ZAEV: SHKUPI DHE SOFJA TË KËRKOJNË ZGJIDHJE NË EMËR TË SË ARDHMES
Kryeministri Zoran Zaev i uroi fitoren presidentit të Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në vend.
“Në bisedën telefonike që kisha me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev i urova fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe i dëshirova më të mirën për fqinjin tonë dhe mbarë popullin bullgar”, theksoi Zaev.
”Ramë dakord se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të vazhdojnë përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, në emër të së ardhmes së përbashkët evropiane”, shtoi ai.
Presidenti aktual bullgar, Rumen Radev duket se është rizgjedhur në post me një diferencë të konsiderueshme votash, sipas disa parashikimeve.
Ai mund të marrë më shumë se 65 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij, Anastas Gerdzhikov fitoi rreth 33 për qind të dielën, sipas parashikimeve.
Rezultatet përfundimtare zyrtare nuk kanë dalë ende, por Gerdzhikov pranoi humbjen.