Ambasada amerikane në Kosovë: Koha të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Prishtinë, 20 nëntor 2021 – Ambasada e SHBA-së në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht ka bërë thirrje për plotësimin e vendeve të lira në këtë gjykatë. “Pavarësia e institucioneve të drejtësisë së Kosovës është kruciale për demokracinë. Është koha që të implementohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në një postim të ambasadës në Twitter.
Kësaj deklarate ambasada amerikane ia ka bashkangjitur një fotografi nga takimi i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka – Nimani, me zëvendës-ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.
Takimi është realizuar të premten, në Uashington.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thuhet se në këtë takim palët kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat për forcimin e sundimit të ligjit dhe për rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në Kosovë.
Zonja Caka–Nimani e ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për krijimin e institucioneve dhe zhvillimit të demokracisë në Kosovë, veçanërisht ato në fushë të sundimit të ligjit. Ajo e ka njoftuar z. Swartz edhe me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës.
Në njoftim thuhet se zonja Caka–Nimani, gjatë vizitës disa ditëshe në SHBA, është takuar edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit, të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Të drejtat e patjetërsueshme dhe traditat e konstitucionalizmit”, të organizuar nga Instituti Kellog për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame. Ajo ka bëri një prezantim të detajuar mbi traditën kushtetuese të Kosovës dhe mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ajo ka mbajtur një ligjëratë me këtë temë edhe në Fakultetin Juridik të Universitetit Notre Dame.