Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati dhe botimi i ri “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë”

Mbi shtatëdhjetë artikuj e vëzhgime që i kushtohen Shqipërisë dhe Kosovës, pra dy shteteve të një trungu kombëtar është botimi më i ri i Shaban Muratit i titulluar “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë”, mbështetur nga fondacioni ‘Hasan Tahsini’ dhe publikuar nga botimet ‘Albas’.

Mesazhi kryesor i këtij libri, sipas Muratit është se Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin me këmbët e veta, të bëjnë shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e vet shtetëror kombëtar dhe personal, gjë që atyre të Tiranës zyrtare u ka munguar në tri dekadat e fundit.

Në disa analiza të diplomatit Murati nënvizohet realiteti i dhimbshëm i marrëdhënieve ndërshtetërore në nivelin më të ulët që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Përkundër këtij realiteti autori sjell qëndrimin që mban Greqia me Qipron Greke dhe Serbia me Republikën Sërbska në Bosnje-Herecegovinë. Autori shpreh shqetësimin se nuk ka asnjë pengesë, që të dy shtetet shqiptare të krijojnë marrëdhënie të veçanta, specifike dhe speciale, përkundër asaj që ka ndodhur kur diplomacia e Tiranës sulmon drejtuesit e Prishtinës zyrtare edhe në sytë e drejtuesve aktualë të Beogradit.

Këto qëndrime, sipas diplomatit Murati vijnë sa nga mospërgatitja profesionale diplomatike aq edhe nga presioni në rritje i shteteve fqinje dhe kryesisht Serbisë, që gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur terren të përshtatshëm për ofensivë dhe për imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë së boshtit Beograd-Moskë, çka ka çuar në prishjen e kohezionit shqiptardhe në defaktorizimin e tij në Ballkanin Perëndimor.

Libri i kushton një vëmendje të veçantë dialogut Serbi-Kosovë me ndërmjetësimin europian, i cili vazhdon të jetë i stërgjatur, pa kohezion, pa produkt konkret dhe nënvizon Doktrinën Biden për Ballkanin ku spikat Urdhri Ekzekutiv Presidencial i 8 qershorit 2021 që e konsideron korrupsionin si interes strategjik dhe i politikës së jashtme të SHBA dhe që përcakton ndjekjen penale të autoriteteve ose individëve politikë, të cilët destabilizojnë rajonin.

Diplomati Murati vlerëson pozitivisht praninë dhe veprimtarinë e diplomacisë së SHBA, e institucioneve amerikane, e shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë rajonin për zhvillimin e demokracisë, për stabilitetin e gjithë shteteve të tij dhe për orientimin e tyre veri-atlantik. Kjo prani vlerësohet si barrier më efikase që mund të ndalojë ndërhyrjen, diversionin, subversionin, gjithnjë e më të intensifikuar të Rusisë në shtetet ballkanike e sidomos në Ballkanin Perëndimor, i cili duke qenë pjesa më e dobët dhe më delikate e gjithë arkitekturës euro-atlantike të sigurisë, është objekt i një ndërhyrje të jashtëzakonshme të Rusisë në punët e Ballkanit.

Libri i fundit voluminoz i Shaban Muratit trajton edhe mjaft tema të tjera që kanë të bëjnë më faktorin shqiptar në rajonin e Ballkanit, çka meriton të promovohet në të gjitha viset shqiptare, sidomos në mjedise universitare e akademike dhe si një kontribut i vërtet dhe real për çështjen tonë kombëtare.

Studiuesi Shaban Murati boton librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës”

Please follow and like us: