Nexhat Halimi: Buka dhe guri
E nxora nga xhepi fletën e gazetës, e shikova shiun nga binte mbi mështeknën para dritares së hotelit dhe mora ta lexoja shkrimin për Hebilin e furrën “jeta”, të Aron Xhumhurit. A e ka shkruar Artoni apo unë. E lexoj e më dridhen buzët, më pastaj tërë kraharori dhe zemra më rrah me hov…
-Një shkrim emocional, me disa burime dhe mallëngjyes.
…Për çdo mëngjes, me vjet, ec shpatullës së rrugës, që përpihet ndërmjet shtëpive të vjetra të qytezës në gjarpërim për te liqeni artificial, të ndajë në dy pjesë parkun nacional të Gërmisë. Herë ik vetëm deri te furra, e herë tjetër e marrë për dore çupën e vogël, të buzëqeshur, me kike të shkurtra dhe në fustan të kaltër me flutura të verdha, të kuqe e të blerta. Fustani i ngjet në hapësirën qiellore, të zbukuruar me dritëza yjesh. Rruga gjarpëron në ikje-ardhje, e gjallëruar, pak në të përhirtë, përshkon vetëtimthi kthesat me automjete të cilat rrëshqasin ngjyra-ngjyra e unë ndalem para shtëpisë numër 37-të, te furra “Jeta”, e cila, natën e ditën të hapur e ka derën për mua e – secilin. Ndalem aty e shikohem sy më sy me njeriun, që tashmë më njeh dhe më flet preras, – sa bukë i do, një apo dy?
Unë s’flas fare. Ai vetëm shpreh se gjendet para meje dhe çdo gjë është e qartë.
Buzëqesh pak, me një flatër drite të derdhur fytyrës, më pastaj – ngrehet majë gishtash, m`i zgjedh me sy bukët veçsa të dala nga furra, ende nga avullojnë, e – me kaq, përfundon çdo gjë.
-Të bëfshin mirë, – më ndjek zëri kumbues prapa.
Çupës, pa e pyetur fare, ia zgjat një gjevrek me fara të susamit, që i ka për qejf. Ajo nuk e merr, heziton. Më shikon dhe ndërsa vëren që unë e lëviz kokën, në shenjë pohimi, qeshet pak dhe me një të folur zë ulët falenderohet. E merr gjevrekun e largohet, duke e grimcuar pak nga pak. I ik prapa hijes së çupës, e në furrë ngelë ai, aty të thithë erën e bukës së valë. I pret klientët që presin në radhë, me secilin të sillet njëjtë, me mikpritje. Unë – tretur në udhët e fshehura të jetës, kthehem në shtëpi, pa e kujtuar ndonjëherë më gjatë atë njeri me buzëqeshje të natyrshme, të shkrirë nëpër fytyrën thatime. Kjo, por, për çudi… e gjithnjë e njëjtë, nga dita më ditë, pjesë-pjesë, nisi të jetojë te unë me tiktak më të gjallë, të më bëjë për vete… të më ngacmojë e të më ther,
– Kush është e nga është ai njeri?
Pse gjithherë është i heshtur, a i dhemb ndokund apo çfarë ka, pse gjithherë i ka sytë të skuqur, e – buzëqeshja, qoftë dhe tepër e zbehtë, kurrë nuk i zbret nga fytyra. Pse është gjithherë kaq i lodhur, prej nga gjithë ato rrudha të thella e të ngatërruara në ballë, ndërsa – është e qartë, nuk bart në shpatulla kaq mote sa ia ngarkon pamja e jashtme!?…
-Pamja e jashtme, megjithatë, nuk e flet tërësinë e tipareve dhe të vetive shpirtërore të botës së brendshme…
Në orët e vona të natës, për dritare e derdh shikimin te vrushkujt e verdhë të hënës. Në heshtje të tërësishme i ndjek yjet dhe hënën mbi Drinin e Bardhë, ndërsa gjoku që tërheq qerren për në kodër, çukërmon gurët magjik të ëndrrës. I ndjek shqerrat qiellit të ndezur dhe përsëri kthehet aty ku i pushojnë këmbët. I bëhet se i mbush ende tinarët me ujë të Drinit dhe merr rrugës së rrahur, të arrij të derdhë ujin në pusin artificial të shtëpisë. E kujton të kaluarën, me të cilën është e lidhur dhe tashmë e gjithnjë. Etja e vendlindjes ia zgjon kthimin dhe flet me listat, me hijet dhe vetveten e mbetur larg në Has. Dritat e derdhur nga hëna, në tufa, ia zgjojnë kompozimin e bukur të qytetit, të gërshetuar me detaje të ashpra të së resë me të vjetrën…
Një gërshetim mahnitës.
Buzëqeshet dhe i kthehet gatimit të bukës.Apo ndonjë herë del nga furra dhe merr të ecë. Zbret rrugës përballë, i afrohet Taukbahçes. Buzëqeshë përvajshëm dhe prapë e rikujton zërin e fëmijësë, të mbetur në pritje të babait bashkë me gruan e re. E shikon Hënën nga ndrit mbi kreshtat dhe e përjeton rrjedhën e furishme të ujit të Drinit të bardhë
-Në këtë kohë, – bluan në vete. – do të përjetoja çastet më të këndshme në fund të rrjedhës së Drinit. Zbrisja me karrocë, me tinarët e zbrazët dhe i mbushnim ujë. Atje, në Has, gjëja më e rëndë qe mungesa e ujit. Tinarët i zbraznim në puse për të pasur ujë një kohë më të gjatë. Më pëlqen ajo copëz e jetës e mbetur atje. E shikon prapë hënën lart dhe merr të gatuajë bukë të freskët për mëngjes…
Mjeshtërinë e gatimit të bukës e ka zanat dhe preokuptim.
Bukët i përzihen me fytyrat e fëmijëve e të gruas dhe natyrisht e këput ëndrrën, për ta vazhduar prapë.
Ja, prapë, dhe këtë mëngjes e ec të njëjtën rrugë deri te e njëjta furrë, deri te e njëjta shtëpi, deri te i njëjti njeri. E diele është. Ende s`është zgjuar jeta nëpër rrugë. Bie heshtje e s` dielës, e mërzitshme, pikërisht para thyerjes nga kambanat e kishës nga lagjja tjetër. Ndërmjet heshtjes e shpërthimit të thekshëm të rënies së kambanës, do të më ketë bartur mendja rreth e kryq vetes, rreth e kryq botës, e – ja, papritur, do të kem arritur prapë para të njëjtës furrë, me të njëjtat vite në kurriz, me të njëjtat dhembje e ëndrra. Rri para njeriut të njëjtë, që kaq gjatë e njoh e nuk e njoh aspak, që kaq mirë ia njoh dhembjen e s` ia njoh fare. Shikohemi sy më sy, në heshtje. Ai ngrehet, i zbret nga rafti dy bukë të nxehta, e mbasi m`i zgjat, këput fjalë, pa ndonjë përqendrim.
– Të dielat i kanë të vona mëngjeset!
Buzëqesh, – sall të ndodh diçka, të thyhet heshtja e brendshme dhe e jashtme.
– Mëngjeset … vijnë me ritëm të njëjtë. Njerëzit zgjohen më vonë! Ai më shikon thellë e ndoshta mendon,
– Ih, qime në ve kërkuaka ky…
E, çfarë mendoja unë në atë çast, pikërisht, të njëjtën gjë.
Tund kokën, lehtë, s` thotë asnjë fjalë tjetër. Vetëm pak e zgjon buzëqeshjen. E kuptoj ta kem ngacmuar pak. E shikoj njëjtë, me `i flatër të dritës në fytyrë.
– A të shihet hiç? – i them, ta shkrij pak akullin e panevojshëm mes nesh.
Kush?
Buka… kush tjetër!
Send i pa porositur është buka. Derdh kokrra djersësh tërë natën e herë-herë
të mbetet e pa shitur… – flet e më pastaj papritur, vendos, të më thërras brenda furrës. Ec të hyj e në mendje më ngacmon diçka e pashpjeguar. E heton hamendjen time dhe ndërhyn, –
Ec, mos ngurro. Sa për një kafe.
Shkel shkallën e parë, te e dyta prapë ndalem. Furra është dy apo tri shkallë në thellësi. E ec dhe shkallën tjetër dhe ndërkohë gjendem brenda. Ja, këtë herë jemi kaq afër, më afër sesa gjithmonë më parë. Më afron karrigen të ulem. Të vetmen karrige që gjendet brenda. Jemi afër. Sy më sy. Gju më gju. Ai zë e rrëfen për veten e unë vetëm e dëgjoj… e për herë të parë bëj përpjekje t’ia numëroj rrudhat në ballë, t’ia numëroj flokët e rralla e të thinjura, –
Thinjat, thonë, e flasin vuajtjen, dhembjen. Ç’ dhembje ka vallë, e cila ka lënë gjurmë të thellë në të?!
Tashmë… dua të të tregoj diçka tjetër.
Fol.
-Shumë të varfër vijnë të marrin në furrën time bukë pa pagesë… bukë të ftohtë, të mbetur nga dita e ikur!
A nuk të dhimbset buka e harxhuar në këtë mënyrë?
-Aspak. Shumë çuna e çupa në të kthyer nga shkolla, vijnë te sporteli e më lusin kush për ndonjë gjevrekë. Kush tjetër për ndonjë byrekë… Ndonjë herë bëhet radha e gjatë para furrës, marrin bukën e gatuar një ditë më parë e ikin të lumtur.
-Fëmijë më.
-Nuk flasin, veç e përshkruajnë gjendjen e tyre të varfër. Më dhimbsen. Herë ua paguaj pak sendin e blerë, e ndonjëherë nuk ua paguaj fare.
-Fëmijë më, – e përsëris.
-Te secili i shikoj sytë e fëmijëve të mi, të cilët i kam larg dhe ndej mall për ta.
– Ja pse të flas kështu për ata fëmijë e për bukën, sidomos?
E shikoj dhe lëviz këmbët. Hesht.
– Buka ndër epoka te populli qe ngritur në kalkë të shenjtë, -më shikon ai, më pastaj- sa për ta harruar acarin e bisedës, të ikjes në kohë të vështira, përpihet, i pikëlluar. Gjëja a e parë, që ndiej, me të hyrë brenda, është aroma e bukës. Mua kjo gjë më pëlqen tepër. Për të parën herë qëndrojmë kaq afër me njërin tjetrin, shfaqim mendime për rrjedha të qeta e shkulma, për mallin që pahetueshëm e grimcon gurin, për dhembjet, hallet…
Shikohemi sy më sy.
1
Ai e rrëshqet dorën nëpër hulli të ballit, ik larg nëpër perin e kujtimit…
-Herët, m’u në mëngjesin e jetës, ngelëm pa krahun e shtëpisë, pa babanë. Rruga, sado e vetmuar të jetë, nuk i mbyllet askujt tërësisht. Ne ende rënkonim me lot në sy për vdekjen e babait..Pa bukë, shpesh herë, me vetëm dy-tre grushte bar të zier në pak tambël e përcillnim një perëndim dhe e prisnim një lindje tjetër të ditës. Me një shpresë që nuk këputej tërësisht, që jetonte për të na e nxehur gjakun në urinë e zbrazët.
Jeta rridhte në gur, e ashpër.
Nuk kishim as bukë kallamoqe. Tokë fare pak dhe varfëria trokiste në derë. Të varfër, veç kurrë në shpirt nuk jepeshim të tillë, – këput fjalë furrëtari, Kadri Karavidaj nga fshati Mazrek i Hasit, e pandërprerë mbledh nëpër tryezë trohat e bukës së mbetur ndër plasa të dërrasave të sofrës.
-Ende i njomë, siç i thonë, ende shtalb, mora botën në sy për pak bukë në shtëpi. I lëviza këmbët nga më shpienin sytë. Filluan në këtë mënyrë lëvizjet e egra të kurbetit, të cilat dhe tashmë bëjnë çerdhe tek unë. Punoja çfarëdo pune të gjeja… Hija e gjyshit më vinte prapa e më këshillonte. Shijova edhe bukën me shatë kothere te xehetarit!
Më shikon ai dhe ofshan me frymë të rëndë të mallit për vendlindjen. Përsëri ndër plasa të tryezes kërkon trohë të bukës së mbetur. Përsëri e fërkon djersën e ballit dhe kthehet në fillimin e vet…
-Nuk mund të imagjinoj të ketë vuajtur kush më shumë sesa unë! Atje, në kurrizet e gurit më kishte mbetur familja e varfër, bukë nuk kishim as trohën… E unë kërkoja bukë. Po ku ta gjeja? Nuk më merrte kush të më mësonte ndonjë zanat. E afrohesha me gjithë fuqinë time rinore vetëm për kafshatë buke. Bredhjet nuk kishin fund. Askund nuk mund të bëja kryq më shumë se një ditë e një natë. Shtegtimi nëpër mjegull ishte fillimi im nëpër qytete të huaja, të pa njohura, siç është Smedervska Pallanka, Novi Sad, Beograd dhe Riekë… që tallazet e egra të jetës përsëri të më hedhin në Prizren, ku hapa dyqanin tim për byrek, petë për pite, kifle e byrek… Po, në fillim diçka harrova, nga zanati. E ndërkohë ndërroi jetë dhe gjyshi. Të filloi përsëri në Ferizaj, te xha Joza, ku për kafshatë buke derdha djersë tri vera. Me mote pa e parë askënd timin, të familjes e s’është i lehtë malli. Ai djeg në gji, si zjarri…”
Kadriu i futë në gojë trohat e bukës që gjithë kohës i mblidhte nëpër tryezë, e shikon diku larg përtej qelqit të dritareve, larg diku. Kush e di ku?
“Familjen, dhe gurin, tek ajo jeton, e kam larg, por edhe afër: Ata gjithmonë i kam dashuri, e ata mua edhe bukë”.
Dhe-qe tash, në Prishtinë, njëmbëdhjetë mote mbaj furrën, e cila, është burim i vetëm për jetë i gjashtëmbëdhjeti anëtarëve të familjes. Mirë jetojnë, atje në gurin tonë, por unë rrallë jam mes tyre. Rrallë i kam në parzëm fëmijët, ata pesë shkollarë, që një ditë ëndërrojnë kthimin tim, m’u ashtu siç i ëndërroj unë ata këtu, kur bien mbrëmjet e mermerta në qytet, kur mendja ik në shtëpi e më thërret, derisa rri me fytyrë në shuplaka, me kokë në dritare: a thua si janë? Mund të ngjajë shumëçka , e unë jam kaq larg”
2
Edhe njëherë Kadriu e zë perin e kujtimit.
Në fytyrë papra i vibron një nerv e do bula djersësh ndërmjet hullijve i shndrisin , siç ndrit dielli i mëngjesit.
“Ndryshe tash tirret jeta edhe atje, te ne, në gurin e thatë. Etje të gjatë kishim për ujë, e tash ai rrjedh kah qielli deri te ne, në shkrep, e deri vonë atë pikë ujë, ujë jete , e bartnim nga larg me gomarë, me brija në shpinë… Dritën e presim së shpejti. Shkolla nuk është larg për fëmijët. Gjatë kohë ishim të shkëputur nga bota, deri te ne s’mund të ngjitej njeriu as me gomar, e tash për çdo ditë autobusi kalon nëpër fshat. Në të gjitha këto aksione të djersës vullnetare pikoi djersa ime. Ajo djersa ime që nis e sos pikon në punë natën , këtu, në furrë, nis e sos para zjarri, tek piqet buka, kjo buka jonë e madhe, e bardhë…
Kjo bukë e ngritur në kalk të shenjtë!
Ai rrëfen e unë vetëm e dëgjoj. Më rrëfen për veten me zë të qetë, më rrëfen për Jugun. Aty ku dhemb dhëmbi ik gjuha! Rrëfen ngadalë e me kujdes, sa e tëra ngjet në përrallë. Flet, e flet, e – në të njëjtën kohë bëj përpjekje t`ia numëroj rrudhat në ballë, flokët e rralluara e të thinjura, të cilat, ndoshta ndopak, ia flasin gjurmët e vuajtjes, varrat që ka brenda, dhembjet e ëndrrat e kota. Flokët i kanë ikur pak në një anë-shtrembër, iu kanë ngrehur lart, i ngjajnë në brirë.
Ai e heton ku e përqendroj vëmendjen, shikimin ngulmues ia ik te flokët e ngatërruar. E heton këtë gjë dhe e ik buzën në gaz.
-Flokët i kam zënë keq gjatë gjumit, – thotë.
-Kënd ashtu…- bëhem se nuk e kuptoj.
-Flokët, de!
-Ah, flokët?
– E kush ka kohë t`i shikojë ato. Flokët! Nuk kujdesem shumë për to. Kërcej rrufeshëm nga shtrati, vishem, ia hedh dy grushte ujë fytyrës, të kthjellem pak e i rrekem punës. I bëj gati bukët, e – vetëm atëherë marrë pak frymë, e ik mendjen te dëshirat, te ëndrrat e synimet. Jetoj me botën time në shpirt e bukën e ha larg vetes e buzëqeshjes së atyre, që copë-copë e lidhin jetën time, e bëjnë një… Flet e flet e flet, i hutuar fare, qesh ndopak dhe e ngreh dorën te flokët, e rrëshqet gishtin nëpër hulli të thellë të ballit, ik larg, kthehet në udhët e ikura, perit të kujtimit, tehut të shpatës së padukshme, që ia përgjakin këmbët dhe shpirtin.
-Si ndodhi të ngjet tërë kjo?
– Çdo gjë ndodhi, siç pëlcet vetëtima. Ti mbyll sytë në frikë, tepër i shqetësuar, e më pastaj-papritur, i çel sytë e vëren të mos jesh aty ku qe, je diku tjetër-larg, diku pa asgjë që të takon ty, diku pa asgjë që ka gjak, zemër, shpirt të gurit prej nga je shkëputur.
Shikohemi sy më sy.
Ai lëviz pak dhe nga dhoma tjetër e sjellë një karrige tjetër. Ofshan… Në të njëjtën kohë unë vërej çupën e vogël, me kike të shkurtra, të buzëqeshet dhe të bëj me dorë, duke më kërkuar brenda furrës me sy. Mëngjesi thyhej në qelqet e furrës me rreze të ylberta
-Vajza ime, – them unë. – Ka ardhur ta marrë bukën.
– Jepja bukën e rri dhe pak, të bisedojmë.
-Marrë dy bukët dhe dua të dal… ta takoj vogëlushen time.
-Prit, – më thotë furrtari. Ma merr qesen me dy bukë nga dora dhe e çel derën e furrës. Shpejt e shpejt i rrëmben dhe dy apo tre gjevrekë me susam dhe i vendosë mbi bukët e ia jep çupës sime me kike.
-Merri! Tash vjen dhe babai. Nuk vonohet.
-Na duhej buka për mëngjes… Babai u vonua dhe unë dola me të shpjet të shoh çfarë ka ndodhur, – tha ajo dhe i futi gjevrekët në qese, gjithnjë duke më shikuar mua.
-Shko ti dhe shpije bukën në shtëpi. Unë nuk vonohem…
Ajo me një buzëqeshje të ngrohtë e nxori nga qesja njërin gjevrek dhe u nis të arrinte sa më parë në shtëpi.
Furrtari ktheu prapë në furrë dhe me një lodhje të dukshme do të përplaset në karrige…
– Ç`ndodhi, kështu, -tha. – Pse më rishfaqet fëmijëria ime, ikja nga shtëpia me gjyshin e… morëm rrugën e gjatë natën larg. Rruga pa kthim, e bërë gjarpër, na i kërkonte sytë, zemrën, gjakun… Iknin ditë, javë…vjet, e as unë, as ai, s`qemë asnjëherë, as në kohë as në ëndërr. Iknin çastet, ëndrrat. E përcillnim në pa kthim një perëndim, e prisnim një ag tjetër, kot! Asgjë nuk ndërronte, – këput fjalë furrtari , e pa pra nëpër tryezë mbledh trohët e bukës… – E përmbysnim një të keqe, na përplasej tjetra, më e rëndë, më e zezë, korb! Qëndronim me shpatë mbi kokë, me këmbë në gjemba. Gjyshi0 frymoi tërë kohën me varrë të vjetër në trup, gjithnjë të gjallë, e cila iu shërua vetëm me vdekje! Shtegtuam nga veriu e arritëm në këtë luginë nën mjegull.
Isha krah për krahu me gjyshin. Nuk më la vetëm të marrë udhë botës.
– Te ky hu, pikërisht te ky – me rrashtë të kafshës të ngulur në të, do të ndalemi, – tha preras gjyshi. Ajo, që thoshte ai nuk mund të ndërronte më. Vdekja ndërron, fjala kurrë! Ai hu, ajo kafkë, e – një rrap i vjetër në një hapësirë të pafund, në cepin e së cilës ndrisnin ca shtëpi të vjetra, e krijonin peizazhin e ftohtë të qytezës së panjohur, të lidhur në qetësinë e vet. Aty-aty tymonte ndonjë oxhak dhe e bënte të gjallë tërë këtë pamje të ngrirë… Ja, mes tyre, tash tymon oxhaku im, oxhaku i furrës “Jeta”. Tallazet e jetës s`u ndalën me hapjen e furrës e të ëmbëltores për bukë, byrekë, gjevrekë, për byrekë, për petë për pite, e pogaçe… Veç ballafaqimit me tallazet e egra të jetës, brenda meje e gjyshit pamëshirë rrodhi lumi i mallit, që s`e shuante etjen, veçse dita më ditë kthehej në flakë, digjte e djeg-zjarr, në gji! Gjyshja e nëna ngelën qyqe mbi degë të tharë druri, në gur të thatë, aty ku hëna me ndezullinë e vet djeg shpirtin e ëndrrën…
-I ka jeta lugjet e brigjet e veta. Herë i kalon me dhembje e herë tjetër i zgjon ndërmjet ëndrrash, që nuk vdesin. Natyrisht ti ëndërron, ngjashëm me secilin e nuk jepesh.
-Nuk jepem kurrë.
-Natyrisht, koha nuk e ha gurin… – I ndërhyra dhe me gjithë aromën e bukës mësyva të ik në shtëpi, me mendje gjithnjë te furrtari i Hasit të Prizrenit, i cili çdo çast të lirë e ëndërron ndërtimin e gjuhës së bukur të rrugës, në fshatin e vet, ëndërron ndërtimin e ujësjellësit, në të cilin do të rrjedh vija e ujit, e cila pikon e pikon për ta shuar banorët etjen e gurit e të zemrës.
Para derës vogëlushja me shoqen e vet loznin një lojë, të cilën e thërrisnin Ema-em-sesa. Ndërkohë çupa më vërejti dhe më tregoi se e kanë kryer kafjallin. Ushqimi i ndarë për mua tashmë është ftohur!
-S’ka gjë. E ha unë dhe të ftohtë kafjallin. Bukën që e ka gatuar Kadriu mund ta kapërdish pa e lyer me asgjë, – buzëqesha dhe mendja më shkoi t’i them për tregimin dhe furrën Jeta, veç aty për aty ndërrova mendje. Pse t’i them kush e ka shkruar atë copëz tregimi?