Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: KUR NDIQNIM FSHEHURAZI FESTIVALIN E SAN REMOS

Qyteti bregdetar kishte akses për të parë televizionet italiane. Antenat penguese të pushtetit nuk arrinin t’i pengonin valët. Në verë ndiqnim fshehurazi Festivalin e San Remos. Ishte koha kur në Itali shkëlqente muzika e Adriano Çelentanos, Minës, Toto Kotunjës e Nikolla Dibarit. Ishin këngë të bukura që të tërhiqnin. Edhe unë që vija nga fshati dhe që nuk i kisha dëgjuar më parë fillova t’i pëlqeja, t’i këndoja e të kërceja me to. Muzikën e tyre e bënim pjesë të mbrëmjeve tona të vallzimit. Por si ta shihnim Festivalin e San Remos? Bregdeti dhe Fushë Kruja nuk kishin nevojë për antena dhe nuk binin në sy. Maksimumi vendosnin një kanaçe në antenën e Tiranës dhe Italia shikohej xham. Por si ta fshihnim kanaçen? Ajo dukej. Spiunët ishin me shumicë.

Një grup shokësh dhe disa shoqe morëm autobuzët dhe shkuam në Fushë Krujë te shokët e Gjimnazit të këtij qyteti. Organizimin e kishte bërë Nadirja, maturantja e kësaj shkolle, që nuk çante kokën për njeri se ishte bijë komisari, bijë sekretari partie e bijë partizani. Dritaret e sallës së televizorit i mbuluam me badanije, që të shikohej më mirë dhe që të mos na shihnin nga jashtë. Si për inat disa fëmijë të vegjël rrinin në dritare për të parë se çfarë shihnim ne, më të rriturit.

Festivali ishte i bukur. Këngët i mësuam me muzikë dhe tekst. Ishim të etur  për të ditur se çfarë bëhej përtej detit, larg Shqipërisë. Kurioziteti i adoloshentëve dhe gjimnazistëve e kalon çdo lloj parashikimi.

Por ja që ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte, ajo që e dinim dhe që e prisnim. Dikush na kishte spiunuar. Në sallë ja behën një mësues dhe një punëtor operativ i zonës.

Operativi pyeti:

-Çfarë shikoni tinzërisht?  Italinë? Nuk ju pëlqen Shqipëria?

Një shok tha: ‘Po shikonim sport, futboll. Futboll ka edhe televizioni shqiptar‘.

-Kujt ja shisni këto ju? Ju po shikonit muzikë borgjezeeee! Ngriti  zërin dhe e zgjati edhe më shumë fjalën… gjezeeee…

Të gjithë shtangën.

Guximin e mori Nadirja. Nuk po bëjmë ndonjë gjë të keqe, televizor po shohim.

-E kujt je ti moj vajzë ? pyeti punëtori operativ i zonës.

-E Rako Cakajt, u përgjigj Nadirja.

-E komisarit, moj? Pu pu pu…

-Dilni jashtë shpejt dhe të mos përsëritet më ky veprim se ua tregoj vendin pastaj, u hakërrye oficeri i sigurimit të shtetit.

Të gjithë dolëm jashtë me shpejtësi duke përfituar edhe nga errësira që të mos na fiksonim me fytyra dhe me emra e mbiemra. Për disa ditë pritëm me ankth se çfarë do t’i thonin Nadires, por Nadirja i kishte krahët e ngrohta. Punëtori i sigurimit kishte takuar komisar Rakon dhe i kishte premtuar se këtë çështje nuk do ta raportonte më lart, por që e bija duhet të bënte kujdes që të mos dilte në rolin e organizatores. Ka të tjerë që duhet të dënojmë,  kishte thënë punëtori operativ.

Nadirja nuk e mori më guximin, por edhe ne ndryshuam vend dhe taktikë.

 

Please follow and like us: