Albspirit

Media/News/Publishing

Emrije Krosi: Elementë judeo-hebraike në poezinë e Sadik Bejkos

Përçimi tek lexuesi përmes poezisë, është mision i çdo poeti, që kur u zbulua makina e shkrimit nga Guntenbergu. Por, poezia ka kodet dhe nënkodet e saj, që padyshim çdo lexues dallon edhe stilin individual të secilit poet. Një poet, që hodhi thellë rrënjët në truallin e poezisë shqipe moderne, ishte edhe poeti profan Sadik Bejko. Në arratisjen nga vetvetja, përkundër shijes estetiko-poetike të një kohe të përjetshme duke shpëfillur, të përkohshmen dhe të tashmen, në kërkim të shtjellave të reja poetike mëpërtej fizike dhe metafizikes, dhimbjes dhe harresës, vetmisë dhe qenies, tokësores dhe hyjnores, transhendencës dhe shpirtërores, ekzistencës dhe mbijetesës gjithherë në kërkim të shenjave të ringjalljes (Bloom:1997, që ka shkruar edhe studiuesja Alisa Velaj në artikullin e saj për poezinë e Bejkos, “Poezia si shenjë e rinjalljes” (Velaj: 2021). Poezia e tij është një thurimë mes mitologjisë klasike dhe asaj biblike judeo-hebraike, që fillon me vëllimin poetik “Letër Hamurabit” (Bejko: 1997) me vargjet: imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur/pse më nxore nga shpella ime,/nga budallallëku im pse më nxore?!/Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës/sot po e shkruaj rreshtin e fundit në kode. Shprishja e doktrinave të krishtërimit në shek. XX sidomos në shek. XXI, ka lënë bosh shumë perceptime thelbësore, që nga drejtësia sociale e kuptimit të historisë njerëzore, deri tek marrëdhëniet ndërmjet mendjes dhe trupit, të dijes dhe sjelljes tonë morale, në koherencë me “anti-teologjitë” e mëdha dhe “meta-fetë” (Stenier: 1997). Doktrinat psikologjike, shoqërore dhe sociale të besimit, që nga misteret qendrore, misteret sakramentale të krishtërimit ose të jetës së Krishtit përmes mesazhit/eve të tij, janë kumte që mitologjia biblike hebraike akoma nuk e ka zgjidhur plotësisht. Poezia “Mbretëria sovrane e drurit” (Bejko: 2005), fillon me një citat biblik të profetit Ezekiel: do të të hedh në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e lumenjve të tu,/dhe do të biesh në fushë të hapur, nuk do të të varrosin,/as nuk do të mbledhin; do të flak si ushqim për bishat e tokës/dhe për shpendët e qiellit. (Ezekiel, 29:5 Profecia për Egjiptin (Bibla: 29: 5).
Mendova, Atë, me një krenari të përulur
se ke bërë mirë që më zbrite te drurët.
Më fshive krejt nga soji i njerëzve.
Më strehove nën tokë, te rrënjët, nën lëvoren
e drurit, dhe më thellë
botës së nëndheut në kockë.
Atëherë, siç mbaj mend, u trondita.
Në atë mbretëri sovrane e të
patundur rrënjësh, përbrenda klithja fort,
duart të kapitura, gjunjët të këputur.
Po ishte urdhër. Jehovai tha: i përsosur je,
Egjipt, por unë dua e të rropos në pluhur.
E lashë shiun të më lagë dhe
vjeshtën të më zhveshë. Dimrin t’më
rrëshqasë në lëkurë. Dikur kisha qenë
bari, po një dimër të tërë nën borë, pa
një strehë mbi kokë, s’i kisha menduar kurrë.
Pandjeshëm si dru, memec,
pashprehje si dimërit një dru;
kokëmushkë, në hajvanllëk si dru;
tharë në inde e gjak si dru,
pa limfë, i thyeshëm si
dru; i shtrirë, i lakuar, i
drithmuar rrënjësh si dru;
pa gjumin trup më trup dhe kokë më kokë
me një tjetër… si dru.
Fort e fort në prill njomja qiellin,
lutesha që sytha t’ma shponin lëkurën e trungët
për të çelur si çdo dru. Një ditë çela
fytyrë, duar, trup njerëzor… në
njerëzi u ktheva. Por i falem Jehovait
Ai u dha fund ditëve të mia prej druri,
Ai Egjiptit i tha: Unë të dua, unë të zhduk,
të miat janë rëra, dherat, drurët… lumi.
Që në vargun e parë, poeti ka një lloj monologu drunor me Atin, (Zotin): mendova, Atë, me një krenari të përulur/se ke bërë mirë që më zbrite te drurët/ Më fshive krejt nga soji i njerëzve, janë disa poezi me një shtrirje kohor, ku mesazhet poetike, janë kode porositëse si: guri, druri, uji etj., elemente që janë pazgjidhshmërisht me tre elementet e jetës, që nga epoka e parasokratikëve si: zjarri, uji, ajri, toka. Metafora e drurit është e qëllimshme, sepse ndeshet edhe në poezinë: (“Druri i shkretëtirës”Cedrus Libanus) përmes vargjeve: dru i vjetër, t’ia ruajmë hijeshinë shkretëtirës,/dru i vjetër me një amforë toke të pjekur në rrënjë, një dru i bekuar nga vetë Zoti, edhe përmes vargjeve biblike: kështu thotë Zoti… shkoi në Liban dhe këputi majën e një kedri (Ezekiel: kap.17: v. 3). Poeti nuk ka identifikuar emrin e drurit, por citimet biblike e kanë qartësuar atë, brenda monologut të pemës me Krijuesin e saj, pasi misioni i njeriut, tashmë ka “ndekur”. Njeriu antizot apo supërnjeriu i Niçes (Zoti vdiq), është një mëkat i madh i popujve mitikë parabiblikë si: mesopotanët, sumerët, babilonasit, akadët, persët, egjiptianët etj. Vargjet: më strehove nën tokë, te rrënjët, nën lëvoren/e drurit, dhe më thellë /botës së nëndheut në kockë, ky pikëvështrim autorial, që nga trajtat zanafillore të gjërave, (jetës tokësore), kanë formën e gjithëkohësisë, në formë skelektike më përtej pamjes gravurë (Çiraku: 1999) të lëvizjeve stilistikore, shkak/pasojë, përmes qasjeve poetike, të strukturave thelbësore, që nga lashtësia në vazhdimësi me forma dhe linja narrative arkaike. Thellësia dhe qartësia, por edhe tejngopja e modrenitetit, (me mite të rreme) nuk mund asesi ta shpërfillë zanafillën/gjenezën (në të gjitha planet asociative). Shtrirja mitologjike (përtej skenarit teologjik), vazhdon me vargjet: po ishte urdhër. Jehovai tha: i përsosur je,/Egjipt, por unë dua e të rropos në pluhur/E lashë shiun të më lagë dhe/vjeshtën të më zhveshë. Dimrin t’më/rrëshqasë në lëkurë/Dikur kisha qenë bari, në vazhdimësi të gjenezës, që vjen përmes emrit të Zotit/Hyjnisë, (Jehovait). Togfjalëshi: dikur kisha qenë bari, na kthen që në kohët parake, tek metamorfoza (mitologjia greke/latine), ajo na ofron një shpjegim të funksionit të njeriut biologjik dhe social në realitet. Mbi të gjitha, ajo ofron një premtim mesian (Mesia /Krishti /Jehovai) në lidhje me të ardhmen, jo vetëm të përjetësisë por edhe të fuqisë (Tresidder: 2011). Vargjet: pandjeshëm si dru, memec, /pashprehje si dimërit një dru;/kokëmushkë, në hajvanllëk si dru;/tharë në inde e gjak si dru,/pa limfë, i thyeshëm si/dru; i shtrirë, i lakuar, i/drithmuar rrënjësh si dru; poeti ka shpaluar cinizmim, egoizmin, ironia e kohës dhe zëri lirik i një urtie solomoniane (Aliu: 2018), edhe në analogji me poezinë tjetër “Ezeikel” përmes togfjalëshit: si dru, memec, se në formën përmbushëse, që nga moduset mitike si enciklopedi të shkrimeve të shenjta në analogji gjithnjë me njerëzoren, me profecitë, parabolat, proverbrat e urtive të popujve, zakonet, magjitë, tabutë veprat e heronjve të qytetërimeve parahebraike, ku vetë profeti Ezeikel deklamon: …dora e Zotit u vu mbi mua dhe më kishte hapur gojën kështu, goja ime mbeti e hapur dhe nuk qeshë më memec (Ezekiel: kap; 33/22), përmes epiteteve, përsëritjeve dhe epiforave që merr fjala dru si: [pa limfë/ i thyeshëm/ i shtrirë, i lakuar, i/drithmuar]. Edhe poezia tjetër “I huaji në mal” dhe libri me poezi “Këngët e Solomonit”, (Bejko: 2017) , titull i huazuar nga Bibla, (mbreti Solomon, djali i Davidit, themeloi tempullin e madh të Solomonit në Juresalem), në të gjitha format shpreh kumtet profetike gjuhësore (Hirsch: 1999), në vargjet e fundit: një ditë çela/fytyrë, duar, trup njerëzor… në/ njerëzi u ktheva. Por i falem Jehovait/Ai u dha fund ditëve të mia prej druri,/Ai Egjiptit i tha: Unë të dua, unë të zhduk,/të miat janë rëra, dherat, drurët… lumi, gjithkund gjendet ekzistenca e kumtit të rrëfimeve mitiko/hebraike, që kuptohet vetiu. Nuk mund të jetë në mënyrë implicide epika-narrative -imitative (diegesisi /mimesisi) që lidhin simbolikën si kundërvënie të iluzionit themelor përkundër iluzionit simbolist, në marrëdhënie semantike me analogjinë biblike: do të bëj vendin e Egjiptit një shkreti midis vendeve të shkretuara, dhe qytetet e tij do të jenë një shkreti për dyzet vjet, në mes të qyteteve të shkatërruara, (Ezekiel: kap. 29/12 ), ku vetë poeti shkruan: Ai, Egjiptit i tha: Unë të dua, unë të zhduk,/të miat janë rëra, dherat, drurët… lumi. Kjo mund të quhet edhe analogji lëvizëse e botës, si një kthin në zanafillë, apo në format më të vjetra paramitike dhe parabiblike. Mënyra e qasjes dhe strukturimi i ligjërimit poetik dhe formave të shprehjeve letrare në raport me kodin dhe mesazhin poetik e mbrendëson poezinë nga përjetimi i përjetshmërisë së fjalës (Spahiu: 2021), ashtu siç kanë mbrendësuar të krishterët mesazhet biblike, përmes një analize strukturale të vetë thelbit substancial të librit të shenjtë, Biblës.
BIBLIOGRAFIA:
1. Aliu, Ali. (2018): Urtia solomoniane e poezisë së Sadik Bejkos, “Limit.al”
2. Bejko, Sadik. (1997): Letër Hamurabit, “Afërdita”, Tiranë.
3. Bejko, Sadik. (2006), Fytyrë e panjohur, ”Ideart”, Tiranë.
4. Bejko, Sadik. (2017): Këngët e Solomonit, “Toena”, Qendra PEN, Tiranë.
5. Bibla. (2002): Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e re: Ezekiel, kap. 17, v: 3, kap. 29, v: 5/12, kap. 33, v: 22: Shoqëria Biblike Shqiptare, (SH.B.SH), Tiranë.
6. Bloom, Harold. (1997): The anxiety of influence, a theory of poetry: Preface, The Anguish of Contamination. New York, Oxford: Oxford University Press.
7. Çiraku, Ymer. (1999): Poezi gravurë, “Mehr Licht”, nr 9, Tiranë.
8. Hirsch, Edward. (1999): How to read a poem and fall in love with poetry: San Diego, New York, London.
9. Sopaj, Nehat. (2017): Poezia e Bejkos në përmbledhjen poetike “Letër Hamurabit”, “AlbSpirit”, Tiranë. https://alb-spirit.com/…/prof-nehat-sopaj-poezia-e… hamurabit/
10. Spahiu, Natasha. (2021): Sadik Bejko dhe libri poetik “Psalm për atin”, “AlbSpirit”, Tiranë.
11. Steiner, George. (1997): Nostalgia for the absolute, Canada: House of Anansi Press.
12. Tresidder, John. (2011): Dictionary of Symbols, Watkins Publishing.
13. Velaj, Alisa. (2021): Poezia si shenjë e ringjalljes, “Peizazhe të fjalës”, Tiranë.
Please follow and like us: