Albspirit

Media/News/Publishing

REXHEP SHAHU: GJITHMONË KA SUPE E GJOKSE PËR GRADA E DEKORATA TURPI

 

(Bashkia e Kukësit zhduk memorialin e kujtesës në nderim të 2400 kuksianëve të masakruar nga ushtria serbe në nëntor 1913)

 

Tre vjet më parë, në 2018, Bashkia e Kukësit ndërtoi një memorial të vogël e modest veshur me gurë të zinj si pllanga gjaku në nderim të mbi 2 mijë kuksianëve të masakruar nga ushtria serbe në 1913. Si këshilltar i atëhershëm i kryetarit të bashkisë Kukës për art e kulturë, jam propozuesi e ideuesi zyrtar i atij memoriali që e konsideroja dhe e konsideroj si një gur varri për kuksianët e masakruar prej serbëve. Me propozimin tim, me urdhër zyrtar të kryetarit të bashkisë datë 10 shtator 2018, drejtoritë përkatëse të bashkisë e projektuan, e zbatuan dhe punonjësit e bashkisë e ndërtuan memorialin pranë Kullës së mikpritjes, në cep të lulishtes kryesore, buzë shëtitores që ta shihnin njerëzit.

Tre vjet më vonë, në nëntor 2021, pasi ai memorial shqetësoi struktura të ndryshme dhe kujtesën serbe, autoritetet aktuale të Bashkisë Kukës e ka shkul dhe zhduk memorialin.

Memoriali i kujtesës i ngritur në 105 vjetorin e masakrës serbe nga bashkia e atëhershme, u shkul e zhduk nga bashkia Kukës në 108 vjetorin e masakrës. Kështu i nderoi dhe kujtoi sivjet të masakruarit nga Serbia bashkia Kukës në 108 vjetorin masakrimit të tyre.

Në vend që autoritetet të shkonin të vendosnin një kurorë te ai memorial, ata e rrafshuan dhe zhdukën. Nderim i bukur është më e zhdukë gurin mbi varrin e tyre.

Bashkia Kukës e ka rrafshue vendin ku ka qenë memoriali me zhduk çdo gjurmë dhe më mirë nuk do ta kishte bërë këtë punë as Serbia as zyrtarët e punonjësit serbe po të vinin vetë. Duhet lavdrue Bashkia e Kukësit për këtë skandal, turp e poshtërim që i ka bërë atij guri varri dhe gjithë të gjallëve të Kukësit e Lumës.

Memoriali i zhdukur ka qenë një memorial kujtese, një gur varri, nuk ka qenë lapidar, as përmendore, as bust as shtatore. Nuk ka qenë memorial për qëndresën e kuksianëve apo lumjanëve, por ka qenë një shenjë në nderim të atyre 2 mijë e sa kuksianëve që i masakroi ushtria serbe në 1913. Lapidarët e qendresës e trimërisë janë për vitin 1912.

U shemb, u zhduk memoriali – guri i varrit që na kujtonte rreth 2400 të masakruarit nga Serbia. Punë e madhe, asgjë nuk është. Thjesht një skandal banal. Janë vra e janë zhduk 2400 njerëz 108 vjet më parë në Lumë nga Serbia e nuk është bërë nami, e po u bëka nami se u zhduk guri i varrit të tyre. Kukësi e Luma ka mbijetue edhe pse ia masakruan mbi 2 mijë njerëz, fëmijë, gra, pleq, burra e gra siç e përshkruan tmerrin Dimitrije Tuceviqi. Ka patur, ka e do të ketë gjithmonë prishës e vjedhës varresh, edhe rrehës varresh…

Gjithmonë ka patur, ka e do të ketë supe e gjokse për grada e dekorata turpi.

Vaso Çubrilloviqi, arkitekti i shfarosjes së shqiptarëve shkruante në platformën e tij se në Tiranë Serbia i zgjidh punët më parë. Në Kukës nuk e di se si i zgjidh, por shkrimin e Tuceviqit në anglisht e shkulën urgjent dhe heshtën të gjithë…

Veprat e tilla si memoriali i zhdukur, nuk i gjykojnë dot estetikisht lloj-lloj amatori, çobani e analfabeti që ka një telefon celular në dorë dhe shkruan në fb marrëzitë e veta, pohon injorancën e vet duke hyrë në terma se çfarë ishte ajo vepër si e pse ishte, pa ditur asgjë. Të gjithë tregojnë budallakinë e tyre, flasin për gjërat që nuk i dinë ose që i dinë më keq, ju vjen turp për çfarë janë, por duan të hyjnë në fushën e dhënies së mendve, në fushën e shkrimit e dijes, nuk u mjafton me shit kokoshka a banane…

Grumbull gurësh, i paskan thënë. Grumbull gurësh janë gjithë ndërtesat, pallatet janë grumbull tullash, malet janë grumbull gurësh. Po, edhe memoriali ishte grumbull gurësh.

Rrënuesit e shkatërruesit e kanë bërë mrekullisht punën e tyre, mbase presin se mos ju vjen ndonjë dekoratë apo ndonjë pare nga Serbia. 900 kuksianë kanë qenë xhandarë të Serbisë dhe kanë marrë xhixha e dukata nga Serbia. Dikush më shumë e dikush më pak, por në themelet e shumëkujt ka xhixha serbe.

Memoriali jo kaba, jo kërcitës, jo buçitës por i përunjur, i ultë 3 metër në kujtim të mbi 2 mijë kuksianëve të masakruar nga ushtria serbe në 1913 nuk ka qenë lapidar si ata që ngriheshin dikur sa më të lartë në kohën e diktaturës, me ia ba qejfin diktaturës. Jo. Memoriali është konceptuar, menduar e ndërtuar si një gur varri. Nuk është lapidar i menduar e ndërtuar keq, është grumbull gurësh të zi të ngjitur mbi një masë betoni për me ndërtue një gur varri.

Jam ideuesi e propozuesi zyrtar i këtij memoriali sepse kam qenë 13 muaj këshilltar i kryetarit të bashkisë Bashkim Shehu. Atëherë mendoja të ngjisim 2400 gurë të zi të vegjël në atë memorial si pllanga gjaku të 2400 kuksianëve të masakruar. Por edhe aq gurë të zi sa u vunë aty e jepnin efektin.

Ata dijetarë që diskutojnë për memorialin e vogël me peshë të madhe sepse u ngrit pas 105 vitesh mungese, jo i keq, jo i mirë, nuk i ka ndalur askush ta bënin një memorial të tillë, nëse ishte i zi, ta bënin një të bardhë apo të kuq, ta bënin një që mund t’i pëlqente edhe Serbisë apo spiunave serbë apo ish zyrtarëve të diktaturës që udhëheqin e duan ta udhëheqin edhe sot jetën kulturore e politike të vendit e të Kukësit, por këto punë me ngrit vepra të tilla, me lanë akte kujtese duan punë e jo fjalë, duan koqe e jo llogje.

Guri i varrit në kujtim të mbi 2 mijë kuksianëve të masakruar nuk gjykohet a është i bukur apo i shëmtuar, guri i varrit sido që të jetë është gur varri dhe nuk gjykohet nga bukuria një  gur varri. Marrja përsipër nga analfabetët estetikë të gjykojnë shëmtinë ose bukurinë është vrasëse. Liria ua ka rrit shumë veshët disave. Edhe thundrat. Për inate jashtë memorialit pa lidhje me memorialin janë gati me ia vu dinamitin edhe truallit ku ka qenë memoriali. Nuk i bihet memorialit me fjalë as nuk goditet toka e memorialit me thupër pse kanë inat ish kryetarin e bashkisë apo mua, apo pse i mundon ndonjë histori e vjetër familjare me pseudonime, me xhixha serbe, apo pse shkollimi i mangët e sakat nuk u jep mundësinë të gjykojnë për estetikën dhe të dinë kush e çfarë është e bukur dhe kush e çfarë e shëmtuar. Në këtë rast vlen ajo thënia brilante e Dritëro Agollit “sa di ti di bytha ime”…

Ai memorial ka qenë i projektuar e ndërtuar nga Bashkia me urdhër ligjor të kryetarit të bashkisë. Projektimi e ndërtimi i tij është bërë nga punonjësit e bashkisë. Kryetari i bashkisë nuk merr leje për objekte të bashkisë, ai jep leje, firmos leje dhe urdhëri i tij për ndërtimin e memorialit është leja dhe çdo gjë. Betonin për atë memorial e ka dhurue kompania Vega e zotit Zylfi Oruçi 3 metër kub beton. Pllakat e mermerit që janë përdor për atë memorial dhe dëshmitarin e vogël ngjitur memorialit janë blerë tek firma e Vesel Lacit me rreth 75 mijë lekë të reja ose shtatëqindepesëdhjetëmijë lekë të vjetra. Gurët e zinj nuk janë blerë, janë mbledhur andej këndej edhe në Kosovë nga punonjësit e bashkisë. Pllaka e vogël e zezë në memorial është dhurue nga Sef Bajraktari në Tiranë. Shkrimi mbi atë pllakë është pague prej meje rreth 7 mijë lekë të reja ose 70 mijë lekë të vjetra. Dy pllakat e verdha që nuk janë metal por plastikë për këto gjëra, me shkrimin e Dimitrije Tuceviqit, Masakrimi në Lumë, në shqip e anglisht janë prodhuar në Tiranë në Kombinat dhe janë paguar prej meje. Njëra pllakë, ajo që ishte në anglisht, u hoq, u zhduk, u shkul disa kohë pasi u vunë dhe e kam prodhue për së dyti pllakën në anglisht dhe e kam pague vetë. Edhe pllakën e vockël në fund të dëshmitarit e kam shkrue në Tiranë. Tri pllakat në total me shkrimin e Tuceviqit dhe shkrimi në pllakën e memorialit bashkë me pllakën e vockël kanë kushtuar rreth 300 mijë lekë të vjetra të cilat nuk i kam marrë asnjëherë nga Bashkia megjithëse ia pata kërkue sekretarit të përgjithshëm Bujar Muçmatës dhe shefit të llogarisë, Safet Miftarit, por u ndërruan pushtetet dhe mbeta pa i marrë.

Ata që mendojnë se me atë memorial është vjedhë e është bërë nami e kanë mendjen vetë vetëm të vjedhja dhe kujtojnë se të gjithë bëjnë siç ata mendojnë, kujtojnë se të gjithë vjedhin siç ata lakmojnë. E nëse janë zyrtarë aktualë mbase duan të fshehin vjedhjet e tyre.

Ata që mburren se kanë ide, le t’i zhvillojnë. Por shtrerpat e të sherrmit nuk pjellin as ide as vepra të mira. Ata janë shkatërrimtarë, rrënues. 28 vjet demokraci askush nuk pengoi askënd me nderue të masakruarit që na i ka masakrue Serbia në 1913. Kur u nderuan, kur u ngrit një memorial jo i përsosur, jo i përkryer, filluan shumë veta të pështyjnë në qiell.

Nëse ishte memorial i keq, ta bënin një më të mirë, nëse ishte i vogël, ta bënin një më të madh, nëse ishte i shëmtuar, ta bënin një të bukur, nëse atë memorial nuk e donin ata, ta bënit një që e donin ata, por me atë nuk kishin asnjë punë, pasi ka hapsira boshe e të shkreta qyteti i Kukësit me ngritë edhe mijëra vepra të vogla arti.

Asgjë nuk i pëlqen gjithkujt, por të gjithë jemi të dënuar ta pranojmë edhe tjetrin, edhe punët e tjetrit, edhe mendimet e tjetrit, edhe veprat e tjetrit. E kur nuk e pranojmë e durojmë tjetrin, atëhere bëjmë atë që don Serbia, rrafshojmë kujtesën që të mos shqetësohet Serbia, siç ka bërë bashkia Kukës.

Memoriali i të masakruarve nga ushtria serbe i shembur nga Bashkia Kukës është marrë nga unë si model pothuaj i ngjashëm me memorialin Trinity Site National Historic Landmark që ka ngrit Amerika në vendin ku është provuar bomba e parë atomike që ka tha e shkretue vendin siç ushtaria serbe thau, shoi e masakroi Lumën e rajonin e Kukësit në nëntor 1913 kur i masakroi 2400 njerëz, fëmijë, gra, pleq, burra e gra. Pra memoriali që rrafshoi bashkia Kukës është një memorial i ngjashëm me gurë të zi, atje të nxirë nga thirri i bombës atomike e këtu nga dhimbja e gjaku i derdhur i 2400 kuksianëve që i mohon bashkia Kukës për hatër të Serbisë se mos zemërohet Serbia. Atje në Amerike ky lloj memoriali vlerësohet shumë, në Kukës e gjykojnë çibanë e çobanët a vlen apo jo, a është e mirë apo jo. Ky model a jernek memoriali që për hir të së vërtetës e kam marrë në linqet që më dërgoi Qazim Rudi, një intelektual i angazhuar e dashamir ekselent i Kukësit që është gjithmonë i gatshëm me nderue e ndihmue Kukësin, nuk është jernek shkine siç e duan rrënuesit e Kukësit e ish zyrtarët vendas e jabanxhij të diktaturës në Kukës që kujtojnë se kanë mend e se kanë qenë të rëndësishëm…

Pasi mora pëlqimin e kryetarit të Bashkisë e kam diskutuar modelin që zgjodha me disa  njerëz të dijshëm në Tiranë e me asnjë çoban në Kukës. Jam pajtuar së pari me mikun tim Izet Durakun që bën ky memorial. Izeti njëherë mendoi ta ndërtonim në formën e lapsit 6 këndësh, që të pohojmë se është shkruar ajo tragjedi në kujtesën e historisë dhe vazhdon të shkruhet. Ai bashkë me Shefqet Hoxhën, dy njerëzit më të ditur të fushës së letrave, albanologjisë e estetikës nga Kukësi që njoh unë e pranuan këtë memorial. Teksti i pllakës së memorialit që e gjykojnë sot çobanë të ndryshëm është bërë nga Izet Duraku dhe profesori i gjuhësisë Shefqet Hoxha. Nuk ka të gjallë në Kukës që dinë më shumë e më mirë se ata të dy se ku duhet me gërmë të madhe a të vogël dhe kjo nuk është punë spurdhjakësh, magazinierësh a shitësish kokoshkash. Dëshmitari që është në krah të memorialit mbi të cilin është vendosur në shqip dhe anglisht shkrimi i Dimitrije Tuceviqit Masakrimi në Lumë është ide e Izet Durakut dhe jam shumë entuziast për këte gjetje të tij.

Kur është inagurue ky memorial në 105 vjetorin e masakrimit të kuksianëve kanë ligjërue Prof. Shefqet Hoxha, Fejzulla Xhabri, Izet Duraku, Sulejman Dida etj., më të diturit e Kukësit për këto punë, ata që kanë studjue.

Para memorialit që u inagurue atë ditë kam ligjërue unë, kam rrëfye historinë e tij dhe kam falenderue gjithë politikanët kuksianë që për turpin e tyre kanë mungue atë ditë në këtë ceremoni kujtese të 2400 të masakruarve nga Serbia.

Duke shalue inate me kryetarin e bashkisë Bashkim Shehun dhe me mua ndoshta, ata munguan ate ditë në inagurim në ceremoni.

Kush nuk është i zoti me ndreqe, prish. Edhe aftësia me prishë është e vlerësuar. Të paktën është një mënyrë me hy e me mbetë në histori. Kush nuk hy në histori si ndërtues hyn si shkatërrues, e rëndësishme me hy në histori edhe me turp e për turp. Prishja e zhdukja e memorialit të kujtesës në Kukës është skandali më i rëndë politik që ka ndodhë, është atentati më i rëndë kundër kujtesës.

Guri i varrit është gur varri. Mund të jetë gur i zakonshëm, gur që gjendet në rrugë, mund të jetë mermer, mund të jetë granit, mund të jetë gur i zi si gjak i mpiksur i atyre njerëzve që masakroi Serbia.

Por prishësit e gurit të varrit, prishësit e varreve i urrejnë varret e atyre që ka masakruar Serbia. Sepse ne nuk duhet të kemi të masakruar, mendojnë ata, ne duhet të jemi masakrues të serbëve, ne duhet të rrejmë veten se vetëm kemi masakruar serbë, ne kemi ba namin, e kemi farue Serbinë, por veç 2400 të masakruar i kemi që na i ka masakrue Serbia në Kukës si hakmarrje në nëntor 1913.

Ata që prishin gurët e varreve e varret kanë me vete edhe ata që heshtin kur kryhet ky krim. Heshtja është bashkëfajësi. Kjo më ka trishtuar në fakt, mungesa e solidaritetit intelektual pasi turma dihet se është e verbër. Ky është i vetmi trishtim real që kam.

Janë knaqë duke e prishë memorialin se u është duke sikur janë të rrëzue ish kreyetarin e bashkisë që e ka miratue e ngritë atë vepër, sikur janë të më rrëzue edhe mua, sikur janë të më rrafshue edhe mua që kam propozue, negocue dhe nxitë ndërtimin e saj.

Edhe ata që kanë heshtë janë knaqë që po zhduket ai memorial kujtese sepse përveçse ai memorial u kujton se Serbia na ka masakrue 2400 njerëz e ne nuk duhet t’i harrojmë jo për të ngjallë urrjetje por për të mos na u përsërit, për të mos harrue, janë knaqë edhe se po zhdukin kujtesën për mua e njerëzit që e ngritën atë memorial kujtese. Ndryshe si është e mundur që asnjë shok, asnjë mik, asnjë njeri nga ata që më janë sjellë të afërt e as nga ata që më janë sjellë si pordha nëpër brekë nuk më tha asnjëherë se nuk bën kjo vepër, është e shëmtuar kjo vepër. Si heshtën dhe e duruan tre vjet atë vepër. Ata që lumturohen dhe duartrokasin zhdukjen e memorialit kanë inate jo me memorialin por me ish kryetarin e bashkisë. Kanë inate se ndonjërin nuk e ka marrë në punë, ndonjërit nuk ia ka marrë ndonjë të afërm në punë, nuk ia ka marrë nusen e vëllait në punë, ndonjërit nuk i ka dhënë leje ndërtimi për lavazh, ndonjërit nuk i ka dhënë fonde, ndonjërit nuk i ka dhënë leje taksie… Pra lumturohen se u shemb memoriali se kujtojne se po shembin ish kryetarin me duart e kryetarit aktual. Të vegjël, bubrreca. minoritarë të një lloji të veçantë që kanë me mbet të huaj gjithmonë në Kukës.

Unë nuk zhdukem se unë e shkruaj historinë e tyre të turpit. Ata e bëjnë historinë e turpit unë ua përjetësoj në libër. Ai memorial, shumë foto të tij, fjalët për të, janë botuar në librin tim në njëmijë kopje dhe është shpërndarë në gjithë botën. Ai memorial është në dhjetra e qindra foto, video, emisione, këngë.

Ëndërroj që kur të ikin çibanët ta ringrë aty ku ka qenë atë memorial ashtu siç ishte me fondet e mia. Ai memorial nuk kushton më shumë se 1200 euro për t’u ngritë. Ëndrra mbetet, ëndrrat nuk i shkul dot bashkia.

Serbia ka bërë dhe bën përpjekje kolosale që të zhdukë gjurmët e krimeve të veta. Ka angazhuar gjithmonë resurse njerëzore e mjete të mëdha financiare që të paraqitet në opinionin publik botëror e rajonal si viktimë e jo si agresore e xhelate. Sidomos në raport me shqiptarët ajo ka synuar fort që të mos shfaqet pushtuese, dhunuese, agresore por viktimë.

Për këtë ajo ka bërë të pamundurën që të mos përmenden askund viktimat e saj, viktimat që ka shkaktuar ajo kundër shqiptarëve e të tjerëve në rajonin e Ballkanit.

Serbia është e lumtur që të dëgjojë shqiptarët e këngët e tyre se e kemi shkepë Serbinë, se e kemi mundë Serbinë, se i kemi vra 12 mijë ushtarë serbë në Lumë. E bile shqiptarët që janë tellallë të mirë të Serbisë e kane rritë shifrën 12 mijë në 18 mijë. Pra sikur lumjanët kanë vrarë 18 mijë serbë në 1912. Lexoni librin e Sali Onuzit për betejën e Lumës të 1912 që të bëheni esëll të gjithë ju që i skuqni telat e çiftelive me trimërite e rreme…

Serbët nuk duan kurrë të flitet për masakrat që kanë bërë ndaj shqiptarëve. Shqiptarët, sidomos ata më patriotët, ose patriotët e hamamit, ashtu siç don Serbia, nuk duan të flitet për masakrat serbe në Lumë e në Kukës, nuk duan t’i pranojnë masakrat serbe, nuk duan ta pranojnë se serbët kanë pre në qafë në Topojan e Perbreg mbi një mijë vetë e në gjithë fshatrat e Kukësit mbi 2400 kuksianë i ka masakrue në 1913 duke marrë hak për 1912 ku ushtria serbe u shpartallue në Lumë.

Të huajt, por edhe vetë serbët që e kanë pa dhe e kanë shkrue atë masakër e kanë shpallë atë genocid serb në Lumë, kanë alarmue botën për çfare po ndodhte.

Shkrimi i Dimitrie Tuceviqit i atyre ditëve të 1913 është akuza më e rëndë kundër Serbisë. Shqiptarët, bij spiunash patriotë të Serbisë e urrejnë dhe duan ta zhdukin edhe shkrimin i Tuceviqit me titull “Masakrimi në Lumë”, shkrim që është shumë i botuar e i përhapur në shqip, anglisht e serbisht, shkrim që i poshtëron serbët por edhe i bën me turp shqiptarët që shiten trima dhe që mendojnë se kanë bërë namin në luftë.

Kush e ndihmon Serbinë që të zhduken gjurmët e masakrave serbe, të zhduken e të mos përmenden të masakruarit prej saj, të mos mbetet askund asnjë gjurmë, të mos ngrihet as të mos mbetet asnjë gur varri për të masakruarit prej saj, i bën Serbisë një shërbim të madh.

23 nëntor 2021.

———–

Më poshtë vijon fjala ime ditën e inagurimit të memorialit të kujtesës që sot e kanë zhduk.

 

REXHEP SHAHU: MONUMENTI I MARTIRËVE TË LUMËS

 

(Kush e mban kryet pas nga e kaluara iu qorroftë njëri sy, kush e harron të kaluarën iu qorrofshin të dy sytë – thoshte shkrimtari i madh rus Aleksander Solzhenicin.)

 

Faleminderit të gjithëve që keni ardhë këtu.

Faleminderit të gjithve që mungojnë. Deputetëve, politikanëve dhe të mëdhejve që mungojnë se nuk e kanë konsideruar të madhe këtë ngjarje. Mungesa e politikanëve e deputetëve dhe e gjithkujt që shitet njeri i angazhuar, në këtë ceremoni, verteton se nuk janë politikanë as deputete dhe as njerëz të angazhuar edhe pse marrin rroga e benefice si të tillë. Ngjarje të tilla si e sotmja, ndertime e inaugurime veprash të tilla si ky memorial kujtese e nderimi për martirët, që kanë të bëjnë me kujtesën kombëtare, me shpirtin tonë, janë para së gjithash politike dhe shumë politike.

Ky monoment me gurë të zij është i ndërtuar me pllanga gjaku të mbi dy mijë lumjanëve të masakruar para 105 vjetëve prej ushtrisë së Mbretërisë Serbe.

Është hera e parë që ne nuk na vjen turp me pohue se ne na kanë masakrue, na kanë shkatërrue, na kanë djegë por kemi ngelë gjithmonë duke u mburrë se kemi lanë nam.

Ky memorial që është një antiserbizëm pa fjalë, flet më shumë se një mijë fjalë a libra kundër Serbisë, si busti dhe shtëpia e Havzi Nelës flet sa një mijë fjalë a pallavra nëpër kafe kundër komunizmit dhe enverizmit.

Këto gurë të zinj, si pllanga gjaku të këtij Monumenti kujtese,  janë mbledhë nga ana e anës për me ndërtue një gur vorri te kryet e sejcilit shqiptar të masakruar prej ushtrisë serbe në Lumë 105 vjet më parë, në vjeshtën e vitit 1913.

105 vjet ka munguar ky gur te kryet e rreth dy mijë martirëve të Lumës për fajin tonë, për frikën tonë dhe kemi shaluar telat e çiftelisë e kemi luftuar në këngë. Ka munguar ky nderim, ky memorial sepse shpesh litari serb i lënë jashtë vende vende ka kërcënuar ndokënd dhe i ka kujtuar ndokujt ndonjë lugë çorbe të prishur serbe ngrënë nga paraardhës të hershëm kohëve të pushtimeve serbe.

Ka lapidarë që përkujton masakrat ndaj martirëve në Pobreg e në Topojan në dy fshatrat që u faruan e shuan pothuaj komplet në vjeshtë 1913, por në qendër të qytetit, në qendër të bashkisë u ndërtua sivjet në 105 vjetorin e masakrave serbe ndaj martirëve.

Martirë të masakruar ka në shumë zona e fshatra të Kukësit por jo si në Topojan e Përbreg për hir të të cilëve ky monument vihet në qytetin e Kukësit.

Duke besuar se gjithë shqiptarëve, përveç peshqve, u vjen mirë që u ngrit kjo vepër e vogël modeste, si një njeri i përfshirë që në krye në ndërtimin e saj, ndjej se duhet ta falenderoj kryetarin e bashkisë Bashkim Shehu për vendimin e prerë pa mëdyshje për ndërtimin e kesaj vepre që është e vogël në dukje por e madhe në histori.

Duhen falenderuar punonjësit e bashkisë të cilët e kanë ndërtuar këtë vepër, arkitekti Edrion Laçi, drejtori i shërbimeve Sabajet Cengu, gjithë punonjësit, shoferët e specialistët që kanë gjetë e sjellë gurët e zij nga ana e anës, që e kanë ndërtuar e kuruar veprën, sekretari i përgjithshëm i bashkisë Bujar Muçmata për  angazhimin, mbykqyrjen e ndjekjen të punimeve deri në detaje, Sef Bajraktarin që ka dhurue pllakën e granit që është vendosur të Memoriali i Martirëve të Lumës.

Këtë vepër e ka ndërtuar bashkia Kukës me punonjësit e specialistët e saj. Betoni është bërë dhuratë nga firma Vega e zotit Zylfi Oruçi 3 metër kub beton. Memoriali ka kushtuar në total 1200 (njëmijëedyqind) euro.

Kjo vepër është njëlloj madhështore kundër masakruesve serbë të 1913 siç janë madhështore kundër komunizmit sllav dhe enverizmit ndërtimi i bustit dhe shtëpisë së poetit martir Havzi Nela.

Anti shovinistë serbë e antikomunistë me fjalë e pallavra ka plot kafeneve e zyrave të partive e shoqatave fantazma gjobvënëse, por me vepra si ky monument kujtese dhe si busti e shtëpia e Havzi Nelës nuk pati këto 28 vite postdiktaturë në Kukës. Ka mijëra punë të vogla pa bërë, por janë tri punë të mëdha që mbeten në histori.

Me ndërtimin e kësaj vepre ndoshta iu prish qejfi Serbisë së vjetër dhe komunistëve të vjetër që simpatizojnë Serbinë që nga themelimi prej serbëve të partise komuniste të Shqipërisë.

Falenderoj mikun tim Izet Duraku me të cilin kemi konsultuar dhe vendosur për çdo detaj të kësaj vepre modeste, falenderoj profesor Shefqet Hoxhën dekanin e Lumës, përsonin që ka bërë më shumë se çdo i gjallë tjetër për trashëgiminë shpirtërore të Lumës e të Qarkut të Kukësit, që kujdeset për çdo gjë që i jep vlerë dhe emër Kukësit, falenderoj disa intelektualë e akademikë të njohur të Tiranës që u përfshinë në konsultime me ne për këtë memorial të vogël me peshë të madhe në histori.

Ky memorial peshon në histori më shumë se gjithë malet e urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve, ndaj kuksianëve e lumjanëve, peshon mijëra herë më tepër edhe se urrejtja e ndonjë bir a nip spiuni serb, bir a nip enveristi kundër Lumës e lumjanëve, urrejtje të cilës nuk ia ul flakët përcëlluese as shpallja e Serbisë në listën e vendeve mike apo aleate strategjike…

Ky monument kujtese është i veçantë.

Deshmitari i asaj kohe, siç e quan Izeti monumentin e vogël mbi të cilin është vendosur shkrimi i Dimitrije Tucoviqit, krahas monumentit me gurë të zij, dëshmon se për dy orë në Topojan u prenë 500 shpirta. Deshmitari spjegon shqip e anglisht për krimin e shëmtuar serb para 105 vjetëve. Ne vetëm duhet ta lexojmë dëshminë e deshmitarit dhe të mos vjellim urrejtje që helmon edhe peshqit në liqen, helmon edhe enveristët deri në Amerikë. Ja cfarë shkruhet në pllakën e Deshmitarit në krah të Memorialit:

“… Kur trupat serbe e shkatërruan këtë fshat, në fshat nuk kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhër ta djegin fshatin dhe gjithçka që gjejnë në të ta vënë nën thikë, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët “të gjithë a?”, kot e njoftuan disa herë komandantin se në fshat, përpos grave e fëmijëve, nuk ishte askush tjetër. “Të gjithë!”, kjo ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit, i cili punonte në marrëveshje me nënkolonelin Miliqeviq.

Të shtënat i rrëzonin gratë që i mbanin foshnjet në gjinj; skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat: trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë; gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra.

Therja u ndal kur një pjesë e oficerëve bënë protestë energjike, duke e pranuar: se shqiptarët e “egjër” ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë e “kulturuar” e shekullit XX po i vret fëmijët e tyre! Por, vonë. U bë vetëm ajo që ende mund të bëhej: kufomat u futën në shtëpi e shtëpitë u dogjën – që krimit t’i fshihej gjurma…”

Ne nuk kemi pse marrim leje askund për ta vendosë këtë monument të munguar kujtese e nderimi për martirët sepse e kemi detyrë të shenjtë që të nderojmë ata martirë që i ka pre në plumba e bajoneta ushtria mizore serbe.

As nuk kemi kujt pse t’i kërkojmë ndjesë ndonjë frymori të gjallë që turpshëm i rëndon tokës dhe shënon gjurmë shëmtimi ngado që ecën me hapat dhe hijen e tij.

Ky monument do të mbetet si një punë shumë serioze e bashkisë Kukës krahas bustit dhe shtëpisë së poetit martir Havzi Nela që nuk u ka pëlqyër spiunave dhe enveristëve.

U kërkoj ndjesë gjithë atyre që nuk janë dakort me ne që nderojmë martirët që shpesh quhen viktima.

U kërkoj ndjesë gjithë atyre që nuk dinë çfarë është ploja serbe e 1913 kundër Lumës. Le të mësojnë, le të lexojnë. Le ta dinë se këto gurë të zij janë gurë të nximë prej dhimbjes.

Vështirë të mos gjendet familje a fis në Lumë e Kukës që të mos jetë prekë nga ploja serbe. Askush nuk fton askeënd të nxisë e mbjellë urrejtje për holokaustin e parë në Europë ai i ushtrisë serbe kundër kuksianëve, por askush nuk fton as nxit askënd të harrojë.

Harrimi është mëkat, nderimi ndaj martirëve është detyrim madhor.

 

(Fjala e plotë në ceremoninë e inaugurimit të Memorialit të Martirëve të Lumës në Kukës, me 14 dhjetor 2018).

 

Please follow and like us: