Sheehan: SHBA duhet të angazhohet përsëri në Ballkan
Baltimore,5 nëntor 2021 – Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimore, Ivan Sascha Sheehan, ka thënë se SHBA duhet të angazhohet edhe një herë në Ballkan.
Sheehan ka thënë se SHBA-të mund të shpëtojnë suksesin e tyre të vetëm në rajon, konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
“Duke u përkushtuar përsëri për Ballkanin, Shtetet e Bashkuara mund ta shpëtojnë suksesin e tyre të vetëm – shtetndërtimin e tridhjetë viteve të fundit, përpara se ai të dorëzohet para indiferencës amerikane dhe paligjshmërisë evropiane”, ka deklaruar Sheehan.
Ai ka thënë se Serbia ka shprehur së fundi agresivitetin e saj, duke vendosur forca ushtarake në kufi me Kosovën.
“Sot, Serbia, agresor prej kohësh, i ka kthyer trupat e saj në kufirin midis dy vendeve të pavarura dhe patrullon me avionë luftarakë të prodhimit rus zonën kufitare (me Kosovën). Kjo është një pamje shqetësuese”, ka thënë ai.
Sheehan ka folur edhe për Gjykatën Speciale dhe për arrestimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka shprehur dyshime se BE-ja po e përdor këtë gjykatë për largimin e çlirimtarëve nga skena politike.
“Të them të drejtën, BE-ja duket se po e përdor GJSK-në për të çrrënjosur liderët çlirimtarë të Kosovës nga politika e kombit të tyre”, ka thënë Sheehan, citon Express.