Malëshoviti Stefan Lasko, pasardhësi besnik i Nolit në Kishën Autoqefale Shqiptare të Amerikës
Ortodoksia shqiptare në Amerikë e fillon historinë kishtare me të shquarin Fan Noli (1908), i cili themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare dhe qëndroi në krye të saj deri në frymën e fundit të jetës. Nuk e pati fushë me lule, pati shumë ferra nëpër këmbë, por ai i shërbeu Zotit dhe besimtareve, duke pasur në krah shumë kolegë, miq e shokë besnikë në idealet e tij. Ndër më besnikët e tij në udhën kishtare pati Stefan Laskon nga Malëshova e Përmetit, i cili vazhdoi dhe mbrojti vijën e nisur edhe pas vdekjes së Nolit.
Lasko u lind më 2 shtator 1900 në Malëshovë të Përmetit. Pak dihet për rininë e tij. U urdhërua prift më 20 qershor 1949 nga imzot Fan Noli. Mori urdhër për murg dhe u lartësua në radhën Sakellar në vitin 1953.[1]
Shërbeu në kishën e Shën Gjergjit në Boston nga qershori i vitit 1949 deri në shtator të 1950; vazhdoi shërbimin në kishat e Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Filadelfia nga janari i vitit 1951 deri në prill të vitit 1955. Më pas shërbeu si prift në Shën Koll të Sauthbrixhit, Masaçusets në maj – shtator 1955; në vitet 1956-1963 vazhdoi në kishat e Shën Premtes në Kliverlend, Ohajo.[2] Në vitin 1964 u kthye në Boston për të ndihmuar peshkop Nolin.
Në verën e vitit 1964, në moshën 83-vjeçare, Imzot Theofani kaloi një sëmundje të rëndë. Në atë kohë, Kryekisha e Shën Gjergjit drejtohej nga Ikonom Krist Elli, i cili ishte njeriu më i besuar i Nolit. Ato kohë në Boston shkoi për vizitë Kryepeshkopi i Greqisë Jakovi dhe Ikonom Krist Elli shkon e takon armikun numër një të kishës autoqefale shqiptare. Mendohet që biseda e tyre të ketë qenë për të ardhmen e kishës pas vdekjes së Nolit. Pas takimit që pati me Jakovin u pushua menjëherë nga kisha e Shën Gjergjit dhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit të peshkopatës Noli zyrtarizoi pushimin nga detyra të famullitarit të Kishës së Shën Gjergjit në Boston. Kisha greke kishte filluar të lëvizte për atë çka do të ndodhte me vdekjen e Nolit.
Noli për pasardhës zgjodhi kandidaturën e At Stefan Laskos, i cili shërbente në Filadelfia asokohe, sepse Lasko ishte i vetmi prift ende i pamartuar nga pesëmbëdhjetë klerikët që shërbenin nën juridiksionin e Nolit. Atëherë, ai i dërgoi një letër zyrtare Kryepeshkopit Pais Vodica, në Shqipëri, me anën e së cilës i rekomandonte që të dorëzonte Stefan Laskon në gradën episkopale. Kundërshtarët e Nolit nuk qenë dakord që kandidati për episkop të dorëzohej në Shqipërinë komuniste, megjithëse kisha ishte e ndarë nga shteti, prandaj Noli, për të mos krijuar pështjellime në kishë, i dërgoi një letër të dytë Kryepeshkop Paisit, ku i shkruante se e anulonte rekomandimin. Por, nga ana tjetër nuk u tërhoq për Stefan Laskon, i cili në javën e parë të marsit të vitit 1965 mbërriti në Shqipëri. Imzot Stefan Lasko u shenjtërua peshkop nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Shqipërisë më 20 mars të vitit 1965 në kishën e Shën Spiridhonit në qytetin e Durrësit, prej Kryehirësisë së Tij, Imzot Paisit, Imzot Kirillit dhe Imzot Damianit. Imzot Stefan Lasko ishte hierarku i fundit që u dorëzua në gradën episkopale në Shqipëri.
Pas vdekjes së Nolit, në mars të vitit 1965, kisha “…u pasua nga një periudhë vështirësish dhe problemesh ligjore, të cilat i hodhën familjet kundër njëra-tjetrës duke ndryshuar pozitat e tyre nga të bashkuar, në të ndarë. Drejtori Geri Riska lundroi në këtë stuhi me disiplinë dhe inteligjencë, po kështu bishopi Stefan Lako nuk u dogj nga furra ku ndodhej komuniteti. Atë Sotir Dilogjika shërbeu si udhëheqës me besnikëri në këtë stuhi të brendshme”[3], Lasko u bë Kryepeshkop i Kishës Shqiptare për Amerikën.[4] Që në kohën e vdekjes së Nolit dhe për disa vite (1965–1967), kundërshtarët e tij bënë përpjekje bashkimi e pajtimi të dy grupimeve ortodokse të shqiptarëve të Amerikës: grupimi i madh i udhëhequr nga Kisha e Shën Gjergjit e Peshkop Nolit dhe pakica e Marko Lippas, por pa rezultat. Çështja shkoi edhe në gjykata, sepse filluan të konfliktoheshin me peshkopin e ri, i cili i qëndroi besnik Nolit edhe pas vdekjes së tij.
Hirësia e Tij, Peshkopi i Rivendosur i Drejtë, Stefani (Lasko) i Bostonit ishte peshkopi qeverisës i Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në vitet 1965-1975. Ai e solli dioqezën e tij në Kishën Autoqefale Ortodokse në Amerikë në vitin 1970. Pas shkurorëzimit me ligj të kishës ortodokse në Shqipëri nga qeveria komuniste, dhe pas trazirave që rezultuan brenda dioqezës, peshkopi Stephen (Stefani) bëri kërkesë për Kishën Ortodokse në OCA (Orthodocs Church of America) dhe më 14 tetor 1971, Hirësia i Tij, Ipeshkvi Stefan dhe dioqeza e tij u pritën si Arqipeshkvi Shqiptare brenda OCA-s. Ndërsa në vitin 1972 episkopata e shqiptarëve të Amerikës u bashkua me Kishën Ortodokse Lindore, që ishte në juridiksionin e Kishës Ruse. Kisha drejtohej prej Sinodit Episkopal të përbërë prej dymbëdhjetë episkopëve me të drejta të njëjta, mes tyre edhe Imzot Stefan Lasko.
Peshkop Lasko qëndroi në krye të Kishës shqiptare Autoqefale në Amerikë derisa u shua nga jeta. Ai mori titullin Peshkopi i Bostonit. E drejta e tij u dha edhe nga gjykata. Lasko ishte besnik i Nolit, mbrojti me vetëmohim vijën dhe rrugën e tij.
Në shtator të vitit 1969, Lasko urdhëroi si dhjak dhe emëroi Arthur E. Liolinin në detyrën e administratorit të Katedrales së Shën Gjergjit në Boston.
Lajmi kryesor u dha nga gazeta “Liria”, Boston, 17 tetor 1969, për kryesimin e Peshkop Laskos në emërimin e A. Liolinit si administrator i dioqezës shqiptare në Amerikë.
Tetor 1969, në Shën Gjergj, Boston, pas emërimit nga Peshkop Lasko të dhjakut të ri, Arthur Liolin, si administrator i katedrales së Shën Gjergjit dhe dioqezës shqiptare në Amerikë.[5]
Peshkop Stephen ndërroi jetë të mërkurën e shenjtë të 30 prillit 1975 në Boston. Ceremonia e lamtumirës dhe e dorëzimit te Zoti vazhdoi në Javën e Pashkëve më 5 e 6 maj 1975 në Kishën e Shën Gjergjit.[6]
Ai u varros në të njëjtën varrezë, shumë pranë Peshkop Fan Nolit.
“Ngjitur me Nolin, – shkruan N. Jorgaqi, – është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, që u njoh dhe u çmua si shqiptar i mirë, klerik e burrë me karakter. Edhe i vdekur ai i qëndron pranë kryezotit të vet shpirtëror”.
Si Peshkop Noli edhe pasardhësi i tij Peshkop Stefan Lasko vazhdoi të udhëheqë grigjën në udhët e Nolit, të “Plakut të Amerikës”, siç e quajti Mitrush Kuteli, për të theksuar dhuntinë.
Dokumenti i ceremonisë mortore dhe fetare në Javën e Pashkëve 5, 6 e 7 maj 1975 të të ndjerit Peshkop Stefan Lasko në Katedralen e Shën Gjergj e urtësisë së Nolit.
Pasi Peshkop Lasku ndërroi jetë, ai u pasua nga Peshkopi Mark (Forsberg). Në vitin 1976, i Dërguari Nicholas Liolin u shugurua nga Sinodi i OCA-s dhe i dha emrin Nikon. Para ngritjes së tij në episkopat, Atë Mark Forsbergu ishte prift në dioqezën shqiptare të Kishës Ortodokse në Amerikë. Ai drejtoi Arqipeshkvinë shqiptare deri në pensionimin e tij më 1983.
Shefqet SALIU
Shënim: Botuar në librin “Panteoni i mirënjohjes përmetare (Njerëz të shquar)”, vit. bot. 2021, Tiranë, fq.203-208.
[1] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”.
[2] – Sipas Fan Nolit, “Libri i Pesëdhjetëvjetorit”, Boston, vit. bot. 1959, fq. 116
[3] – Atë Arthur Liolin, gazeta “Dielli”, NY, dt. 16.3.2021.
[4] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”.
[5] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”, material informativ kërkuar nga autori i këtij libri.
[6] – Neka Doko, arkiviste e bibliotekës “Fan Noli”, material informativ kërkuar nga autori i këtij libri.