Ilir Levonja: Marrëveshja e plotësuar
Pasi doli rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, Edi Rama e ftoi publikisht Lulzim Bashën që të distancohej nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Atëhere u fol për një konfirmim të tipit gjerman, CSU dhe CDU, pra një qeverisje e përbashkët mes së majtës dhe të djathtës. Në parim duket gjithçka ok, po problemi është se Shqipëria nuk ka asesi një klimë politike si ajo në Gjermani. Për më tepër as që diskutohet përgjegjësia morale a individuale e ligjëvënësit gjerman me atë shqiptar. Mjafton të kujtoni se si u ndryshua Kushtetuta e vendit me firmën e deputetëve të listës. Kjë ndodhi në janarin e vitit të kaluar thjesht për të përmbushur tekat Edi Ramës për reformën zgjedhore për gjoja listat e hapura dhe dëshmorët e atdheut. Një kuvend me 122 deputetë, kur duhej 140, nga ku 106 votuan pro Edi Ramës. Ky ishte një nga ndëshkimet më të mëdha politike, që asesi nuk mund të krahasohet me përgjegjësinë morale midis ligjëvënësit shqiptar dhe atij gjerman. Ndaj duhet thënë se gjoja kundërshtisë së atëhershme nga Lulzim Basha, po i del boja sot, pas konfliktit me Ilir Metën. Lulzim Basha nuk po bën asgjë, po na përfundon tabllonë e kërkuar nga Edi Rama menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të këtij viti, atë që Lulzim Basha të distancohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ajo që të bën përshtypje, është marria e shtypistave të krahut të Ramës karshi Ilir Metës. Megjithëse e kanë shkarkuar si moralisht ashtu edhe votë, dhe mezi presin janarin kur Gjykata të vendosi për nismën e tyre, na publikojnë njëmijë e një të zeza për presidentin, por kurrë nuk gjetën një të tillë tek Edi Rama. Njëmijë e një të zeza për Sali Berishën por kurrë nuk e panë një të tillë tek Edi Rama. Ato për Lulzim Bashën, i paketuan se kushedi kur u duhen rishtas. Luli tani nuk është më gjumash, nuk është më Sali Berisha, por një ”europian” i cili mendon për vedin. E gjitha nuk është asgjë tjetër, por riformatimi i një lufte të ashpër politike me katër emra që sigurisht nuk përbejnë asgjë të re për shqiptarët. Klima ideale do të ishte që të ishin emra komplet të rinj, por është e pamundur të ndodhi. Arsyet janë të shumta. Por mbi të gjitha, ajo përgjegjësia individuale e politikanit shqiptar që kurrë nuk njohu dorëheqjen. Sot si e majta apo e djathta janë dy bastione të vdekur për shkak të vrasjes së vendimarrjes me votë kolegjiale. E kanë konsideruar fuqizimin e njëshit si diçka që do krijonte kushte optimale për ekonominë, drejtësinë, liritë dhe të drejtat e njeriut. Mjafton të mos vi iksi në pushtet, le të vrasi e të presi sa të dojë ky që kemi etj. Për rrjedhojë shqiptarët nuk kanë të drejtë të votojnë presidentin, Nuk kanë lista të hapura, nuk votojnë të preferuarit e tyre realë nga zona a qyteti ku jetojnë. Madje nuk ndihen të përfaqësuar aspak për shkak edhe të reformave të dhunshme territoriale. Nuk kanë një qeveri që t’ua ndërtojë shtëpitë jo vetëm kur i shëmb tërmeti, por thjesht edhe në normalitet social. Banesat publike janë një nocion i harruar ose edhe një nocion me përqindje ku shifra faktike ka përpara një batalion me zero etj. Pa përmendur faktin që kanë një përkrahje sociale, lëmoshë, jo ndihmë sociale, por lëmoshë. Pa shkuar tek fakti tjetër se pavarsisht se ku ndodhen, nga emigrimi, nuk kanë të drejtën e votës. Madje, emigrantët janë një kërcënim nëse ata kontribuojnë për demokracinë në vendin e tyre. Sot Lulzim Basha e vulosi premtimin e karshi Ramës, distancimin politik nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Konfirmimin e një qeverisje të tipit gjerman. Megjithëse në Gjermani si Merkeli atëhere, si Horst Shefër e arritën kourumin përmes votës kolegjiale, jo vetos personale. Në Shqipëri ndodh tërësisht e kundërta, vendos Rama me Bashën por jo vota kolegjiale, sidomos e të të djathtëve. Pyetjes se çfarë do të bëje sikur Berisha të mos i bënte ato që po premton, po i përgjigjem thjesht, do i bija kokës sikur edhe i kam rënë.