Fedhon Meksi: Shkodra kishte një dinasti, atë të Mahmud pashë Bushatit
Dinastia Bushati – “Shkodra kishte një dinasti, e cila thuhej se ishte para turke, princërore, e ardhun nga trashëgimtarë të kthyer në islamizëm dhe që gjithmonë kishte jurisdiksionin legjitim të qytetit Shkodër dhe rrethinave (At Zef Pllumi: Histori kurrë e shkrueme, 55, Tiranë 2006, f.12). Studiuesi Hamdi Bushati jep pemën gjenealogjike të Bushatllijëve që fillon me Mehmet Pashën dhe vazhdon me Ymer Beun, Sulejman Pashën, Abdulla Pashën dhe Mehmet Pashë plakun, i ati i Mustafait, Mahmudit, Ahmetit dhe Ibrahimit (Bushati, H.: Kara Mahmud Pasha, Shkodër 2003, f. 377-386). Historiani turk A. Xhevdet Pasha (1822-1895) në faqen 95, vol. IV, ka shkruar se “Bushatllinjtë, që herët kanë sunduar Shkodrën. Edhe kur venedikasit e pushtuan këtë vend, i nderuan dhe u dhanë disa privilegje”. “Kur Sulltan Fahti Mehmeti (1432-1481) ose pushtuesi që pushtoi Kostandinopojën, pushtoi edhe Shkodrën thirri parinë e qytetit në mes të të cilëve ishin edhe prej Shtëpisë së Bushatllijëve, të cilët Sulltani i nderoi duke u lanë gjithnjë në dorë sundimin e qytetit, me qenë se kjo shtëpi kishte pranuar besimin mysliman” (Bushati, H.: po aty, f, 378). Historiani Ferit Duka ka shkruar: “Bushatllinjtë u larguan nga skena politike, por emri i kësaj familje bashkë me trashëgiminë e vyer që vjen nga koha e pashallëkut, mbetën të ngulitura në kujtesën e shqiptarëve”. Falë librit të At Zef Pllumit, është mundësuar që biografia e Mahmud pashë Bushatit, të nisë qysh nga fëmijëria e tij. Atë e ka shkruar Frati Erazmi nga Bolneo, françeskan, Misionar Apostolik në Shqipëri, i cili qe mësuesi dhe mjeku i Mahmudit që kur ai ishte vetëm dy-tre vjeç. Frat Erazmi kujdesej për shëndetin e djalit dhe për arsimimi e tij, deri sa ka shkruar se: “Mahmudin e kam rrit unë vet”. Me Erazmin ai mësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane. Më vonë kur e pyesnin se ç’i duhen Mahmud Begut gjuhët e “dhenave të latinit”, ai përgjigjej: “Ky sanxhak është në kufi me ta dhe jeta sjell marrëdhënie herë të mira, herë të këqija, por njohja e gjuhëve sjell vetëm të mira” (At Zef Pllumi, po aty, f. 86). Mahmudi ishte vetëm 16-17 vjeç kur Kapudan Pasha, një njeri i rëndësishëm në qytetin e Shkodrës dhe i lidhur me Portën e Lartë, e pyet Erazmin: “Cili të duket më i aftë ndër bijtë e Vezir Mehmetit dhe i denjë me sundu vilajetin? Thuaje pa frikë mendimin tënd”. Erazmi i përgjigjet: “Sipas mendimit tem vetëm Mahmud beu i ka përgja babës së vet më tepër se të tjerët, si në dije e urti ashtu edhe në trimni”. “Sipas përfytyrimeve që përcillen brez pas brezi tek familjet shkodrane, Mahmudi qe një burrë i bëshëm, i hijshëm e impozant. Kishte trup të lartë e të fuqishëm, krahë muskulozë dhe një gjoks aq të gjerë e leshatak sa dy vezë mund të fshiheshin aty. Mahmudi nuk u vesh kurrë me roba turke. Ai preferonte veshjen kombëtare” (Bushati, H.: po aty, f. 94). Me emërimin e tij zyrtarisht si mytesarif i Shkodrës (1778), pasi mori miratimin e parisë së Shkodrës dhe pasi pagoi një shumë të madhe të hollash në Stamboll, Mahmud Bushati do t’i kushtohej asaj politike që pat ndjekur i ati: sigurimin e qetësisë, zhvillimin ekonomik dhe tregtinë, brenda vendit dhe me vendet fqinjë. “Mahmudi formalisht u paraqit si njeri besnik i Portës, por që në fillim të marrjes së pushtetit nuk e hoqi nga mendja amanetin e babait dhe traditën e shtëpisë së Bushatllijëve. Për këtë qëllim ai punoi pa reshtur për zgjerimin e kufijve të pushtetit të tij dhe për pavarësi nga sulltani” (A. C. Saint Saveur: Voyage historique, litteraire e pitoresque …, t. II,1796, f. 272). E vendosur në brigjet e një liqeni të madh që lidhej me detin nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha pjellore që ishin të përshkuara nga rrugë të shumta tregtare, Shkodra u rrit njëherësh si qendër e rëndësishme administrative, por para së gjithash edhe si qendër zejtare e tregtare, me rreth 30-35 mijë banorë. Duke pasur portin e Ulqinit pranë, që kishte një flotë tregtare prej afro 250 anijesh, që ndërtoheshin dhe meremetoheshin në kantieret e qytetit port, u lidhën marrëdhënie tregtare me Venedikun, Ankonën dhe Triesten. Jeta ekonomike në Shkodër u gjallërua shumë shpejt. Mahmud Pasha e zgjeroi pjesëmarrjen e tij direkte në tregti e në lundrim dhe shtiu në dorë sipërmarrje të shumta, ndër të cilat edhe atë të serës së Selenicës në Vlorë. Si i ati, ai përkrahu tregtarët vendas kundër atyre venedikas, të cilët humbën përsëri tregtinë e vajit, të drithërave dhe të ziftit. Në këtë mënyrë Shkodra u bë qyteti më i madh dhe më i begatë i vendit, qendër e tregtisë tranzite ndërmjet Rumelisë dhe shteteve italiane, Republikës së Raguzës (Dubrovniku i sotëm) dhe Europës Perëndimore. Ai u përpoq, gjithashtu, të gjente përkrahje nga armiqtë e Stambollit, prandaj dërgoi për marrëveshje Jak Sumën në Vjenë dhe në Petërsburg.
Rrethimi i parë i Shkodrës (1787)
Qysh nga viti 1782, Mahmud Pasha filloi të vepronte me vullnetin e vet, duke mos përfillur fermanët e Portës së Lartë. Më vitin 1785 largoi komandantin turk të kështjellës së Shpuzës dhe po atë vit nënshtroi Malin e Zi. Fill më pas ai u nis në drejtim të Elbasanit dhe Beratit, mbasi Pashai i Beratit kishte bërë për vete Pashain e Elbasanit, i cili u kishte mbyllur limanet ulqinakëve. Këto fushata të suksesshme ngritën lart autoritetin e Bushatlliut, veçse shkaktuan zemërimin e Portës së Lartë dhe të Senatit të Venedikut por, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen e Austrisë që filloi ta inkurajonte Bushatin për të kryer veprime më të ashpra kundër varësisë ndaj Stambollit. Ndërkohë, Mahmud Pasha kishte krijuar një ushtri të rregullt, e cila dy-trefishohej me luftëtarët e ajanëve aleatë dhe me ata që vinin nga malësitë. Trimëria dhe guximi i veçantë, si edhe fitoret kundër pashallarëve rivalë, bënë që të mbiquhej Kara* Mahmud Pasha (*Kara – këmbëngulës, kokëkrisur). Porta e Lartë e deklaroi fermanli Mahmud Pashën, me fjalë të tjera e dënoi me vdekje për tradhti të lartë. Për të ekzekutuar vendimin, Stambolli nisi një ekspedite ushtarake prej 20,000 vetësh, me tre vezirë e shumë pashallarë. Për të fuqizuar kryengritjen, Kara Mahmudi mobilizoi shumë njerëz nga shtresat e gjera popullore, të cilëve u premtoi se do t’i falte taksat për 20 vjet. Ai shfrytëzoi edhe emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe e shpalli veten pasardhës të tij. “Atëherë Mahmudi me të vëllanë, Ibrahimin, thirrën krerët e maleve dhe të fushave dhe zgjodhën djelmtë ma trima, rreth 300 vetë si edhe 50 kalorës shkodranë me kuajt e tyre dhe vendosi që bashkë me ta me u ndry në kala. -Aty kam me dekë, u tha luftëtarëve të tij, por kurrë nuk do t’i dorëzohem i gjallë armikut të popullit shqiptar” (At Zef Pllumi, po aty, f. 43). Më 26 gusht 1787, Kara Mahmudi u mbyll në kështjellën e Shkodrës. Ndërsa Mahmudi ishte i rrethuar, otomanët pas sulmeve që bënë, duke parë se nuk mund të merrej kështjella me forcë, nisën me plaçkitje dyqanesh, bastisje shtëpish dhe përdhunime në Shkodër. Këto barbarizma shkaktuan pakënaqësinë e qytetarëve dhe të fshatarëve dhe përgatitën një teren të favorshëm për realizimin e planit të Mahmud Pashës. J. Hecquardi, i mbështetur në të dhënat popullore ka shkruar: “Ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë ishte edhe Ali pashë Tepelena, i cili, ishte marrë vesh me të, i dërgonte ushqime fshehurazi dhe e njoftonte për planet e reparteve rrethuese” (cituar nga Bushati, H., po aty, f.104).
Rrethimi zgjati 80 ditë, deri më datën 25 nëntor, edhe pse artileria që ishte vendosur në Tepe e në Tarabosh, bashkë me murtajën që ishte vendosur aty ku bashkohet Drini me Bunën, qëllonin mbi kështjellën disa herë në ditë. Ndërsa jashtë kështjellës, qytetarët e Shkodrës, fshatarët rreth saj, malësorët e Hotit, të Shalës, të Postribës etj., rreth 8000 veta gjithsej, në bashkëveprim me luftëtarët që ndodheshin brenda kështjellës, u vërsulën mbi rrethuesit dhe i shpartalluan plotësisht, duke vrarë më shumë se 6000 prej tyre, përveç robërve të shumtë. “Beteja më e madhe, u bë në sheshin para Xhamisë së Kuqe që ndodhet në lagjen Perash. Ajo xhami quhet e kuqe edhe sot, në kuptimin e gjakut që u derdh aty” (Bushati, H, po aty, f. 107). Të ngelur në mes dy zjarreve, turqit ikën në drejtime të ndryshme. Në fund të luftimeve shkodranët morën plaçkë të madhe lufte, si edhe 16 topa.
Lëvizjet diplomatike të Mahmud Pashës
Qeveritë e Vjenës dhe të Shën Petërsburgut ngarkuan diplomatët e tyre që t’i premtonin Mahmud Pashës përkrahje ekonomike e ushtarake për të vazhduar kryengritjen kundër Stambollit, madje për të marrë pjesë në këtë luftë edhe ata vetë. Në këto kushte Mahmud Pasha, nëpërmjet ambasadorit rus në Venedik, i drejtohet më vitin 1787 Oborrit të Shën Petërsburgut, për të qenë nën mbrojtjen e Carit. Por rusët iu përgjigjen se “…do ta kishin përkrahur vetëm në qoftë se hiqte dorë nga lidhjet me Austrinë”. Në të njëjtën kohë austriakët ia ofronin kurorën e Shqipërisë Mbretit të Napolit, i cili premtonte se me 30,000 vetë do të bashkëpunonte me Austrinë për të larguar turqit nga Europa. Sidoqoftë, e vërteta është se qeveria e Vjenës kishte filluar t’i mbante të hapura disa kanale komunikimi me Mahmud Pashën. Këtë rol në fillim e luante ipeshkvi katolik i Shkodrës. Më pas, negociatat direkte me pashain i qenë besuar një misioni ushtarak që qeveria austriake kish dërguar që në fillim të vitit 1788 pranë ipeshkvit të Malit të Zi.
Rrethimi i dytë i Shkodrës
Mahmud Bushati filloi një fushatë nënshtrimi të feudalëve përkrahës të Stambollit. Në përfundim të kësaj fushate, gjithë gegëria, që nga kufijtë e Malit të Zi deri në lumin Shkumbin, hyri në juridiksionin e tij. Kështu filloi kryengritja e dytë, e cila synonte shkëputjen nga varësia e Portës.
Në fund të vitit 1792, Mahmud Pasha u shpall edhe një herë fermanli. Ekspedita me në krye valiun e Rumelisë, mundi të mbërrinte në Shkodër vetëm mbas tetë muaj luftimesh. Ushtritë turke hynë në qytetin e Shkodrës më 20 gusht 1793. Pas një qëndrese të fortë, Mahmud pashë Bushati u mbyll përsëri në kështjellë. Edhe këtë herë shumica e parisë dhe e aleatëve e braktisën. Por fshatarët, malësorët dhe shtresat e gjera qytetare shkodrane, nuk ndoqën rrugën e krerëve feudalë.
Në agimin e 28 nëntorit 1793, me të njëjtën skemë si në rrethimin e parë, u kordinuan veprimet luftarake të reparteve jashtë kështjellës, me luftëtarët që prisnin brenda saj. Ata dolën nga kështjella dhe iu vërsulën trupave armike, njëkohësisht me forcat që ishin vendosur rreth kështjellës. Këto sulme të furishme shpartalluan forcat turke duke u shkaktuar humbje të rënda në njerëz dhe materiale luftarake.
Diplomacia frënge, për të penguar Malin e Zi që shërbente si satelite e Rusisë dhe Austrisë, u lidh me Mahmud Pashën me anë të ambasadorit të saj në Venedik. Gjeneral Bonaparti, i cili pas pushtimit të Italisë Veriore kërkonte të pushtonte edhe Dalmacinë, dërgoi në Shkodër në muajin maj të vitit 1796 shtatë specialistë ushtarakë për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë shqiptare edhe katër të tjerë pranë shtabit të Mahmud Pashës.
Në vitin 1795 Mahmud Bushati priti në Shkodër konsullin francez, pastaj në vitet 1795-1796 kontaktet shtohen, duke realizuar edhe një aleancë në mes Shkodrës dhe Parisit (Naçi, Stavri: Pashallëku i Shkodrës…., f. 238).
Veprimtaria kulturore gjatë kohës së dinastisë Bushati
Gjatë sundimit të Mahmud Bushatit, pati zhvillim të konsiderueshëm në lëmin kulturor, në arsim, letërsi, arkitekturë si edhe në ndërtimet. U ndërtuan një varg veprash publike me karakter ekonomik e fetar si Ura e Mesit, xhamia e Ethem beut në Tiranë, Hani i madh, xhamia e Plumbit dhe Bezesteni në Shkodër. “U ndërtuan një numër i madh banesash të tipit gjysmë kati me gurë e me qerpiç për masat popullore dhe dykatëshe për shtresat e pasura”.
Edhe letërsia shqipe bëri hapa të rëndësishme përpara. Rolin kryesor e luajti letërsia gojore, kurse si gjini u shqua kënga historike. Gjuha e shkruar shqipe luajti një rol jo të vogël. Ajo shërbeu për ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjës së shqiptarisë dhe tregoi se qysh në atë kohë u hodhën rrënjët e përpjekjeve për arsimin dhe kulturën shqipe. Bushatllijtë e shek XVIII, Mehmeti dhe Mahmudi, ngritën medresetë si institucione arsimore që faktikisht qenë shqiptare, pasi mësimet kryeshin në gjuhën shqipe dhe mbaheshin me fonde lokale. Qëllimi kryesor i tyre nuk ishte vetëm formimi i një kontigjenti fetarësh të ditur, por njëkohësisht edhe formimi i të rinjve që nuk dëshironin të bëheshin hoxhë, por që kërkonin të përvetësonin elementët kryesorë të diturive të kohës. Mahmud pashë Bushati themeloi bibliotekën e parë publike unikale për kohën që ndodhej pranë Medresesë, me qëllim që të përfitonin jo vetëm nxënësit por edhe studiuesit e jashtëm. Në regjistrin e bibliotekës figuronin jo vetëm libra teologjie, por edhe të fushave të tjera si në gjuhësi, poezi, retorikë, logjikë, drejtësi, histori, botanikë etj.
Vrasja e Mahmud pashë Bushatit
“Në shtator të vitit 1796, Kara Mahmud Pasha përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe këtë herë ushtria e tij nuk përparoi dot, kurse ai vet bashkë me shtabin, në të cilin ishin edhe katër oficerë francezë, ra në kurth me sa duket të tradhtuar, u rrethua dhe u vra nga malazezët” (HPSh, I, f. 631).
U varros në Krus, po aty ku u zhvillua beteja.
Duke përfituar nga dinamika decentralizuese në të cilën ndodhej sundimi osman, ata tentuan me të gjitha mënyrat shkëputjen nga shteti osman dhe krijimin e shteteve dinastike në vise të banuara kryesisht nga shqiptarët. Në këto kushte të reja në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera ballkanike, njëherësh me fillimin e aktivitetit iluminist dhe kulturor, u hodhën hapat e parë për formimin e ideologjisë së çlirimit kombëtar. Kështu lindi një lëvizje kombëtare e përgjithshme kundër shtypjes otomane. Në krye të kësaj lëvizjeje u vendosën përfaqësuesit e klasës feudale shqiptare që i ishin kundërvënë Stambollit, Mahmud Pasha i Shkodrës dhe Ali Pashë Tepelena. Në këtë lëvizje u dukën edhe “disa elementë të hershëm formëzues të vetëdijes kombëtare shqiptare, që në fakt shërbejnë si truall ngjizës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, (Egro, D.:Rrënjët historike të çështjes shqiptare, Instituti i historisë, Tiranë 2017, f. 31). Në këtë periudhë gjuha shqipe ishte një shenjë dalluese e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga fetë që ata praktikonin. Ata ruanin fort brez pas brezi origjinën etnike shqiptare si edhe heroin e tyre të përbashkët, Skënderbeun. Për më tepër, krerët shqiptarë në Jug e Veri, filluan t’i quajnë Shqipëri territoret që ata sundonin dhe shqiptarë banorët e tyre.
2.”Rusia dhe Austria kërkonin që t’i përdornin pashallarët shqiptarë për të dobësuar pozitat e osmanëve dhe për të realizuar projektet e tyre lidhur me copëtimin e Perandorisë Otomane. Kurse pashallarët shqiptarë, kërkonin që me ndihmën e tyre të vendosnin sundimin dinastik në territoret që ata zotëronin.
“Po në këtë kohë, caresha ruse Katerina II, dërgoi në Shkodër diplomatët e vet, të cilët hartuan një projekt-marrëveshje (1788), sipas të cilës Mahmud Pasha zotohej që së bashku me krerët e tjerë shqiptarë, me mbështetjen financiare të Rusisë, të vendosnin nën sundimin e tyre të plotë Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke i hapur rrugë trupave ruse që të merrnin Stambollin. Pasi të realizohej ky plan, këto toka do të viheshin nën protektoratin rus, me kusht që të respektohej feja islame, zakonet dhe traditat vendase. Megjithatë, pashai shkodran nuk ngutej të krijonte marrëdhënie varësie ndaj Rusisë. Këtë e dëshmon edhe fakti që ai nuk e firmosi këtë dokument pa marrë më parë pëlqimin e careshës ruse” (Arsh, G. L.: Shqipëria dhe Epiri …, Moskë 1963, f. 203, 215). “Veçse, projekti i Mahmut Pashës për t’u bërë mbret i asaj pjese të viseve shqiptare që ai e quante Shqipëri nuk u realizua, mbasi Rusia dhe Austria në gjysmën e parë të vitit 1788, ranë dakord që provinca osmane e Shqipërisë t’i jepej Mbretit të Napolit”. “Edhe Aliu kërkoi mbështetjen ruse për të shpallur pavarësinë e tij politike. Veçse synimet që palët donin të arrinin ishin krejt të kundërta, mbasi Rusia kërkonte që në viset që qeveriste Ali Pasha, përmes grekëve të krijonte një bazë diversioni për të mbajtur të angazhuara trupat osmane, ndër kohë që rusët do të përparonin drejt Stambollit”).
4. Më vitin 1787 konsulli francez dhe ai rus në Venedik, kanë raportuar që Mahmud Bushati “…e shpalli veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehet se do ta imitojë atë në të gjitha drejtimet”. “Në të vërtetë, territoret në zotërim të Bushatllijëve, përkonin gjeografikisht me territorin ku lindi, jetoi dhe veproi Skënderbeu. Ky fakt mund të jetë edhe një nga arsyet më tepër që Mahmud Pasha e quante veten si pasardhës i Skënderbeut, duke qenë kështu i pari shqiptar që përdori figurën e Skënderbeut për qëllime politike” (Naçi, S.: po aty, f. 227), Kurse, me qenë se shteti i Ali Pashës shtrihej në rajonin e Epirit, tepelenasi e njësoi veten me figurën më të rëndësishme historike vendase: Pirron e Epirit.
“Reforma më e rëndësishme në shtetin e Ali Pashës, ka qenë zbatimi i parimit modern, sipas të cilit të gjithë shtetasit janë një lloj para ligjit” (Kandyloros, T, Megali Eliniqi Enciklopedia, f. 739).