Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkitë nisin zbatimin e efiçencës energjetike pas marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës

Një projekt i ri i zyrtarizuar sot mes qeverisë shqiptare dhe asaj zvicerane do të sjellë një menaxhim më të mirë të energjisë në nivel kombëtar dhe vendor

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Ambasadori zviceran Adrian Maître nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e “Projektit të Bashkive me Energji Inteligjente” (SEMP), i cili do të vendosë modele të reja të menaxhimit të energjisë në të paktën katër bashki. Projekti i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO ka një buxhet prej 5.3 milionë franga zvicerane – afërsisht 4.8 milionë euro.

“Efiçienca e energjisë dhe energjia e rinovueshme janë shtyllat e politikës së energjisë së qëndrueshme dhe renditen lart në listën e prioriteteve të shteteve anë e mbanë globit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet dhe në bashkëpunim me Agjencinë për Efiçiencën e Energjisë është duke punuar intesivisht që të suportojë efiçiencën e energjisë në Shqipëri, si një koncept i ri, por me potencial të madh që premton fitime për qytetarët, mjedisin dhe vetë sistemin elektro-energjetik të vendit.

Rreth 270 mijë banorë të bashkive, pjesë e këtij projekti, do të përfitojnë drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë nga kursimet në koston e energjisë, nga ndriçimi i përmirësuar publik në kuadër të investimeve dhe të përfitimeve të shpejta“, tha Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

“Përfitimet janë të qarta: emetime më të ulëta të karbonit, cilësi më e mirë e jetës, reduktim i ndotjes, qytete më tërheqëse dhe kosto më të ulëta të energjisë. Le ta kthejmë këtë në një histori suksesi dhe në një shembull se si duhet të duket e ardhmja e energjisë në Shqipëri. Pres me padurim punën tonë të përbashkët për të ndërtuar bashki me efiçencë energjetike”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Aktualisht bashkitë nuk kanë vendosur një kuadër për menaxhimin e energjisë. Prandaj projekti do të punojë për të krijuar kapacitete për menaxhim më inteligjent të energjisë me Agjencinë për Efiçiencën e Energjisë dhe bashkitë Shkodër, Korçë, Berat dhe Përmet, të cilat u përzgjodhën për fazën pilot pas një procesi me tre hapa. Një përfshirje më e gjerë e bashkive të tjera po përgatitet ndërkohë. SEMP gjithashtu do të prezantojë modelin e Çmimit Europian të Energjisë i cili është standardi për të asistuar bashkitë në të gjithë Europën përsa i përket efiçencës së energjisë, energjisë së rinovueshme, dhe lëvizshmërisë së qëndrueshme.

Bashkitë do të mbështeten me plane të integruara energjetike dhe gjithashtu do të shpërblehen për performancën e mirë me fonde investimi dhe ndihmë të mëtejshme. Disa investime në infrastrukturë – projekte të fitimit të shpejtë – do të shërbejnë si demonstrime të efiçiencës së energjisë dhe do të përfshijnë ndriçimin publik, ndërtesat dhe transportin. Rezultati kryesor që pritet është rritja e aftësisë së bashkive për të planifikuar dhe menaxhuar energjinë në mënyrë më efiçente. Përafërsisht 270,000 qytetarë do të përfitojnë nga përmirësimi i ndriçimit publik dhe ulja e kostove të energjisë.

Projekti do të jetë i pari që adreson menaxhimin e energjisë në nivel bashkie. Ai do të forcojë kapacitetet e bashkive dhe të institucioneve kombëtare për efiçencën energjetike si dhe do të prezantojë teknologji të reja dhe mekanizma financimi për tregun energjetik të Shqipërisë. Projekti është një hap i rëndësishëm në angazhimin e Zvicrës për të mbështetur Shqipërinë në përdorimin efiçent të energjisë dhe në adresimin e ndryshimeve klimatike.

Please follow and like us: