Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: SECILI LUTEJ NË MËNYRËN E VET 

(Fragment nga romani “Matura 72“

Mësimet vazhdonin në rutinën e tyre, por siç ndodh gjithmonë me nxënësit e ardhur nga fshati dhe me ata që kalojnë nga sistemi 8 vjeçar në atë të shkollës së mesme, të gjithë binin në mësime. Mësuesit tregohen të ashpër për të bërë seleksionimin. Kështu ndodhi edhe me mua. Rashë në mësime. Fillova ta pranoja notën tetë, edhe shtatën.

Mësuesve dhe nxënësve të asaj kohe u ngarkoheshin edhe  shumë detyra  jashtë procesit mësimor. Nuk kishin kaluar as tre muaj, kur ne si klasë na ngarkuan një detyrë të rëndësishme, një detyrë të posaçme.

Sekretari i partisë kishte thirrur në zyrë mësues Ndocin, që ishte vendali dhe i besimit katolik.  Me një buzëqeshje të shtirur, ai e ftoi atë në zyrë, i zgjati paketën „Partizani“, e ndezi dhe vetë, kruajti fytin sikur të kishte kollë dhe vazhdoi:

– S`është dhe aq e lehtë detyra, që do t`iu ngarkojmë,- i tha.

– Por jo e pamundur,- ia ktheu me takt mësues Ndoci.

– Më pëlqen gatishmëria jote, asgjë nuk ka të pamundur nën udhëheqjen e partisë sonë të dashur, tha sekretari dhe vazhdoi më tej:”Ta besuam ty personalisht këtë mision se je njeri i vendosur dhe me mbështetje në bazë. Disa duan që aksioni politik për prishjen e funksionit  të kishave dhe xhamijave dhe të rolit mashtrues të fesë të dështojë, por ne nuk do ta lejojmë, mbylli bisedën i kënaqur sekretari i partisë, i cili pak më herët  kishte qenë shumë në mëdyshje  se kujt do ta ja ngarkonte këtë mision të rëndësishëm.

-Ju do të shkoni te kisha e Shën  Gjonit dhe do të largoni ato njerëz që vazhdojnë akoma të frekuentojnë akoma kishën, sqaroi detyrën sekretari i partisë.

Sipas porosisë së sekretarit të partisë, Drejtoria e shkollës dhe Këshilli pedagogjik ngarkuan  mësues Dodën dhe mësuesin e fiskulturës Ndocin. Ata duhet të zgjidhnin një grup  nxënësish të urtë dhe besnikë që do të kryenin një detyrë të ngarkuar nga Partia.

– Do të jesh edhe ti Sako, më tha mësues Doda.

– Më caktoni edhe mua, u lut Neri, i cili kishte qef të dukej dhe të fuste hundët kudo.

– Mirë, hajde edhe ti Neri, por mos harroni nesër, ditën e shtunë herët në mëngjes, porositi mësues Ndoci. Vajzat mos i lajmëroni se është punë e vështirë ditën dhe natën, porositi përsëri mësues Ndoci.

Tërë natën nuk më zuri gjumi. Ç’ishte kjo detyrë e rëndësishme që do të kryenim  nesër dhe që po mbahej sekret deri të nesërmen ? Të nesërmen në mengjes herët u grumbulluam para murit rrethues të oborrit të shkollës. Ishim nja njëzetë vetë.

Kur u nisëm mësues Ndoci na tregoi se do të shkonim te Kisha e Shën Gjonit. Atje ishte bërë shqetësuese fakti se megjithëse kishte kaluar një vit që kjo kishë ishte shkatrruar, besimtarët akoma shkonin  atje, qëndronin një natë, luteshin dhe kërkonin shërim  me sytë e drejtuar drejt qiellit.  Kisha ishte rrënuar, por muret dhe gjithçka egzistonte. Njerëzit vazhdonin edhe pas shkatërrimit të saj,  të bënin pelegrinazhe te muret e saj, t‘i puthnin gurët, të luteshin pambarim.

Ishte tronditëse. Unë, akoma nuk e kisha marrë vehten nga viti 1967, kur me aksion dhe me „dëshirën“  e popullit e me porosinë e Partisë  kishim prishur objektet fetare në fshat. Akoma më tingëllonte në vesh zëri i gjyshes:“ Mos vë dorë mbi atë që e ka ngritur  me ndërgjegje  një popull i tërë“.

-Po ne do t’i kthejmë xhamitë në shtëpi kulture, moj gjyshe, i thosha unë me naivitet.

-Jo, bir. Shtëpia e kulturës është tjetër gjë dhe xhamija është tjetër gjë.

-Ç’do me thënë kjo tjetër gjë, moj gjyshe?

– Xhamija është shtëpi e besimtarëve që besojnë te Zoti i Madh, ndërsa shtëpia e kulturës është shtëpia e popullit për t’u dëfryer.

…Shumë djem e vajza të klasës u tkurrën nga ky ‘urdhër’, por nuk kishte kthim pas. Pati edhe ndonjë që mori çelësat e situatës dhe deshte të dukej.

– Unë kam qenë edhe kur i prishëm një vit më parë, tha Gjon Pambuku.

Asnjëri  nuk ja vuri veshin fjalëve të tij.

U ngjitëm njëri pas tjetrit monopatit të ngushtë që të çonte nga qyteti te kisha. Një ngjitje e vështirë nëpër gurë e shkrepa. I jepnim dorën njëri tjetrit për ta ndihmuar. Kjo ngjitje ja kalonte sportit të alpinizmit.

Kisha ishte ndërtuar që në epokën e luftërave iliro – romake dhe ishte restauruar herë pas here. Në këtë kishë kishte ardhur shpesh edhe  vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me të shoqen, Donikën për të bërë ritet fetare. Ajo ishte ngritur në gjoks të malit. Mali shtrëngonte fort atë dhe ajo i jepte zemër malit. Mali dukej i zemëruar. Ishte vrenjtur dhe po priste stuhinë. Pas pak çastesh dielli i fsheh pas reve dhe filloi një shi i rrëmbyeshëm.  Ne u trembëm. Qarkullonte gojë më gojë një histori se një togë ushtarësh që shkatërroi kishën, pësoi një goditje të madhe psikologjike sa që kaluan në çmenduri.

Vazhduam ngjitjen, një ngjitje e vështirë në një rrugë të ngushtë dhiare, përmes  shkrepave. Pak të të rrëshqiste këmba fluturoje në hon.

Në të errur arritëm te vendi i pelegrinazhit. Plot me njerëz nga të gjitha moshat, gra me fëmijë, pleq dhe të sëmurë. Vendin e lutjeve e kishin ngritur përsëri sikurse më parë. Në shpat të malit, në një gur të madh masiv kishin gdhendur një kryq të madh dhe foton e Shën Mërisë.

Jo vetëm te unë, por edhe te të tjerët , ndonëse asnjëri nuk guxonte ta thoshte, brenda vehtes na buçiste një zë që na thoshte:

– Mos shkon të prishni shtëpinë e Zotit! Ç’keni me të? Kush të dojë le të shkojë e të lutet.

Dhe me të vërtetë pelegrinët e ardhur nga ana e anës, kur na panë ne, ata i drejtuan sytë drejt nesh me lutjen:“Mos na e prishni kishën ! Kisha është e jona. Ajo është shtëpia e Zotit dhe e robit.“

Një nënë kishte sjellë fëmijën e saj shtatë vjeçar, të cilit i kishte ikur zëri. Gruaja kur na pa u tmerrua. U tmerrua edhe fëmija. Njerëzit e ardhur për pelegrinazh dhe për tu lutur na shikonin ne si shkatërrimtarë.

Unë u shkëputa paksa dhe fillova të lutem:“O Zot, më fal , por jam i urdhëruar dhe i detyruar”. Po kështu secili lutej në mënyrën e tij. Unë isha mysliman. Para treqind vjetësh të parët e mi katolikë kishin ardhur nga Mirdita dhe ishin vendosur buzë Drinit. Edhe mbiemrin e kishim marrë nga lumi. Koha, pushtimi i gjatë osman dhe islami bënë konvertimin tonë në fenë islame. Unë nuk dija të bëja kryqin, nuk dija të faleshe në kishë, por dija të kërkoja falje në mënyrën time, si njeri i penduar dhe i detyruar.

Mësues Doda e dinte mirë se në Kosovë dhe në Pejën e tij të dashur funksiononin  akoma kishat dhe xhamijat dhe se prindërit e tij luteshin çdo ditë e çdo natë për të. Mësues Ndoci ishte një besimtar i heshtur, por që nuk shprehej se po të flisje hapur nuk mund të punonte më mësues, bile as punëtor.

Sytë e mësuesve sikur na thonin:“bëni sikur tua ndjejë zemra“ . Ata nuk folën, nuk ndërhynë, nuk u folën as besimtarëve të ardhur. E çfarë mund t’u thoje atyre njerëzve të varfër e të sëmurë me sytë drejt qiellit?

Thonin se kjo kishë bënte mrekulli njerëzore. U kishte kthyer njerëzve dritën e  syrit, u kishte kthyer dëgjimin, u kishte kthyer mendjen.

Atë natë e kaluam duke ndezur  zjarre  e duke u ngrohur me frymën e njëri tjetrit. Të nesërmen në mëngjes u kthyem në qytet. Edhe besimtarët në të  zbardhur të ditës u larguan para nesh duke na e lehtësuar punën. Nuk qe nevoja që mësuesit të na porositnin që të bënim kujdes me fjalët që do të flisnim lart e poshtë, pasi e kishim mirë parasysh që të mbronim vehten dhe të mbronim mësuesit.

Të hënën në mëngjez  mësuesit raportuan në këshillin pedagogjik se detyra ishte kryer. Sekretari i partisë kishte kërkuar detaje gjatë raportimit se i duheshin për të raportuar  në Komitetin e Partisë, por dy mësuesit tanë ishin përgatitur edhe  për detajet.

 

Please follow and like us: