Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: UNIVERSITETI – ORIGJINA E NJË INSTITUCIONI QË PRODHON DIJEN E LARTË

Në jetën tonë pavarësisht fatit, mundësive apo aftësive për të ndjekur një universitet ai mbetet një institucion që e endërrojnë ta ndjekin shumë të rinj (por jo vetëm!) pasi përfundojnë ciklin e mesëm të studimeve. Ndonëse se shumica prej nesh kanë kaluar nëpër studimet universitare, askush nuk mund të jetë indifierent sesi lindën dhe u krijuan universitetet në botë, çfarë përfaqësonin ato fillimisht me degët e tyre të studimit. Një histori që ka rëndësi ta dimë sesi ka rrjedhur duke qenë se universiteti ka qenë pak a shumë pjesë e jetës së gjithsecilit prej nesh.
ORIGJINA E FJALËS UNIVERSITET
Prejardhja e fjalës universitet rrjedh nga fjala latine universitas (shqip: një e tërë) që në ditët e sotme është një institucion i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor Ndërkohë njihet me emrin institucion terciar, pra i institucion invelit të tretë të arsimimit (arsimi 8/9 vjecar- niveli i I-rë, i mesëm- niveli i II-të dhe i lartë- niveli i tretë) që jep diploma akademike në disiplina të caktuara. Universitetet ofrojnë programe universitare dhe pasuniversitare përmes fakulteteve të ndryshme që kanë në përbërje të tyre. Në një kuptim më të gjerë fjala universitet rrjedh nga shprehja latine ‘universitas magistrorum et scholarium’, që afërsisht do të thotë “bashkësi mësuesish dhe studiuesish”.
UNIVERSITETET E PARA NË BOTË; LIDHJA MES BESIMIT E DIJES
Universitetet e para u krijuan në Evropë nga murgjit e Kishës Katolike duke qenë se në mesjetën e hershme dija dhe e vërteta ishte privilegj i institucioneve fetare. Në këtë kuadër Universiteti i Bolonjës (Università di Bologna), i themeluar në vitin 1088, konsiderohet si universiteti i parë dhe më i vjetri në botë që ende funksionon që prej krijimit të tij. Universiteti i Bolonjës (Università di Bologna) është vlerësuar si universiteti i parë tipik në botë në kuptimin se 1) ishte institucioni që jepte diplomën e nivelit më të lartë, 2) kishte pavarësi nga shkollat kishtare, edhe pse drejtohej nga klerikë dhe joklerikë, 3) përdori fjalën universitas në aktin e tij të themelimit, 4) lëshonte diplomave laike dhe jo laike në fusha të tilla studimi si gramatika, retorika, logjika, teologjia, e drejta kanonike, e drejta noteriale. Fjala origjinale latine universitas i referohet në përgjithësi “një numri personash të lidhur me një organizatë, shoqatë, komunitet, korporatë, etj”. Në kohën e shfaqjes së jetës urbane në qytetet e Europës dhe të esnafeve (gildeve) mesjetare, shoqatat e specializuara të studentëve dhe mësuesve kishin të drejta ligjore kolektive që garantoheshin zakonisht me statute (charters), të cilat lëshoheshin nga princat, prelatët e kishës ose këshillat bashkiakë të qyteteve ku ata ndodheshin. Për këtë arsye ata u emërtuan me emrin ‘universitas’. Ashtu si esnafët (gildet) e profesioneve të tjera të mesjetës, ata vetërregulloheshin dhe përcaktonin kualifikimet që duhet të kishin anëtarët e tyre. Në përdorimin e sotëm, fjala universitet ka marrë kuptimin e “një institucioni të arsimit të lartë që ofron shkollim përmes pagesës (tuition) dhe që zakonisht ka autoritetin për të dhënë diploma”. Në këtë kuadër fjala origjinale latine universitas i referohej institucioneve të mësimdhënies të Evropës Perëndimore dhe Qendrore që jepnin diploma e ku kjo formë ligjore e vinte theksin tek organizimi i tij në formë koorporate që më pas u përhap në mbarë botën. Ka një debat nëse institucioni i parë i arsimit të lartë në botë ka qenë universiteti i sotëm i Al – Qarawiyin në qytetin e Fesit në Marok që daton që vitin 859 e.s, por që fillimisht u themelua dhe vazhdoi si medrese në Fatima Al- Fihri, një dijetare islame marokene. Në fakt shndërrimin dhe emërtimin nga shkollë fetare në universitet, ky institucion e ka marrë vetëm në vitin 1963 nga Ministria e Arsimit e Marokut. Nga ana tjetër ka një debat edhe për Universitetin Al- Azhar që ndodhet në Kajro të Egjiptit që daton i themeluar që në vitin 972 të e.s. Shpesh renditet si universiteti i dytë më i vjetër në botë për ata që konsiderojnë si universitetin e parë në botë, Universitetin e Al- Qarawiyin në Fez të Marokut.
LINDJA E UNIVERSITETIT DHE LIDHJA E TIJ ME SHKOLLIMIN FETAR:
UNIVERSITETET E HERSHME
Ekziston mendimi se universitetet e hershme mesjetare janë ndikuar nga medresetë (shkollat fetare) në Al-Andaluzi, Emiratet e Siçilisë dhe Lindjes Mesme që u verejtën gjatë periudhës së tre kryqëzatave gjatë shek XI –XII (1) 15.08,1096- 12.08.1099, 2) 16.07.1145-23.09.1150, 3)11.05.1189-02.09.1192). Nga ana tjetër është një fakt i gjithëpranuar se universiteti modern në përgjithësi konsiderohet si një institucion arsimor që e ka origjinën në traditën e krishterë të mesjetës. Në vendet e Europës, arsimi i lartë që më vonë mori formën e universitetit, u zhvillua për qindra vjet në të ashtuquajturat shkollat katedrale (schola cathedralis) që ishin pranë katedraleve kryesore të qyteteve të Europës ose në shkollat monastike (scholae monasticae), në të cilat murgjit dhe murgeshat zhvillonin mësime për nxënësit që ishin regjistruar aty për t’u arsimuar. Këto dëshmi të hershme të lindjes së universiteteve datojnë që nga shek 6 .e,s. Në Europë gjatë periudhës së mesjetës të rinjtë vazhdonin universitetin duke përfunduar studimin e tyre për degët të tilla që njiheshin me emrin trivium ku përfshiheshin 1)gramatika, 2)retorika dhe 3)dialektika/ logjikës për të vazhduar më pas me studimin e lëndeve të tilla si ato të quadrivium-it ku bënin pjesë 1) aritmetika, 2) gjeometria, 3)muzika dhe 4)astronomia.
