Albspirit

Media/News/Publishing

Filip Vito, mjeshtri që fotografoi historinë

PORTRET/ 84 vjeçari rrëfen dasmën e Zogut, çlirimin e Tiranës dhe Enver Hoxhën
“Filip Vito, mjeshtri që fotografoi historinë”.
(Pjesë nga shkrimi i dy dekadave më parë, botuar në “Gazeta Shqiptare”).
Nga FATOS PUTO
E gjeta ashtu, të ulur në një nga kolltukët e shtëpisë së tij dhe iu luta që, si një nga fotografët më të vjetër të Gjirokastrës dhe të të gjithë vendit, të më tregonte dicka interesante nga historia e jetës së tij profesionale, nga koha kur u njoh me fotografin e shquar, Marubi, në dasmën e mbretit Zog, ndonjë episod nga lufta për çlirimin e Tiranës, diçka për partizanët e gjermanët, Enver Hoxhën dhe gjithë Jugun e vendit.
-Unë kam mbajtur vetëm atë që quhet “Arkivë e Popullit”- nis rrëfimin e tij Filip Vito. Kjo pasi në vitin 1947 kam lëvizur për të bërë fotografi të pasaportave të njerëzve në rrethet Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Tepelenë e Përmet. U bënë me mijra fotografi dhe filmat e tyre i kam ruajtur deri sot në shtëpinë time. Ka mjaft njerëz që nuk e dinë se tek unë mund të gjejnë fotografitë e njerëzve të tyre të dashur, të cilat unë do t’ua dhuroja me bujari.
ZANATI
Fllimet e profesionit ai i lidh me një të afërmin e tij, i cili kishte në Tiranë një dyqan fotografish. “Ky ishte dhe kontakti im i parë me fotografinë, thotë Filipi. Ka qënë viti 1936, kur kushëriri im, Jani Ristani, i shkolluar në Stamboll, hapi dyqanin e parë të fotografisë, dyqan i marrë me qera nga një italjan, mbrapa pallatit të madh të kulturës në Tiranë. Aty unë mësova të bëja stamposjen dhe të fotografoja, ashtu siç bëhej atëhere fotografimi, me një lloj baruti që lëshonte tym kur realizohej shkrepja”.
NJOHJA ME MARUBIN NE DASMEN E AHMET ZOGUT
-Kontakti im i parë me njerëz të mëdhenj të artit të fotografimit ka qënë dasma e mbretit Zog, ku unë shkova i ftuar së bashku me ustain tim, Janin, kurse fotografi më në zë i asaj kohe, Marubi, ishte me të birin. Për atë dasëm ishin bërë përgatitje të madha, tregon Vito duke kujtuar pritjen madhështore të të ftuarve dhe dhuratat që i kishin ardhur Zogut. “Mbaj mend që mbretit i erdhën si peshqesh 40 desh të stolisur me kordele e të lyer me bojë nga Saranda, që i kam fokusuar në aparatin tim. I ftuar në dasëm ishte dhe Konti Çiano, i ardhur nga Italia, të cilin gjithashtu e kam fotografuar, por më vjen keq kur kujtoj se ato foto nuk i kam më në arkivën time, shprehet Vito.
LUFTA PER CLIRIMIN E TIRANES
Krahas kujtimeve të shumta, në memorien e 84 vjecarit qëndron edhe lufta për clirimin e Tiranës. “Të fotografoje ato ditë të ashpra luftimesh ishte aq e frikshme, sa edhe e bukur. Di të them se të tentoje të bëje fotografi ato ditë ishte një cmenduri. Megjithatë e shoshitëm këtë gjë së bashku me vëllanë tim, Jorgon dhe vendosëm të rrezikonim pasi e parandjenim se një ditë, fotografi të tilla do të kishin vlerë të madhe. Dhe kështu u ndamë me vëllanë, njeri nga krahu i partizanëve dhe tjetri nga ana e gjermanëve. Unë u futa tek Hotel “London”, karshi Hotel “Berlinit”, që e zotëronte Mio Garuli nga Zagoria e Gjirokastrës. Prej andej, pamjet e rrugëve ku zhvilloheshin luftimet dukeshin mjaft mirë. Nga ai pozicion kam fiksuar edhe pamjet e ushtarëve gjermanë që hynin në Hotel “Berlini”, tregon i emocionuar fotografi veteran.
TRASHEGIMIA
Pak kohë pas clirimit të vendit, Filipi mendoi të qëndronte në kryeqytet, por kjo gjë, ashtu si erdhën punët më vonë, nuk u bë e mundur. Pasi mori sigurinë nga një miku i vet, i pushtetshëm në atë kohë, për të siguruar një vend pune për veten dhe vëllanë, ai u nis në Gjirokastër për të bërë ceremoninë e martesës. Me të mbërritur në vendlindje, Filip Vito mori vesh lajmin e trishtë se personi që i kishte premtuar punësimin kishte vdekur në një aksident. “Njihja Alqi Kondin, i cili ishte në Komitetin Qendror dhe ai më tha: “Cfarë do; në cfarë pune do të shkosh; fol! -I thashë që po të krijohet dogana më vendos vëllanë në doganë; ndërsa unë dua të qëndroj këtu në Tiranë. Alqi Kondi më tha se do të më merrte në Bashkimin e Rinisë Antifashiste. Dakord, i thashë, do të shkoj të martohem në Gjirokastër dhe do të kthehem shpejt. Unë u martova në Gjirokastër, ndërsa ai vdiq në një aksident”, tregon fotografi i njohur.
…Kaluan vitet dhë zanatin e fotografit, Filip Vito ia la të birit. “Zanatin ia kam trashëguar tim biri, Viktorit, si dhe dy fëmijëve të tij, tregon Filipi. Tani ata kanë marrë një kompjuter nga Gjermania, që bën retush, punë kjo që unë dikur e bëja me dorë, por që nuk arrija dot këtë cilësi dhe shpejtësi. Kohë të reja….
Please follow and like us: