Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea GUDHA: Prof. Dr. Shahin Kadare, simbol i dashurisë njerëzore

 

Duke u gdhirë 17 nëntor 2021, një lajm i trishtueshëm për mjekësinë shqiptare, familjen dhe shoqërinë u përhap: u largua nga jeta Prof. Dr. Shahin Kadare.

Pikëllim për familjen! Mjekësia shqiptare humbi një nga personalitetet e saj në fushën e histopatologjisë onkologjike. Familja e nderuar e shkrimtarit të madh Ismail Kadare humbi vëllanë e vogël, një nga gurët e kalldrëmeve të qytetit të lindjes, Gjirokastra, u lëkund…

Prof. Dr. Shahin Kadare, pas mbarimit të  Fakultetit të Mjekësisë në 1965, u emërua në shërbimin e anatomisë patologjike, pranë spitalit Onkologjik, Tiranë.

Dr. Shahini, pasi mbaroi një specializim brenda vendit me dy profesorët e nderuar, Pëllumb Bitri e Çesk Rroku, shkoi për specializim në Rumani. Kur u kthye, filloi punën si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe si histopatolog në shërbimin e Onkologjisë.

Gjysëm shekulli punë me mikroskopin në laborator, ku syri tij, i fiksuar me shumë kujdes në lenten e mikroskopit, përcaktonte me përgjegjësi profesionale “fatin” (diagnozën) e pacientit.  Dr. Shahini do të përcaktonte të ardhmen e pacientit: në se pacienti do të kishte tumor, apo jo, do të kishte mundësi kurimi nga tumori, apo sëmundja do ta mposhte të sëmurin…?? Rezultati i tij histo-patologjik do të orientonte mjekun për trajtimin e tumoreve dhe ndjekjen e sëmundjes në vazhdimësi.

Ankth, stres në evidencat mjekësore të përditshme të Dr. Shahinit, ku jeta e njeriut ndahej nga vdekja! Me këtë shqetësim njerëzor prej profesionisti, kalonte pjesën më të madhe të ditës me njerëz, që i kishte zënë hall i madh i kësaj sëmundje, sidomos kur bëhej fjalë për moshat e reja….

Situata të dhimbshme, të përditshme gjysëm shekullore, Dr. Shahini do t’i përcillte përbrenda qënies së tij njerëzore.

Dr. Shahini, fal kulturës së përgjithshme dhe profesionale, humorit të spikatur e lumturisë familjare (me bashkëshorten Dr. Liljana, me dy fëmijët e tij të dashur: Gentin dhe Jorin), do t’i përballonte emocionalisht këto situata të rënda të përditshme. I komunikueshëm dhe i dashur me pacientët, i respektuar në shoqëri, veçanërisht me ne, kolegët e tij.

Jeta ka kapriçot e saj. Tumoret, si “armiq tinzarë”, që janë për njeriun, “zbuluesin” e tyre Dr. Shahinin, më në fund, pas gjysëm shekulli beteje, e mposhtën.

Me largimin nga kjo jetë të Dr.Shahin Kadare, është një humbje e madhe për familjen, mjekësinë shqiptare dhe për shoqërinë!

Me shumë keqardhje, familjes Kadare i shpreh ngushëllimet më të sinqerta!

 

 

Please follow and like us: