klea ishte e emocionuar, edhe sepse me ndihmën time, që jam mik i vjetër i shkrimtarit Kona, ajo i kishte marrë atij një intervistë, një intervistë të sinqertë të një fëmijë me një shkrimtar. I ishte dukur disi e pabesueshme, që dikush me emër, do t`i përgjigjej, por, Viron Kona, si ai, me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi, i ishte përgjigjur një për një pyetjeve të saj. Dhe, Klea, nxënëse dhe fëmijë e pasionuar pas librave, kishte shprehur gëzimin e saj fëmijëror, ngazëllimin e zemrës së saj të njomë, duke besuar se po rritej, po i vlerësoheshin përpjekjet dhe pasionet e saj, se edhe para saj hapej një jetë e bukur, një e ardhmen e ndritur, gjithnjë duke studiuar sa më shumë, duke dëgjuar më shumë mësuesit dhe prindërit. Sigurisht, edhe duke lojtur, edhe duke u argëtuar, por edhe duke kuptuar se jeta është vetëm lojëra dhe humor, porse edhe fëmijët duhet të kryejnë me seriozitet detyrën e tyre, të mësojnë, të bëhen të ditur e guximshëm, ashtu si detarët dhe kapitenët e anijeve, që u duhet të përballojnë edhe detin e qetë, por edhe detin me dallgë e stuhi.
Nga telefoni mësova se shkrimtari Viron Kona kishte shkuar në shkollën 9-vjeçarare “Kongresi i Manastirit”, kishte takuar atje mësues dhe nxënës, kishte bashkëbiseduar me drejtoreshën e shkollës Marina Dallashi, kishte zhvilluar një bisedë në stilin e tij, duke lënë gjurmë dhe mbresa të bukura në mendjet e vogla të lexuesve të vegjël, por dhe të mësuesve, që e respektuan dhe e vlerësuan takimin me atë shkrimtar, sa modest, aq edhe të talentuar e të ditur, atë njeri me shumë eksperienca jete, mbi të gjitha në arsim, ku kishte qenë mësues, drejtues i disa shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve, autor veprash letrare, që punonte atëherë, punon edhe sot 70 – vjeçarë, natë e ditë, gjithnjë i përkushtuar pas letërsisë dhe, sidomos pas letërsisë për fëmijë e të rinj. Shkolla e priti shkrimtarin me simpati e duartrokitje.
2.
Mësuese Teuta ua la nxënësve të çelnin dhe të vijonin programin, por, fillimisht ajo vlerësoi dhe përgëzoi nxënësen e saj të dashur, Klean, mbesën time, se ishte ajo, që kishte rekomanduar atë takim me shkrimtarin e saj të dashur, të cilit, për shkak të shoqërisë së tij me gjyshin e saj, kishte mundur të siguronte edhe shumë nga librat e tij, të cilat i kishte lexuar me pasion e dëshirë, do të thosha duke i përpirë, përderisa i njihte aq mirë personazhet:Bubulinon, Dardin, Fluturushen, kapiten Likun, Gjyshin Ambasador, Shkencëtarin e madh këmbëgjatë, Kolipoçin, papagallin Çate etj., si dhe bëmat e tyre, aventurat, batutat, historitë dhe mesazhet, figuracionin dhe gjetjet artistike, gjithçka që përcjellë te lexuesi një letërsi e bukur dhe tërheqëse…
Viron Kona ishte ndodhur mes tyre, kishte biseduar me ta si mik i vjetër i tyre, dhe, ata fëmijë, nga dëshira dhe kënaqësia e vazhdimit sa më gjatë të bashkëbisedës, i kishin bërë pyetje “pafund”, aq shumë, sa mezi prisnin radhën e përgjigjes, që të pyesnin e të pyesnin, sepse donin të dinin, donin të dëgjonin, donin të mësonin që, nesër, edhe ata të bëheshin të ditur, të bënin realitet ëndrrat e tyre…
Dhe, unë, gjyshi i mrekulluar, përfytyroja mbesën time dhe ata dhjetëra fëmijë të tjerë, vajza dhe djem, mbesa dhe nipër sesi flisnin dhe shfaqnin mendimet dhe idetë e tyre, sesi donin t`i tregonin shkrimtarit jo vetëm se i kishin lexuar me vëmendje librat e tij, por se, edhe ata kishin ca ëndrra dhe dëshira të vogla për të shkruar e, mbase edhe ata, nesër do të shkruanin dhe do të paraqisnin përpara lexuesve veprat e tyre…
E teksa mendoja dhe përfytyroja këto, edhe unë, ashtu si ata, ndihesha i entuziazmuar, i emocionuar, i mrekulluar.
Sa pyetje u bënë në atë bashkëbisedim? Shumë! Për libra, e libra “pa fund” të shkrimtarit Viron Kona, njeriut modest, që punon ditë dhe natë, që s`njeh as kohë, as orë, por vetëm punon, shkruan e shkruan, pa u lëvduar, pa u vetmburrur, pa thënë që kam shkruar këtë dhe atë, aq e kaq libra, ai veçse shkruan e shkruan në heshtjen e tij, që të ngjallë respekt…
3.
Klea kishte dalë në skenë, kishte lexuar një letër përshëndetëse të shkruar bukur, drejtuar shkrimtarit, një letër pergamen, që binte në sy për ngjyrën, për bukurinë, për performancën, por mbi të gjitha binte në sy për përmbajtjen. Ja, po jua lexoj, ose më mirë po jua tregoj të fotokopjuar, lute m, lexojeni vetë….
Shkrimtari ishte gëzuar shumë. E kishte përqafuar lexuesen e vogël, kishin bërë fotografi, ishin duartrokitur. Pastaj kishin vijuar më tej takimin, përsëri me pyetje dhe përgjigje, me recitime dhe lojëra aktoriale mbështetur në pjesët nga tregimet e vogëlushit Bubulino, të Nikut, të papagallit Çate. Pastaj kishin vijuar me epigrame nga libri “I Zemëruari”, kishin vazhduar me librat “Telashet e Bubulinos”, me “Drithërimat e yjeve”, me librin “Mësues, pse e ke hequr kollaren?”, me librin “Kolipoçi, ngrënësi i qershive”, me librin “Përbindëshat e Otrantos”, me librin “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, me librim “Yje mbi Bosfor”, me librin…
Pyetje, përgjigje, batuta të këndshme, humor, duartrokitje pa fund. Ora kalonte dhe ata fëmijë donin që ajo bisedë të mos mbaronte…Mes atyre fëmijëve, edhe ime mbesë Klea, e cila ndihej krenare, sepse ajo dinte dhe diçka më shumë, ajo kishte lexuar edhe libra të tjerë të shkrimtarit, edhe serialin e librave me papagallin Çate, i cili krijonte humor, gaz, hare, bukuri dhe simpati mes lexuesve të vegjël, por mbi të gjithë Bubulinoja i gjithëditur, ai fëmijë që, kishte gjetur rrugën e tij përmes dijeve, duke studiuar pa u lodhur, por dhe duke u thelluar në dijet shkencore, kishte shprehur dy dëshira të mëdha: 1.Të ndihmonte në shpëtimin e planetit tokë nga ngrohja globale. 2. Të ishte i pari njeri që do të shkonte në planetin Mars.
Detyra të mëdha, por ai, me ekspeditën e tij dhe bashkë me fëmijët e të gjithë botës, do t`i realizonte.
Emocionet e mia si gjysh s`mbarojnë, por edhe nuk dua ta zgjasë këtë artikull më shumë nga çduhet. Veçse, merakun e kam se dua t`i tregoj lexuesit pyetjet, që mbesa ime Klea i bëri shkrimtarit në intervsitën që i mori atij, si dhe përgjigjet e shkrimtarit Kona. Besoj e keni durimin t`i lexoni. Ju lutem!
4.
Intervistë e Klea hajdarmataj me shkrimtarin Viron Kona
Përshëndetje z. Viron! Jam Klea Hajdarmataj, nxënëse në shkollën “Kongresi i Manastirit”, klasa e tretë. Meqenëse juve jeni shkrimtari që pëlqej më shumë, mendova t`ju bëj disa pyetje. Jeni dakord?
-Faleminderit Klea! Unë i dua shumë fëmijët dhe respektoj veçanërisht ata që lexojnë shumë libra apo që dëshirojnë të shkruajnë. E ndiej veten të lumtur dhe të gëzuar që t`i përgjigjem pyetjeve të tua
Atëherë, pyetja ime e parë është:-Si i krijoni librat për fëmijë, ku mbështeteni?
-Kur shkruaj një libër për fëmijë, sjell ndërmend fëmijërinë time dhe të fëmijëve të mi: bisedat, dialogët, zakonet, lojërat dhe plot ngjarje dhe episode. Duke qenë mësues nga profesioni, sjell ndërmend edhe qindra e qindra vogëlushë, të cilëve u kam dhënë mësim, kujtoj shumë skena nga jeta e tyre fëmijërore, nga kërkesat dhe ankesat, nga lojërat, dëshirat, ëndrrat e tyre…Të gjitha ato episode, ngjarje etj. i përpunoj në mendjen dhe në iamgjinatën time krijuese dhe, mbi bazën e tyre krijoj librin që dua. Nodh si me bujkun, i cili fillimisht hedhën farën e bimës në tokë dhe dalëngadalë, duke pasur ajo ushqimin e duhur dhe ujin, del mbi tokë, pastaj, nën rrezet e diellit dhe me punën e madhe të bujkut, ajo nis e rritet, çel gjethe e lule dhe në fund prodhon kokrra. Kështu, pak a shumë ndodh edhe me krijimin e një libri për të cilin ti po më pyet.
-Duhet shumë punë për ta shkruar një libër?
-Po. Për ta shkruar një libër duhet punë e madhe. Së pari duhet të lexosh dhe të studiosh shumë, por dhe të jesh i vëmendshëm ndaj jetës dhe gjithçkaje që ndodh me ty, rreth teje apo dhe në botë. Një shkrimtar i mirë, doemos duhet të studiojë dhe të dijë shumë gjëra, por, sidomos ai duhet të njohë sa më mirë jetën, të jetojë midis njerëzve dhe t`i dojë e t`i respektojë ata, të dojë shumë fshatin dhe qytetin ku ka lindur, të dojë atdheun… Duhet të dish shumë, që t`u thuash diçka me vlerë të tjerëve. Të shkruash për diçka, duhet ta duash atë. Ju keni provuar edhe vet që vjershat më të bukura i shkruani për nënën dhe mësuesen, sepse ata i doni më shumë,apo jo?
– Personazhi im i preferuar nga librat tuaj është Bubulino. Si lindi ky personazh?
-Bubulinoja ishte një vogëlush çapkën, i cili fillimisht nuk mësonte sa duhej, por, duke dëgjuar fjalët e mësueses dhe të prindërve, ai iu përkushtua mësimeve, tregonte vëmendje të madhe për të gjitha këshillat e mësuesve dhe të prindërve. Ai, jo vetëm lexonte dhe mësonte librat e programit shkollor, por lexonte edhe libra të tjerë jashtëshkollorë, të cilët i pëlqenin shumë, e argëtonin, por edhe e bënin që të ëndërronte për jetën dhe të ardhmen. Një mbrëmje, duke parë Hënën sesi ndriste dhe vezullonte mes yjeve, Bubulinoja përfytyroi vajtjen e njeriut të parë në Hënë, dhe, ndërkaq, nisi të bëhej kureshtar që të dinte sa më shumë për Hënën, për yjet dhe planetët, për hapësirën kozmike, por i lindi edhe dëshira që të ishte njeriu i parë në botë që do të shkonte në planetin Mars, ashtu siç amerikani Armstrong shkoi i pari në Hënë. Librat që kanë personazh Bubulinon, janë disa. Në to përshkruhen dhjetëra e dhjetëra aventura të shumëllojëshme dhe nga më të çuditshmet. Frymëzimi për personazhin Bubulino më erdhi fillimisht nga nxënësit e mi të klasës së pestë, të cilëve u jepja mësim në shkollën Ibë e sipërme”,Tiranë, pastaj edhe nga nxënësit e mi në shkollën ”Katër dëshmorët”,Tiranë, në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, Tiranë, në gjimnazin “Ismail Qemali”,Tiranë. Por, frymëzimi më erdhi edhe nga djali im, i cili atëherë kishte dëshirë të lexonte shumë libra dhe ishte kureshtar të dinte gjithçka.
– Nga të gjithë librat që keni shkruar kë keni më për zemër dhe përse?
-Librat që kam shkruar i dua të gjithë, sepse ata janë krijimet e mia. Edhe nëna dhe babai i duan të gjithë fëmijët, nuk bëjnë dallim. Kështu ndodh edhe me shkrimtarin dhe librat e tij. Megjithatë, mund t`ju them se, nga rreth 50 libra që unë kam shkruar, lexuesit, veç librave që kanë personazh Bubulinon, kanë pëlqyer shumë edhe libri “Drithërrimat e yjeve”, i cili tregon për një mësues që shkoi emigrant në Greqi. Për të mbijetuar dhe për të mbajtur familjen dhe fëmijët e tij ai kreu atje punë shumë të rënda. Libri ka episode dhe ngjarje që të emocionojnë dhe të mbeten në mendje. Këtë libër ju mund ta lexoni kur të shkoni në klasën e tetë apo të nëntë, pra kur të rriteni edhe ca.
– Kur keni qenë në moshën tonë keni patur një shkrimtar të preferuar? Po sot a vazhdon të jetë po i njëjti?
-Kur unë isha i vogël sa ju, kam dashur më shumë shkrimtarin francez Zhyl Vern, i cili në romanet e tij për fëmijë, shkruante për aventura të tyre në vende të panjohura. Çdokush që lexon romanet e tij,jo vetëm që mëson shumë,por edhe frymëzohet për të shkruar vet, pra i lind dëshira që të bëhet shkrimtar.Nga librat e Zhyl Vernit lexuesi mëson shumë për detet dhe oqeanet dhe se çfarë ndodhë në thellësi të tyre; mëson për vende të panjohura të rruzullit tokësor; mëson për hapësirën kozmike dhe vajtjen e njeriut në Hënë apo dhe shumë e shumë aventura dhe ngjarje të tjera argëtuese. Zhyl Verni edhe sot më pëlqen shumë. Kurse nga shkrimtarët shqiptarë, kur isha fëmijë më ka pëlqyer më tepër romani ”Shpella e piratëve” i shkrimtarit Petro Marko.
-Jeni i vlerësuar me çmime nga juritë letrare? Çfarë emocione keni ndjerë?
-Mendoj se çmimet dhe vlerësimet që më gëzojnë dhe më emocionojnë më shumë m`i japin lexuesit. Kur shkruaj një libër, nuk më shkon aspak mendja te çmimi që mund të fitoj, por tek ajo se çfarë do të thonë lexuesit, a do të ma pëlqejnë librin? Eh, sikur të ma pëlqejnë! Ja, kjo është ëndrra ime. Edhe pyetjet e tua të çiltra Klea, janë një vlerësim i madh për mua.Sa herë takohem dhe bisedoj me lexuesit e vegjël, shoh që ata janë të gëzuar, por dëshiroj t`ju them se më i gëzuari dhe më i emocionuari jam unë.
-Cila është këshilla juaj për ne fëmijët mbi librat dhe internetin?
-Ndryshe nga ne, ju fëmijët e sotëm keni shumë mënyra për të mësuar dhe për t`u argëtuar. Këshilla ime është që edhe internetin ta doni dhe ta përdorni, por, ju lutem mos e ndanin nga vetja librin. Ai është dhe do të jetë shoku dhe miku juaj më i mirë gjatë gjithë jetës.
-Sapo jeni kthyer nga Suedia, përse ishit atje dhe çfarë mendojnë suedezët për përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve?
-Në Suedi isha sepse libri “Bubulino” u përkthye në gjuhën suedeze.Tashmë atë libër e lexojnë edhe fëmijët e Suedisë dhe kjo është një kënaqësi e madhe për mua si shkrimtar shqiptar. Sa për pyetjen se çfarë mendojnë suedezët për përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve, përgjigjen dëshiroj t`jua japë nëpërmjet një episodi, që tregon shkrimtarja e madhe suedeze e fëmijëve Astrid Lindgren, e cila ka shkruar romanin “Pipi Çorapegjata”. Ajo tregon për një vogëlush, i cili, pas një faji që ai bëri, nëna i tha që të dilte në oborr dhe ta zgjidhte vet shkopin me të cilin ajo do ta ndëshkonte. Vogëlushi u vonua shumë dhe më në fund u kthye duke qarë. I tha nënës së tij se, nuk kishte gjetur asnjë shkop, por kishte gjetur një gur me të cilin ajo mund ta… qëllonte… Nëna u trondit. Ajo, kurrësesi nuk mund ta godiste fëmijën e saj me gur. Nëna e vendosi gurin në një etazher në kuzhinë dhe atje, ai gur, mbeti si një kujtesë dhe qortim i vazhdueshëm, që ajo të mos harronte premtimin e dhënë: Asnjëherë dhunë ndaj fëmijëve! Suedia u bë vendi i parë që miratoi ligjin që ndalonte ndëshkimin fizik të fëmijëve, dhe, në këtë vendim, është shkrirë dhe bërë njësh me atë ligj, edhe mesazhi i shkrimtares së madhe Astrid Lindgren.
-Mund të ma përmmendni disa tituj librash që keni shkruar për ne fëmijët?
-Me kënaqësi, disa prej tyre janë:”Bubulinoja çamarrok”,“Dëshira e fshehtë e Bubulinos”, “Pyesni Bubulinon”, “E fshehta e pyllit”, “Kolipoçi, ngrënës i qershive”,“Delfini i dy deteve” drejt aventurave të reja”, “Të fshehtat e një mrekullie”, “Dardi”, “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, “Të çuditshmit”, “Shitësi i kekëve”, “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, “Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”, “Dëgjoni se çthotë ky papagall?”, ”Shpëtoni papagallin Çate!”, “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!”, “I zemëruari” etj.
-Mund të ma thoni ndonjë vjershë që ia keni ushtuar fëmijëve?
-Po, kam shkruar disa vjersha që ua kam kushtuar fëmijëve, por, për pyetjen tënde Klea, zgjodha vjershën:
Engjëj
Nëse ekzistojnë engjëjt,
me siguri ata janë fëmijët.
Nëse nuk ekzistojnë engjëjt,
engjëj kemi fëmijët.
Nëse duhet t`i krijojmë engjëjt,
ata përsëri do të jenë fëmijët.
5.
Gëzimi im si gjysh ishte dhe është i pafund. Mbesa ime Klea dhe shoqet e saj, duke dëgjuar këshillat e mësuesve, të drejtuesve të shkollës, të drejoreshës shqiponjë dhe të talentuar, Marinës, duke dëgjuar këshillat e prindërve dhe punën e palodhur të mësuesve Ekeleda Kule, Trebeshina Hëna të cilat punojnë me përkushtim me fëmijet, do të eci edhe më përpara në udhën e dijeve të studimit të palodhur dhe të pa ndërprerë…”Dijet janë si rrezet e diellit, që shpërndajnë erësirën”, – tha shkrimtari Viron Kona. Ndaj, edhe unë, gjyshi i Kleas, pajtohem me mikun tim shkrimtar. Por, edhe falënderoj pa fund mësuesen e mbesës sime Teutën, drejoreshën e shkollës, Marinën, mësuesit e tjerë… Por edhe fëmijët e mrekullueshëm, Velillari, Helios Shimka, Niki Kovac, Arba Bajri, Isalel Tiara, Egi Lajthiadhe Enea Qoshi si dhe viogëlushën këngëtare Marina Daka, shoqet dhe shokët e Kleas, mbesës sime, që e dua aq shumë, pafundësisht!