Mimoza Prifti: Ju lutem më quani Çamëria
Jolyene ishte vetëm katërmuajshe kur u braktis nga nëna e saj në Nairobi, në Kenia.
Ishte viti 2013, kur e qara e foshnjës së abandonuar buzë rrugës tërhoqi vëmëndjen e një çifti që kalonte aty pranë. Zonja rendi drejt fëmijës, u ul në gjunjë, me duart e saj të rreshkura nga vapa dhe puna e rëndë e mori në duart e saj dhe me lotin që i pikonte syve ju drejtua bashkëshortit:
– Si mundet një nënë të lërë në rrugë fëmijën e saj? Çfarë zemre ka patur kjo nënë?
Pa pritur përgjigje nga i shoqi, me dashuri nëne e afroi prane kraharorit, e quajti Jolyene dhe e solli pranë katër vocërrakëve të gjakut. Prej asaj dite Jolyene do të ishte fëmija i pestë i kësaj familjeje.
Por fati nuk do t’i ndrinte vogëlushes as në vatrën e zonjës që e morri në gjirin e ngrohtë të saj. Një aksident i rëndë do t’i merrte jetën burrit të familjes dhe zonja do të mbetej e pashpresë rrugëve me të pestë fëmijët. Nuk mundi të rezistonte gjatë, nuk mundi dot t’u siguronte strehë, ushqim e veshmbathje pesë gishtave që dhimbnin deri në palcë. E detyruar vendosi që tre fëmijët më të vegjël, mes tyre dhe Jolyene, ti dërgonte në një qendër përkujdesjeje, si e vetmja mënyrë mbijetese për ta.
Jolyene ishte vetëm tre vjeç atëherë, kur ajo dhe dy vëllezërit e saj u dërguan pranë jetimores- fondacionit “Ne jemi Çamëria”, në Nairobi në Kenia. Fondacion ky i ngritur nga zonja e nderuar shqiptare me origjinë Çame, me banim ne Kanada, Z.Viola Kaloutsi, institucion ky në ndihmë të fëmijëve jetimë në Kenia, një prej vendeve ku ajo ushtron biznesin e vet.
Fëmijët u pranuan me profesionalitet dhe dashuri nga personeli, shumë shpejt u bënë pjesë e familjes “Ne jemi Çamëria”, ku gjetën ngrohtësi dhe përkujdesje njerëzore, shëndetësore dhe edukative.
Jolyene që ditën e parë u dashurua pas bluzës kuq e zi, madje nuk do ta ndërronte dhe largonte atë nga trupi. Dhe sot, pas pesë vitesh, në moshën tetëvjecare, në shkollë Ajo shkon vetëm me bluzën kuq e zi që mban mbishkrimin Çamëria. Madje, motrat dhe vëllezërit e jetimores pothuajse e kanë harruar emrin e saj të vërtetë, për hatër të të vetmes bluzë që ajo dëshiron të veshë, e thërrasin Çamëria.
Një ditë të bukur të kësaj vjeshte, të tetorit 2021, vogëlushja, mirënjohëse ndaj përkujdesit të Fondacionit, i drejtohet personelit me një kërkesë të ndjeshme, por tepër mbresëlënëse:
– Përderisa të gjithë më thërrisni Çamëria, ju lutem ma ndërroni emrin, më quani Çamëria.
Ne 27 tetor të vitit 2021, zyrtarisht, në zyrën e regjistrimit të emrave në Nairobi, në Kenia u regjistrua emri Çamëria.
(Në foto është Çamëria, vajza me bluzën kuq e zi, vajza që buzëqeshjen e dhuruar nga fondacioni “Ne jemi Çamëria” nuk e ndan kurrë nga vetja.)