Mehmet Kraja: Romani i ri “Liria ime”, në panairin e librit në Tiranë
“Liria ime” nuk është shkruar si roman tradicional, por duke bërë një thyerje të fortë të zhanrit dhe, duke shkelur vise të panjohura të imagjinatës, arrin të ndërlidhë përsosmërisht rrëfime të dhembshme nga njerëz të ndryshëm, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin, përveç fatit te keq që i përndjek në palumturinë e tyre.
*
Romani është ndërtuar si një mozaik historish e personazhesh, të cilët udhëtojnë lehtësisht nëpër të shkuarën e tyre të dhembshme, njësoj sikur i hipin trenit dhe zbresin në secilin stacion që ata duan. Uniteti i brendshëm lidh organikisht rrëfimet që ngjajnë si një tërësi, si dhe personazhet, që edhe pse nuk përsëriten nga njëri rrëfim në tjetrin, duken si të dalë nga e njëjta histori.
*
Të nëntë rrëfimet janë tipike shqiptare, që paradoksalisht shënjojnë edhe universalitetin e veprës. Të tillë i bën dhembja, pësimi, vuajtja, palumturia, vdekja, që janë ndjesi dhe gjendje universale, por që personazhet e romanit i përjetojnë si thellësisht shqiptare, madje edhe atëherë kur kanë ikur nga atdheu, për të mos u kthyer kurrë më atje. Personazhe që në shumicën e rasteve kanë luftuar e punuar në mënyrën e tyre për atdheun, vetëm se në fund mbesin pa të, sepse kur kthehen, nëse vërtet kthehen, nuk i gjejnë më kujtimet e tyre, nuk gjejnë as një varr për të vendosur një tufë lulesh.
*
Në këtë prozë gjuha paraqitet si një aftësi e përkryer për të sunduar magjinë e saj, për të zbuluar dhe mbërritur deri tek substancat shumëkuptimore: gjuhë e zhdërvjellët, e figurshme dhe plot shtresime… Frazat e gjata mund të konsiderohen si një rrëfim i strukturuar në disa minirrëfime. Ato, bashkë me retrospektivat dhe kapërcimet në kohë, janë pjesë e stilistikës autoriale…
Please follow and like us: