LAJÇAK: PATËM DISKUTIM TË THELLË ME KURTIN PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak është takuar në Vjenë të Austrisë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Lajçak shkroi në Twitter se ka pasur një diskutim të thellë me kryeministrin Kurti për gjendjen aktuale dhe dialogun.
“Sot në Vjenë pata një diskutim të thellë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për gjendjen aktuale dhe rrugën përpara në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Lajçak.
Kryeministri Kurti ka shkuar sot në Austri për të një vizitë zyrtare.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Kurti atje do të qëndrojë dy ditë.
Në njoftim bëhet e ditur se Kurti do të takohet me Kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg.
“Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, për të zhvilluar një vizitë zyrtare dy ditore. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim bilateral me Kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg me të cilin do të diskutojë mbi marrëdhëniet në mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë dhe mënyrat e fuqizimit të tyre nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
ZKM-ja njoftoi se krahas takimeve tjera zyrtare, Kurti do të marrë pjesë edhe në diskutimin e organizuar nga Instituti “Karl Renner”, me temën “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore”, që do të mbahet sot në ora 18:00./rtklive