Universitetet më të hershme u zhvilluan dhe u themeluan nën kujdesin e Kishës Katolike përmes miratimit të Bulave (Dekretet) Papale (papal bula) që lëshonte Papa për realizimin e studimeve të përgjithshme (studia generalia) dhe themelimin e shkollave katedrale (schola cathedralis). Papa Gregori VII (22.02.1015-25.05.1085, periudha e papatit 22.04.1073-25.05.1085) pati rol thelbësor në promovimin dhe rregullimin e konceptit të universitetit modern pasi Dekreti i tij Papnor i vitit 1079 urdhëroi ngritjen e rregullt të shkollave katedrale (schola cathedralis) që u shndërruan në universitetet e para evropiane. Megjithatë rasti më klasik i shndërrimit të një shkolle katedrale (schola cathedralis) në një universitet është Universiteti i Parisit që më vonë u bë i njohur si Universiteti i Sorbonës në Paris (Université de Paris -Sorbonne Universite) që u krijua në vitin 1150 nga shkolla katedrale (schola cathedralis) e ngritur pranë Katedrales së Notre Dame. Në vitet e mëvoshme universitetet në vendet e ndryshme të Europës u krijuan kryesisht nga dekretet mbretërore siç ishte krijimi i Universitetit të Napolit( Itali) nga Frederiku i II-të më 15 .06.1224 (Universita degli Studi di Napoli Federico II), Universiteti Charles i Pragës (Çeki) i themeluar më 07 .04.1348, (Univerzita Karlova) apo Universiteti Jagiellonian i Krakovit (Poloni) i themeluar më 14.06.1364 (Uniwersytet Jagielloński). Në vendet gjermanike do të ishin Këshillat e Bashkive të qyteteve të tyre që do të miratonin e financonin themelimin e universiteteve siç do të ishte Universiteti i Këlnit (Universität zu Köln) që pasi ishte i krijuar në vitin 1388 si universiteti i katërt në Perandorinë e Shenjtë Romake, pas Universitetit Charles të Pragës (1348), Universitetit të Vjenës (1365) dhe Universitetit Ruprecht Karl të Heidelbergut (1386) u rithemelua sërish në 1919 pas shpëbërjes së Perandorisë Gjermane në një universitet publik të mbështetur nga Këshilli i Bashkisë së Këlnit. Në periudhën e hershme të mesjetës, shumica e universiteteve u themeluan duke u mbështetur në shkollat para-ekzistuese që zakonisht ishin të vendosura pranë institucioneve fetare. Universitetet e para në Evropë me një formë të strukturës së korporatës/esnafeve ishin Universiteti i Bolonjës (1088), Universiteti i Parisit, Sorbonës (1150) dhe Universiteti i Oksfordit (1167). Universiteti i Bolonjës (Università di Bologna), që është universiteti i parë në botë, filloi si një shkollë juridike që mësonte ius gentium ose të drejtën romake të popujve, e cila ishte e kërkuar në të gjithë Evropën për ata që mbronin të drejtën e kombeve kundër perandorisë dhe kishës. Motoja e veçantë e Universitet të Bolonjës Alma Mater Studiorum (Nëna që të Ushqen me Dije) mbështetej në autonominë e tij për të dhënë diploma dhe aspekte të tjera strukturore, duke e bërë atë institucionin më të vjetër që ka funksionuar vazhdimisht në mënyrë të pavarur nga mbretërit, perandorët ose çdo lloj autoriteti i drejtpërdrejtë fetar. Data e themelimit të tij, pra viti 1088, ishte e lidhur me periudhën kur juristi i famshëm Irnerius fillon t’u mësojë studentëve kodifikimin e ligjit romak të shekullit të 6-të të perandorit Justinian, Corpus Iuris Civilis, Corpus Juris (ose Iuris) Civilis (“Struktura e së Drejtës Civile”) që është emri i sotëm për një koleksion veprash themelore të fushës së jurisprudencës, botuar nga viti 529-534 të e. s. me urdhër të Perandorit Bizantin Justiniani I. Shpesh ai njihet me emrin edhe si Kodi i Justinianit. Studentët laikë mbërritën në qytetin e Bolonjës nga shumë vende duke lidhur një kontratë me universitetin për të marrë këto njohuri duke u organizuar në ‘Nationes’, të ndarë midis atyre që quheshin Cismontanes (Cisalpine – studentë afër maleve përgjatë vargamalit të Apenineve që i ka dhëne emrin Italisë si Gadishulli Apenin) pra studentët vendës dhe atyre që quheshin Ultramontanes. Ky ishte një term kishtar që e kishte origjinën nga mesjeta dhe lidhej me faktin se kur një joitalian zgjidhej Papë përdorej termi papa ultramontano, domethënë një papë nga përtej maleve (Alpeve). Si rrjedhojë të gjithë studentët e huaj në universitetet italiane gjatë periudhës së mesjetës quheshin ultramontani.
DEGËT E PARA TË STUDIMITT NË UNIVERSITETET E MESJETËS: ARTET LIBERALE (ARS LIBERALIS) – NGA QUADRIVIUMI TEK TRIVIUMI
Përpara se të bëheshin të njohur nga variacionet e tyre latine që njiheshin me emrat (artes liberales, septem artes liberales, studia liberalia), artet liberale ishin vazhdimi i metodave të kërkimit të Greqisë së lashtë që filluan me “dëshirën për një kuptim universal”. Filozofia e matematikani grek Pitagora argumentonte se ekzistonte një harmoni matematikore dhe gjeometrike me kozmosin ose universin. Si rrjedhojë ndjekësit e Pitagorës i lidhën katër artet (ars-aftësitë e mësuara) e 1) astronomisë, 2)matematikës, 3)gjeometrisë dhe 4) muzikës në një fushë që do të formonte disiplinat e studimit të atij që në mesjetë do të emërtohej si kuadriviumi mesjetar (quadrivium medievo)”. Ndërkohë në Athinën e shekullit të 4-të, qeveria e polisit, ose qytet-shtetit, i kushtoi vëmendje të veçantë aftësisë për retorikë ose të të folurit publik. Si rrjedhojë në Athinën antike fushat e tilla të studimit si 1) retorika, 2) gramatika dhe 3) dialektika (logjika) u bënë programi arsimor i asaj që në mesjetë do të emërtohej si trivium. Së bashku këto fusha studimi pra quadriumi + triviumi u njohën më vonë në universitetet mesjetare të Europës si shtatë artet liberale (septem artes liberals) ku do të përfshiheshin 1) astronomia, 2) matematika 3) gjeometria 4) muzika 5) retorika, 6)gramatika dhe 7) dialektika (logjika). Fillimisht këto lëndë ose aftësi në periudhën e antikitetit klasik konsideroheshin si thelbësore që t’i dinte një person i lirë (latinisht :liberalis, “i denjë për të qenë një person të lirë”) në mënyrë të merte marrë pjesë aktive në jetën qytetare, si pjesëmarrja në debatin publik dhe juritë gjyqësore, mbrojtja në gjykatë, shërbimin ushtarak. Ndërsa disiplinat akademike (ars) të quadrivium: 1) astronomi, 2) matematikë, 3) gjeometri dhe 4) muzikë) ishin shfaqur më parë, në fakt gjatë periudhës së mesjetës mësoheshin kryesisht disiplinat akademike (ars) të triviumit siç ishte 1) gramatika 2) logjika/dialektika dhe 3) retorika dhe më pas mësoheshin ato që lidheshin me quadriviumin sic ishin: 1) astronomia, 2) matematika, 3) gjeometria dhe 4) muzika. Artet liberale që ishin të rrënjosura në kurrikulën bazë të shkollimit të plotë (greqisht enkuklios payeia) në periudhën e vonë klasike e hellenistike të antikitetit grek, u bënë gjithashtu pjesë e arsimimit romak nën emërtimin “studimi i arteve liberale” (latinisht “liberalia studia), gjatë periudhës së Perandorisë Romake. Përdorimi i parë i i termit “artet liberale” (latinisht artes liberales) u bë në veprën ‘De Inventione’ të oratorit dhe filozofit romak Marcus Tullius Cicero. Ndërkohë filozofi romak Seneka i Riu diskutonte për artet liberale në arsimin romak nga një këndvështrim kritik i filozofëve stoikë përmes veprës së tij Letrat morale (Moral Epistles). Megithatë klasifikimi i arteve liberale ndryshonte në periudhën e Perandorisë Romake dhe do të ishte vepra enciklopedike ‘De nuptiis Philologiae et Mercuri’ (“Mbi martesën e filologjisë dhe mërkurit”), e quajtur gjithashtu De septem disciplinis (“Mbi shtatë disiplinat”) e prozatorit romak neoplatonist Martianus Minneus Felix Capella, që do ta shndërronte atë një nga krijuesit më të hershëm të sistemit të shtatë arteve liberale që strukturuan arsimin e hershëm mesjetar. Në atë periudhë katër “artet “apo disiplinat kryesore të studimit si 1) muzika, 2) aritmetika, 3) gjeometria dhe 4) astronomia njiheshin që nga koha e senatorit e filozof romak Boethius-it me emrin quadrivium. Pas shekullit të 9-të, tre artet e mbetura të “shkencave humane” si 1) gramatika, 2) logjika dhe 3) retorika u grupuan nën emërtimin si trivium. Në këtë formë grupimi të dyfishtë të shtatë artet liberale u studiuan në universitetet perëndimore të periudhës së mesjetës. Në shekullin e XII që përkonte me lindjen e universiteteve lidhjen mes filozofisë dhe arteve liberale e paraqiste ikona e famshme “Filozofia dhe shtatë artet liberale” (Philosophia et septem artes liberales) që ishte pjesë e dorëshkrimit mesjetar të vitit 1185 Kopshti i Kënaqësive( latinisht Hortus deliciarum), e realizuar nga murgesha Herrad e Landsberg në Abacinë e Hohenburg në Alsasë të Francës dhe që mendohet të jetë enciklopedia e parë e hartuar nga një grua. Imazhi i ikonës Filozofia dhe shtatë artet liberale përfaqësonte rrethin e filozofisë, që paraqitet si rozeta e një katedrale ku ka një rreth qendror dhe një seri gjysmërrethësh ku tregohen shtatë artet liberale (latinisht Septem Artes Liberales) dhe marrëdhënia mes tyre. Secili prej këtyre arteve e gjen burimin e tij tek filozofia, (greqisht “dashuria për dijen). Ndërkohë gjatë periudhës së Rilindjes europiane ( shek XIV – XVII), humanistët italianë dhe ata në veri të Europës, pavarësisht se në shumë aspekte vazhduan traditat e arsimimit të periudhës së mesjetës, e ripagëzuan strukturën e studimeve të hershme me bazë triviumin e vjetër: 1. gramatikë, 2. logjikë dhe 3.r etorikë) duke i vënë një emër të ri dhe më ambicioz, të quajtur “ Studimet humane “(latinisht Studia humanitatis). Njëkohësisht ata zgjeruan fushën e këtyre studimeve duke zvogëluar logjikën në krahasim me gramatikën dhe retorikën tradicionale latine dhe u shtuan atyre historinë, greqishten dhe filozofinë morale (etikën), me një theks të ri edhe te poezia. Kurrikula arsimore e humanizmit u përhap në të gjithë Evropën gjatë shekullit XVI dhe u bë themeli arsimor për shkollimin e elitave evropiane, funksionarëve të administratës politike, klerikëve të kishave të ndryshme të njohura ligjërisht dhe profesioneve të mësuara të ligjit dhe mjekësisë. Ideali i një arti liberal ose edukimi humanist i bazuar në gjuhët dhe letërsinë klasike, vazhdoi në Evropë deri në mesin e shekullit XX. Megjithatë në Shtetet e Bashkuara, ky lloj formimi në universitet me bazë klasike u reduktua në fund të shekullit XIX nën ndikimin e akademikëve që ishin të interesuar ti riformësonin universitet e arsimin e lartë amerikan rreth shkencave natyrore dhe sociale. Në ditët e sotme përdorimi i termit “Arte liberale” i referohet katër fushave të studimit si: 1) Shkencat natyrore, 2) Shkencat shoqërore, 3) Artet dhe 4) Shkencat humane. Ndërkohë fushat akademike që lidhen me termin arte liberale përfshijnë: 1) Shkencat e jetës (Biologjia, Ekologjia, Neuroshkencë), 2) Shkenca fizike (Fizika, Astronomia, Kimia, Gjeografia fizike), 3) Logjika, matematika, statistika, shkenca kompjuterike, 4) Filozofia, 5)Historia, 6) Shkencat sociale (Antropologjia, Ekonomia, Gjeografia humane, Gjuhësia, Shkencat politike, Jurisprudenca, Psikologjia dhe Sociologjia),  7) Artet (Artet figurativr, Muzika, Artet skenike, Letërsia).
EVOLUCIONI I UNIVERSITETEVE : NGA MESJETA NË PERIUDHËN MODERNE
Në të gjithë Evropën gjatë Mesjetës sundimtarët lokalë (mbretër, princë, dukë, kontë) dhe këshillat bashkiakë të qyteteve filluan të krijojnë universitete për të përmbushur nevojën për dije dhe duke patur besimin se shoqëria do të përfitonte nga ekspertiza shkencore që do të ofronin këto institucione. Lindja e humanizmit në shek XVI ishte thelbësore për të kuptuar dobinë e mundshme të universiteteve si dhe ringjalljen e interesit për njohuritë e marra nga tekstet e lashta greke. Humanizmi ishte një rrymë e teori filozofike që theksonte potencialin individual dhe shoqëror të qenieve njerëzore duke e konsideruar njeriun si pikënisje për studime serioze në planin moral dhe filozofik. Origjina e ideve humaniste në Perëndim që e kishte fillesën në filozofët para-Sokratikë të antikitetit grek ëi jepnin përparësi moralit njerëzor, por koncepte dhe ide të ngjashme u shprehën edhe gjetkë në antikitetin indu, kinez, norvegjez apo afrikan. Vetë fjala “humanizëm” e kishte prejardhjen nga koncepti latin i humanitas (njerëzor), i cili u përdor për herë të parë nga poeti romak Ciceroni (03.01.107 p.e.s – 07.12.43 e.s) për të përshkruar vlerat që lidhen me edukimin liberal, i cili ishte i ngjashëm me konceptet e sotme që lidhen me artin, filozofinë, historinë dhe letërsinë. Fjala u rishfaq gjatë Rilindjes Italiane (shek XIV – XVII) si umanista dhe arriti të depërtonte në gjuhën angleze në shekullin XVI. Në këtë rast fjala “humanist” u përdor për të përshkruar një grup studentësh të letërsisë klasike, që mbronin arsimimin e të rinjve duke u mbështetur tek kjo letërsi. Në fillim të shekullit të XIX, termi humanismus u përdor në Gjermani me disa kuptime dhe prej andej, ai rihyri në gjuhën angleze me dy kuptime të dallueshme; njëri kuptim lidhej me një term akademik që kishte të bënte me studimin e letërsisë klasike, ndërsa tjetri, përdorimi më popullor nënkuptonte një qasje jofetare ndaj jetës. Rizbulimi i veprave të filozofit grek Aristotelit (384-322 p.e.s) ku do të përktheheshin më shumë se 3000 faqe të veprave të tij do të nxiste një frymë kërkimi mbi proceset natyrore që kishin filluar të shfaqeshin në shekullin e XII dhe që përkonin me lindjen e universiteteve të para në Europë. Këto vepra përfaqësonin një nga zbulimet më të rëndësishme të dokumenteve në historinë intelektualetë perëndimit. Pasi Aristoteli u rishfaq komunitet e studiuesve në universitetet e periudhës së mesjetës duke komunikuar në latinisht, përshpejtuan procesin dhe praktikën për të pajtuar idetë e antikitetit grek dhe veçanërisht ato që lidheshin me të kuptuarit e botës natyrore, me ato të kishës. Si rrjedhojë në universitetet europiane të mesjetës lindi Skolasticizmi, ku termi “skolastik” dhe “skolasticismi” rrjedhin nga fjala latine scholasticus që është forma e latinizuar e greqishtes (scholastikos), një mbiemër do të thotë ” i përket shkollave”, çka lidhej me shkollat katedrale (scholae cathedrale) dhe shkollat monastike (scholar monasticae) që u bënë pararendëse të universiteteve në Europë. Skolasticizmi ishte një rrynë mendimi që përdorte një metodë kritike të analizës filozofike të bazuar në një kurrikul teiste të kishës katolike në gjuhën latine, e cila dominoi mësimdhënien në universitetet e periudhës së mesjetës në Europë nga viti1100 deri në 1700. Kjo rrymë mendimi filloi brenda shkollave monastike të krishtera (scholae monasticae) që ishin baza e universiteteve të hershme europiane dhe ishte e lidhur me lulëzimin e këtyre shkollave në Itali, Francë, Spanjë dhe Angli. Disa nga figurat kryesore të skolasticizmit përfshinë emra të tillë si Anselmin e Canterbury (“babai i skolasticizmit”), Peter Abelard, Alexandri i Heiles, Albertus Magnus, Duns Scotus, Williami i Ockhamit , Bonaventure dhe Thomas Aquinas. Kryevepra e Aquinas Summa Theologica (1265–1274) konsiderohet si kulmi i filozofisë skolastike, mesjetare dhe kristian e cila filloi të shkruhej kur Aquinas ishte mjeshtër regjent (regent master) në shkollën monastike studium provincial të Santa Sabina në Romë që do të ishte pararendëse e Universitetit Papnor të Shën Thomas Aquinas, Angelicum. Përpjekjet e këtij “skolasticizmi” u përqendruan në zbatimin e logjikës dhe mendimeve aristoteliane mbi proceset natyrore lidhur me pasazhet biblike si edhe përpjekjen për të provuar qëndrueshmërinë e këtyre pasazheve përmes arsyes. Ky u bë misioni parësor i pedagogëve dhe ishte pritshmëria kryesore e studentëve në universitetet e mesjetës. Ndërkohë tek universitetet e Europës ndikoi në mënyrë të dukshme Rilindja Evropiane (XVI-XVII), që ripërtëriu interesin për letërsinë klasike greke e romake. Nga ana tjetër përparimet në shkencë, teknologji dhe filozofi gjatë Iluminizmit( XVII-XIX) nxitën pikëpamjet laike për interpretimin e botës, duke krijuar shumë shoqata dhe lëvizje të mendimit racional dhe etik në shekullin e 19-të. Kultura universitare u zhvillua në mënyrë të ndryshme në Evropën veriore në raport me atë jugore. Megjithëse universitetet në pjesën veriore të Europës kryesisht në Gjermani, Francë e Britani e Madhe si edhe ato në pjesën jugore të kontinentit, kryesisht Itali kishin shumë elementë të përbashkët. Kështu psh gjuha latine ishte gjuha që përdorej në këto universitete për të gjitha tekstet, leksionet, seminaret dhe provimet. Ndërkohë të gjithë profesorët jepnin leksione duke patur librat e Aristotelit lidhur me logjikën, filozofinë e natyrës dhe metafizikën ashtu sikurse librat e Hipokratit, Galenit dhe Avicenës përdoreshin për lëndët e mjekësisë në të gjitha këto universite. Nga ana tjetër ato kishin edhe dallime mes tyre. Universitetet italiane të periudhës së mesjetës u përqëndruan kryesisht në degët e drejtësisë dhe mjekësisë, ndërsa universitetet e Europës veriore (Gjermani, Britani, Hollandë) u përqëndruan tek fushën e artit dhe teologjisë. Kishte dallime të dukshme në cilësinë e mësimdhënies në këto fusha specifike kështu që studentët që dëshironin të studionin në këto degë udhëtonin në veri ose në jug të Europës mbështetur në interesat dhe mundësitë e tyre financiare. Universitetet e periudhës së mesjetës në jug të Europës funksiononin sipas modelit të Universitetit të Bolonjës (Universita di Bologna) ndërkohë që u vërejt një dallim mes universiteteve të Italisë veriore, të cilat ndoqën modelin e Bolonjës si një “korporatë vetërregulluese, e pavarur e studiuesve” dhe atyre të Italisë jugore dhe Gadishullit Iberik (Spanjë, Portugali) , të cilat “u themeluan nga monarkitë e këtyre vendeve dhe dekreteve perandorake në mënyrë që t’i shërbenin nevojave të qeverisë. Gjatë periudhës së hershme moderne ( shek XVI- XIX), për një periudhë gati 300-vjeçare nga viti 1500- 1800 universitetet e Evropës do të shihnin një rritje të numrit të tyre, cilësisë dhe zbulimeve shkencore. Në fund të mesjetës, rreth viti 1488, afro 400 vjet pasi u themelua universiteti i parë evropian, kishte 29 universitete të përhapura në të gjithë Evropën. Në shekullin XVI-XVII, u krijuan 28 universitete të reja, ku vetëm 18 prej tyre u krijuan ndërmjet viteve 1500 dhe 1625. Ky ritëm i krijimit të universiteteve të reja vazhdoi derisa në Europë nga fundi i shekullit XVIII (1799) kishte tashmë 143 universitete ku numri më i madh i tyre ishte në Perandorinë Gjermane (34), Itali (26), Francë (25) dhe Spanjë (23) – kjo ishte afër një rritje prej 500% mbi numrin e universiteteve në fund të mesjetës. Identifikimi i një universiteti nuk ishte domosdoshmërisht i qartë gjatë periudhës së hershme moderne, pasi termi përdoret për një numër në rritje të institucioneve. Në fakt, termi “universitet” nuk është përdorur gjithmonë për të përcaktuar një institucion të arsimit të lartë. Në vendet e Mesdheut, termi “studime të përgjithshme” (latinisht studium generale) përdorej mëshpesh, ndërsa në vendet e Evropës Veriore përdorej më shumë termi akademi. Nga ana tjetër zhvillimi i ngjarjeve historike si psh Lufta 30-vjeçare (1618-1648) e ndërpreu ritmin e krijimit dhe përhapjes së universiteteve. Deri në shekullin e XIX-të, feja luajti një rol të rëndësishëm në kurrikulën universitare; megjithatë, roli i fesë në universitetet kërkimore u ul gjatë atij shekulli. Nga fundi i shekullit të XIX, modeli gjerman humboldian i universitetit ishte përhapur në mbarë botën. Universitetet u përqendruan në shkencë në shekujt XIX dhe XX dhe u bënë gjithnjë e më të aksesueshme për masat. Në Shtetet e Bashkuara, Universiteti Johns Hopkins ishte i pari që miratoi modelin e universitetit kërkimor (gjerman) dhe ishte pionier i adoptimit të atij modeli nga shumica e universiteteve amerikane.
MODELI HUMBOLDIAN I SHEK XIX : MODELI I UNIVERSITETIT MODERN TË KËRKIMIT SHKENCOR QË U PËRHAP NË SHBA
Nga shekullin e XVIII, universitetet filluan botonin revistat e tyre shkencore ndërsa në shekullin e XIX, u shfaqën modelet e universiteteve gjermane dhe franceze. Në këtë periudhë veçanërisht gjatë gjysëm së parë të shek XIX spikati modeli Humboldian i universitetit. Modeli Humboldtian i arsimit të lartë apo universitetit (gjermanisht: Humboldtsches Bildungsideal: ideali i arsimit Humboldtian) ose thjesht Ideali i Humboldtit është një koncept i arsimit të lartë që u shfaq në fillim të shekullit të XIX. Thelbi i modelit Humboldian të universitetit është një kombinim i aspektit të studimeve dhe kërkimit shkencor. Origjina e këtij modeli lidhet me filozofin dhe diplomatin gjerman Wilhelm von Humboldt, (22.06.1767-08.04.1835), i cili në kohën e reformave të shtetit prusian mbështeti krijimin e një klasë të mesme të arsimuar dhe në këtë mënyrë promovoi idealin e arsimimit të përgjithshëm. Humboldt u përpoq të krijonte një sistem arsimor tek njohuritë dhe aftësitë e studentëve që të bënin analiza të paanshme, duke kombinuar kërkimin shkencor dhe mësimdhënien. Modeli i Humboldt bazohej në dy ide të Iluminizmit: 1) individin dhe 2) qytetarin e botës. Humboldt besonte se universiteti dhe arsimi në përgjithësi, duhet t’u mundësojë studentëve të bëhen individë të lirë e të pavarur dhe qytetarë të botës duke zhvilluar fuqitë e tyre të arsyetimit në një mjedis ku ka liri akademike. Humboldit kishte studiuar klasikët grekë që në rininë e tij dhe ishte vetë një mishërim i tezës mbi rolin e rëndësishëm të letërsisë dhe artit të lashtë grek në mendimin gjerman të shekullit XIX. Humboldt besonte se studimi i së kaluarës antike greke (helene) do të ndihmonte ndërgjegjen kombëtare gjermane, duke e pajtuar atë me modernitetin, por duke e dalluar atë nga kultura franceze, të cilën ai e shihte si të rrënjosur në traditën romake. Në këtë kuadër mjeti që kishte për detyrë ta bënte këtë do të ishte universiteti. Sfondi kulturor-historik i modelit Humboldtian iu përgjigj kërkesave të Bildungsbürgertum siç njihej shtresa e mesme gjermane në mes të shek .XVIII që ishte edukuar në shkollë me vlerat metafizike të idealizmit dhe kulturën klasike greko-romake të antikitetit e cila kërkonte njohuri të përgjithshme më të gjera (Allgemeinbildung). Nëpërputhje me konceptin bazë të shkencës apo siç njihej në gjuhën gjermane Wissenschaft, Humboldt e konsideroi filozofinë si lidhjen midis disiplinave të ndryshme akademike, të cilat përfshijnë si shkencat humane ashtu edhe ato natyrore. Për të mishëruar idealet e tij për universitetin ai inkurajoi themelimin e Universitetit të Berlinit (gjermanisht: Universität zu Berlin ) që u krijua në vitin 1810 nga mbreti prusian Frederick William III (3.08.1770-07.06.1840) që fillimisht do të mbante emrin e mbretit prusian dhe që nga viti 1940 do të mbante emrin e Humboldit. Universiteti u nxit falë iniciativës të filozofit, lingustit e diplomatit gjerman Wilhelm von Humboldt (22.06.1767-08.04.1835), filozofi idealist Johann Gottlieb Fichte (19.05.1762-29.01.1814) dhe teologut e filozofit gjerman Friedrich Ernst Daniel Schleiermacher (21.11.1768-12.02.1834) duke u emërtuar fillimisht si Universiteti i Berlinit (Universität zu Berlin). Nga viti 1810 deri në mbylljen e tij në 1945 kur Gjermania u nda në dy pjesë, ai u emërtua si Universiteti Friedrich Wilhelm (gjermanisht: Friedrich-Wilhelms-Universität). Gjatë Luftës së Ftohtë universiteti u gjend në Berlinin Lindor dhe de fakto u nda më dysh kur në Berlinin Perëndimor u hap Universiteti i Lirë i Berlinit (Freie Universität Berlin- FU Berlin) . Në vitin 1949 Universiteti mori emrin e tij aktual Universiteti Humboldt i Berlinit (gjermanisht: Humboldt-Universität zu Berlin, shkurtuar HU Berlin) për nder të vëllezërve gjermanë që ishin natyralisti e gjeografi Alexander (14.09.1769-06.05.1859) dhe linguisti Wilhelm von Humboldt (22.06.1767-08.04.1835). Humboldt e inkurajoi Universitetin e Berlinit (Universität zu Berlin) të funksiononte sipas parimeve që lidheshin me tregun duke u nxitur kuriozitetin tek studentët dhe lirinë e kërkimit shkencor mes pedagogëve. Megjithatë, Humboldt ishte një konservator politik (në terma prusiane) dhe e shihte shtetin si lojtarin kryesor në çështjet arsimit dhe këmbënguli që shteti gjerman duhet të ishte financuesi kryesor i universitetit çka pasqyrohet në ditët e sotme në modelin e universiteteve gjermane që nu ofrojnë pagesa për studentët (tuition fee) si në universitetet e vendeve anglo- saksone (Angli, SHBA, Kanada). Këto parime, në veçanti ideja e universitetit të bazuar në kërkime, patën një ndikim të shpejtë si në Gjermani ashtu edhe jashtë saj. Koncepti i universitetit Humboldtian ndikoi thellësisht arsimin e lartë në të gjithë Evropën qendrore, lindore dhe veriore. Modeli humboldian ishte në konkurencë me konceptin francez post-revolucionar të “Shkollave të mëdha: (Grandes écoles). Sistemi francez nuk kishte lirinë e universiteteve gjermane dhe në vend të kësaj vendosi disiplinë dhe kontroll të rreptë mbi kurrikulën, dhënien e diplomave. Modeli Humboldian ndikoi në mënyrë të dukshme tek universitetet amerikane duke filluar që me krijimin në vitin 1876 të Universitetit John Hopkins (John Hopkins University, 1876) në Baltimore të shtetit të Maryland , i cili u themelua nga biznesmeni e filantropisti amerikan John Hopkins (19.05.1795- 24.12.1873).
LIRIA AKADEMIKE E UNIVERSITETIT
Një ide e rëndësishme në përkufizimin e universitetit është nocioni i lirisë akademike. Dëshmia e parë dokumentare e kësaj vjen nga fillimi i jetës së Universitetit të Bolonjës, i cili miratoi një statut akademik, Constitutio Habita në 1158, që garantonte të drejtën e një studiuesi udhëtues për kalim të papenguar. në interes të arsimit. Sot kjo pretendohet si origjina e “lirisë akademike”. Kjo tani njihet gjerësisht ndërkombëtarisht – më 18 Shtator 1988, me rastin e 900 vjetorit, 430 rektorë universitetesh nënshkruan Kartë e Madhe të Universitetit (Magna Charta Universitatum) duke shënuar 900-vjetorin e themelimit të Bolonjës. Numri i universiteteve që nënshkruajnë Magna Charta Universitatum vazhdon të rritet, duke u tërhequr nga të gjitha pjesët e botës.
EMËRTIMET E E DREJTUESVE, GRADAT DHE TITUJT AKADEMIKË : NGA PHD NË PROFESOR
Në universitete pozicioni më i lartë drejtues është ai i Rektorit (latinishtja: rector që do të thotë ‘sundimtar’). Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara pozicioni më i lartë në drejtimin e universitetit emërtohet si President, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar e vendet e Commonwealthit përdoret termi Kancelar (Chancellor). Të gjitha universitetet janë të organizuar në fakultete të cilët drejtohen nga Dekanët. Origjina e kësaj fjale buron nga latinishtja ‘decanus’ që kishte kuptimin e kreut të një grupi prej dhjetë ushtarësh ose murgjish. Më pas në terminologjinë kishtare Dekani ishte kreu i një grupi fetar që ndiqte të njëjtat rregulla kanonike. Kur universitetet dolën a nga shkollat katedrale (schola cathedralis) dhe shkollat manastire (scholar monasticae), emërtimi Dekan u përdor për zyrtarë me detyra të ndryshme administrative brenda fakulteteve. Ndërkohë gjatë periudhës së mesjetës universitetet e Europës u organizua në katër fakultete: 1) Fakulteti bazë i arteve dhe tre fakultetet e larta të 1) Teologjisë, Mjekësisë dhe Drejtësisë (e drejta kanonike dhe e drejta civile). Të gjitha këto fakultete jepnin diploma të ndërmjetme (Bachelor i Arteve, Teologjisë, Drejtësisë, Mjekësisë) dhe diploma përfundimtare. Fillimisht, titujt e Masterit (MA) u përdorën në mënyrë të ndërsjellë për gradat përfundimtare ndërsa titulli Doktor (PhD) ishte thjesht një formalitet që i jepej një Mësuesi/Master i artit. Por në mesjetën e vonë termat Mjeshtër i Arteve (Master of Arts-)  MA dhe Doktor i Teologjisë/Hyjnisë, Doktori i Drejtësisë dhe Doktori i Mjekësisë u bënë standard në shumicën e vendeve edhe pse në universitetet gjermane dhe italiane termi Doktor ( PhD) përdorej për të gjitha fakultetet. Doktoratat në fakultetet e atëhershme ishin mjaft të ndryshme nga diploma aktuale e PhD në ditët e sotme. Nuk kërkohej asnjë disertacion ose punë origjinale, vetëm ndjekje leksionesh dhe provime. Krahas këtyre diplomave, kishte edhe Licensa. Fillimisht termi Licencë përdorej për dikë që do të jepte mësim dhe atë ta jepnin para dhënies së diplomës MA ose PhD. Licensa jepej nga dioqeza në të cilën ndodhej universiteti, por më vonë ajo u shndërrua në një diplomë akademike më vete. Në universitetet angleze, franceze dhe gjermane zakonisht jepnin Diploma Bachelor. Një diplomë Bachelor (nga latinishtja baccalaureus) ose sic njihej Baccalaureate (nga latinishtja modern baccalaureatus) është një diplomë akademike universitare që jepet nga kolegjet dhe universitetet pas përfundimit të një cikli studimi që zgjat tre deri në gjashtë vjet në varësi të institucionit dhe disiplinës akademike). Dy diplomat bachelor më të zakonshme janë Bachelor of Arts (BA) dhe Bachelor of Science (BS ose BSc). Marrja e një Diplome Bachelor është një parakusht për cikle të mëtejshme studimesh pasuniversitare si Master (MA) ose Doktoratur (PhD). Termi Bachelor e kishte origjinën në mesjetë dhe i referohej një kalorësi beqar, i cili ishte shumë i ri ose i varfër për të mbledhur vasalë nën flamurin e tij. Nga fundi i shekullit të 13-të, termi Bachelor u përdor për anëtarët e rinj të esnafeve ose universiteteve. Nëpërmjet etimologjisë popullore fjala Baccalaureus u lidh me Bacca Lauri (latinisht “tufë dafine”) në lidhje me dafinat që jepeshin në antikitet si shenjë e suksesit akademik ose në formë nderimi. Në universitetet italiane termi që përdorej për një individ që përfundonte me sukses ciklin e studimeve universitare është pikërisht Diplomë Laureimi (Diploma di Laurea) që lidhet me origjinën e fjalës latine Laurea- Dafinë, duke qenë se personit që diplomohet i vendosin mbi kokë një kurorë me gjethe dafine. Ndërkohë të gjithë studentët që diplomoheshin për teologji duhet të merrnin titullin e Doktorit të Filozofisë- PhD (latinisht Philosofiae Doctor- PhD or Doctor of Philosoaphe- DPhil), ndërkohë që universitetet italiane jepnin zakonisht diploma doktorature. Dallimi lidhej me qëllimin pas diplomimit duke qenë se ata që mbaronin studimet universitare në veri të Europës kishin interes të punësoheshin si mësimdhënës, ndërsa ata në jug studentët shpesh vazhdonin të merrnin pozicione profesionale. Struktura e universiteteve në veri të Europës ( Gjermani, Franca veriore prirej të modelohej sipas sistemit të qeverisjes së fakulteteve të zhvilluara në Universitetin e Parisit. Grada akademike PhD ose DPhil (Doktor i Filozofisë apo në shqip Doktor i Shkencave) e ka origjinën në termin latin Philosophiae Doctor ose Doctor Philosophiae dhe është diploma më e lartë akademike që i jepet çdo individi që kryen një cikël studimi pasuniversitar me kohë të plotë apo të pjesshme për një periudhë mininimale kohe nga 3- 4 vjet. Çdo individ që përfshihet në një cikël të tillë studimi duhet të përzgjedhë një temë të caktuar brenda një disipline akademike, të realizojë kërkime me metoda shkecore për të provuar tezën e tij dhe ta paraqesë dizertacionin e shkruar para një komisioni akademik për të marrë vlerësimin përkatës. Në çdo universitet të botës grada akademike PhD ose DPhil (Doktor i Filozofisë apo në shqip Doktor i Shkencave) është një parakusht për të marrë një pozicion pune si staf akademik pranë departmenteve të fakulteteve që e përbëjnë atë. Përdorimi i termit Doktor i Filozofisë (Philosophiae Doctor-PhD ose Doctor Philosophiae- DPhil) dhe vetë termi “filozofi” nuk i referohet fushës ose disiplinës akademike të filozofisë, por ka një një kuptim më të gjerë në përputhje me origjinën e fjalës `filozofi`nga greqishtja që do të thotë `dashuri për dijen`. Në pjesën më të madhe të universiteteve të Evropës, të gjitha disiplinat akademike si historia, filozofia, shkencat sociale, matematika dhe shkencat natyrore përveç teologjisë, ligjit dhe mjekësisë kanë qenë të njohura tradicionalisht. si filozofi ashtu sikurse edhe në Gjermani apo gjetkë në Evropë, fakulteti bazë i arteve liberale (Faculty of Liberal Arts) njihej me emrin si “Fakulteti i Filozofisë”. Arsimimi në artet liberale që e ka origjinën nga termi latinisht Ars liberalis (që do të thotë art ose praktikë e lirë ) është i lidhur me programin tradicional të studimeve universitare në artet liberale apo degë të tjera studimi që zhvillohen në të gjitha universitetet e perëndimit. Në termin Artet liberale (latinisht Àrs liberalis) fjala art ka kuptimin e një aftësie që individi arrin të mësojë në universitet dhe nuk lidhet drejtpërdrejt e në mënyrë specifike me artet bukura. Në këtë mënyrë lidhet kuptimi i termit të diplomës pasuniversitare MA (Master of Arts – Mjeshtër i Arteve) që ka të bëjë me përsosjen në një disiplinë akademike të lidhur ose jo drejtpërdrejt me studimet universitare. Një nga titujt më të rëndësishëm akademikë është Profesor, zakonisht i shkurtuar si Prof. Fjalë për fjalë, termi profesor rrjedh nga latinishtja professe “person që pohon”. Nga ana tjetër termi Profesor Emeritus është një titull që u jepet profesorëve të zgjedhur në pension me të cilët universiteti dëshiron të vazhdojë të jetë i lidhur. Profesorët emeritus (Emeritus Professor) nuk marrin rrogë, por shpesh u jepet hapësira për zyra si dhe shfrytëzimi i bibliotekave, laboratorëve etj. Termi profesor përdoret edhe në titujt Asistent Profesor dhe Profesor i Asociaur, të cilët nuk konsiderohen poste të nivelit profesor. Përtej dhënies së titujve akademikë stafeve të tyre, universitetet në shumë vende të botës u japin edhe artistëve, sportistëve dhe personaliteteve të huaja të shquar titullin profesor nderi (Honour Professor), edhe nëse këta persona nuk kanë kualifikimet akademike të nevojshme zakonisht për profesor dhe nuk marrin detyra profesori.
ALUMNI -APO ISH STUDENTËT E UNIVERSITETIT
Termi Alumni që përdorim sot për të përkufizuar ish- studentët e një universiteti e ka origjinën nga fjala latine Alumnus dhe është shumësi i kësaj fjale në gjuhën latine që do të thotë “bijtë apo nxënësit e një institucioni” që në këtë rast është një kolegji, universiteti ose të cilin ai/ajo e ka ndjekur ose është diplomuar në të. Nga e njëjta rrënjë fjale është mbiemri almus “ushqyes”, që gjendët në frazën Alma Mater, që do të thotë “nëna që të ushqen”. Kjo është një frazë alegorike latine që përdoret aktualisht për të identifikuar një shkollë, kolegj ose universitet që dikush e ka ndjekur më parë. Fraza është përkthyer në mënyra të ndryshme, por lidhet me faktin se një institucion edukimi (shkollë, kolegj, universitet) ofron ushqim intelektual për studentët e saj. Termi Alumni hyri në përdorim akademik kur Universiteti i Bolonjës (themeluar ne 1088) miratoi moton e tij Alma Mater Studiorum (“nëna që na ushqen me dije). Ky term që përdoret sot si moto e këtij universiteti për të festuar statusin historik si universiteti më jetëgjatë në botën perëndimore që ka vazhduar pa ndërprerjhistoriae aktivitetin e tij.
Please follow and like us: