Albspirit

Media/News/Publishing

11 NËNTORI, DITA E PËRKUJTIMIT DHE SIMBOLI I LULËKUQES NË BRITANI E VENDET E COMMONWEALTHIT – DATA QË SHËNOI FUNDIN E LUFTËS SË I BOTËRORE

Geron Kamberi 

Në këto ditë Nëntori kush ka patur rastin të ndodhet në Britani, të ndjekë BBC apo të ketë takime me qytetarë apo zyrtarë britanikë që jetojnë në Shqipëri, do t’u ketë rënë në sy, një lulëkuqe e vendosur mbi veshjen e tyre. Historia e këtij simboli përkujton fundin e një lufte të tmerrshme me shumë viktima siç ishte Lufta e Parë Botërore (28.07.1914-11.11.1918). Simboli që i dallon veçanerisht anglezët dhe një pjesë të vendeve të Commonwealthit britanik gjatë ditëve që i paraprijnë kësaj date, është një histori interesante, e lidhur me një poet kanadez dhe dy humaniste.

ÇFARË ËSHTË DITA E PËRKUJTIMIT -REMEMBRANCE DAY

Dita e Përkujtimit (Remembrance Day), e njohur edhe si Dita e Lulëkuqes (Popy Day), për shkak të traditës së vendosjes së një lulëkuqe mbi veshje, është një ditë përkujtimore veçanërisht në Britani e shtetet anëtare të Commonwealthit britanik, e cila përkujtohet që nga fundi i Luftës së Parë Botërore dhe nderon pjesëtarët e forcave të armatosura që kanë vdekur në krye të detyrës. Sipas një tradite që ka filluar me Mbretin George V të Anglisë (03.06.1865-20.01.1936, periudha e mbretërimit 06.05.1910-20.01.1936) në 11 Nëntor të vitit 1919, kjo datë përkujtohet gjithashtu edhe nga shumë vende që nuk janë anëtare të Commonwealth-it. Në shumicën e vendeve, Dita e Përkujtimit (Remembrance Day) festohet çdo 11 Nëntor për të kujtuar atë që njihej më parë si Dita e Armëpushimit (Armistice Day) që i dha fund Luftës I Botërore (28.07.1914-11.11.1918). Kjo datë është e lidhur me armëpushimin e nënshkruar në  Compiègne të Francës nga përfaqësuesit e Gjermanisë dhe shteteve të Antantës (Francë, Britani, Itali, Rusi) midis orës 5:12 dhe 5:20 të atij mëngjesi dhe hyri në fuqi në në orën 11 .00 të asaj dite duke shënuar një rastësi të çuditshme, ora 11 e muajit të 11 të vitit! Fillimisht armëpushimi ishte parashikuar të skadonte pas një periudhe prej 36 ditësh dhe duhej të zgjatej disa herë. Një marrëveshje përfundimtare paqeje mes palëve ndërluftuese u arrit vetëm kur më 28 Qershor 2019 u nënshkrua zyrtarisht Traktati i Versajës që i dha fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore. Tradita e përkujtimit të kësaj date filloi më 10 Nëntor 1919 kur në në Pallatin Buckingham në Londër, Mbreti George V (03.06.1865-20.01.1936, periudha e mbretërimit 06.05.1910-20.01.1936) organizoi një “Banket për nder të Presidentit të Republikës Franceze”. Më pas, më 11 Nëntor 1919 në mjediset e Pallatit Buckingham u mbajtën aktivitetet e para zyrtare që përkujtonin Ditën e Armëpushimit (Armistice Day) që përfshinte një heshtje prej dy minutash si shenjë respekti për ata që vdiqën në luftë dhe ata që lanë pas. Kjo datë është festë kombëtare në Francë dhe është shpallur festë kombëtare edhe në shumë vende të ish bllokut të Antantës. Megjithatë, shumë vende perëndimore e kanë ndryshuar emrin e festës nga Dita e Armëpushimit (Armistice Day), në atë që tashmë njihet si Dita e Përkujtimit (Remembrance Day) siç ka bërë Britania dhe shtetet anëtare të Commonëealthit britanik apo qeveria e Shteteve të Bashkuara që për të përkujtuar këtë datë e kanë emërtuar Dita e  Veteranëve. (Veterans Day). Më 11 Nëntor 2018, në 100-vjetorin e saj, u mbajtën aktivitete në mbarë botën. Në Francë, më shumë se 60 krerë shtetesh dhe qeverish u mblodhën në Harkun e Triumfit në Paris.

LULËKUQJA SI SIMBOL I DITËS SË PËRKUJTIMIT

Çdokujt mund t’i ketë bërë përshtypje nëse është gjendur këto ditë veçanërisht në Britani që shumica e qytetarëve apo zyrtarëve mbajnë mbi veshjet e tyre një lulëkuqe artificiale që është simbol i asaj që tashmë njihet si Dita e Përkujtimit (Remembrance Day). Kjo lule njihet si lulëkuqja përkujtimore (Remembrance Poppy) dhe përfaqëson një lulëkuqe simbolike prej kartoni që vendoset mbi veshjen e çdokujt në shenjë nderimi për të përkujtuar personelin ushtarak që ka rënë në  luftë. Shoqatat e veteranëve në këto vende ofrojnë kundrejt një pagese simbolike lulëkuqet prej kartoni që njerëzit i vendosin mbi veshjet e tyre si shenjë kujtimi, por edhe kontributi që kanë dhënë me blerjen e tyre për të nderuar ata që kanë luftuar për atdheun. Fondet që arrijnë të mbledhin këto shoqata përdoren për qëllime bamirësie në mbështetje të aspekteve sociale dhe emocionale për anëtarët dhe veteranët e forcave të armatosura. Një nga iniciativat më të njohura në këtë drejtim është Apeli i Lulëkuqes i Legjionit Mbretëror Britanik (The Royal British Legion’s Poppy Appeal) ku gjatë ditëve që i paraprijnë datës 11 Nëntor shiten me dhjetëra mijëra lulëkuqe simbolike prej kartoni të cilat më pas vendosen mbi veshjet e gjithsecilit.

SI LINDI SIMBOLI I LULËKUQES PËR DITËN PËRKUJTIMIT NGA NJË POEZI

Simboli i lulëkuqes që përdoret në këtë ditë e ka origjinën tek poema `Në fushat e Flandrës’ (In Flanders Fields). Poema u shkrua nga mjeku kanadez John McCrae (30.11.1872-28.01.1918) më 3 Maj 1915. John McCrae (30.11.1872-28.01.1918) ishte një poet dhe mjek nga Guelph, Ontario në Kanada. Ai e kishte pasion poezinë dhe shkroi gjatë gjithë jetës së tij poezi të ndryshme. Veprat e tij më të hershme u botuan në mesin e viteve 1890 në revistat dhe gazetat kanadeze. Në moshën 41-vjeçare, McCrae (30.11.1872-28.01.1918) u regjistrua në Forcat e Ekspeditës Kanadeze, për shkak se Kanadaja si vend anëtar i Commonwealthit britaniik iu bashkua  Britanisë gjatë zhvillimit të Luftës I Botërore (28.07.2014-11.11.1918). Për shkak të  profesionit si mjek ai mund të shërbente në spitalet ushtarake, por doli vullnetar për t’u bashkuar njësive luftarake të këmbësorisë dhe si   mjek në terren pasi më parë kishte marrë pjeësë në Luftën e II-të Boere (11.10.1899-31.04.1902) të zhvilluar mes mbretërisë Angleze dhe Boerëve në Afrikën e Jugut. McCrae u rrit duke besuar tek ndjenja e detyrës për të luftuar për vendin e tij dhe nderin e perandorisë britanike. Ai e shkro këtë poezi pasi ishte dëshmitar i vdekjes së mikut dhe shokut të tij Alexi Helmer një ditë më parë gjatë Betejës së Dytë të Ypres (22 Prill- 25 Maj 2015), një qytet në jugperëndim të Belgjikës. Beteja e Dytë e Ypres u zhvillua nga 22 Prill-25 Maj 1915 për kontrollin e qytetit strategjik flamand të Ypres në Belgjikën perëndimore. Kjo ishte një nga betejat më të ashpra të zhvilluara gjatë Luftës I Botërore ku për herë të parë u përdorën gjatë luftimeve edhe armët kimike. Poema u botua për herë të parë më 8 Dhjetor 1915 në revistën ‘Punch’ me bazë në Londër. Dhe është një poemë lufte në formën e një rondeau. Vargjet e para i referohen lulëkuqeve që rriten midis varreve të viktimave të luftës në rajonin e Flandrës të Belgjikës. Poema është shkruar nga këndvështrimi i ushtarëve të rënë në betejë dhe në vargun e fundit të saj ushtarët u bëjnë thirrje të gjallëve që të vazhdojnë luftën. McCrae (30.11.1872-28.01.1918) e varrosi vetë mikun e tij dhe në atë moment ai vërejti sesa shpejt ishin rritur lulëkuqet rreth varreve të atyre që vdiqën në Ypres. Të nesërmen, ai krijoi këtë poezi, ndërsa ishte ulur në pjesën e pasme të një ambulance në një stacion fushimi ushtarak jashtë Ypres. Ky vend sot njihet si Vendi Përkujtimor i John McCrae (John McCrae Remembrance Place). Poema `Në Fushat e  Flandrës` është një nga poezitë më të cituara të periudhës së luftës. Si rezultat i popullaritetit të saj të menjëhershëm, pjesë të kësaj poeme u përdorën për të rekrutuar ushtarë dhe për të mbledhur para duke shitur bono thesari që të financonin shpenzimet e luftës. Përmendja në këtë poezi e lulëkuqeve që rriteshin mbi varret e ushtarëve të rënë e shndërruan atë në një nga simbolet përkujtimore më të njohura në botë për ushtarët e rënë në luftë. Poema dhe lulekuqet janë simbole të shquara të Ditës së Përkujtimit në të gjithë vendet e Commonwealthit britanik, veçanërisht në Kanada, ku poema “është një nga veprat letrare më të njohura të vendit. Ajo  është gjithashtu e njohur gjerësisht në Shtetet e Bashkuara, ku lidhet me Ditën e Veteranëve (Veterans Day) që është njëkohësisht edhe Dita e Përkujtimit (Remembrance Day).

GUERIN DHE MICHAEL – DY GRATË QË E SHNDËRRUAN LULËKUQEN NË SIMBOL ZYRTAR TË RËNËVE NË LUFTË

Lulëkuqja u shndërrua zyrtarisht në një lule simbol për të nderuar Ditën e Përkujtimit   Remembrance Day) falë kontributit  e fushatave të  dy grave të njohura siç ishte humanistja e profesoresha amerikane Moina Michael (15.08.1869-10.05.1944)  dhe profesores e humanistes amerikane Madame E. Guérin (5.02.1878-16.04.1961). Moina Michael (15.08.1869-10.05.1944) ishte një humaniste e profesore amerikane, e cila ishte tërhequr përkohësisht nga pozicioni i saj si profesore në Universitetin e Georgias në SHBA për të qenë vullnetare për American YMCA Overseas War Secretaries Organization. E frymëzuar nga poema e McCrae, në vitin 2018, ajo botoi një poezi të sajën të quajtur “Ne do ta ruajmë besimin” (We Shall Keep the Faith). Në nderim të poemës së McCrae, ajo u zotua të mbante gjithmonë një lulekuqe si një simbol kujtimi për ata që luftuan dhe dhanë kontributin e tyre në Luftën e I Botërore (28.07.1914-11.11.1918). Në një konferencë të American YMCA Overseas War Secretaries Organization që u zhvillua më 17 Nëntor 1918, ajo u shfaq me një lulekuqe mëndafshi që e kishte vendosur  në pallton e saj dhe shpërndau njëzet e pesë lulëkuqe të tjera për të pranishmit. Më pas ajo bëri fushatë për të miratuar lulëkuqen si një simbol kombëtar të Ditës së Përkujtimit (Remembrance Day) që ishte 11 Nëntori. Ndërkohë  Madame E. Guérin (5.02.1878-16.04.1961) lindi në Vallon (Pont-d’Arc), Ardeche të Francës do të  ishte ideatorja e Ditës së Përkujtimit të Lulëkuqes (Remembrance Poppy Day). Nga ana tjetër veprimtaria e saj kishte qenë e lidhur me mësimdhënien duke qenë mësuese në Madagaskar, mësuese e pedagoge e gjuhës frënge të Aleancës Franceze (Alliance Française) si  edhe gjatë Luftës së Parë Botërore (28.07.1914-11.11.1918) kishte shërbyer si një mbledhëse fondesh dhe humaniste  në Shtetet e Bashkuara. Për shërbimet në Francë, asaj iu dha dekorata Oficier d’Académie’ Médaille dhe Officier de l’Instruction Publique Médaille, ndërsa  për shërbimet e saj në Shtetet e Bashkuara, iu dha dekorata  Liberty Bond. Fillimisht, përmes organizimi nga ana e saj të Ditëve të të Lulëkuqes (Poppy Days) në SHBA, përfituan vejushat dhe jetimët e rajoneve të Francës që ishin të shkatërruara nga lufta. Si rrjedhojë ajo u pagëzua si “Zonja e Lulëkuqes nga Franca” (Poppy Lady from France). Në lidhje me idenë e saj origjinale për të krijuar Ditën e Lulëkuqes mes Aleatëve (Inter-Allied Poppy Day) ajo u ftua t’i drejtohej Legjionit Amerikan (American Legion), në Kongresin që u organizua në Cleveland, Ohio më 27-29.09.1920. Ideja e saj ishte që të gjitha vendet aleate të Luftës së Parë Botërore të përdornin lulëkuqen artificiale, të bëra nga të vejat dhe jetimët francezë, si një emblemë për të kujtuar ata që dhanë jetën gjatë Luftës së Parë Botërore dhe, në të njëjtën kohë, për të krijuar një mënyrë për mbledhjen e fondeve, për të mbështetur familjet e të rënëve dhe ata që kishin mbijetuar, më pas. Tashmë simboli i Lulëkuqes të Përkujtimit (Remembrance Poppy) përkujton të gjitha konfliktet që kanë ndodhur që në atë periudhë. Në konferencën e tij në 27-29.09. 1920, Legjioni Amerikan (American Legion) miratoi lulëkuqen si simbolin e tyre zyrtar të Ditës së Përkujtimit (Remembrance Day) që më vonë do të bëhej Dita e Veteranëve (Veterans Day). Pas kongresit, Legjioni Amerikan gjithashtu miratoi lulëkuqenë si lulen e tij përkujtimore dhe u angazhua për të mbështetur zonjën Guérin në Ditën e saj të planifikuar të Lulëkuqes në SHBA. Madame Guérin organizoi me sukses Ditën e parë mbarëkombëtare të Lulëkuqes në SHBA (National Poppy Day) gjatë javës përpara Ditës së Përkujtimit në maj 1921 duke përdorur lulëkuqe mëndafshi të bëra nga të vejat dhe fëmijët e rajoneve të shkatërruara të Francës. Pas organizimit të  Ditës së Përkujtimit (Remembrance Day) në vitin 1921 në SHBA, zonja Guérin udhëtoi për në Kanada.ku më 4 Korrik 1921 Shoqata e Veteranëve të Luftës së Madhe të Kanadasë miratoi gjithashtu emblemën e lulekuqes si dhe konceptin e Ditës së  Lulëkuqes mes Aleatëve (Inter-Allied Poppy Day). Ata ishin veteranët e parë të ushtrisë së Perandorisë Britanike (paraardhësi i Commonëealthit britanik) që e bënë këtë. Madame Guérin dërgoi kolonel Moffat nga Kryqi i Kuq Amerikan  në Australi, Zelandën e Re,  Afrikën e Jugut si përfaqësuese e saj. Më pas ajo udhëtoi për në Britaninë e Madhe, ku informoi Field Marshallin Douglas Haig (19.06.1861-29.01.1928) dhe Legjionin Mbretëror Britanik (Royal British Legion) për idenë e saj, të cilët e miratuan më pas këtë ide duke e bërë simbol të datës 11 Nëntor.

Please follow and like us: