Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Lufta idiote e Lulit


Në fillim tha se, çështja Berisha kishte qenë një nga vendimet më të vështira në karrierën e tij. Pra për të pezulluar atë pas shpalljes non grata nga Amerika. Megjithëse doli krejt tinëzisht në një video-konferencë, gjoja i rënduar mendërisht, i vrarë shpirtërisht. I tillë për faktin se ky Sali Berisha është themeluesi, memoria dhe historia e Partisë Demokratike etj. Tani po del me tjetër version, se ky Berisha është faqja e zezë e Partisë Demokratike. Kujt t’i besosh? Liderit të parë që përmend themeluesin, memorien, historinë? Apo liderit që të thotë se disponon plot dosje korrupsioni a krimi të themeluesit të partisë? Çfarë naiviteti
politik! Çfarë strategjie idiote. Ka plot dosje korrupsioni dhe krimi, kundër Saliut, i disponon vetëm ky. Madje të tillë janë edhe ata që mbushin Foltoren në këtë rrugëtimin e ri që kaq të domosdoshme e kishte për kohën, kjo dëm demokracia jonë. Nga ana tjetër nuk ka mbetur këmbë humbësi duke ulëritur studiove se radhitja në krahë të Foltores, është direkt karshillëk kundër Amerikës. Dhe se nëse ndodh kjo Partia Demokratike nuk vjen kurrë në pushtet etj. Më keq akoma, sajon me Fiksin telenovela se si plotësohen formularë fallco për Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Dhe më idioteske akoma, është kërkesa për një Kuvend gjoja të vetëm të demokratëve, por jo në 11 dhjetor, kur e ka shpallur Saliu. Por në 18-të, kur e do ky. Një strategji skuthësh me pritjen për të marrë ndonjë përgjigje në favor të ekzistencës së tij. E thënë thjesht, po përpiqet të përfitoj diçka nga realiteti i humbur prej kohësh nga ai. Eshtë krijesa më absurde që kurrë nuk ngjiti me opozitarizmin real që i duhet vendit. Një lloj Don Kishoti i cili më shumë i ka shërbyer makinerisë së pushtetit se sa opozitarizmit dhe demokracisë në vend. Ndërkohë që harron se sot interneti është një armë e fortë e vullnetit të lirë. Nuk ka mbetur këmbë demokrati pa bërë publike firmën e tij, kurse ky i quan fallco. Eshtë shumë e thjeshtë Lul, fillo një Foltore paralele. Sikur një, dy a tre të tilla, jo trembëdhjetë a katërmbëdhjetë. Ka marrë udhën kjo punë Lul. Madje do u sugjeroja gjithë atyre që ndjekin Foltoren dhe që vërtetë duan ndryshimin. Do u thosha se, është shërbimi më i madh që po i bëni vendit. Nëse forcat politike, vrasin sot proçesin, nesër mos prisni rezultate kur ndonjëri prej liderëve të bëhet kryeministër. Ka shumë rëndësi që të vendosi vota, kolegjialiteti, jo delegimi nga lart. Dhëntë Zoti dhe kjo ndodh shumë shpejtë edhe tek Partia Socialiste. Kishim menduar se teknokratët që iu shkëputën diktaturës, do ishin model i shefave në këto vitet të tranzicionit. Në fakt po rezulton e kundërta, këta më të rinjtë që gjoja dhe kanë studiuar jashtë, janë më të këqijë se paraardhësit e tyre. Nuk e di se si do i përgjigjej këtij fakti, ta zëmë ish kryministri i Austrisë, thuajse versnik me kryeopozitarin tonë. Kishim një lider të absurdit dhe idiotizmit, një shallvarexhi që bën gallatë në Kuvend. Tani u bëmë me dy, kemi edhe Lulin. Humbe…. hap krahun, justifikimet dhe ngujimet në karrike janë fytyra e dështimit. Ata që hapin krahun janë progresi, fisnikëria. Por pikërisht burrat e tillë i mungojnë vendit tonë.

Please follow and like us: