Berat ARMAGEDONI: NË GRYKË TË VUÇAKUT
Ecja dhe ecnim drejt grykës
me sy bërë sa të kaut
me lot ndër sy e me lodhje trupi e dërrmim rrëzohu e çohu e lëndohu
herë nana
herë gjyshja
herë motrat e herë unë
dhe pos nesh
edhe të tjerë mbanin në duar foshnja
fëmijë
gra
pleq
edhe ndonjë qese me
ndonjë copë bukë e kripë e djathë
një loke
skaj rruge
e kërrusur dhe e lodhur
ishte ulur në një gur dhe me kule të mëndafshta kishte mbështjellë një foshnje
dhe qante për nënën që ia kishin vrarë
ata që na vinin pas
me armë dhe artileri
dhe me egërsi
milici dhe ushtri serbe e gjithë fusha mbushur ishte
mbushur me ta ishte edhe i gjithë mali
edhe ato pak rreze dielli na kishin zënë me avionë
shpresë kishim vetëm te Zoti
se NATO s’shihej askund
o sa e keqe ishte dita që u bë natë papritur
nga tymi i djegies së shatorëve, traktorëve, veturave
era stërvinë vinte në gjithë grykën sa nga kafshët e mbytura
sa nga njerëzit e therur e të vrarë e të lënë mbi dhe
donin të më vrisnin edhe mua milicët
ma drejtuan 47-shin dhe vetëm një herë më thanë “Stoj”
menjëherë u çova nga shtrati si nga varri
i bërë akull
me luftën në mendje dhe trup.
Please follow and like us: