PRESIDENCA E KOSOVËS REAGON NDAJ FYERJEVE TË VULINIT NË ADRESË TË OSMANIT
Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve fyese të ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin në adresë të presidentes Vjosa Osmani.
Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Osmani, në një postim në Twitter ka thënë se ministri serb Vulin po vazhdon të gënjejë dhe të përdorë gjuhën e urrejtjes.
“Vulin vazhdon të gënjejë duke përdorur gjuhë të urrejtjes. Serbia joshi vendet në Afrikë dhe Lindje të Mesme me donacione të vaksinave që të mos e njohin Kosovën”, shkruan Vela.
Ai ka postuar një link të Ministrisë së Jashtme të Serbisë ku flitet për një donacion prej 40.000 vaksinave AstraZeneca që Serbia ia dhuroi shtetit të Ugandës.
Ndryshe, presidentja Osmani, gjatë vizitës në Kanada, në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax ka takuar një delegacion të Senatit amerikan ku ka potencuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon.
Ajo tha se Serbia ka kushtëzuar disa vende afrikane që ta çnjohin Kosovën duke i ofruar vaksina ruse. Vulin reagoi ndaj kësaj duke thënë se Osmani “po gënjen”, ndërsa ka shtuar se Serbia ka dhuruar edhe teste për koronavirus në Kosovë./rtklive