Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: In memoriam, At Pjetër Meshkalla

 

 

Prof. Gjon SINISHTA dhe Fritz RADOVANI (1994)

 

 ALBANIAN  CATHOLIC  BULLETIN
 BULETINI  KATOLIK  SHQIPTAR
 (1993 – VOL. XIV, fq. 231)

 

Prof. Gjon SINISHTA shkruen:

Radovani, Fritz: At Pjetër Mëshkalla, S.J.

Shtypshkroja “At Gjergj Fishta”, Tiranë 1993.

Me sa dij, ky asht libri i parë kushtue jetës e veprës së nji kleriku katolik që botohët në Shqipni mbas përmbysjes së komunizmit. Me shkrue për At Pjetër Mëshkallën, e në të vërtetë për secilin meshtar katolik të mbytun mizorisht nga plumbat ose torturat, puna e detyrueshme në kampët e vdekjes ose helmimi prej dorës së komunistave, do të duheshin volume të tana. Fritz Radovani, autor i këtij punimi të shkurtë, por të ndieshëm e plot inspirim human e fetar, e ka vu rruazën e parë në kollanën e artë t’atyne fatosave që ranë flijë për Fé e Atdhé. Tjerë autorë si Fritzi të marrin tash shembull e të vazhdojnë me ia shtue këto rruaza kollanës me shkrime e vepra të tjera për martirët tonë.

Libri At Pjetër Mëshkalla S.J., ndahet në tri pjesë.

Në pjesën e parë auktori përmbledhtas e me një gjuhë të thjeshtë e të afërme me lexuesin, si i thjeshtë e i afërm ka qenë vetë At Mëshkalla, paraqet jetën e tij si atdhetar, meshtar e jezuit me bindjet e tij të forta filozofike, fetare e humane. Radovani përshkruen këtu argumentat e të vërtetat të shqiptueme në rasa të ndryshme prej meshtarit jezuit, që janë ba tashma si legjendë e thesar shpirtnuer jo vetëm për katolikët, por për tanë shqiptarët e ndershëm e liridashës. Qé disa shembuj nga libri:

Prej melodise së lehtë të zanit të tij ruhen prap këta tinguj… “Vëllazën me të gjithë, pa dallim feje!” Asht Ati i madh, Ati i të gjithëve, muslimanë e të krishtenë, me fé e pa fé, që hapte krahët e u thontë… “Eni, eni djelmët e mij, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!” dhe, së bashku me të gjithë, vazhdonte vuejtjën e mjerimin e pakufi, gjithmonë si Féja e pat mësue, tue pritë delen e humbun… E kur tirani me sy të ngërthyem si mordja, na dukej n’ate skëterrë, e plot lakmi shihte rininë shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte si t’ishte i huej që kombin po i shklet; i Madhi Meshkalla, veç brofte në kambë e zani, si prej vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”…

Kur britën me djegë Ungjillin – një za u dëgjue – inkuizicion…! E Ati u tha: “Digjeni po deshët, se as ju nuk keni për t’ia dalë, si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë, por Fénë e Krishtit nuk kanë mujtë me e zhdukë!” Mizorët terbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë u thotë: “Unë në Zotin besoj e do të fitoj… Ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal, ju shoshojnë keni me hangër, e aty asht fundi  juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë”!

Kjo pjesë e librit përshkruen episode të tjera të fuqishme nga jeta e këtij martiri në pritje me u shpallë shpejt Shejt.

Episode me randësi e tronditëse, që sjell libri i Radovanit, asht ajo e mbledhjës së përgjithëshme të arsimtarëve me 1967, në Institutin e Naltë Pedagogjik të Shkodrës, gjatë fushatës së turpëshme të “Revolucionit Kultural”.

“Unë jam katolik e besoj në Zotin!”, ishte deklarata e Mëshkallës, “…Se po të shprehin lirisht mendimet e tyne (njerëzit), ky pushtet nuk ka për të zgjate shumë!”, kjo deklaratë i tërboi pjesmarrësit e shumë prej tyne bërtitën “Pusho, fashist reakcjonar!”. Ndër ata që folën dhe e shanë Mëshkallën me përkushtim e zell partiak, ishte edhe Jup Kastrati, që sot mban ligjerata i ftuem nga diaspora e New Yorkut!!!

Pjesa e dytë e librit përmban poezi e shkrime me tema të ndryshme shkrue prej At Pjetër Mëshkallës. Qé nji poezi të cilën auktori e ka shkrue gjatë burgimit të tij në Burrel, e asht në temën e Shën Augustinit:

                                         JETË  E  RÉ

                             Në zemrën time lindi jeta

                         …………………………………….

BB(Burgu i Burrelit)1954  (Shif tek Pjesa e II-të, faqe 32.)

Pjesa e fundit e librit të Fritz Radovanit për At Meshkallën, riprodhon shkrime zyrtare nga “Bashkimi” e fletore të tjera komuniste kundër këtij tribuni të pamposhtun për fé, liri e drejtësi. Poashtu, botohen disa intervista, sidhe një biografi e shkurtë e martirit.

Në fund njoftohet për dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipnisë, Dr. Sali Berisha, me të cilin:

 At Pjetër Mëshkalla S.J. dekorohet me Medaljën e Artë “PISHTAR  I  DEMOKRACISË”.

Libri i Fritz Radovanit asht për t’u lexue nga çdo shqiptar që mban për zemër parimet e shejta të Atdheut, Fesë e Lirisë.

Palokë PLAKU

                                            (Pseudonimi i Prof. Gjon Sinishtës)

           I dashtun Fritz!

Palokë Plaku, Lul’ash Dajçi, sidhe Agim Kosova janë pseudonime të mija. Të falëmnderës për materialin “11 Mars 1948”, të cilin do ta botoj në numur XV (viti 1994), që do të jetë i fundit nga shkaku i sëmundjës së randë që kam.

Tue t’urue shëndet e çdo të mirë shpirtnore e trupore:

                                                                              Të përqafoj,

                                                                    Gjon Sinishta (firma)

 

Shënim FR: Vuna artikullin dhe letrën e të Ndjerit Prof. Gjon Sinishta, në shenjë mirënjohje dhe respekti të përjetëshem, për vlerësimin që i ka ba punës seme modeste.

Ky asht i vetmi artikull që u botue për librin tem mbrenda e jashtë Shqipnisë!

                                                                           

                                                                   Me nderim të veçantë,

      Melbourne 2004.                                                            Autori 

Shenim FR: Botohet e plotë pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 16 Nandor 2021.

Please follow and like us: