Teatri i famshëm nga Nju Jorku, La MaMa sjell në Tiranë shfaqjen “Balkan Bordello”
Rreth shfaqjes
“Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase), është e bazuar në triologjinë “Orestia” të Eskilit. Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet e entizuazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë. Bashk me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë nje jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri. Por liria nuk mund të zë jetë në territoret ku dhuna ka qenë prezente për kaq kohë të gjatë. Tani, kur Agamemnoni nuk është më, rolin e tij prej dhunuesi e merr Klitemnestra – ajo bëhet Agamemnoni i munguar – dhe ajo që duhet të vuaj nga dhuna, shtypja e mosdurimi i sajë, është Elektra, e bija. Por çarku i dhunës nuk mund të mbyllet lehtë, se “çdo gjak i derdhur, ndjellë një gjak të ri’, siç këndohet në dramë. Prandaj, siç vrau të shoqin, Klitemnestra duhet të vritet, tash, nga i biri, Oresti, i cili nga Berlini ku po jetonte si refugjat, kthehet me të dashurin e tij koreograf, Piladin.
Ja, ky është shtrati i kësaj drame, që me humor të zi, prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. Delli për shkatërrim i joshë, siq e joshë vdekja jetën. “Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si maqineri të shkatërrimit e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenjës njerëzore.
Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut I viteve të 90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash. Hungaria e tanishme e autokratit Orbán, ku liria qytetare vidhet pëllëmbë pas pëllëmbe. Amerika post-Trump, me amerikanë të mashtruar që vazhdojnë të shohin ëndërra me mure. Turqia e Rusia me njerëz që jetojnë nën frikën e diktaturës shtetërore. Gjermania, që vazhdon të ndiqet nga fantazmat e gjalla të nacizmit. Ushtarë izraelit që rrafshojnë qytete Palestineze. Palestinezë të Hamasit që gjuajn me raketa qytetet izraelite. Një Siri e bërë rrafsh me tokë nga… oh, për atë Zot, nga kush, a dihet bile?
“Balkan Bordello” është një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar.
***
“Tuj e huazu pejsazhin e Orestisë së Eskilit, shfaqja evokon arketipin e një shoqërie që del nga lufta në një gjendje konfuzioni, ku raportedt e rregullit dhe pushtetit së vjetër janë përmbysur, e rregulli e pushteti i ri nuk duket të kenë legjitimitet, sepse janë të bazuara në forcë”. Anna Di Lellio
***
Blerta Neziraj ka punuar shfaqje në Kosovë dhe jashtë sajë. Shfaqjet me regjitë e saja kan shëtitur gjerësisht në Evropë e Amerikë. (Vidy/Lausanne, Piccolo Theater/Milano, Volkstheater/Vienna. Volksbhune/Berlin…). Në vitin 2018 ajo ka qenë anëtare e Lincoln Center Theatre Directors Lab, kurse në pranverë të vitit 2019, ajo rikrijoi shfaqjen e saj ‘55 shades of gay’ në La MaMa në New York.
Ajo ka fituar shumë çmime (duke përfshirë edhe “Regjia më e mire 2020” në Kosovë), dhe për shfaqjet e saj janë shkruar dhjetra kritika pozitive në mediat lokale e ndërkombëtare. Gazeta The Guardian e ka përshrkuar atë si “njërën nga regjisoret kryesore të vendit të saj”, ndërkohë që The Stage i ka përshkruar shfaqjet e saja si “të pakompromis… të domosdoshme… dhe te fuqishme”.
www.lamama.org / www.qendra.org / www.mybalkans.art / www.atelje212.rs