Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: In Memoriam, At Pjetër MESHKALLA

 

KANGA  E  ARISTOTELIT

Filozofia nuk ndahët nga jeta, as arësyeja nuk ndahet nga natyra.

Zhénia e filozofit thellohet e etshme ndër misteret e jetës, me fuqinë e mendjes mishnon në vehte të Vërtetën dhe të Mirën, që natyra i mban në gji. Até të Vërtete dhe até të Mirë, që çdo njeri i ndien në shpirt, por që vetëm zhéniu di të na zgjojë e të na e bajë të vetëdishme. Por kur zhénia e filozofit, në vrullin e spekullimeve të mistereve të natyrës dhe të ligjëve të saj, prek tèk e paarritshmja, atëherë ai ndien gjithë Madhninë e Universit dhe, vogëlinë e tij të pamasë, por nuk epet…

Ku mbaron filozofia, fillon poezia.

Zhéniu me fletët e intuicionit e të sentimentit zhytet në Dritën e “të mëdhajave psehe”. Në këte Dritë, ajo nuk sheh ma, ajo ushqehet me shkelqimin e së Vërtetës e të së Mirës dhe i këndon Gjithësisë dhe Hartuesit të saj.

Nga metafizika e thatë shpërthen Lirika si burim i gjallë.

 

VERSIONI  I  DYTË

 

Në mes të dy skâjeve ekstreme:

       Materia e parë,

            abstraksion absolut,

                  pa formë qénësore

                        pa akt, as çka, as çfarë, as sa,

                                           dhe, Ent Suprem,

                  akt i pastër

                        i parë,

                                 qendron Natyra:

            Krejt nji botë në lëvizje,

      me shkallë hjerarkike,

           ku, kénja e ultë pushon

           në gji të kénjes ma të naltë.

 

Natyra kërkon shkakun e kénjes së vet,

      kërkon principin e jetës

      që, i jep gjallëni Gjithësisë;

     kërkon qellimin e sendëve,

      shumën e proçeseve rilindëse,

      kushtin inherent të rritjes,

      dhe, të përsosmënisë së parreshtun.

 

Natyra kërkon Dritën

      që, të çon té Shkaku i Parë:

           I pashkaktuem

               imaterial,

                Universal

                    infinit,

                        etérn!..

      që, të çon té Kénja e Parë;

      që, asht ajo vetë Kénja dhe Kénsia,

          ajo vétë Mendje e Mendim.

 

Mendim pa fillim,

      pa mbarim,

          pa ndryshim;

Mendim vetë-krijues, në Amëshim,

Mendim jashtë-veprues, në kohësim;

      “Mendimi i mendimit”,

           mendimi i tashit etérn!

 

Pa’ té asht veç hiçi;

      nëpër té, Gjithësia,

           pa té, asgja nuk qëndron!

E ndien Natyra théllë

      tërheqjën drejt Hartuesit,

Bota përshkohët e etëshme, e dashunueme për Té!

      Diçka Hyjnore

           lëvizë anëmbanë

                në Univers:

 

Lëvizë mbrendia kénsore e sendeve,

      që, burimin

           ték Ai e ka e, tek Ai priret.

Këtu, thehët copë-copë;

      nën peshën e Orakullit të Natyrës,

      nën peshën e të mëdhajave “Pséhe”

                pena e Zhéniut;

                gjuha e Zhénisë

                     belbëzon…

                         nuk shpreh dot çka shijon…

Vetëm, mbi-Natyra

      me zanin e Revelacionit e të Mistikës

                mund të na bijë,

            nji  “Fjalë  të  Ré”!..

BB, Shkodër, 1982.

 

Shenim FR: Versioni i Parë asht shkrue nga Autori në Burgun Burrel.

 Melbourne, 9 Nandor 2021.   

Please follow and like us: