Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: In memoriam, Sandër Prosi

Burrin e pashëm, fisnik, të shtruar si në jetë dhe në art, e kam parë për herë të parë drejpërdrejt në Teatrin Popullor, në rolin e shkëlqyer të Horatit! Ajo përshtypje e mikut të besës sipas atij roli të Shekspirit në “Hamleti”, më ka mbetur edhe sot për njeriun Sandër Prosi. Horati ishte shkruar për Prosin tonë shumë shekuj më parë. Na iku në mënyrën më të dhimbshme, ishte 65 vjeç. Sa i ri?! Çfarë humbje KOMBËTARE.

Po kujtoj sot jo ato që përfytyron çdokush sa përmendet emri Sandër Prosi. Në verën e vitit 1965 e pata fare pranë në oborrin e Teatrit Popullor. Një burrë sugjestionues me cigare ishte pranë meje e përshëndeta, me buzëqeshje ma ktheu duke përkulur kokën. E kujtoj si tani! Mendoni ishte 45 vjeç në atë kohë, ndjesia ime sikur ishte goxha burrë në moshë!…

Ai paskesh qenë fare fare i ri. Në ato vite posterat me portretin e tij nga filmat “Detyrë e posaçme” dhe ” Vitet e para” të regjisorit Kristaq Dhamo, na ishin ngulitur në sy! iIshte bërë ylli i kinemasë që në hapet e parë të kinematografisë shqiptare! Kujtoj ecjen e tij gati unikale dhe si një meditim non stop. Vitet ikin vrullshëm në moshën studentore. Pas katër vitesh ishim së bashku në filmin “I teti në bronx” të Viktor Gjikës. Po xhironim në atelie. Sandri kishte përqëndrim gjatë ushtrimit të provave. Unë isha në krevat, futet dr. Borova dhe fillonte teksti. Paralelisht punonte edhe grupi i xhirimit si vendosja e kamerës, ndriçimit, zërit etj. Ndriçuesit të hipur në skelat e dekorit mbi tavanin e dhomës komunikonin me njëri tjetrin. Kjo e pengonte Sandrin dhe për të evituar zhurmat vuri ca pambuk në vesh. Unë i shtrirë në krevat, i ri 25 vjeç, duke e parë që vuri pambuk, hapja gojën dhe nuk nxirrja zë. Nuk po më dëgjonte, provoi të lëvizte pambukun dhe përsëri nuk po dëgjonte! E mori vesh humorin tim dhe më erdhi pranë e më drejtoi dorën duke më thënë: Ah, qerrata! Qeshëm, ky gjest më pas u bë si çelsi i një miqësie të bukur ndër vitet që pasuan. Ishim në Mbasdeje, flinim në baraka të sharrave në xhirimin e filmit “Guximtarët” të Gëzim Erebarës.

Një pasdite, mes atij pejzazhi malor, ishim së bashku duke biseduar dhe me cigaren që nuk dinte ta ndalte, i mjaftonte ndezja e parë se më pas cigarja ndizte cigaren, aty më thotë:

– E ke vënë re që këtej nuk përdor këmishën e bardhë dhe rri vetëm me bluzën e tutave?

– Jo, i them.

– E ruaj për në Tiranë, pasi nuk kam tjetër. Edhe pushime të verës kam shumë vite që nuk kam bërë, pasi në kohën e pushimeve të teatrit vij në filma për të marr një rrogë plus!…

I ndodhi një tronditje një ditë, në kohën e luftës së tmerrshme kundër liberalizimit. Ishte rregull që në ora 9.00 bëhej apeli në teatër. Sandri nuk e dëgjoi emrin! Iku, me trazimin se “më paskan hequr nga Teatri” një njeri i lodhur me idenë e frikës së asaj kohe, shkon në shtëpi dhe tenton të vrasi veten. Kur vajta në spital, më thotë: Për dy gishta kisha mbaruar punë”!

Vite më vonë, ishim duke pirë kafe te hotel ‘Drini’, një e dielë me diell, fillim shkurti. Në atë kohë përgatiteshim për filmin “Plumba perandorit”. Sandri ishte duke folur me fytyrë nga dera, ne të tjerët po ndiqnim bisedën, kur pa pritur Sandri mbeti pa folur, kthejmë kokën shikojmë dy vajza me nga një tufë mimozash në dorë. Njera qe e gjatë e bukur, ia ngriu shikimin dhe fjalën. Goca sikur ndjeu çdo gjë dhe erdhi me tërë atë çudi pamje që na dhuroi, u afrua dhe i dha Sandrit dy degëza mimoze…

Mendoni buzëqeshjen fisnike të Sandër Prosit për gjestin e asaj vajze. Atë vajzë më vonë e mora në film për një paraqitje në një episod. Gjatë filmit Sandri erdhi te unë për hatër të miqësisë pēr një rol karakteri, po bashkëpunimi dhe ndihmesa ishin të pa shlyeshme. Po kujtoj copëza jete nga artisti më i njohur i ekranit shqiptar, në këtë përvjetor të ikjes! Rolet ju ja dini, njeri më i arritur se tjetri, mjafton Dhaskal Todri, xha Jaho apo Ismail Qemali e shumë e shumë të tjera, duke u kthyer deri te Othello. Unë po them copëza jete! Futem një ditë në kafe te 15 katëshi. Dukej fisnikërisht i ëmbël në komunikim me njeriun në tavolinë. Ma bëri me dorë, vajta dhe personi tij iku. Më zgjati cigaret ‘Partizani’, unë nxora ‘DS’, qeshi dhe më tha: Pse nuk ma respektove paqetën! Qeshëm. I them, po kënaqeshe me atë personin. Sandri qeshi dhe më tha: Ishte një simpatizant që ti e di, vijnë dhe shprehin fjalë të mira! Unë, nuk i kundërshtoj dot! Po sot në fakt kam harruar pa ndërruar baterinë e aparatit të dëgjimit dhe nuk dëgjoja asgjë! Doja të dëgjoja veten time! Pas kaq vitesh kujtoj nga Sandër Prosi, njeriun që në çdo takim do diskutonte për punën e radhës, më jepte këshilla për dramaturgjinë e filmit që do të bëja. Në një dokumentar timin “Berati” erdhi si narrator, i pëlqeu teksti i shkruar nga Shpëtim Gina dhe kur e lexonte donte të ribënte dubla, ta bënte sa më mirë! Sandrit nga violina që kish studiuar i kishte mbetur shpirti delikat! Të dëgjonte me vëmendje dhe më pas me qetësi të pyeste! Nuk kam rastisur njeri të dytë në jetë që ta respektoj bashkëbiseduesin si ai! Legjendë e gjallë që edhe pas kaq vitesh është këtu mes nesh! Në atë ditë marsi erdhi lajmi për ikjen tragjike të burrit më fisnik e të të famshëm të ekranit shqiptar! Askush nuk di të thotë si ndodhi! Pas ka mbetur vetëm imazhi i burrit të bukur, të mençur dhe të urtë që kish lindur për ekranin, pa menduar se si ishte çasti fatal!

Please follow and like us: