Xhelal Zejneli: FAKTORI POLITIK SHQIPTAR DHE VMRO-ja
Që prej vitit 1991 deri më sot, faktori politik shqiptar ka qeverisur me të dyja partitë politike sllavo-maqedonase, d.m.th. edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-në. Vitet e fundit, LSDM-ja e drejtuar nga Zoran Zaevi u duk sikur u reformua. Ky subjekt politik iu përkushtua procesit të integrimit në organizmat euroatlantik.
Partia tjetër ndërkaq, VMRO-ja hiqej si parti sllavo-maqedonase – nacionaliste. Gjatë gjithë periudhës së pluralizmit apo të tranzicionit, ky subjekt politik ka synuar të ndërtojë një Maqedoni:
– sllavo-maqedonase;
– unitariste;
– monoetnike; dhe
– centraliste.
Ideologjia kombëtare e VMRO-së ka qenë dhe mbetet nacionaliste, retrograde dhe anakronike. Diskursi politik i kësaj partie ka qenë dhe mbetet romantike dhe ksenofobike, ndërsa retorika politike e saj ka qenë dhe mbetet e llojit të shekullit XIX, antidemokratike dhe antihistorike.
Që nga fillimi i pluralizmit e deri më sot, ky subjekt ka qenë dhe mbetet parti politike thellësisht antishqiptare. Nga ideologjia politike e kësaj partie, i bie që shqiptarët të jenë qiraxhinj në troje të veta.
Sipas VMRO-s, trashëgues të shtetësisë së Maqedonisë janë vetëm sllavo-maqedonasit. Mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë vetëm sllavo-maqedonasit. Shqiptarët nuk janë veçse minoritet apo pakicë kombëtare, njësoj si vllehtë, romët, turqit …
Ideologjia nacionaliste e VMRO-s, nuk i zgjidh problemet e Maqedonisë, as në planin e brendshëm dhe as në atë rajonal. Përkundrazi, i thellon ato.
Pa i zgjidhur çështjet e hapura, si ato të brendshme, ashtu edhe ato rajonale, Maqedonia nuk mund të integrohej në strukturat euroatlantike. Nga kjo rezulton se VMRO-s nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson as sot çështja e integrimit, as në NATO as në BE.
Në planin e brendshëm, pala sllavo-maqedonase duhej t’i zgjidhte çështjet që ndërlidheshin apo që ndërlidhen me shqiptarët, ndërsa në planin rajonal – çështjet që kishin të bënin apo që kanë të bëjnë me Greqinë, përkatësisht me Bullgarinë.
Nuk ka qenë dhe nuk është në interes të shqiptarëve të presin pafundësisht integrimin e këtij vendi në NATO dhe në BE. Integrimi i Maqedonisë në organizmat euroatlantikë, për shqiptarët është interes mbi interesa, është kryeinteres.
Ideologjia politike e VMRO-s e largon Maqedoninë nga familja perëndimore, nga bota demokratike. Ideologjia e saj, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, e çel rrugën për penetrimin e Rusisë në Maqedoni, e sjell ndikimin rus, e shndërron Maqedoninë në zonë ruse të interesit dhe në sferë ruse të ndikimit.
Me VMRO-në, Marrëveshja e Prespës sot e kësaj dite nuk do të ishte arritur, nuk do të ishte nënshkruar. Rrjedhimisht, Maqedonia do të vazhdonte të mbetej jashtë aleancës politike ushtarake të NATO-s.
Me VMRO-në, askush s’e di se kur mund të arrihet një kompromis me Bullgarinë. Nga kjo del se rrugët e Maqedonisë për në BE do të jenë të mbyllura. E mbetur pafundësisht jashtë Brukselit, Maqedonia do të lëngojë ekonomikisht. Jashtë Unionit, qytetarët e këtij vendi do të mbeten pa perspektivë. Si pasojë, tendencat e të rinjve për t’u shpërngulur drejt Gjermanisë do të intensifikohen.
VMRO-ja është parti politike e pareformuar. Është po ajo VMRO e fillimit të pluralizmit. Kjo parti funksionon me idetë romantike të shekullit të kombeve – shekullit XIX.
VMRO-ja kurrë nuk u distancua prej atyre që brohorisnin:
– shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur;
– dhoma gazi për shqiptarët;
– indianë (kështu i quajti shqiptarët ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska e radhëve të VMRO-së);
– Avio-impeks (Aludim për aeroplanin Jak 40 të kompanisë ajrore Avioipex që u përplas në kodrën e malit Trojan, në afërsi të aeroportit të Ohrit, më 20 nëntor 1993, në orën 23 e 45 minuta, me ç’rast humbën jetën 115 udhëtarë, kryesisht shqiptarë, të cilët udhëtonin në relacionin Gjenevë-Shkup).
Kjo parti kurrë nuk u distancua prej atyre të cilët nëpër manifestime sportive përdornin fjalë dhe shprehje degutante, e fyenin dhe e shanin femrën shqiptare.
VMRO-ja kurrë nuk e njohu zyrtarisht Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, përkundër faktit se këtë marrëveshje ndërkombëtare e kanë nënshkruar kryetari i shtetit Boris Trajkovski si dhe kryeministri Lubço Georgievski, që të dy të asaj partie.
Në janar të vitit 2004 duhej të zyrtarizohej Universiteti i Tetovës. Për ta parandaluar apo për ta penguar themelimin e këtij institucioni arsimor, deputetët e VMRO-s në Kuvend, mbanin fjalime maratonike që zgjatnin deri në orët e para të mëngjesit. Në çastin e votimit, u binin me lugë tenxhereve.
Më 27 korrik të vitit 2005 hyri në fuqi Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive. VMRO-ja bëri çmos që ta pengonte nxjerrjen dhe miratimin e ligjit të sipërthënë. U kanos edhe me Gjykatën Kushtetuese.
Më 11 janar të vitit 2018 u nxor Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili hyri në fuqi më 13 janar të atij viti. Duke qenë se ky ligj bënte të mundur që gjuha shqipe të përdorej në institucionet e pushtetit qendror, përkatësisht vendor, VMRO-ja bëri çmos që ta parandalonte nxjerrjen dhe miratimin e tij. U kërcënua edhe me Gjykatën Kushtetuese edhe me Komisionin e Venecias.
VMRO-ja kurrë s’e njohu Marrëveshjen e Prespës, të nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, e që hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019. Njësoj si Marrëveshja e Ohrit, edhe kjo e Prespës është ndërkombëtare. Pas të dyjave qëndron Uashingtoni (dhe Brukseli).
Nga sa më sipër del se çdo kërkesë primordiale të shqiptarëve, VMRO-ja e ka pritur në teh të shpatës.
VMRO-ja nuk donte të dëgjojë që kryetar i Kuvendit të Maqedonisë të bëhet një shqiptar, nuk donte të dëgjojë që ministër i Mbrojtjes, i Financave apo i Punëve të Jashtme të bëhet shqiptari. Kjo tregon se kjo parti ka qenë dhe vazhdon të jetë e kapluar nga obskurantizmi mesjetar. Koha e tregoi se Universiteti i Tetovës s’i bëri dëm askujt. Përkundrazi, aty kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë edhe studentë sllavo-maqedonas.
Më 9 tetor 2008 Qeveria e Maqedonisë e njohu pavarësinë e Kosovës. Po atë natë, të njëjtën e bëri edhe Qeveria e Malit të Zi. Kjo u arrit, jo me dëshirën e kryeministrit Nikolla Gruevski, por me urdhrin e Uashingtonit.
Në zgjedhjet parlamentare të para ca viteve, Gruevski u bëri thirrje qytetarëve sllavo-maqedonas që ta votojnë në mënyrë masive VMRO-në, në mënyrë që kjo parti, kur ta themelojë qeverinë, të mos varet prej votave të partive politike shqiptare. Kjo ishte një thirrje antievropiane, antidemokratike dhe antihistorike. Një apel i turpshëm. Të gjithë e dinë, i madh e vogël se pa shqiptarët s’ka Maqedoni. Tendenca për të krijuar qeveri pa shqiptarët, e shuan këtë shtet si flluskë sapuni.
Më 27 prill të viti 2017 ndodhën ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë. VMRO-ja kurrë nuk u distancua si duhet kjo dhunë barbare. Kjo i ngjante një tentative për grusht shteti. Por, forcat nacionaliste sllavo-maqedonase duhet ta dinë se puçet ushtarake apo grushtet e shtetit sot nuk ndodhin as në Afrikë apo në Amerikën Latine, e jo më në një vend evropian, që synon integrimin në familjen perëndimore.
Shqiptarët nuk duhet të humbin kohë me të ashtuquajturën Levicë. Nga sa më sipër del se midis këtij grupi dhe VMRO-së nuk ka ndonjë dallim thelbësor. Në Perëndim grupet parapolitike me pikëpamje të skajshme dhe ksenofobike, nuk lejohet të vinë në pushtet, madje edhe kur i fitojnë zgjedhjet, siç ishte rasti me politikanin ultra-djathtist austriak, lider i Partisë së Lirë (Freedom Party of Austria), Jorg Haider (Jörg Haider, 1950-2008).
* * *
Në zgjedhjet vendore të 17 tetorit, përkatësisht të 31 tetorit të vitit në vazhdim, VMRO-ja fitoi 42 bashki, me 228,374 vota apo 444 këshilltarë bashkiakë, ndërsa LSDM-ja 16 bashki, me 187,883 vota apo 375 këshilltarë. Si pasojë e kësaj humbjeje të thellë, kryeministri Zoran Zaev s’kishte si të mos jepte dorëheqje.
Zaevi humbi ngase:
– arriti kompromis me Athinën dhe e solli Marrëveshjen e Prespës;
– nacionalistët sllavo-maqedonas e fajësonin se gjoja lëshuaka pe para kërkesave të shqiptarëve.
Duke qenë se nacionalistët sllavo-maqedonas e shpallën tradhtar, Zaevi nuk pranoi më të arrinte një marrëveshje edhe me Bullgarinë. Pas një kompromisi me Sofjen, do ta shpallnin edhe kryetradhtar.
Në anën tjetër, përkundër Marrëveshjes së Prespës, ndryshimit të emrit të shtetit dhe hyrjes në NATO, Brukseli nuk ia çeli Maqedonisë dyert e integrimit në BE.
* * *
Maqedonia është shtet dyetnik: shqiptar dhe sllavo-maqedonas. Faktori politik shqiptar – Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare kurrë nuk duhet të heqin dorë nga mbrojtja e interesit shqiptar.
Arritjet e shqiptarëve këto tri dekada dikujt mund t’i duken pak. Por, mos të vijë puna që edhe këto arritje të nëpërkëmben. Interesi kombëtar është mbi interesin partiak, është interes mbipartiak, mbi interesin e grupeve, të koniunkturave dhe të nomenklaturave. Politika nuk është punë e militantëve partiakë, nuk është punë e shtabeve zgjedhore të lagjeve të qytezave. Politika kombëtare nuk është punë e injorantëve dhe e analfabetëve universitarë me ambicie të sëmura. Hapësira politike shqiptare nuk duhet të shndërrohet në teatër beketian.
Kërkesat e shqiptarëve këto tridhjetë vjet, nuk kanë qenë kërkesa territoriale. Kanë qenë kërkesa për barazi me palën tjetër. Barazi, jo në dëm të tjetrit, në dëm të askujt. Barazia e shqiptarëve e forcon Maqedoninë e Veriut, e forcon paqen dhe qëndrueshmërinë e saj. Dhe të rajonit.
Faktorët politikë të këtij vendi duhet ta dinë se nuk ka qëndrueshmëri, demokraci dhe shtet ligjor pa zhvillim ekonomik. Po qe se Maqedonia e Veriut i shmanget rrugës së integrimit, atëherë tranzicioni i saj do të zgjasë pafundësisht.