Halil Rama: “Saga përtej Atlantikut” – një rrëfim ndryshe
Realitete shqiptaro-amerikane në romanin e parë të Shefqet Mekos
HALIL RAMA, Mjeshtër i Madh
Romani i parë i Shefqet Mekos është një arkitekturë krijuese, është fantazi dhe realitet i ballëpërballë, një depërtim psikologjik dhe filozofik në botën e komuniteteve të emigrantëve që shkojnë me shpresa të mëdha por shpejt kuptojnë se Amerikë ëshë liri, por për ta shijuar duhet punë, ku sistemi është sofistikuar dhe nuk mbijeton nëse bën “sikur punon”. Autori ndërthur me mjeshtëri ngjarjet dhe karakteret shqiptare në Amerikë, duke provuar edhe aksiomën popullore “joti mishin ta ha, por kockën ta ruan”…
Autori Shefqet Meko, mbas një akumilimi prej dekadash, duket sikur e parashkruan suksesin e romanit të tij të sapobotuar“Saga përtej Atlantikut”. Mjafton të perifrazosh këtë fragment nga faqja 244 e këtij romani: “Xhelo e kishte projektuar tashmë librin në kokë, ku përplaseshin shumë rryma, ku kishte kaluar jeta e tij, nga ajo në socializmin e kontrolluar nga lart, ku një gotë raki, pak djathë e dy qepujka të bënin të ndiheshe sikur zotëroje fushën e Devollit, e deri në pangopësinë që shfaq njeriu në kapitalizëm, ku fitimi nuk ka kufi dhe mbetet i vetmi motiv i jetës…. ‘Ky libër do të tronditë botën, por do Zoti jetoj aq gjatë’,-thoshte me vete Xhelo Lakrori”.
Po. Me këtë roman pothuajse meditativ (ku vend të dukshëm ze edhe retrospektiva), që ekzamonion saktë e bukur shoqërinë e dikurshme shqiptare të kohës së socializmit, me të mirat e të këqijat e saj, dhe veçanërisht pangopësinë e njeriut në kapitalizëm, të botuar vetëm para dy muash dhe të promovuar bujshëm nga botuesi M&B në praninë e dhjetra personalitete të botës akademike e diplomatike, (si Prof. Hulusi Hako, Besnik Mustafai, Arben Çejku, Ahmet Prençi, gazetarë dhe dashamirës të librit) Sh.Meko duket se synon të ketë zërin e vet të veçantë në botën letrare të metropolit shqiptar. Dhe pse jo, edhe në Korçë e Pogradec që është vendlindja e tij. në Shkodër, Vlorë e me disa personalitete të hapësirës mbarëshqiptare në botë, ku ka patur takime e ka marrë vlerësime mjaftë pozitive. Ai i vjen sofrës krijuese shqiptare mbas dekadash përvoje jete dhe eksperience, që shtrihen në dy shekuj, dy vende, dy sisteme dhe kontinente të ndryshme.
Po. shqiptaro-amerikani Xhelo Lakrori që është personazhi krysor i këtij romani, pasi ka përjetuar suksesin e dëshiruruar në tokën e premtuar, më në fund e shkroi librin, me të cilin dëshiron të “trondisë” botën! Kështu pohon autori në gojën e personazhit kryesor të romanit “Saga përtej Atlantikut”, por në të vërtetë Sh.Meko e ka kaluar sprovën e një autori të suksesshëm edhe me botimin e tre librave të mëparshëm: “Çuditë e Amerikës” (përkthim, shtëpia botuese “Albpaper”, 2008), “Unë ikanaku shqiptar” (Përmbledhje publicistike, shtëpia botuese “Albpaper”, 2011) dhe “I tillë jam” (tregime, skica dhe shënime, Shtëpia botuese “DitaPrint”, 2019), si dhe me dhjetra tregimeve mjaftë tërheqës për lexuesin të botuar në portalet “Alb-spirit” e “Fjala e lirë”.
Gjithsesi, në prozën e gjatë ai duket se ka qëlluar në shenjë që me romanin e parë. “Saga përtej atlantikut” është një roman që ndërthur aq këndshëm realitete shqiptaro-amerikane, si intrigë letrare e përjetimeve të përsonazheve kryesorë, bashkëshortëve Xhelo e Shano Lakrori, të cilët i vendos në dy kohë: kur eksperimentonin të ashtuquajturin “revolucioni tekniko shkencor” në vendlindjen e tyre, Devollin, dhe në Amerikën e mrekullive, ku me punë të ndershme arritën të ndërtojnë biznesin e tyre të suksesshëm. Profili i tyre i skalitur me mjeshtri të rrallë, me gjuhë të pasur e mjete shprehëse mbresëlënëse gërshetohet aq bukur me filozofimet e autorit për “dogmat katolike që ishin si tela me gjemba ndaj lirisë së individit” dhe “kur besimet fetare përzihen me rrymat politike, duke krijuar përplasje të frikshme dhe të rrezikshme”. Dhe si njohës e perceptues perfekt i realiteteve shqiptaro-amerikane, pasi përshkruan ngjarje e personazhe nga të dyja vendet, të dy kohëve e të profileve të ndryshme, s’ka se si të mos arrijë në përfundimin se “Në fund të fund të fundit, të kërkosh dhe të besosh në ndihmën e Zotit është një kthim tek vetvetja. Zoti ka deleguar çdo krijesë të jetë zot i punëve të tij”. (fq.219).
Po. Shefqet Meko që ka përjetuar dhimbshëm edhe kohën kur në Shqipëri diktatura na imponoi deri edhe mohimin e Zotit (pas barabarisë me shembjen e objekteve të kultit”, në romanin e tij “Saga përtej Atlantikut” ia dedikon suksesin biznesmenëve të suksesshëm në Amerikë, në radhë të parë besimit të tyre në Zot.
Këtë ligjërim letrar të tij e ndeshim edhe në rastin kur personazhi kryesor i romanit shpreh besim të patundur në fitoren e mandatit të dytë të ish-presidentit Tramp, ndërkohë që një kliente e klinikës së tij veterinare do të linte mesazhin më interesant për macen e saj: “Macja ime shkon të bëjë shurrën sa herë fillon kronika e fushatës për president. Deri tani e kam filmuar 55 herë, por saktësisht, sa thuhet ‘fushata për Shtëpinë e Bardhë’, direkt dhe te banja”!
Kjo është njëra pamje e subjektit të këtij romani, sepse Sh.Meko, ndoshta si askush tjetër ngre në piedestal inteligjencën dhe krenarinë shqiptare, të dëshmuar me suksesin e mijëra djemve e vajzave tona edhe në SHBA. Do të mjaftonte për këtë qoftë edhe krenaria që shpreh personazhi kryesor i romanit të tij, kur ndërsa fermeri Xhon River i pohon se është nga vendlindja e Linkolnit, Xhelo Lakrori shpreh krenarinë e tij si bashkkombës me Nënë Terezën dhe Ismail Kadarenë (fq.86-87). Dhe po nën këtë optikë ai perifrazon poliglotin dhe eruditin e madh shqiptar, prof.Eshref Ymerin (që sipas tij është “enciklopedi që ec më këmbë), se: “hiperbolizimi i bujarisë dhe mikpritjes shqiptare ishte varri që ai komb i kishte hapur vetvetes në shekuj”. Lidhur ngushtë me dhjetra raste të miqësisë që kishte krijuar me amerikanë në Mineapolis, SHBA, ku ka ngritur bizensin dhe jetën e tij, Meko perifrazon sërish studjuesin e njohur shqiptaro-amerikan, që i ka dhënë aq shumë kulturës së popullit më të tkurrur të Ballkanit, se “miku ka vendin e vet të respektuar, por i zoti i shtëpisë është zot shtëpie”.
Ndonëse e konsideron Amerikën kontinentin ku nuk mungon asgjë për atë që ka dollarë, Meko nuk ngurron të shprehet se “Lufta për dollarin në Amerikë është aq e çuditshme, saqë nuk ka imagjinatë përshkruese” dhe se “Pangopësia njerëzore për para nuk njeh as parti dhe as ideologji”. Dhe po ashtu, si njohës perfekt i mediave, në romanin e tij ai është denocues edhe për falsitetin e mediave të mëdha dhe për ata që (si në Amerikë edhe këtu në Shqipëri) bien viktimë e buldozerëve mediatikë…Kësisoj Meko e mban pezull lexuesin duke ia servirur shqiptaro-amerikanin me emrin Xhelo Lakrori (doktor Lakrori) si rezultante e mutacionit shoqëror e politik të Shqipërisë postkomuniste. “Ai ishte një hero e viktimë që kujtonte, dëshmonte, ballafaqonte fakte, politika momente të jetuara, ëndrra, zhgënjime e shpresa të bukura. Xhelo Lakrori ishte diçka krejt ndryshe, përditë kërkonte të gjente të vërtetat e jetës, kërkonte të gjente se ku ngjasonte dhe ku ishte i ndryshëm socializmi nga shoqëria e lirë kapitaliste, çfarë i bënte të mëdhenj dhe të lavdishëm udhëheqësit në kapitalizëm dhe cili ishte çelësi mashtrues në socializëm…Me ato vëzhgime të kujdesshme që kishte mundur të bënte Xhelo Lakrori, ai mbetej i tronditur nga fakti se shoqëria shqiptare përherë, në çdo kohë, në çdo regjim kishte mbetur viktimë e burrave pa burrëri”.
Me këtë sy e sheh e vlerëson ai edhe bashkëshorten e tij, Shanon, që ndonëse kur sapo kishte rënë në dashuri me të, ajo i kishte thënë disa herë “më urre” (nisur nga drama e saj me ish-të dashurin e parë Ben Kapshtica që e detyroi të abortonte për të mbetur kështu tërë jetën një grua s’do të lindtte kurrë fëmijë) ai e dashuroi marrëzisht gjatë gjithë marrëdhënies bashkëshortore, si në Devollin shqiptar dhe në Çikago, SHBA, duke e konsideruar një esencë bukurie dhe frymëzimi që nuk zbehej aspak.
Po nën këtë optikë dallohet lehtë trilli artistik në romanin e Sh.Mekos edhe në marrëdhënien me Anna Parrotin, kur u magjeps pas bukurisë së saj, ndërsa më pas sikur u zbraps kur kujtoi Shanon që dikur i kishte thënë se “…burrat lajthitin kollaj pas bukurisë femërore dhe jo më kot këto të fundit mund të tallen edhe me burrin më të zgjuar”. Gjithkush do të çuditej me përshkrimin brilant nga autori të Anës në rolin e nënës surrugato, e cila e paguar mirë do të lindtte fëmijën e çiftit milarder Miller. (që të marrosur pas fitimit u bënë aventuerierë e njëherazi viktima të tij).
Si askush tjetër Sh.Meko filozofon edhe “për psikologjinë ndërvepruese mes kafshëve të vogla dhe njeriut, duke bërë aludimin për ndërlidhjen më gjigande të dy botëve të gjalla, ku njeriu zotëron tërë arsenalin e mundshëm komunikues dhe shprehës, ndërsa qeni dhe macja, në saj të kufizimeve shprehëse, e mbajnë gjithçka nga brenda dhe shpesh reagojnë me pasione të jashtëzakonshme, që duket në sy dhe veprime ekspresive”. Kjo qasje trilluese e këtij autori e vë në mendime lexuesin kur ai shprehet artistikisht edhe për lajmin e mirë se “qeni i dyshuar me Covid-19 rezultoi negativ”, për të sjellë më pas të dhëna të verifikuara se “qeni dhe macja janë si radarë, ata lexojnë në avancë gjendjen psikologjike të pronarëve të tyre”, duke besuar kësisoj se shekulli i 21-të do të ishte shekulli i zbulimeve të mëdha në ato “lidhje diplomatike mes njeriut dhe botës tjetër të gjallë.” (fq.208-209). Këtë intrigë interesante e gjejmë edhe në letrën imagjinare të gjarpërinjve për njeriun, pasi shqiptaro-amerikani me profesionin e mjekut veterinar kishte arritur të shëronte deri edhe gjarpërin johelmues që Anna Parroti e përdorte për t’i bërë masazh barkut që mbante brenda fëmijën e çiftit Millerr. Ai, gjatë një interviste për televizionin lokal që do të bënte jehonë të jashtëzakonshme, si një Tramp i papërmbajtshëm dhe si një pushtues paqësor i kamerave tha: “Unë kam një mesazh të thellë për të gjithë ata që kanë dashuri për kafshët shtëpiake: duajini dhe respektojini si veten tuaj. Qeni, macja, papagalli, pëllumbat, zogjtë, breshkat, hamsterat, peshqit, kërminjtë etj, janë një përthyerje e shpirtit tonë në një botë gjallesash, që më shumë se me fjalë flasin me sy, mjaullima, lehje, shikime dhe cicërima të bukura…Përfytyroni një parqafim gjarpëri përrreth trupit tuaj, një gjarpër që nuk kafshon, nuk helmon, nuk të vdes, por me atë ftohtësi zvarranikësh, pushton trupin tuaj, ju përmbledh brinjë më brinjë si asnjë krijesë tjetër, dhe me atë gjuhë si shigjetë u puth dhe nuk ju rrezikon...”. A nuk është kjo një intervistë e sajuar bukur (prej gazetari profesionist), duke folur për madhështinë e botës së kafshëve e shpendëve (duke shkundur mendjet e njerëzve kafshëdashës) që e vë autorin e këtij romani në fokusin e një filozofi?! Po. Eshtë pothuajse ashtu siç pohon tërbimin e Enver Hoxhës kur i patën raportuar se miku i vetëm i Lasgush Poradecit ishte një konë e vogël!!! Nën këtë vështrim autori sjell në vëmendjen e lexuesit edhe poezinë që dikur i kishte lexuar miku i tij Bilal Eshka: “Lindim hardhuca, pjellim hardhuca/ E zvarrë-zvarrë mbi çdo gjë”…Por gjithsesi në dekadat e jetës së tij në Amerikë, ai shpesh e perifrazonte ndryshe këtë ‘perlë në vargje’ të Bilal Eshkës: “Lindim kongresmenë, pjellim senatorë/ zvarrë-zvarrë ndaj atij që ka pushtetin në dorë!”. A nuk janë edhe këto vargje, shembëlltyrë e realiteteve shqiptaro-amerikane, në koherencë me të sotmen e pashpresë për shumicën e njerëzimit?! Po. Romani i Sh.Mekos ka plot episode që reflektojnë këto realitete, shpesh të ngjashme dhe krejt të ndryshme. Heroi kryesor i romanit, i lodhur dhe zhgënjyer nga premtimet e krahut të majtë, përpiqet të lëvizë djathtas, duke deklaruar votën e vet për një term të dytë të Presidentit Tramp, por që zhgënjehet sërish qysh ditën e votimit kur sheh etjen për pushtet të njeriut më të fuqishëm në pushtet.
Romani i parë i Shefqet Mekos është një arkitekturë krijuese, është fantazi dhe realitet i ballëpërballë, një depërtim psikologjik dhe filozofik në botën e komuniteteve të emigrantëve që shkojnë me shpresa të mëdha por shpejt kuptojnë se Amerikë ëshë liri, por për ta shijuar duhet punë, ku sistemi është sofistikuar dhe nuk mbijeton nëse bën “sikur punon”. Autori ndërthur me mjeshtëri ngjarjet dhe karakteret shqiptare në Amerikë, duke provuar edhe aksiomën popullore “joti mishin ta ha, por kockën ta ruan”.
Shefqet Meko me këtë roman di të hyjnizojë mirënjohjen si një pishtar që ndrit rrugën e atyre që dinë ta manifestojnë. (Nata në burg e Xhelo Lakrorit dhe letra falenderuese e shefit të policisë që e përcjell në shtëpi me limuzinën e kunatit…).
Në një këndvështrim të vëmendshëm “Saga përtej Atlantikut” është një rrëfim ndryshe i jetës së shqiptaro-amerikanëve në kontinentin e madh të lirisë, që shkojnë aty dhe guxojnë, mësojnë, përshtaten, bëhen promotorë të asaj që besojnë dhe krijojnë profilet e karakteret. Romani në fjalë, është saga e njeriut të lirë, por i ndëshkueshëm nga prangat e policit edhe kur ai padashje shkel rregullat e qarkullimit rrugor, nga taksat që duhet të paguajë në kohën e duhur për çdo shërbim e punë që bën… si dhe nga kakafonia që të shkakton mashtrimi mediatik dhe mbi të gjitha, jeta si një aventurë e verbër, që të premton dritën dhe lumturinë…
Shefqet Meko është një nga zërat më të njohur të Radio Tiranës në mesin e viteve ’90, gazetar dhe publicisti i mirënjohur i problemeve bujqësore,
Të lexosh romanin e parë të këtij autori, “Saga përtej Atlantikut” bën një “shëtitje letrare” transatlantike që të shijon dhe sikur kërkon të mos mbarojë, sepse është shkruar me një realizëm “social-imperialist”…