DJALI I KRIMINELIT MLADIQ MUND TË PROPOZOHET PËR PRESIDENCË TË BOSNJËS
Djali i kriminelit të luftës, Ratko Mladiq, Darko, mund të jetë kandidat për kryetar të Republika Srpskas ose për anëtar të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës nga radhët e serbëve, në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Emri i tij si propozim ka dal nga partia “Srpska e bashkuar”, që është në koalicion me partinë e Milorad Dodikut, SNSD, në Qeverinë e Republika Srpskas, shkruan “Oslobodjenje”.
Sipas kësaj gazete, nga kjo parti kanë thënë se Darko Mladiq më shumë do të mund të ishte kandidat për anëtar të Presidencës së Bosnjës, që përbehet nga tre anëtarë të tre popujve që përbëjnë këtë shtet: boshnjakët, kroatët dhe serbët.
Në rast se do të vijë deri te kjo, atëherë Darko Mladiq do të ishte kandidat i pavarur, por i përkrahur nga partia “Srpska e bashkuar”, ka bërë të ditur Kostadin Vasiq, anëtar i kësaj partie.
Vetë Mladiq ka thënë për portalin “Srpskainfo” se është i befasuar më këtë propozim.
Babai i tij para pak muajsh është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Bosnjë dhe gjenocidin në Srebrenicë. Ai është gjetur fajtor dhe është mbajtur përgjegjës si lider i forcave të armatosura serbe në Bosnjë.
Darko Mladiq ishte përmendur si kandidat për kryetar të Republika Srpskas nga partia e Dodikut, SNSD-ja, edhe në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, por nuk kishte ndodhur asgjë në këtë drejtim.
Aktualisht anëtar i Presidencës së Bosnjës nga radhët e serbëve është Milorad Dodik, që po angazhohet çdo ditë e më shumë për ndarjen e Republika Srpskas nga pjesa tjetër e vendit./rtklive