Albspirit

Media/News/Publishing

Pano Hallko: In memoriam, doktor Jani Basho!

Nuk janë edhe aq të shumtë bijtë e këtij populli, të cilëve vendi dhe kombi u detyrohen, përjetësisht. Për ato që ata bënë, në kushtet e vështira dhe të mos mundjes, në shërbim të tij. Këta njerëz, rilindësit tanë i quanin Fatorë të kombit, d.m.th. fatsjellës të tij. I quanin kështu rilindësit, pa qenë të ndërgjegjshëm se vetë ata, ishin ndër të parët Fatorë të këtij vendi…

Njëri ndër këta të paktët faktorë të këtij vendi, ishte dhe mbeti Dr. Jani Basho…

…Profesori i mirënjohur e njëri nga personalitetet më të spikatura të mjekësisë së sotme shqiptare Jovan Basho, i cili përgatiti librin për Dr. Jani Bashon, si…“Detyrim kombëtar, profesional, por edhe si detyrim për emrin që më kanë vënë paraardhësit e mi”, në faqen e fundit, shtron pyetjen, e përgjigjen e kërkon nga lexuesit: -Ç`personalitet ka qenë ky burrë?…

Për ata që kanë lexuar librin, nuk ka pyetje më të sinqertë. Sepse edhe ata-lexuesit-të çfarëdo niveli e intelekti qofshin, me të njëjtën pyetje në buzë ngelen kur përfundojnë leximin.

Dr. Jani Bashon e ngjizën geni dhe trolli. E natyra, e pajosi në mënyrën më të përsosur të saj. Por fati e sulmoi qysh kur ishte fëmijë. Tetë  vjeç, “fati” e solli që ai të përjetonte vrasjen e të atit në mullirin ku punonte në Selcën e Poshtme, për të mbajtur familjen që kishte në Pogradec. E vrau beu i Starovës, i cili si të gjithë bejlerët “shqiptarë”, kur nuk arrinin të merrnin pasuritë të cilave u kishin vënë syrin, i vrisnin të zotët e tyre.

Vëllai i madh i Dr. Bashos, Gjoka, ngriti padi kundër vrasësit, por në Shqipëri bejlerët e kishin, pushtetin dhe gjykatën. Qysh atëherë…

Dora e gjatë e turkoshakut të Starovës, arriti edhe deri në Manastir të godiste Jani Bashon, duke e akuzuar si “spiun” të grekëve. U arrestua nga serbët, e u dënua me vdekje. Por për fatin e tij dhe të këtij vendi, dibranët atë natë-natën e fundit të jetës së tij sipas vendimit të gjykatës serbe, i thyen serbët, e kështu shpëtoi Jani 21 vjeçar.

LISAT DHE FILIZI…

Për fatin tonë të mirë, Jani Basho takoi Gjergj Pekmezin, e i cili e bindi të shkonte në Austri dhe të studionte për mjekësi.

Fati i tij, por edhe i yni e solli që, në ditët e para të qëndrimit në Vjenë, të takonte Faik Konicën e madh, i cili pasi i bëri një “dush” me kritika “alla Faikçe”, e mori në provim në mënyrën e tij.

Ai arriti të mbrojë Diplomën në Mjekësi, me titullin e veçantë “Unicus Medicus Doctor”, i cili jepej shumë rrallë edhe për vendasit që shkëlqenin, pa lere më për të huajt.

“Djalëria shqiptare e sotme nuk është në gjendjen e ëndshme të asaj të kombeve të tjerë, e nuk ka trashëguar prej të parëve të saj bashkimin e kombit të vet, e as lirinë e tokave shqiptare”, do të shkruante Doktori i famshëm në faqet e Revistës “Dialëria”, kryeredaktor i së cilës jo rastësisht ishte.

Mjeku i ri, i pajisur me Diplomën e veçantë mbrojtur me “Medalje e Artë”, pas specializimeve për Kirurgji dhe Obstetrikë, arriti të shpallet në Spitalin Universitar të Vjenës, zëvendësi i parë i kryekirurgut të Vjenës, profesorit Denk.

Aq i artë ishte Doktor Jani, saqë fitoi simpatinë e një profesori të madh, i cili i shprehu dëshirën këtij të vinte në Korçë për të punuar si mjek e për të bërë studime. Por përgjigja e “shtetit shqiptar”, ishte…-“kemi mjekët vendas, e nuk na duhen të huaj”.

I zhgënjyer profesori austriak, i thotë Janit tonë:- “Eja me mua, se po shkoj të hap Fakultetin e Mjekësisë në Buenos Aires. Ti ke të ardhme, e atje ekonomikisht do bëhesh njeri”.

Amerikanët i kërkuan, gjithashtu, të drejtonte Fondacionin “Rokfeler” në Amerikë. Por ai nuk pranoi…

Historia nuk është rastësi, e njerëzit gjithashtu. Jani Basho ishte patriot, me tërë qenien e tij, me tërë prejardhjen e tij.

Por duke qenë Kryetar i Shoqatës “Dialëria” e kryeredaktor i revistës së saj, Jani Basho pati fatin të bashkëpunonte me Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Faik Konicën, Rexhep Mitrovicën, Gjergj Pekmezin, por edhe me personalitete të shtetit austriak si T. Ippen, F. Nopça, Oberhummer, etj. Ishte ai që organizonte mbrëmje tematike për nder të Aleksandër Moisiut, Mis Durhamit, Ainshtajnit etj.

Se punonte me këta personalitete, prandaj shkruante në revistë:-“Popujt fqinjë tanët, në të njëjtat kushte me ne, por të ndihmuar prej fatit e të prej të tjerëve, na shkelën dhe këputën prej trupit të gjallë të kombit tonë pjesë, të cilat i mbajnë edhe sot nën thonjtë e tyre. Ashtu siç organizmi nuk mund të rrojë pa disa organe të domosdoshme, ashtu edhe kombi, nuk mund të rrojë pa tokat që i kanë rrëmbyer”. Kur ishte student, ai shkruante:-“Gjuha Shqipe është gjaku i trupit shqiptar dhe dielli i kopshtit kombëtar”. E të mendosh se ky njeri, asnjë ditë nuk u shkollua në gjuhën shqipe!

Grekët dhe serbët e quanin Shqipërinë “Turqi e Vogël”. Ndaj Jani Basho shkruante në revistë: -“Kur t`i vijë ora e vdekjes “Turqisë së Vogël”, edhe ortodoksët shqiptarë do të dinë të vdesin meritisht me vëllezërit e tyre shqiptarë të tjerë”

Sepse punonte me ata patriotë të mëdhenj, ai e kalonte në radhën e dytë fenë dhe besimin fetar. Dhe shkruante:-“Ortodoksizmi? Ky ka për ne, para shqiptarizmit, vleftën e një petke, që nuk i ka hije aq tepër mbartësit, edhe që mund të shkundet prej trupit tonë në çdo rast”. (“Dialeria” Vieti II, nr. 13, fq. 12-14,1921).

NDËRTOI TRE SPITALE, POR…

“Parlamenti duhet të mbledhë aristokracinë e mendjes, intelektualët e vërtetë të kombit; njerëz të dijtur e të ndershëm të cilët, pa u munduar shumë për të mirën personale, kanë vendosur të realizojnë idealin e shenjtë të popullit”.

Qysh kur Jani Basho ishte 28 vjeç, …“parlamenti duhet të mbledhë”…

Qysh kur Doktor Jani ishte 30 vjeç, …“Universiteti është një republikë e përbërë prej profesorësh dhe studentësh.. Themeli mbi të cilin Universiteti qëndron e pa të cilin bie, është liria e plotë për ata që japin mësime, edhe për ata që marrin mësime. Në lirinë akademike, profesorët dhe studentët janë një. Ky është flamuri nën të cilin mblidhen shtetasit akademikë, edhe nën hijen e të cilit, mosmarrëveshjet pushojnë. Se dituria do liri, që të mbetet e re”… (“Dialeria”, nr. 1 viti 1920). A thua se Doktor Bashua, ishte në protestën e dhjetorit të kaluar, duke shigjetuar “pedagogët” pazarxhinj të Tiranës…

Për herë të parë Zogun e takoi në Vjenë, në vitin 1918. Dr. Jani, ishte në kafe me Faik Konicën. Zogu hyri, e pa përshëndetur, pyeti Faikun e madh: -A vetëm qenke këtu, o Faik bej? Djallëzia fshatarake dhe sejmenllëku i lindur, të vetmet “cilësi intelektuale” që kishte, e shtynin të injoronte një djalë të ri, me të cilin Konica po pinte kafe. Por Faiku i madh, që nuk bënte kompromis as me vetë zotin, “ia bubulloi” Zogut:-“Jo që nuk jam vetëm, por jam me më të mirin student të Shqipërisë këtu, i cili vazhdon për mjekësi. Eja të ta paraqes”! Zogu u ul “për nder të armëve”, e pas pak minutash u largua me bisht ndër shalë…

…ASNJË SPITAL NUK MBAN EMRIN E TIJ!!!

U takua me Zogun, edhe kur ai ishte president e mbret, e kishte një abses në fund të zorrës së trashë. I firmosi diagnozën(paraproctitis), e i tha se do ta operonte. Por… Ceno Kryeziu, nuk kishte besim!!! Cenua, me djallëzinë fshatarake dhe sejmenllëkun e lindur që e karakterizonin-ashtu si punëdhënësin e tij, i tha: -“Ma shkruaj diagnozën në një copë letër”. Me letrën në xhep, e me makinën e shtetit, iku Cenua në…Cetinë! Shkoi tek aleati i vjetër, tek ai që i solli në zyrat e Tiranës, për të shitur dhe shtypur Shqipërinë. Nga Cetina solli një profesor bjellorus, nga njerëzit e ngushtë të Vrangelit, bashkë me një mjek malazez.

Vrangelisti u shpërblye me 500 napolona flori, kurse malazezi me 150. E përse? Për një fistul! Kur po e mjekonte Dr. Jani(se Vrangelisti mori paratë dhe iku), i shfaqi idenë e ndërtimit të spitaleve. Dr. Jani, do të ikte në Vjenë, e i tha Zogut se ai mund të kthehej, vetëm nëse në Tiranë ndërtoheshin spitale për popullin, ku ai mund të punonte.

-Nuk kam menduar të bëj spitale tani. Por po erdhe ti nga Vjena, flasim.

Doktori i madh shkoi në Vjenë, e falë personalitetit të tij, arriti të marrë(e jo të blejë), projektet e gatshme për ndërtimin e spitaleve në Shqipëri.

Ne sot themi Spitali Ushtarak(ai që patëm), Spitali 1, Spitali 2… Ose themi Materniteti i Vjetër… Por njerëz shumë të paktë, njohin faktin që themeluesi, frymëzuesi, luftëtari i vetëm për ndërtimin e tyre, ishte vetëm një njeri i pa zakontë: Dr. Jani Basho.

Banorët e sotëm të këtij vendi, mendojnë se këto spitale që kanë sot, ose “rastësisht janë aty”, ose… “aty kanë qenë, qysh në krye të herës”!

Shumë pak njerëz sot, mund të dinë faktin se themeluesi i Mjekësisë moderne shqiptare, arkitekti, edhe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës i spitaleve tona, është personaliteti i shquar i mjekësisë shqiptare me famë botërore, Dr. Jani Basho.

Shumë pak njerëz dinë sot, se në vitet `30 të shekullit të kaluar, spitali nuk njihej as si fjalë në Tiranë. Më saktë të themi, Hani që ka qenë te Sahati i Tiranës, ishte “përshtatur” edhe si…“spital”!

Doktor Jani, ia solli shtetit projektet e spitaleve nga Vjena. Falas.

E “shteti”, qysh atëherë, bëri tenderët… Qysh atëherë, u vodh në mënyrë të paskrupullt. Edhe atëherë, “shteti” e kishte shpallur me ligj korrupsionin, qysh kur emëroi Hajri Hajrullahun drejtor të doganave.

Doktori i madh, i shikonte të gjitha. E kjo ishte arsyeja, që ai nuk vuri firmën aty ku ishte shkruar emri i tij, si marrësi në dorëzim i spitaleve.

Edhe sot e kësaj dite, ai dokument në arkiv, nuk ka firmë poshtë emrit Jani Basho.

Ai themeloi me plot kuptimin e fjalës, Maternitetin e Vjetër të Tiranës. Jo thjesht se ishte për disa vite, deri në 1952, drejtori i atij Materniteti. Por sepse mbi Dr. Janin, nuk pati mjek Obstetër ky vend.

Gjithë sa shkruhen më lart, nuk janë vlerësime të shkruesit të këtyre radhëve. Ato u thanë në mënyrë të përmbledhur, në datën 12. 02. 1957, nga përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë Dr. Zisa Cikuli, në Fjalën e përcjelljes së Doktor Jani Bashos:- “Bir i një fshatari të varfër, ti ke qenë i vetmi që je munduar gjatë regjimeve antipopullore, për ngritjen e spitaleve dhe përgatitjen e kuadrove mjekësore”…

Kurse dr. Koço Gliozheni(emrin e të cilit mban materniteti i ri), e përfundoi lamtumirën e tij për Doktorin e madh, me fjalët:- “Si do bëjmë pa ty?… Pas çdo konsulte mjekësore, mendimi yt ka qenë gjithnjë fjala e fundit”…

Ka pasur dikur ca burra ky vend, që e thoshin açik meritën e tjetrit. E keqja jonë është se ata burra, u zhdukën, pothuaj me gjithsej…

E Lasgushi, me mënyrën e tij, Homazhin ia bëri me vargje: “Mes atdheut të Shqipërisë/Çave rrugë mundimplote/Puthi ballin e lavdisë/Mendja jote e shkenca jote. Tani fle, shpirt` i pa vdekur/Në selinë e së vërtetës/Lundërtar që s`u pat prekur/Prej tallazeve të jetës”!…

Ironia e fatit tonë(e jo e fatit të Atij), është se ndërsa Doktor Basho ndërtoi tre spitale dhe i themeloi me mjekë të cilët vetë ai i përgatiti dhe i udhëhoqi shkencërisht, i drejtoi ndër vite dhe la frymën e fundit në punë, asnjë spital në Tiranë nuk mban emrin e tij. Për “të mos ia ngrënë hakun shoqërisë sonë”, është vetëm një sallë leksionesh(!) brenda maternitetit të vjetër, që mban emrin e korifeut të mjekësisë sonë!?! Nga dy profesorë dinjitarë të Maternitetit të vjetër, mëson se dikur, për vite, nuk po i vihej emri spitalit, pasi pritej të vdiste një doktor tjetër, e të pagëzohej me atë emër. Pastaj, po këta të thonë se… Një drejtor partiak i kishte detyrim njërit “atje lart”, i cili i bëri qokë “familjes mbretërore”, e…i vunë emrin që ka!!!… Se drejtori, mund të bëhej edhe deputet, apo kryetar bashkie… Qoka shqiptarësh domethënë! Po mirë ajo “diktatura e poshtër”, se nuk vinte emra, po kjo, “demokracia meritokratike”, çfarë bën?!? As Spitali nr. 2 nuk e meriton atë emër? Bëri kaq shumë për këtë vend, e mori vetëm rrogën, e…gjashtë muaj pension.

Është turp shumë planesh njëherazi; qytetar, njerëzor, profesional, por edhe shtetëror. Vjena jo që nuk ia ka fshirë emrin Fatorit tonë, por germat e arta të emrit Jani Basho, i pastron rregullisht, përditë. Vjena krenohet me të, me birin tonë të madh, sepse respekton veten. Austria i di bëmat tona, por thjesht na buzëqesh, me ironi vjenezësh, e na mbështet për në…“Europë”!…

Por, sido që të thonë… Njëri ndër të paktët Fatorë të këtij vendi, ishte dhe mbeti Dr. Jani Basho…/gazeta shqiptare, 10.2 2019

 

Please follow and like us: